Kukës/Prezantimi i skuadrës “Shqiponja”, Lleshaj: Investimet janë përqendruar në konsolidimin e shtetit, e funksioni bazik i shtetit, përmes të cilit ka lindur është siguria - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/09/2020

Kukës/Prezantimi i skuadrës “Shqiponja”, Lleshaj: Investimet janë përqendruar në konsolidimin e shtetit, e funksioni bazik i shtetit, përmes të cilit ka lindur është siguria

Kukës – Prezantohet skuadra SHQIPONJA

Gjatë prezantimit të skuadrës “Shqiponja” në DVP Kukës, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është shprehur se fokusi i punës është drejtuar në rritjen e cilësisë së trupës së policisë përmes trajnimeve, shkollimit, kurseve etj, në mënyrë që kjo trupë të jetë tërësisht profesioniste. Emërimi i mbi 500 punonjësve të rinj në Policinë e Shtetit është pjesë e një programi qeveritar që synon rinovimin, modernizimin dhe profesionalizimin e trupës policore. Lleshaj bëri një rezyme të reformave të ndërmarra në polici gjatë viteve të fundit dhe u ndal posaçërisht në krijimin e disa njësive të reja që janë të profilizuara në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik, kibernetik etj. Ministri Lleshaj solli në vëmendje të të pranishmëve gjatë kësaj ceremonie, edhe kujdesin që duhet treguar për mbrojtjen e territorit, parandalimin e krimeve mjedisore, dëmtimeve me ose pa dashje.

Pjesë nga fjala e ministrit Lleshaj:

Për t’u përballur me krimin e organizuar, i cili është në një tendencë sofistikimi, kemi krijuar struktura të specializuara në qendër, ku kërkohet një nivel tjetër profesionalizmi dhe specializimi.

Njësia “I”, e inteligjencës ose informacionit, shënon një kapacitet të ri, të munguar gjatë këtyre 30 viteve në Policinë e Shtetit, duke i pamundësuar asaj një funksion bazik, informacionin.

Qeveria Shqiptare përgjatë këtyre 7 viteve ka pasur një objektiv madhor që ka qenë të bëjmë shtet, ta konsolidojmë atë. Përmes konsolidimit të shtetit krijojmë kushtet që qytetarët të jetojnë në liri, me dinjitet dhe prosperitet.

Pohojmë me shumë qartësi, me vetëbesim të madh se Shqipëria përjeton një ndër periudhat më të mira të sigurisë publike në historinë e re të saj, në historinë e 30 viteve të fundit.

Në lidhje me mjedisin, ajo që kërkojmë të bëjmë është pikërisht diçka për ta mbrojtur këtë vend nga dëmi që i shkaktojmë ne, nganjëherë me papërgjegjshmërinë, nganjëherë me padijen e keqdashjen.

Rast i mirë për të ardhur në Kukës për të prezantuar këtë strukturë të re operacionale, e cila i shtohet kapaciteteve aktuale të Policisë së këtij qarku.

Në lidhje me mjedisin, ajo që kërkojmë të bëjmë është pikërisht diçka për ta mbrojtur këtë vend nga dëmi që i shkaktojmë ne, nganjëherë me papërgjegjshmërinë, nganjëherë me padijen e keqdashjen, nganjëherë për arsyen e interesave të gabuara e kështu me radhë.

Qeveria Shqiptare përgjatë këtyre 7 viteve ka pasur një objektiv madhor që ka qenë të bëjmë shtet, ta konsolidojmë atë. Përmes konsolidimit të shtetit krijojmë kushtet që qytetarët të jetojnë në liri, me dinjitet dhe prosperitet. Pa shtetin asgjë nuk është e mundur.

Investimet janë përqendruar në konsolidimin e shtetit, dhe funksioni bazik i shtetit, funksioni i parë i tij përmes të cilit ka lindur është Siguria. Investimet në këtë fushë kanë qenë të vazhdueshme dhe kanë ardhur duke u rritur në mënyrë progresive.

Këtë viti qeveria miratoi një shtesë të konsiderueshme në organikën e Policisë së Shtetit, mbi 500, gati 600 punonjësish të rinj, vende të reja në organike. Shtesë e bërë nga qeveria me koshiencë të plotë, me bindjen se çdo investim në sigurinë e vendin, në sigurinë publike është investim në të ardhmen e vendit.

Përgjatë 7 viteve Policia e Shtetit ka shtuar në organikën e saj 1700 veta, që është një rritje e konsiderueshme prej 17%. Ndërkohë që ky investim është përkthyer në një rritje të dukshme të sigurisë publike në vend.

Pohojmë me shumë qartësi, me vetëbesim të madh që Shqipëria përjeton një ndër periudhat më të mira të sigurisë publike në historinë e re të saj, në historinë e 30 viteve të fundit.

Numri i vrasje në Shqipëri përgjatë 7 viteve është ulur me 47%, pothuajse është përgjysmuar. Ky është vetëm njëri prej treguesve që pasqyron nivelin e ri të sigurisë publike. Po nuk është vetëm ky tregues, në qoftë se i marrin edhe të gjithë treguesit e tjerë, që e përshkruajnë nivelin e sigurisë në vend, numrin e plagosjeve, numrin e vjedhjeve, numrin e aksidenteve e të tjera figura të kriminalitetit në vend, shohim që të gjitha janë në minimumin historik të tre dekadave të fundit.

Në jemi të angazhuar për të vazhduar më tej thellimin e mbështetjes për Policinë e Shtetit, duke synuar që ajo të shtohet, që ajo të përtërihet në moshën e personelit të saj, dhe që ajo të përmirësohet në cilësinë e saj. Të modernizohet, të fuqizohet në logjistikë, në pajisje dhe teknologji.

Qëllimi kryesor i angazhimit në përmirësimin e kushteve të Policisë së Shtetit është, sepse ne duhet të jemi gjithmonë një hap përpara rreziqeve që paraqiten në fushën e sigurisë. Dhe rreziku kryesor është krimi, kriminaliteti, veçanërisht krimi i organizuar i cili po ecën drejt sofistikimit të mëtejshëm. Si pasojë, shtimi në organikën e Policisë nuk është vetëm shtimi i organikës ekzistuese dhe shtim i njësive ekzistuese, por shtim në krijimin e kapaciteteve të reja të munguara, siç është struktura e re “Shqiponja” që paraqitet sot këtu.

Për t’u përballur me krimin e organizuar i cili është në një tendencë sofistikimi, kemi krijuar struktura të specializuara në qendër, njësi të reja në qendër, ku kërkohet jo thjesht prezencë policore, jo thjeshtë forcë fizike por kërkohet një nivel tjetër profesionalizmi dhe specializimi.

Një ndër to është Njësia “E”, e cila për detyrë, funksion dhe mision ka të merret me krimin ekonomik dhe financiar, me pastrimin e parave dhe me forma të tjera të sofistikuara të krimit. Përbëhet kryesisht nga studentë ekselentë që janë arsimuar si oficerë të Policisë Kriminale.

Është shtuar edhe Njësia “K”, njësi që merret me kapjen e personave në kërkim, personave që i janë shmangur drejtësisë. Njësi kjo që është bërë pjesë e rrjetit europian të njësive homologe.

Njësia “I”, e inteligjencës ose e informacionit, shënon një kapacitet të ri, të munguar gjatë këtyre 30 viteve në Policinë e Shtetit, duke i pamundësuar asaj një funksion bazik, informacionin. Përmes kësaj njësie, policia shton “sytë dhe veshët” e saj, shqisat e saj, për të mbledhur informacion.

Njësia “C”, njësia e luftës kundër krimit kompjuterik, kibernetik. Përmes kësaj njësie kemi krijuar kapacitete për të qenë prezentë në hapësirën kibernetike, në të cilën përditë kryhet krim në Shqipëri e jashtë saj. Depërtimi në banka, në llogaritë bankare, në profilet personale të qytetarëve në rrjete sociale, sulmi dhe shantazhi ndaj qytetarëve, zyrtarëve, personaliteteve publike, gjyqtarëve ndaj kujtdo, një shantazh i kamufluar përmes anonimatit, duke shfrytëzuar në mënyrë kriminale mundësitë që krijon hapësira digitale.

Operacioni Forca e Ligjit është krijuar në funksion të realizimit të një objektivi të madh të qeverisë – të godasë financat që janë krijuar nga krimi. Gjatë viteve, krimi ka akumuluar asete kriminale, në trajtën e parave, llogarive bankare, bizneseve, pasurive të patundshme etj., dhe OFL ka për detyrë të verë para drejtësisë këdo që ka akumuluar pasuri për të cilën nuk është në gjendje të japë justifikime ligjore. Operacioni është në zhvillim, ka dhënë rezultate të dukshme, ndërkohë pritet intensifikim shumë i rëndësishëm në muajt në vijim.

Fokusi i punës sonë nuk është thjesht te shtimi i numrit të Policisë, as te shtimi i njësive, por përpjekja jonë është të shtojmë cilësinë e saj. Ne na duhen më shumë policë, por, së pari, na duhen policë shumë herë më profesionistë dhe të përgatitur për të kryer këtë mision kompleks.

Në funksion të rritjes së cilësisë së Policisë po bëhen përpjekje të mëdha, në radhë të parë për trajnimin, arsimimin, kualifikimin dhe sidomos për rekrutimin cilësor të tyre. Ky proces do të vijojë dhe ne do të vendosim standarde shumë të larta. Përveç kësaj, ne kemi hapur një rrugë tjetër, për mbushjen e radhëve të policisë më studentë, që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera universitetin.

Do të punojmë për ta vijuar programin tonë të modernizimit teknik dhe teknologjik të policisë. Në çdo qark të Shqipërisë ka një flotë të rinovuar automjetesh të reja në dispozicion të misionit të policisë.

Vlerësimet e fundit (sondazhet), tregojnë për një perceptim mjaft pozitiv për Policinë e Shtetit. Një studim i Institutit ‘Agenda’, i mbështetur nga një program i qeverisë suedeze, provon faktin se niveli i perceptimit publik për sigurinë në Shqipëri është rritur dhe ka arritur në maksimumet historike. Qytetarët e Shqipërisë kanë një vlerësim pozitiv për punën e Policisë në nivelin mbi 62%, që është edhe më e lartë se vlerat e nxjerra në disa vende të rajonit apo të BE.

Duke përfunduar dëshiroj të uroj të gjithë pjesëtarët e rinj të njësisë së posaçme operacionale “Shqiponja” në Kukës për fillimin e detyrës. Ju uroj suksese, dhe besoj se jeni të përgatitur mirë për detyrën dhe sfidat që ju presin. Detyra juaj nënkupton integritet të lartë, ndershmëri, seriozitet dhe qendrim korrekt me ligjin.

Misioni juaj i parë është të jeni me qytetarët, për qytetarët dhe krimi është kategoria e dytë me të cilën do të merreni. Besoj se do të nderoni veten, familjet tuaja, Policinë e Shtetit, vendin tonë, në misionin që keni. Faleminderit.