Gjirokastër/Prezantimi i skuadrës “Shqiponja”, Lleshaj: OFL është në fazën vendimtare të zhvillimit dhe shumë shpejt do të prezantojë para publikut rezultatet konkrete përmes vendimeve të drejtësisë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 18/09/2020

Gjirokastër/Prezantimi i skuadrës “Shqiponja”, Lleshaj: OFL është në fazën vendimtare të zhvillimit dhe shumë shpejt do të prezantojë para publikut rezultatet konkrete përmes vendimeve të drejtësisë

Gjirokastër – Mbyllet cikli i prezantimit të “Shqiponjave”

Gjirokastra ishte etapa përmbyllëse e prezantimit të skuadrave “Shqiponja” në të gjithë vendin dhe ministri Lleshaj përzgjodhi një datë simbolike për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, e cila përkon me festën e çlirimit të qytetit nga trupat gjermane në vitin 1944. Ministri vuri në dukje se skuadrat “Shqiponja” janë pjesë e një programi të gjerë të aprovuar nga qeveria për rritjen sasiore dhe cilësore të trupës së Policisë së Shtetit. Me këtë rast ai bëri një shtjellim të investimeve të bëra në këtë drejtim duke theksuar vëmendjen që i kushtohet përzgjedhjes së elementëve cilësorë për t’u pranuar në radhët e Policisë së Shtetit. Ministri tha se ky program do të vijojë edhe në të ardhmen në mënyrë që të ndërtojmë një polici profesionale, moderne, të aftë për të përballuar sfidat e kohës, krimet e sofistikuara etj..

Lleshaj: Ceremonia që organizojmë përkon me një ditë të rëndësishme për qytetarët e Gjirokastrës që është dita e çlirimit të saj, përvjetor të cilin sapo e përkujtuam së bashku

Lleshaj: Krijimi i kësaj strukture të re, është finalizim i një programi intensiv dhe serioz investimesh të qeverisë shqiptare në fushën e sigurisë

Lleshaj: Filozofia e shtimit të organikës është të shtojmë kapacitete të munguara, specialitete të munguara në mënyrë që t’i përgjigjemi sfidave të shtuara

Lleshaj: Policia fuqizohet kur asaj i përmirësohet cilësia, kur ajo rinohet në moshë dhe kur ka oficerë më të përgatitur, të arsimuar dhe të motivuar për të kryer detyrën e tyre

Lleshaj: OFL është në fazën vendimtare të zhvillimit të tij, dhe shumë shpejt do të prezantojë para publikut rezultatet konkrete përmes vendimeve të drejtësisë


Fjala e plotë e Ministrit Lleshaj gjatë prezantimit të skuadrës “Shqiponja”:

I nderuar z. Prefekt,
E nderuar znj. Kryetare e këshillit të qarkut,
Të nderuar kryetarë të bashkive Gjirokastër, Dropull, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë, Përmet,
Të nderuar të pranishëm të tjerë nga institucionet,
Zonja e zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë që ne tashmë ne arrijmë në harkun e pak ditëve të kompletojmë një program të prezantimit një strukture të re në të gjithë qarqet e vendit. Me Gjirokastrën e mbyllim këtë cikël prezantimesh. Dhe besoj që nuk mund të gjenim rast më të mirë se Gjirokastra, dhe një ditë më të mirë se kjo për ta mbyllur këtë cikël prezantimesh.

Jemi mbledhur në Gjirokastër dhe sot ceremonia që organizojmë përkon dhe me një ditë të rëndësishme për qytetarët e Gjirokastrës që është dita e çlirimit të saj, përvjetor të cilin sapo e përkujtuam së bashku dhe lart në qytet.

Është kënaqësi e madhe të bëjmë prezente para publikut krijimin e kësaj strukture të re, e cila është finalizim i një programi intensiv dhe serioz investimesh të qeverisë shqiptare në fushën e sigurisë.

Me besimin e plotë që investimet në siguri, janë investime në mirëqenie, në zhvillim, në ekonomi, dhe në kulturë, për arsyen se pa sigurinë, të gjitha këto të tjerat nuk mund të zhvillohen, qeveria shqiptare është treguar e gatshme për ta çuar deri në fund këtë program të rëndësishëm dhe të kushtueshëm, i cili u zhvillua dhe u finalizua në kuadër të një situate jo të zakontë, madje shumë të pazakontë.

E kushtëzuar nga tërmeti i vitit që shkoi, pandemia që ende vijon, si dhe faktorë të tjerë që e kanë sfiduar mjaft ekonominë dhe buxhetin e vendit, por nuk e kanë sfiduar dot vendosmërinë e qeverisë për ta vijuar programin e saj në mbështetje të Policisë së Shtetit, me besimin e plotë që që duke mbështetur policinë, ne mbështesim të gjithë shoqërinë.

Dhe besoj që këta djem dhe vajza që janë rreshtuar sot para jush do të jenë në gjendje që ta justifikojnë këtë besim të madh të qeverisë, por edhe të shoqërisë duke e kthyer në një vlerë të shtuar për sigurinë e komuniteteve tona.

Gjirokastra mbetet një qark me vlera të moderuara ose të ulëta të kriminalitetit, që kushtëzohet dhe spjegohet edhe falë përbërjes së saj, edhe falë qytetarisë së saj, edhe falë traditës së saj.

Është një qark ku bashkëjetojnë shumë gjëra. Në fakt është një qark ku mund të shihet e gjithë Shqipëria në kuptim simbolik, bashkëjetesa fetare, bashkëjetesa etnike, dhe shumë vlera të tjera, gjë që e bën ndoshta më të lehtë angazhimin e këtyre djemve dhe vajzave, por dhe përgjegjësinë e tyre e bën më të lartë, sepse duhet të jenë në lartësinë e detyrës për ta vijuar këtë traditë të mirë, dhe për ta thelluar atë në kuptimin pozitiv.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Shtimi i Policisë së Shtetit ka qenë një program i cili ka vijuar që nga viti 2013. Që nga ky vit ne kemi shtuar 1700 punonjës të rinj në organikën e Policisë së Shtetit, 700 prej të cilëve janë shtuar vitin e fundit. Një shtesë e konsiderueshme në qoftë se marrim parasysh faktin që numrat në sektorë të tjerë jo gjithmonë janë shtuar, madje në jo pak raste janë zvogëluar, atje ku ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme për të zvogëluar. Por këtu ne kem shtuar jo thjesht numra, por së pari kemi shtuar kapacitete të reja.

Filozofia e shtimit të organikës ka ndjekur një rrugë, që thotë – mos të shtojmë strukturat ekzistuese por të shtojmë kapacitete të munguara, të shtojmë specialitete të munguara në mënyrë që t’i përgjigjemi sfidave të shtuara. Sepse sfidat shtohen përditë, sfidat në fushën e sigurisë shtohen sa më tepër që krimi sofistikohet dhe ndërron trajtë.

Për këtë arsye qasja ka qenë që të shtohen struktura të munguara në nivelin vendor, dhe njësitë “Shqiponja” janë një provë e kësaj që janë shtuar në të 12 qarqet.

Një kapacitet i munguar, i cili do të adresojë po ashtu një pjesë të munguar të spektrit të përgjegjësive të Policisë së Shtetit. Dhe besojmë që kjo është qasja e duhur.
Dhe po kështu e njëjta logjike është përdorur në nivelin qendror. Ku nuk janë shtuar strukturat ekzistuese, por janë krijuar struktura të reja për të përballuar sfidat e reja, kërcënimet e reja në fushën e rendit dhe të sigurisë publike.

Dhe si të tilla në nivelin qendror janë shtuar njësia “E”, që është njësia e luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, një kapacitet i domosdoshëm, i cili nevojitet sot më shumë se kurrë, për sa kohë që krimi përditë e më tepër sofistikohet, përditë e më tepër kamuflohet, dhe përditë e më tepër bëhet ekonomik, financiar, fokusohet tek paraja dhe tek transaksionet e paligjshme apo pastrimi i saj. Dhe krijimi i kësaj njësie është një përgjigje e merituar, e ardhur në kohën e duhur, e cila besojmë fort që do të japë rezultate të mëdha në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar. Është për t’u përshëndetur fakti që po ashtu edhe në struktura të tjera, në agjenci të tjera ligjzbatuese, edhe në Prokurorinë e Shtetit, janë krijuar kapacitete të tilla të specializuara për luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.

Vetëm para pak ditësh Prokuroria e Përgjithshme e prezantoi krjimin e strukturës së posaçme që merret me luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.

Një strukturë e specializuar për t’u marrë vetëm më këtë kategori krimesh. Si në qendër, ashtu edhe në prokuroritë e rretheve.
Dhe falë memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar midis Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave, lufta kundër krimit ekonomik dhe financiar do të njohë një dimension të ri dhe një energji të re, falë specializimit dhe investimit të rëndësishëm në kapacitete.

Përveç kësaj një strukturë tjetër e re e Policisë Shtetit është struktura “K”, është struktura e krijuar në funksion të kapjes dhe vënies para drejtësisë të personave që i janë shmangur asaj. Përgjatë viteve shumë qytetarë të dënuar nga sistemi i drejtësisë kanë arritur t’i shmangen asaj dhe kapja e tyre mbetet një prioritet i madh.

Hapja e dosjeve të vjetra mbetet një angazhim serioz dhe i pandryshuar dhe vënia para përgjegjësisë ligjore e të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale, të dënuar apo jo, mbetet një objektiv i madh. Drejtësia nuk duhet të harrojë kurrë dhe s’do të harrojë kurrë.

Në funksion të kësaj janë edhe këto investime, të cilat do të çojnë pa dyshim në suksese të reja. Dhe vlen të përmendet dhe të përgëzohet Policia e Shtetit për pjesëmarrjen e suksesshme në operacionin ndërkombëtar, që u mbyll dje, i cili mundësoi shkatërrimin e një grupi shumë të organizuar kriminal, të angazhuar prej vitesh në ngritjen e strukturave kriminale për tregtimin e lëndëve narkotike kryesisht në rrafshin ndërkombëtar.

Dhe ky operacion është një tjetër moment inkurajues, çka na provon se Policia e Shtetit tashmë është një partner shumë i besueshëm, me të cilin policitë e vendeve partnere, dhe nuk ishin pak, ishin dhjetë vende që morën pjesë në operacion të koordinuar nga Europol, tashmë arrijnë të ndajnë gjëra, që deri para disa kohësh nuk i ndanin me Policinë e Shtetit. Nuk i ndanin për arsye, që mund të kuptohen mirë.

Kjo tendencë, ky angazhim në luftën kundër krimit të organizuar, do të vazhdojë me besimin sepse dhe vetëm sepse lufta kundër krimit të organizuar mund të ketë sukses, kur ajo është ndërkombëtare. Përpjekjet thjeshtë kombëtare ndaj një krimi ndërkombëtarisht të organizuar nuk mund të premtojnë rezultate të qëndrueshme dhe të thella. Ndërsa angazhimi në kuadër strukturash ndërkombëtare është rruga e duhur.

Ndaj edhe kjo njësia “K” që është vetëm një element i Policisë së Shtetit, është tashmë pjesë e strukturave ndërkombëtare, është anëtare në rrjetin europian të strukturave homologe. Dhe kjo strukturë, dhe të tjerat, në koordinim të mirë me njëra-tjetrën, do ta mundësojnë rritjen e intensitetit të angazhimit ndërkombëtar të Policisë së Shtetit në funksion të luftës kundër krimit të organizuar.

Një njësi tjetër e Policisë së Shtetit e krijuar rishtas, është ajo që ka të bëjë me inteligjencën policore, është njësia “I”, e cila është krijuar me misionin për të mbledhur, përpunuar, analizuar informacionin e nevojshëm në funksion të policimit të suksesshëm.

Një polici e bazuar mbi inteligjencë do të thotë një polici që ka mundësi për të qenë efektive në luftën e saj kundër krimit.

Policia nuk është thjesht forcë, nuk është thjesht muskuj, nuk është thjesht pajisje, policia para së gjithash është inteligjencë, dhe vetëm përmes kësaj qasjeje ne do të arrijmë të futemi thellë e më thellë në labirintet e krimit, të cilat kanë ngelur prej kohësh të paeksploruara, të paprekura nga prania, nga forca e institucioneve dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.

Një strukturë tjetër është struktura “C”, struktura e luftës kundër krimit kompjuterik dhe kibernetik. Është një strukturë e re, një kapacitet i ri i shtuar i Policisë së Shtetit, që synon të adresojë një ndër problemet më të mëdha të kohës tonë. Një ndër sfidat më të mëdha për sigurinë për gjithë planetin, sigurisht edhe në Shqipëri, është krimi kompjuterik dhe ai kibernetik, i cili përditë e më tepër aktivizohet, përditë e më tepër krijon probleme, kërcënime, rreziqe dhe sfida për sigurinë e përgjithshme. E në këtë kuptim, Policia e Shtetit, përmes kësaj njësie bën një hap të rëndësishëm drejt futjes në domenin kibernetik dhe kompjuterik, të futjes dhe krijimit të prezencës atje.

Ne na vlen prezenca fizike, na vlejnë trupat në terren, mjetet, por na duhet që të futemi realisht në hapësirën virtuale atje ku ndodh shumë krim, në mënyrë që të jemi në gjendje të përballemi me sukses, të jemi të avancuar, të jemi hapa para krimit edhe në këtë fushë për të goditur rëndë edhe në këtë segment të rëndësishëm.

Një strukturë tjetër, edhe e fundit nga këto që dua të përmend sot është struktura e Operacionit Forca e Ligjit ose OFL, e cila është krijuar me misionin për të goditur pasuritë e krijuara në rrugë kriminale. Funksionimi i kësaj strukture që nga fillimi i këtij viti po bën që shoqërisë t’i përcillet një mesazh i qartë që institucionet dhe shteti nuk lënë jashtë vëmendjes pasuritë e krijuara në rrugë kriminale.

Kjo njësi po adreson, po investigon, po dokumenton dhe po çon para drejtësisë së posaçme rastet e pasurive të cilat e kanë burimin në veprimtari kriminale. Përmes saj ne i bëjmë një shërbim të madh drejtësisë, por nga ana tjetër japim edhe një mesazh të madh qytetarëve dhe sidomos rinisë së këtij vendi, duke i thënë që pasuria e vënë në rrugë kriminale nuk mund të ketë të ardhme. Që kushdo që i futet rrugës për të akumuluar dhe krijuar pasuri në rrugë të shpejtë përmes krimit, në rrugë të shkurtër përmes krimit, duhet të jetë i sigurtë që ajo pasuri një ditë do t’i hiqet nga duart përmes ligjit dhe do t’i vihet në shërbim publikut, ashtu siç duhet të jetë.

Dhe ky operacion i cili, e thashë, është në fazën vendimtare të zhvillimit të tij, besojmë që shumë shpejt do të prezantojë para publikut edhe rezultatet konkrete përmes vendimeve të drejtësisë të cilat tashmë janë në proces të pakthyeshëm.

Të nderuar zonja e zotërinj,
Ne kemi besim që policia nuk fuqizohet vetëm kur asaj i shtohen numrat, as kur i shtohen njësitë e reja. Policia fuqizohet në radhë të parë kur asaj i përmirësohet cilësia, kur ajo rinohet në moshë dhe kur ajo ka oficerë më të përgatitur, të arsimuar dhe më të motivuar për të kryer detyrën e tyre. Dhe këtë linjë e kemi ndjekur dhe do të vazhdojmë ta ndjekim me konsekuencë në të ardhmen duke rinuar policinë përmes pranimeve të reja.

Këto ditë përmbyllim programin e testimeve dhe të pranimeve të reja në Akademinë e Sigurisë, mbi 350 të rinj do t’i bashkohen, duke bërë që kjo Akademi të ketë intensitetin më të lartë të pranimeve të reja në historinë e vet.

Vitin që shkoi kishim rreth 900 studentë në Akademinë e Sigurisë, shifër e paarritur më parë ndonjëherë në historinë që ne e kemi të regjistruar dhe këtë do ta vazhdojmë me intensitet me besimin që shtimi i cilësisë është në thelb ajo çka kërkojmë.

Dhe një risi tjetër është ajo që ka të bëjë me tërheqjen e të rinjve dhe të rejave që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera universitetet e vendit, duke krijuar një kategori të re, një profil të ri të oficerit të policisë kriminale, një profil të oficerit të përgatitur mirë, që është në nivel elitar, krahasuar me të gjitha profesionet e tjera në vend, gjë që do të bëjë që jo vetëm të rritet reputacioni i Policisë së Shtetit, jo vetëm që profesionistët e policisë të kenë elitën e tyre, të krahasueshme, konkurruese me të gjitha elitat e tjera në vend, por do të rrisë në radhë të parë efektivitetin e luftës kundër krimit të organizuar, luftë, e cila, siç e thashë, do më shumë mend sesa muskuj, mjete dhe logjistikë.

Gjëja e fundit që dua të përmend ka të bëjë më faktin që të gjitha këto që them janë një pjesë e gjësë, por e gjithë gjëja. E rëndësishme është që të kuptojmë të gjithë që siguria është një e mirë publike, e cila prodhohet në mënyrë publike. Nuk prodhohet nga policia.

Policia është një institucion, një agjenci që e mbështet, që e udhëheq luftën kundër krimit, por krijimi i sigurisë si e mirë publike, është detyrë e të gjithë shoqërisë, është detyrë e jona.

Ndaj është me rëndësi të madhe që përkrahja publike për policinë të konsiderohet si detyrim shoqëror i kujtdo. Policia është instrumenti ynë, është arma jonë në luftën kundër krimit, dhe kurrë nuk mund t’i lejojmë vetes indiferencë përball saj. Aq më tepër nuk mund t’i lejojmë vetes sulme ndaj saj, siç për fat të keq jo rrallë ndodh, nga segmente të shkëputura, nga segmente periferike, ose nga segmente të papërgjegjshme të shoqërisë tonë, nganjëherë ndoshta për fat të keq edhe të politikës.

Duhet të kuptojmë dhe është me rëndësi të madhe të kuptojmë që krimi është një fenomen social..Policia nuk gjeneron krimin, por e lufton atë. Ndaj sa herë ka krime, edhe si krimet e fundit të shëmtuara të para dy ditëve në Tiranë dhe Elbasan, ne na kërkohet si shoqëri që të rreshtohemi, me policinë; kërkohet që të distancohemi nga krimi dhe jo të ngremë gishtin ndaj policisë siç ndodh nga segmente periferike dhe të papërgjegjshme, të cilat bëjnë efektivisht të kundërtën e interesit publik.

Efektivisht ngrihen jo kundër policisë, por ngrihen kundër interesit publik për më shumë siguri në vend, sepse policia vetëm sa e simbolizon këtë interes publik, dhe vetëm sa e mundëson dhe e ndërton përditë këtë të mirë publike.

Ndaj duke përfunduar më lejoni që t’i uroj të gjithë anëtarët e rinj të ekipit “Shqiponja” nga Gjirokastra, për fillimin e detyrës. Besoj do ta mbajnë mend se siç thashë është një ditë me shenjë, pozitive për Gjirokastrën.

Të kenë suksese në detyrën e tyre, të jenë në lartësinë e nivelit të pritshmërive të qytetarëve të Gjirokastrës, të cilët janë qytetarë modernë, janë qytetarë inteligjentë, janë qytetarë që e duan shtetin, që e duan kulturën, që e duan qytetin dhe qarkun e tyre.

Dhe unë besoj fort se me trajnimin që keni marrë, me përzgjedhjen përmes së cilës keni kaluar, ju do të jeni plotësisht në këtë nivel dhe do të kontribuoni dhe do ta shtoni vlerën e sigurisë për gjithë qytetarët e Gjirokastrës.

Faleminderit të gjithëve dhe me këtë rast, gëzuar festën e Gjirokastrës!

 

******************************************************************************************************************************************************

Prononcim i ministrit Lleshaj për mediat:

Ministri Lleshaj: Lidhur me rendin, dua t’ju them që situata e rendit dhe e sigurisë publike në Shqipëri është në parametra optimalë, pavarësisht ngjarjeve të fundit. Ngjarjet janë ngjarje, por ngjarjet nuk janë të atij niveli sa të përmbysin situatën. Pra duhet të bëjmë një dallim midis tablosë së përgjithshme të situatës së rendit dhe të sigurisë publike, e cila është duam apo nuk duam në nivelet më të mira historike. Se këtë e provojnë shifrat, të cilat janë publike tashmë, jo vetëm shifrat e publikuara nga ne, por edhe shifrat e publikuara në nivel ndërkombëtar.

Ju këshilloj si gazetarë, sepse ju e dini që jeni hulumtues të mirë mund të konsultoni “Eurostatin” dhe të shihni se në cilat nivele është siguria dhe rendi publik në Shqipëri. Pra dua të them që rendi është në parametra optimalë. Ngjarjet janë të rënda të papranueshme dhe po punohet fort për zbardhjen e tyre sa më shpejt. Dhe dua të garantoj që duke marrë në konsideratë faktin që Policia e Shtetit shqiptar ka një nivel zbulueshmërie të ngjarjeve kriminale shumë të lartë, që shkon tek 90% në shumicën e rasteve, sidomos në krimet e rënda kalon mbi 90%, jep arsye të plotë për të besuar që edhe në këtë rast zbardhja e tyre do të bëhet pa hezitim dhe në thellësinë e nevojshme.

Sa i përket pyetjes që të ndaj mendjen ka apo s’ka, unë e kam ndarë mendjen dhe kam thënë që Shqipëria nuk ka kanabis në kuptimin e një plage të madhe shoqërore, siç jemi mësuar ta kemi. Sigurisht që tentativa për të mbjellë do të jetë për sa kohë të ketë njerëz. Por është po aq e sigurtë që fenomeni është këputur në mes dhe nuk mund të ngrihet më në këmbë. Këtë e provojë shifrat, këtë e provojnë dy indikatorë që unë i mbaj në ndjekje përditë. Sasinë e lëndës narkotike që kapet në brigjet përballë, në Itali, apo në Greqi, apo në vende të tjera, e cila ka shkuar pothuajse drejt zeros. Dhe po ashtu ndiqen dhe tregues të tjerë që na provojnë që kanabisi është goditur dhe këputur në mes. Sigurisht ka tentativa të izoluara, të shkëputura, në zona shumë të thella të cilat po ndiqen këmba-këmbës, falë një angazhimi madhor të Policisë së Shtetit. Dhe mundësitë për një riaktivizim, për një ringjallje apo për agravim të situatës janë zero. Pra, kjo është që mendja është e ndarë, fenomeni është inekzistent si fenomen.

Pyetje: Zoti Lleshaj dy ditë më përpara SHÇBA-ja në Gjirokastër ka asgjësuar 1000 bimë narkotike. Ku ka qenë Drejtoria Vendore e Policisë së Gjirokastrës lidhur me zbulimin e parcelave? Madje janë pezulluar edhe punonjës policie..

Ministri Lleshaj: Sigurisht që SHÇBA-ja punon vetëm, punon edhe bashkë me strukturat e policisë. SHÇBA-ja ndërhyn dhe duhet të keni parasysh që një ndër masat dhe mënyrat e ndjekura nga ne, për ta goditur fenomenin, ka qenë edhe goditja e personave të padenjë brenda policisë. Dhe kur angazhohet SHÇBA-ja sigurisht që synohet që edhe të identifikohen punonjës që nuk kanë kryer detyrën me veprime, apo siç ndodh shpesh me mosveprime, dhe mosangazhim në raste të shkëputura. Por gjithsesi janë raste të shkëputura që provojnë seriozitetin tonë që provojnë që ne i përdorim të gjithë instrumentet për ta luftuar këtë fenomen. Sepse ky fenomen ka qenë një mallkim për vendin tonë që ka prodhuar krim, dhe po nuk e çrrënjosëm thellë ne nuk kemi bërë punën. Por ne jemi të angazhuar për ta bërë thellë këtë punë.

Pyetje: Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme ditën e sotme ka dhënë dorëheqjen. A është e vërtetë që ka një javë dorëheqja në zyrën tuaj dhe ju nuk e keni firmosur dhe a ka lidhje me tenderat e uniformave blu?

Ministri Lleshaj: Së pari, nuk ka një dorëheqje të Sekretarit të Përgjithshëm, ka një lëvizje të Sekretarit të Përgjithshëm në një detyrë tjetër. Ju e dini që administrata publike funksionon si e tërë dhe në kuadër të menaxhimit të kësaj administrate publike bëhen lëvizje, të cilat janë krejt të natyrshme në një strukturë të tillë. Histori me tenderat nuk ka.

Sekretari i Përgjithshëm nuk është marrë me tenderat, nuk merret me tenderat, se tenderat kanë një agjenci të specializuar, e cila i kryen ato dhe i nënshtrohen një procesi të veçantë auditimi, verifikimi, hetimi, kur kanë nevojë për t’u hetuar. Por dua t’ju them që gjithçka është në nivelet optimale. Ministria e Brendshme është sot në ditën më të angazhuara të punës së saj për të menaxhuar rendin, sigurinë dhe fusha të tjera të përgjegjësisë.

Pyetje: Z. Ministër, këto ditët e fundit kemi dëgjuar shumë vrasje. A është normale për një vend si Shqipëria?

Ministri Lleshaj: Keni dëgjuar shumë vrasje këto ditë. Madje këto ditë kanë ndodhur pothuajse 10% e vrasjeve që kanë ndodhur gjithë vitin në Shqipëri. Kjo është diçka e cila për fat të keq, për sa kohë kemi njerëz, edhe ndodh që mund të kesh 2-3 ditë që ke një përqendrim të veprave kriminale dhe pastaj ke 2-3 muaj që s’ke asnjë vepër kriminale. Kjo nuk na bën neve të humbasim toruan dhe të biem në panik.

Unë ju ftoj që ta kundroni, të shihni ftohtë situatën e rendit dhe sigurisë dhe mos të biem në panik nga një ngjarje që të themi u shemb! Nuk shembet Shqipëria, as siguria, për një ngjarje, as për dy. Por ju them që gjithsesi, numri i veprave të rënda kriminale në Shqipëri është ky që është. Jemi më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, jemi shumë më poshtë, jemi shumë më poshtë sesa çdo periudhë e ngjashme e historisë sonë. Kaq është. Kjo është e provueshme.
Ne sot kemi rreth 35 vrasje deri tani. S’kemi pasur kurrë ndonjëherë në historinë e re të Shqipërisë, kaq. A janë shumë? Sigurisht që janë shumë. Duhet të jenë zero. Por zero nuk bëhen kurrë këto, për sa kohë ka njerëz në botë. Dhe këtë mund ta krahasoni dhe me shifrat më të mira të vendeve të tjera perëndimore. Kemi shumë vende europiane që kanë më shumë vrasje për frymë sesa Shqipëria. Vende europiane, jo vende të rajonit! Ndaj unë e ftoj edhe median, publikun dhe shoqërinë që të mundohemi të mos krijojmë situata histerie dhe paniku dhe tjetra, të distancohemi pak nga krimi. Distancim nga krimi unë nënkuptoj mbështetjen e policisë. Se nganjëherë i turremi policisë a thua se Policia i bën vrasjet! Jo, Policia është për t’i parandaluar dhe për të gjetur e vënë para përgjegjësisë autorët e tyre.

Kështu që nuk mundet dhe këtë e kam shqetësim për ata që arrijnë ta ndiejnë shqetësimin njëlloj si unë. Ka të tjerë që s’duan ta ndiejnë, mos ta ndiejnë. Por për ata që arrijnë ta ndiejnë përgjegjësinë për këtë vend, seriozisht duhet që në këto momente policia të inkurajohet për të bërë detyrën, sepse s’duhet të harrojmë që policët janë njerëz. Që edhe ata mund të zhgënjehen një ditë, që edhe ata mund të demotivohen, edhe do ta bëjnë punën më keq. Ne kemi interes që policët ta bëjnë punën më mirë dhe që ta bëjnë punën më mirë ata kanë nevojë për mbështetjen tonë, të medias në radhë të parë, të qytetarëve në radhë të dytë, dhe sigurisht ne e kemi detyrë funksionale dhe s’bëhet fjalë për mbështetjen tonë.

Faleminderit.