Lezhë/Prezantimi i skuadrës “Shqiponja”, Lleshaj: Investimi njerëzor në Polici është investim në sigurinë e qytetarëve, në favor të jetës dhe të prosperitetit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 09/09/2020

Lezhë/Prezantimi i skuadrës “Shqiponja”, Lleshaj: Investimi njerëzor në Polici është investim në sigurinë e qytetarëve, në favor të jetës dhe të prosperitetit

Lezhë – Ceremonia e prezantimit të skuadrës “Shqiponja” në DVP Lezhë

Lleshaj: Mesazhi kryesor i kësaj ceremonie, është mesazhi i përtëritjes së Policisë së Shtetit
Lleshaj: Në harkut e shtatë viteve të fundit, pra që nga vitit 2013 Policia e Shtetit është shtuar me 17%
Lleshaj: Investimi njerëzor në Policinë e Shtetit është investim në sigurinë e qytetarëve, investim në favor të jetës dhe të prosperitetit të tyre.
Lleshaj: Në rënie është numri i vrasjeve, plagosjeve, në rënie drastike është numri i aksidenteve, në rënie është numri i vjedhjeve me dhunë
Lleshaj: Policimi i bazuar mbi inteligjencë, do të thotë policim me efektivitet, policim me reduktim dhe përdorim efiçent resursesh dhe me saktësi të lartë në operim


Duke prezantuar skuadrën e re “Shqiponja” në DVP Lezhë, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bëri një paraqitje të plotë të ndryshimeve dhe rezultateve të arritura në gjirin e Policisë së Shtetit gjatë 7 viteve të fundit, ku bien fort në sy përgjysmimi i vrasjeve dhe rritja me 17% e numrit të përgjithshëm të punonjësve të policisë. Ministri theksoi se në qendër të vëmendjes për këto ndryshime ishin dy aspekte, rinovimi i organikës dhe modernizimi i saj, në pajisje dhe në formim. Lleshaj u ndal gjithashtu në njësitë e reja të krijuara në Policinë e Shtetit të cilat janë të profilizuara në luftën e sofistikuar ndaj krimit siç janë njësitë “C”, “I”, “E”, “K” si dhe në rezultatet e arritura nga Operacioni Forca e Ligjit. Në lidhje me gjetjet e një sondazhi të mbështetur nga qeveria suedeze për besimin e qytetarit tek Policia dhe sigurinë, ministri Lleshaj u shpreh se besimi i qytetarëve është në nivelet më të mira historike, e shkon mbi 62%, në nivel kombëtar.

Video – Fjala e plotë e ministrit Lleshaj:

Mirëmëngjes të gjithëve!
Të nderuar zonja deputete,
Të nderuar drejtues të bashkive,
Z. Prefekt,
Të nderuar përfaqësues të organeve të tjera të pushtetit vendor,
Drejtues të Policisë së Shtetit,

Nuk mund të kishim një vend më të bukur sesa këtu për ta prezantuar këtë njësi të re operacionale të forcave të Policisë së Shtetit. Përballë këtij memoriali të rëndësishëm, një vend pelegrinazhi kombëtar dhe besoj që kjo ditë do t’ju mbetet në mend të gjithë djemve dhe vajzave, që sot fillojnë një ditë të rëndësishme në shërbim të sigurisë të qytetarëve të Lezhës.

Besoj që edhe mesazhi kryesor i kësaj ceremonie, e cila tashmë po zhvillohet sipas një grafiku të caktuar në të gjitha qarqet e vendit, është mesazhi i përtëritjes së Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit Shqiptar ka nevojë të përtërihet dhe të shtohet. Pikërisht këto dy gjëra po ndodhin sot këtu në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë. Ajo po përtërihet me djem dhe vajza të rinj, si dhe po shtohet në numrin e saj në mënyrë të konsiderueshme.

Nëse do t’i shihni këto grafikët mbrapa, do të shihni dy shigjeta, një që zbret poshtë, njëra e kuqe që zbret poshtë dhe thotë minus 47%, dhe një që ngjitet dhe thotë plus 17%. Që do të thotë që në harkut e shtatë viteve të fundit, pra që nga vitit 2013 Policia e Shtetit është shtuar me 17%. Ndërkohë që një figurë krimi, vrasja është ulur me 47%, ose pothuajse përgjysmuar. Kjo na jep qartazi para syve domethënien e investimit në Policinë e Shtetit. Investimi njerëzor në Policinë e Shtetit është investim në sigurinë e qytetarëve është investim në favor të jetës dhe të prosperitetit të tyre.

Përgjysmimi i numrit të vrasjeve në harkun e këtyre viteve është vetëm njëri prej treguesve, ndërkohë që të gjitha kurbat e tjera, që përshkruajnë tendencën e zhvillimit të tregueseve kryesorë të sigurisë publike në vend, ndjekin po të njëjtën linjë.

Në rënie është numri i vrasjeve, në rënie është numri i plagosjeve, në rënie drastike është numri i aksidenteve, në rënie është numri i vjedhjeve me dhunë, edhe shumë e shumë tregues të tjerë, çka tregon se kjo është rruga e duhur. Më shumë investim në siguri, do të thotë më shumë në siguri, më shumë numra në polici, do të thotë më shumë siguri, dhe për rrjedhojë më shumë siguri do të thotë më shumë zhvillim ekonomik, shoqëror, kulturor dhe rritje e cilësisë së jetës për qytetarët e këtij vendi.

Është me shumë rëndësi të theksojmë që ne nuk kemi ndjekur vetëm politikën e shtimit të numrave të Policisë, por paralelisht me këtë kemi shtuar në mënyrë të konsiderueshme edhe njësitë e saj. Pra nuk janë shtuar njësitë ekzistuese, por janë krijuar kapacitete të reja me qëllim që t’i përgjigjemi sfidave të reja, sepse koha na ballafaqon përditë me sfida të reja.

Kështu që 12 njësi si kjo i janë shtuar Policisë në nivelin vendor. Njësi të ngjashme i janë shtuar Policisë së Kufirit dhe një numër i caktuar njësish të tjera janë shtuar në nivelin qendror, atje ku kërkohet specializim i lartë për të përballuar çështje me seriozitet dhe me komplikacion të lartë.

Kështu kemi shtuar Njësinë “E” që është Njësia e Krimit Ekonomik, ose e luftës kundër krimit ekonomik. njësi e specializuar për të luftuar krimin ekonomik dhe financiar, për të luftuar pastrimin e parave, dhe figurave të ngjashme të kriminalitetit. Njësi e përbërë nga ekspertë të mirëfilltë, të përzgjedhur nga radhët e studentëve më të mirë që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera universitetet e vendit, të trajnuar në mënyrë intensive në Akademinë tonë të Sigurisë edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Tashmë kjo njësi është tërësisht operacionale dhe po kryen detyrën e saj me sukses në të gjithë vendin.

Njësi tjetër që është shtuar në strukturën e Policisë së Shtetit është Njësia “K”, e cila ka për detyrë kapjen e personave që i janë shmangur drejtësisë. Një numër jo i vogël personash të dënuar nga drejtësia shqiptare përgjatë dekadave të fundit, i janë shmangur asaj, dhe ende nuk e kanë kryer dënimin ndonëse e kanë marrë “de jure” një dënim të tillë. Por me krijimin e kësaj strukture ne synojmë t’i japim një shtysë të re përpjekjes për t’i gjetur kudo që janë. Përgjithësisht nuk janë këtu, por janë jashtë vendit personat e shmangur drejtësisë. Dhe për t’i vënë përpara saj edhe në bashkëpunim me strukturat homologe ndërkombëtare për arsye se njësia “K”, pra Njësia e Kapjes së Personave në Kërkim, është tashmë anëtare e Rrjetit Europian të njësive homologe, besojmë që sukseset e deritanishme të saj na japin arsye për të shpresuar që sukseset do të jenë të prekshme, dhe kushdo që ka punë me drejtësinë, duhet të llogarisë që një ditë do të përballet me të. Në mos sot, nesër, por më shumë sot.

Njësi tjetër e shtuar në strukturën e Policisë së Shtetit, është Njësia e Inteligjencës, Njësia “I”. Ajo që ka për detyrë mbledhjen përpunimin, analizën e informacionit policor, sipas parimit tashmë gjerësisht të zbatuar në polici dhe në vendet moderne europiane, që policia bazohet mbi inteligjencë. Policimi i bazuar mbi inteligjencë, do të thotë policim me efektivitet, policim me reduktim dhe përdorim efiçent resursesh dhe me saktësi të lartë në operim. Kjo njësi është në funksion e sipër, ndërkohë që një tjetër është shtuar, po ashtu në radhën e strukturave të policisë, është Njësia “C”, njësia që merret me luftën kundër krimit kompjuterik dhe kibernetik. Domosdoshmëria e kësaj Njësie lidhet me progresin e madh në fushën e teknologjisë dhe informacionit, i cili ka mundësuar shumë gjëra për shumë qytetarë. Por në të njëjtën kohë ka mundësuar që edhe për elementët keqbërës dhe kriminelë të hapen mundësi të reja për të goditur dhe për të bërë krim.

Për këtë arsye ne na duhet që të jemi prezent me Polici, jo vetëm në hapësirën tonë fizike, siç duket sot me këtë skuadër të re që prezantojmë, por për t’u bërë prezent me një polici profesionale edhe në hapësirën që nuk duket, nuk preket, në hapësirën virtuale, kibernetike ku ndodh shumë krim, dhe kur nevoja për goditje efiçente është shumë e lartë. Ndaj kjo njësi është tashmë operacionale, por ende e papërfunduar, për arsye se këtu kemi nevoja të mëdha për djem dhe vajza të rinj, që kanë ekspertizë të theksuar në fushën e informatikës. Ndaj gjej këtë hapësirë dhe mundësi sot për të bërë ftesë për të gjithë ata që mendojmë se mund të ndeshen me krimin në fushën kibernetike, në fushën e elektroneve, të bashkohen me këtë strukturë për t’i shtuar kapacitetet dhe vlerat Policisë së Shtetit, por vlerat e angazhimit të të gjithë shoqërisë përballë një figure të re të krimit e cila përditë e më tepër bëhet sfiduese.

Dhe së fundmi është Njësia OFL, Operacioni Forca e Ligjit, e cila është krijuar në funksion të goditjes së pasurisë së vënë në rrugë kriminale. Është fakt i njohur tashmë që në Shqipëri, përgjatë dekadave të kaluara krimi ka marrë një farë goditjeje, shumë përfaqësues të tij janë vënë në pranga, janë burgosur por jo përherë pasuritë e tyre janë prekur. Madje do të thosha, si rregull, pasuritë e tyre nuk janë prekur. Por për sa kohë ne e lëmë krimin të disponojë, të gëzojë, të përdorë pasuritë e tij kriminale, ne kurrë nuk mund të pretendojmë për një sukses afatgjatë në ballafaqimin me të. E pikërisht për këtë arsye është ngritur OFL, i cili synon që thënë thjeshtë, t’u marrë pasuritë e vëna në rrugë kriminale, të gjithë atyre që i kanë ngritur këto pasuri në kurriz të të tjerëve, mbi gjakun dhe mundin e të tjerëve dhe t’ia vënë në dispozicion publikut.

Duke besuar që për sa kohë ne i heqim krimit pasuritë, financat, asetet kriminale, në fakt shterojmë burimin që e mban gjallë krimin dhe nga ana tjetër ne japim një mesazh të qartë për të rinjtë e këtij vendi, duke thënë që nuk është biznes që vlen krimi! Sado që të merresh me krim, sado që të të erren sytë e të futesh në rrugë kriminale me besimin që kështu mund të bësh parà apo pasuri të shpejtë, duhet të jesh i sigurt që do të vijë një ditë që dikush troket te dera, që të kërkon faturat, llogaritë, dhe në fund të herës do të jesh i detyruar që atë pasuri që e ke vënë mbi gjakun apo mbi mundin e të tjerëve, por edhe mbi sakrificën tënde apo të familjes tënde, do ta dorëzosh me turp. Shanset për ta gëzuar atë janë të barabarta me zero.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jo vetëm shtimi i kapaciteteve fizike është drejtim pune i policisë, por në të njëjtën kohë, modernizimi i saj është prioritet i madh! Ne duhet dhe po punojmë maksimalisht për ta modernizuar Policinë e Shtetit në dy drejtime kryesore.

Së pari, modernizimin e njerëzve të saj. Ne na duhet që profili i punonjësve të Policisë së Shtetit, të jetë një profil i profesionistëve dinjitozë, të angazhuar dhe me integritet të lartë tek të cilët publiku duhet të ketë sukses absolut. Këtë po e bëjmë përmes përzgjedhjes së kujdesshme. Skuadrat e reja “Shqiponja” që prezantohen, ose shtesa prej 500 oficerësh të policisë, që u bë tani, falë angazhimit serioz, personalisht të Kryeministrit, por edhe të qeverisë, për të hapur buxhetin e nevojshëm, – dhe besoj që e kuptoni që në këto kohë shtrëngesash të mëdha, shtimet organike janë fjala e fundit që dëgjohet në administratën e shtetit, – por kjo shtesë e bërë me gjenerozitet të lartë, ka rezultuar nga një përzgjedhje e prej më shumë se 2500 djemve dhe vajzave, të cilët kanë konkurruar për t’u bërë pjesë e këtij ekipi. Dhe dua të them që përmes përzgjedhjes së kujdesshme ne sigurojmë cilësinë e duhur të personelit. Dhe pas përzgjedhjes është trajnimi intensiv i këtyre, në kuadër programesh moderne në Akademinë e Sigurisë, edhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, me qëllim që profili i punonjësit të Policisë së Shtetit të vijë e të afrohet përditë me profilin e një profesionisti model në shoqërinë tonë.

Për këtë kemi hapur edhe një kanal tjetër rekrutimi për të marrë punonjës policie nga universitetet dhe jo thjesht nga universitet, por nga më të mirët e universiteteve. Ne kemi hapur një program, i cili ka dy vjet që funksionon për të marrë vetëm studentë të ekselencës, nga një numër i kufizuar degësh të universitetit, siç janë informatika, elektronike, ekonomia, financa dhe jurisprudenca. Përmes këtij programi ne po përthithim në radhët e Policisë, oficerë ekselentë dhe ky numër po shtohet në mënyrë progresive. Në këtë rrugë ne besojmë që do ta modernizojmë trupën e policisë. Në të njëjtën kohë do të hapim mundësi që edhe ata që për arsye moshe apo për arsye fizike do të duhet të largohen nga policia, do të mbeten prapë të trajtuar në kushte të njëjta, sikur të ishin në polici, por thjeshtë ne duhet të hapin rrugë që të rinjtë të marrin përherë e më shumë rol në Policinë e Shtetit.

Nga ana tjetër, në dispozicion të këtyre oficerëve të rinj të Policisë së Shtetit do të shtojmë përditë e më tepër burimet materiale e logjistike në dispozicion, automjetet e reja. Besoj i shihni këto automjete që kanë në dispozicion vetëm këta që janë këtu. Por në të gjithë Policinë e Shtetit tashmë flota është rinovuar në mënyrë historike për të gjithë strukturat e saj. Për strukturat e kufirit, të rendit, të policisë kriminale dhe ky program do të vazhdojë me intensitet të lartë për të shtuar teknologjinë moderne në funksion të policimit.

Së fundmi, përveç të gjitha këtyre, rëndësi e madhe është që të kuptohet që siguria nuk është thjesht investim fizik, nuk është thjesht reduktim i treguesve të kriminalitetit. Siguria përkufizohet edhe si mungesë e frikës. Që do të thotë pavarësisht se ne mund të ulim treguesit e kriminalitetit, rëndësi jetike ka se si qytetarët e perceptojnë sigurinë e tyre. A ndihen ata realisht të lirë! Nuk ka rëndësi nëse ne i kemi treguesit e mirë, por qytetarët nuk ndihen të lirë dhe të sigurt. Prandaj është me shumë rëndësi ka që të punojmë për të krijuar këtë perceptim tek qytetarët që vendi është i sigurtë, që ata duhet ta shijojnë jetën e tyre, që ata duhet të angazhohen me biznes, të investojnë, të shëtisin, të udhëtojnë, të dominojnë sheshet, rrugët. Jemi, besoj, në një rrugë shumë të mirë në këtë drejtim, por është e rëndësishme që për ta thelluar këtë perceptim tek qytetarët, duhet rritur kontakti dhe bashkëpunimi me ta.

Në një studim të fundit të programit për programin e Policimit në Komunitet, që drejtohet dhe financohet nga qeveria suedeze, një institut që punon për këtë program Instituti “Axhenda”, ka zhvilluar një sondazh në Shqipëri për të parë se cili është niveli i vlerësimit publik për Policinë e Shtetit, dhe cili është niveli i perceptimit publik për sigurinë. Rezulton që vlerësimi pozitiv për Policinë e Shtetit është në nivelet më të larta historike, që shkon mbi 62%, në nivel kombëtar. Pra, mbi 62% e qytetarëve besojnë tek Policia e Shtetit, tek roli pozitiv i saj dhe kjo është inkurajuese. Por është edhe një sfidë dhe një përgjegjësi e lartë për secilin që e mban uniformën e nderuar të Policisë së Shtetit. Ndërkohë që po ashtu, sipas të njëjtin studim, 75% e qytetarëve të Shqipërisë beson se është i sigurtë, kur udhëton edhe natën në rrugët e qytetit apo të fshatit të tij. Pra, tregon se niveli i perceptimit të sigurisë në nivel kombëtar, është shumë i lartë krahasuar dhe me mesataret më të mira të rajonit e përtej, por ky besim është në dorën tuaj, të nderuar punonjës të policisë, për ta thelluar më tej, për ta justifikuar. Unë besoj fort që ju jeni në gjendje, të gatshëm dhe të përgatitur për ta mbajtur lart këtë besim.

Dua të them dy fjalë për skuadrën e re “Shqiponja” që i shtohet Policisë së Lezhës: Mbajeni mend këtë ditë! Falënderoj ata që kanë zgjedhur këtë vend në mënyrë që juve t’ju mbetet në kujtesë vendi ku e filloni detyrën. Është një vend bese. Përgjithësisht Lezha njihet si qyteti i Besëlidhjes, por pikërisht memoriali mbrapa na kujton besën e madhe të Gjergj Kastriotit. Kështu që edhe juve ju mbetet detyrë të jeni besnikë ndaj qytetarëve, besnikë ndaj betimit tuaj si punonjës të Policisë së Shtetit dhe të punoni për ta rritur me tej nivelin e sigurisë në Lezhë, sepse duke rritur nivelin e sigurisë në Lezhë, do të rrisim nivelin e sigurisë në të gjithë Shqipërinë.
Faleminderit dhe punë të mbarë!