Vlorë/Prezantimi i njësisë “Shqiponja”, Lleshaj: Thelbi i të gjithë kësaj përpjekjeje është një - të ngushtojmë hapësirën e krimit dhe të mundësojmë që krimi të sulmohet nga të gjitha anët - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/09/2020

Vlorë/Prezantimi i njësisë “Shqiponja”, Lleshaj: Thelbi i të gjithë kësaj përpjekjeje është një – të ngushtojmë hapësirën e krimit dhe të mundësojmë që krimi të sulmohet nga të gjitha anët

Vlorë – Prezantohet njësia ”Shqiponja”

Skuadra “Shqiponja” në Vlorë do të jetë më e madhja në vend, pas Tiranës, tha ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë ceremonisë së prezantimit të kësaj njësie në DVP e këtij qarku. Në takim morën pjesë drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor, drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit e zyrtarë të tjerë vendorë. Ministri Lleshaj përsëriti apelin për të rinjtë universitarë që t’i bashkohen Policisë së Shtetit për ta luftuar krimin në ato hapësira ku kërkohen dije të posaçme siç janë hapësira kibernetike, transaksionet bankare etj. Lleshaj u shpreh gjithashtu se programi i rritjes në numër, cilësi dhe pajisje i Policisë së Shtetit, do të vijojë edhe në të ardhmen në mënyrë që policia jonë të këtë një nivel sa më të lartë profesional.

Lleshaj: Struktura e posaçme operacionale “Shqiponja”, në Vlorë, është më e madhja nga numri për strukturat e ngritura në në qarqet e tjera, përjashtuar Tiranën

Lleshaj: Ky kompleks masash, ky investim i jashtëzakonshëm, historik në sigurinë e vendit që fillon te Policia e përfundon tek sistemi i drejtësisë

Lleshaj: Thelbi i të gjithë kësaj përpjekjeje është një – të ngushtojmë hapësirën e krimit dhe të mundësojmë që krimi të sulmohet nga të gjitha anët

Lleshaj: Veçanërisht në fushën e krimit ekonomik e financiar dhe në fushën e krimit kibernetik mbeten hapësira të mëdha të angazhimit të policisë në periudhën në vijim

Lleshaj: Ne do të vazhdojmë me intensitet të mbështesim në pikëpamje logjistike, teknike, teknologjike Policinë e Shtetit


VIDEO – Fjala e plotë e ministrit Lleshaj:

Mirëdita të gjithëve,
I nderuar z. Prefekt i qarkut Vlorë,
Kryetar i Bashkisë Vlorë,
Kryetar i Bashkisë Himarë,
Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit,
Përfaqësues të institucioneve të tjera këtu në Vlorë,

Së pari ju përshëndes duke shprehur dhe kënaqësinë time të veçantë për mundësinë që kam për të ardhur në Vlorë, ku vij përherë me kënaqësi dhe emocion, aq më tepër kur vij në një adresë si kjo e Akademisë së Marinës, një adresë e historike, e nderuar, e lavdishme, për të cilën kam patur nderin që për vite me radhë, ta kem në fushën time të përgjegjësisë dhe ta vizitoj shumë shpesh.

Sot ne vijmë në Vlorë për të prezantuar një risi, për të prezantuar një strukturë të re, strukturën e posaçme operacionale “Shqiponja”, e cila me sa duket në Vlorë ka edhe madhësinë përkatëse, që i shkon Vlorës, pra është më e madhja nga numri për strukturat e ngritura në në qarqet e tjera, përjashtuar Tiranën.

Kjo edhe për arsye të specifikës që ka qarku, edhe për arsye të numrit të banorëve që ka, ngarkesës së madhe që ka ky qark në fushat e turizmit, zhvillimit të ekonomisë, edhe për shtrirjen e madhe gjeografike, sepse është një qark që fillon këtu e përfundon në skajin jugor të vendit.

Sigurisht që sot kjo njësi vjen si një aset i plotë, një njësi e kompletuar, së pari me njerëzit e saj, djemtë dhe vajzat e saj, të cilët janë trajnuar, janë përzgjedhur në kuadër të një procesi intensiv përzgjedhje, ndërmjet mijëra të tjerëve.

Janë trajnuar, pajisur me gjithçka, pra është një skuadër e plotë që i ka të gjitha. Ka njerëzit, ka mjetet, ka motivimin, ka kualifikimin, ka dëshirën, ka mbështetjen e të gjithëve dhe prandaj besoj që kjo është mënyra për të prezantuar dhe për të filluar një projekt të ri të madh.

Ne do ta vazhdojmë me vendosmëri kursin e ndjekur gjatë viteve të fundit për ta shtuar policinë në numër, për ta modernizuar atë në pajisje, për ta perfeksionuar atë në trajnim, në kualifikim dhe për ta mbështetur atë në të gjitha aspektet e mundshme.

Janë dy tendenca, janë dy grafikë pas meje, që tregojnë dy tendenca të kundërta me njëra-tjetrën. Është një grafik që rritet dhe ky është grafiku i numrit të policisë, në këto vite, i cili është shtuar në mënyrë të ndjeshme, – 17% është shtuar numri neto i punonjësve të policisë që nga viti 2013, duke arritur sot një nivel të pranueshëm, ndonëse jo stacioni fundor.
Ndërkohë ka një tendencë tjetër, ka një grafik tjetër, që është grafiku në rënie i të gjitha figurave të krimit në Shqipëri. Mbrapa meje është paraqitur vetëm një tendencë, tendenca e uljes së numrit të vrasjeve, e cila ka shkuar sot në gjysmën e atyre që ishin në 2013. Por nuk janë vetëm vrasjet si tregues, janë të gjithë indikatorët e tjerë që masin nivelin e rendit dhe sigurisë publike, që janë në këtë tendencë rënieje, pra përmirësimi të vazhdueshëm.

Përgjigjja për pse-në e këtij zhvillimi pozitiv, për pse-në e këtij suksesi është pikërisht investimi serioz në sigurinë e vendit, në Policinë e Shtetit, në organet e tjera ligjzbatuese. Tashmë përditë e më tepër siç jeni në dijeni edhe në sistemin e drejtësisë.

Ky kompleks masash, ky investim i jashtëzakonshëm, historik në sigurinë e vendit që fillon te policia e përfundon tek sistemi i drejtësisë, po sjell përditë e më shumë rezultate të prekshme të cilat qytetarët i ndjejnë dhe i vlerësojë për ditë e më tepër.

Përveç shtimit të numrit të policisë ne kemi ndjekur edhe një politikë të shtimit të kapaciteteve të saj, pra nuk kemi shtuar thjesht numrin, nuk kemi shtuar njësitë ekzistuese, apo kapacitetet ekzistuese, por kemi ngritur kapacitete të reja të munguara për t’iu përgjigjur sfidave të reja, të cilat janë të shumta dhe ndryshojnë përditë. Për këtë arsye e kemi krijuar strukturën e skuadrës “Shqiponja”, në të gjithë vendin.

Po përveç këtyre kemi krijuar një numër të konsiderueshëm njësish të reja të specializuara në nivelin qendror duke filluar me njësinë “E”, që është njësia e luftës kundër krimit ekonomik; me njësinë “I”, që është njësia e inteligjencës; me njësinë “C”, që është njësia e luftës kundër krimit kompjuterik dhe atij kibernetik; me njësinë “K” që është njësia e kapjes së personave që i janë shmangur drejtësisë në vite; dhe me OFL-në që është struktura e ngarkuar me luftën kundër aseteve kriminale.

Thelbi i të gjithë kësaj përpjekjeje është një – të ngushtojmë hapësirën e krimit dhe të mundësojmë që krimi të sulmohet nga të gjitha anët, një sulm koncentrik, jo vetëm ndaj individëve që bëjnë vepra kriminale, por ndaj pasurive të tyre, ndaj aseteve të tyre, ndaj lidhjeve të tyre, ndaj ndikimit të tyre e kështu me radhë.

Kjo qasje koncentrike për ta goditur krimin nga të gjithë anët ka kërkuar njësi të specializuara, të cilat tashmë janë krijuar si kapacitete të reja, të panjohura më parë në Policinë e Shtetit dhe me të cilat do të vazhdojë puna për t’i perfeksionuar. Qëllimi është lufta kundër krimit, lufta e vendosur kundër krimit dhe veçanërisht kundër trajtave të reja të tij. Krimi ndryshon trajtë përditë, përshtatet me terrenin, sofistikohet, modernizohet në llojin e tij. Dhe për këtë arsye është nevojë e dorës së parë që policia të jetë përpara, të jetë e avancuar, të jetë më moderne, më e pajisur, më e motivuar, më e trajnuar dhe të gjitha këto i shërbejnë këtij qëllimi. Veçanërisht në fushën e krimit ekonomik e financiar dhe në fushën e krimit kibernetik mbeten hapësira të mëdha të angazhimit të policisë në periudhën në vijim.

Ne duhet ta luftojmë krimin edhe atje ku nuk kemi patur traditë, në fushën virtuale, në fushën e krimit kompjuterik. Në fushën kibernetike do të jemi prezentë me Policinë e Shtetit edhe në këtë realitet virtual, përmes ekspertëve, specialistëve. Ndaj gjej rastin për t’i ftuar të rinjtë e të rejat e Vlorës për t’u bashkuar me Policinë e Shtetit në kuadër të këtyre strukturave të reja. Sigurisht që për t’u bashkuar me këto struktura të reja kërkohet kualitet shumë i lartë, kërkohen diploma universitare të shkëlqyera, kërkohen rezultate të larta universitare, kërkohen diploma nga fusha specifike si nga ekonomia, financa, informatika, banka, jurisprudenca, elektronika me qëllim që prania dhe goditja jonë në këtë fushë të jetë e madhe.

Për këtë qëllim do ta vijojmë më tej programin e rritjes së Policisë së Shtetit, të përtëritjes së saj, të përmirësimit cilësor të saj duke shtuar përditë e më tepër numrin e atyre që janë kapacitet cilësore, të rinj që vijnë nga studime të suksesshme, që kanë motivim të lartë, integritet të lartë dhe që meritojnë besimin e madh të publikut.

Por jo vetëm kaq, ne do të vazhdojmë me intensitet të mbështesim në pikëpamje logjistike, teknike, teknologjike Policinë e Shtetit, në mënyrë që njerëzit cilësorë të saj të jenë po ashtu në disponim të teknologjive cilësore, bashkëkohore, të flotës së përshtatshme të automjeteve dhe të pajisjeve të tjera të domosdoshme për të kryer një mision kompleks. Kjo që shihni këtu është vetëm një fragment i asaj që po bëhet dhe vetëm një ide e asaj që do të bëhet, me të njëjtën vendosmëri e angazhim që policia të jetë thjesht polici moderne, të jetë një polici që i shkon përshtat një vendi që po modernizohet me ritëm të lartë dhe një polici, të cilën e meriton nj publik dhe një qytetari dinjitoze si qytetaria e Vlorës dhe e gjithë Shqipërisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Veç gjitha këtyre, ne duhet ta konceptojmë ashtu siç duhet sigurinë, e cila përkufizohet thjesht si mungesë e frikës. Siguria është mungesa e frikës, përkufizuar në mënyrën më të shkurtër.

Kjo do të thotë që na duhet të përcjellim te qytetarët mesazhin e sigurisë reale, sepse ka jo pak raste kur megjithëse siguria mund të jetë e garantuar, perceptimi i qytetarëve nuk është i tillë. E për sa kohë që perceptimi nuk është në nivelin e realitetit, atëherë ne kemi një problem shtesë, të cilin duhet ta adresojmë përmes komunikimit, përmes marrëdhënies me publikun.

Siguria është një e mirë e madhe publike, e cila nuk mund të ndërtohet vetëm nga policia, vetëm nga organet ligjzbatuese. Ajo ndërtohet nga pjesëmarrja e qytetarëve. Për këtë arsye na duhet që këtë ta konsiderojmë drejtimin e parë të punës sonë, marrëdhënien për të fituar qytetarët, për t’u bërë palë me to, për të qenë pjesë e tyre dhe jo përballë tyre. Asnjëherë përballë tyre, gjithmonë në krah dhe mes tyre edhe gjithmonë përballë krimit.

Kjo është deviza që duhet të ndjekim, dhe me këtë rast u uroj të gjithë djemve dhe vajzave që i bashkohen sot skuadrës së re “Shqiponja” në Vlorë, punë të mbarë, faqebardhë. Ndihuni me fat se jeni në Vlorë. Jo se të tjerët nuk janë me fat, por ju duhet të jeni me fat ngaqë jeni në Vlorë, jeni në këtë peizazh të mrekullueshëm, në këtë vend me potencial të jashtëzakonshëm turistik, kulturor, shoqëror dhe shpreh bindjen qe ju do ta ngrini më lart imazhin e Policisë së Shtetit, do ta forconi më tej marrëdhënien e saj me komunitetin dhe do ta fuqizoni më shumë efektivitetin e saj në luftën kundër krimit dhe do të shërbeni më mirë për të vendosur parametra më të larta të rendit dhe sigurisë publike.

Faleminderit dhe punë të mbarë të gjithëve, faleminderit edhe të gjithë pjesëmarrësve!