Vizita në Liban/Lleshaj: Është çështje mjaft e ndërlikuar, për të cilën po diskutoj me autoritetet e Libanit për mundësitë e evakuimit të fëmijëve shqiptarë nga Siria - Ministria e Brendshme
Postuar më: 22/09/2020

Vizita në Liban/Lleshaj: Është çështje mjaft e ndërlikuar, për të cilën po diskutoj me autoritetet e Libanit për mundësitë e evakuimit të fëmijëve shqiptarë nga Siria

Liban – Pjesë nga biseda e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në lidhje live për emisionin “Open”, në Top Channel, duke folur për mundësinë e kthimit të fëmijëve shqiptarë nga kapmi Al-Hawl, në Siri

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur rreth përpjekjeve diplomatike që po bëhen për nxjerrjen e familjeve shqiptare që mbahen të mbyllura në kampin Al Hol në Siri, gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Open” në Top Channel. Përballë një paneli gazetarësh, ai ka sqaruar disa prej çështjeve me interes për publikun, duke u ndalur në faktin se ka takuar personalitete libaneze, që nga Ministri i Brendshëm i Libanit, e të tjerë, të cilët kanë premtuar mbështetje për këtë operacion. Ministri Lleshaj u shpreh se ka mundësi konkrete për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për të gjithë grupin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në këtë kamp.

Më poshtë pjesë nga intervista e Ministrit Lleshaj:

Ministri Lleshaj: Është një çështje mjaft e ndërlikuar për të cilën po diskutoj me autoritetet e Libanit për të parë mundësitë e ndërhyrjes për të bërë evakuimin e këtyre fëmijëve.

Pyetje: Sa afër këtij momenti jemi z.Lleshaj? Cilat janë shpresat? Sepse ju keni qenë në Liban, apo keni qenë në atë zonë edhe përgjatë kohës që keni punuar për Alvin Berishën ju kujtohet shumë mirë. Në atë kohë na dhatë shpresë, kur them na dhatë gjithë publikut shqiptarë edhe për fëmijët e tjerë. Kaloi një vit dhe thuajse nuk ndodhi asgjë, ose të paktën nuk kemi informacion se çfarë ka ndodhur.

Ministri Lleshaj: Sigurisht që ne patëm plane ambicioze vitin që shkoi për t’u marrë me këtë çështje por siç dini dy ngjarje të mëdha bënë që gjithçka, gjithë axhenda të ndryshojë. Ishte tërmeti, pastaj pandemia që vijoi, gjë që bëri që situata këtu në terren të ndryshojë në mënyrë rrënjësore dhe të gjitha planet u shtynë, u ndryshuan dhe ende jemi në këtë situatë. Mund t’ju them që situata në Liban vazhdon të mbetet mjaft e nderë, situata politike, situata e pandemisë.

Mësova që këtu kemi 1000 raste të reja në ditë. Një vend i vogël pothuajse sesa Shqipëria ka 1000 raste të reja infeksionesh, mund të imagjinoni se çfarë kufizimesh ka këtu. Po ashtu kufijtë me Sirinë janë në një gjendje të mbyllur praktikisht. Kështu që ne po merremi, të gjithë po merremi. Unë nuk dua të jap shpresa të kota; e vetmja gjë që mund të them është që ne po përpiqemi intensivisht. Dhe kam patur takime dje edhe sot, në nivelin politik dhe në nivelin operacional, me të gjithë autoritetet përgjegjëse këtu në Liban, të cilat kanë deklaruar angazhimin e plotë të tyre për të na mbështetur. Por më tepër nuk është vendi për të folur.

Pyetja: Zoti Lleshaj çfarë e pengon riatdhesimin e grave dhe fëmijëve shqiptarë? Kujtojmë që shumë vende të tjera e kanë kryer, Kosova vetë…

Ministri Lleshaj: Shumë vende të tjera nuk e kanë kryer këtë punë… Shumica e vendeve të tjera nuk e kanë kryer. Mos harroni një në kampin Al Hol janë me dhjetëra mijëra qytetarë të vendeve të ndryshme, të cilët ndodhen në një gjendje pothuajse të burgosur. Ne po merremi në rrugë zyrtare për ta zgjidhur çështjen.

Pyetje: A jemi afër zgjidhjes z. Ministër, se kjo është diçka që na shqetëson dhe intereson të dëgjojmë?

Ministri Lleshaj: Unë jam këtu për ta afruar zgjidhjen, pikërisht për ta afruar zgjidhjen jam këtu. Po ta ndiej që zgjidhje është shumë larg, nuk do të kisha ardhur këtu. Tentojmë që ta afrojmë sa më shumë të jetë e mundur zgjidhjen. Por është me rëndësi që të mos nxisim pritshmëri të panevojshme, mos të bëjmë zhurmë të panevojshme për arsye se zgjojmë orekse të shumë aktorëve, të cilët mund të pengojnë këtë proces. Prandaj kam kërkuar përherë që zhurma të jetë sa më e vogël, në mënyrë që suksesi të jetë i pacenuar, i pashqetësuar nga ndërhyrjet anësore në këtë proces.

Pyetje: Ideja është për t’i riatdhesuar të gjithë en-bloc 50-60 personat që janë, apo pjesë-pjesë?

Ministri Lleshaj: Ne tentojmë pikërisht të gjejmë një zgjidhje en-bloc për të gjithë, sepse do të na kursente shumë energji dhe shumë procedura.