“Illyrian Guard” - Roja e objekteve shtetërore - Ministria e Brendshme
Postuar më: 08/07/2020

“Illyrian Guard” – Roja e objekteve shtetërore

“Illyrian Guard” – Roja e objekteve shtetërore
 
 

I nderuar Drejtor i “Illyrian Guard” ,Të nderuar anëtarë të bordit drejtues,Të nderuar staf i administratës dhe pjesëtarë të struktuarve të “Illyrian Gruard”,  Është kënaqësi që pas rreth një viti përpjekje për ngritjen e kësaj strukture të rëndësishme, tashmë shohim produktin e kësaj përpjekje. Një produkt, i cili mban mbrapa angazhimin e shumë njerëzve duke filluar nga Enrik Elmazi, i cili e nisi këtë punë si Drejtor i Përgjithshëm dhe shumë të tjerë, staf të tjetër të kësaj kompanie, e cila tashmë siç duket qartë ka marrë atë trajtë që ne duam. Dhe besoj që do të vazhdojë procesin e përmirësimit për të marrë vendin që i takon në kontekstin e subjekteve që ofrojnë shërbime sigurie në Shqipëri, për të realizuar një ‘brand’ të rëndësishëm në këtë fushë.

“Illyrian Guard” është krijuar në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë së objekteve shtetërore, pas një përvoje jo të mirë disa vjeçare të privatizimit të këtij shërbimi, i cili solli edhe një farë degradimi të cilësisë dhe të parametrave të sigurisë së shërbimit në objektet publike dhe shtetërore, por edhe një rritje astronomike të kostos së këtij shërbimi në këto objekte. Pkërisht për të adresuar këto dy probleme: rritjen e cilësisë së shërbimit dhe uljen e kostos së tij, Qeveria Shqiptare mori vendimin për të krijuar “Illyrian Guard”, si një strukturë e cila do ta ofrojë sigurinë për objektet publike dhe shtetërore nga vetë shteti, nga një kompani shtetërore. Thashë me kënaqësi shohim që kemi mbërritur në një nivel të mirë, tashmë me të drejtë mund të thuhet që “Illyrian Guard” është një emër i rëndësishëm në fushën e ofruesve të shërbimeve të sigurisë në Shqipëri, krahas ofruesve privat.  Pra, është një ndër emrat e rëndësishëm dhe masat e marra për pajisjen, për kompletimin me të gjitha ato element që i duhen kompanisë për të kryer shërbimin, e para së gjithash masat e marra për rekrutimin e stafeve cilësore, janë elementët më të rëndësishëm që na kanë sjellë deri në këtë ditë ku jemi sot. Sigurisht që jemi vetëm vetëm në fillim! Kjo mund të quhet dita e parë zyrtare e fillimit të punës së “Illyrian Guard”! Dita e parë! Pavarësisht se shumë ditë kanë kaluar, por kjo është dita e parë në kuptimin e fillimit të aktivitetit me të gjithë kapacitetet dhe me të gjithë pajisjet, dhe me të gjithë stafet që i nevojiten kësaj kompanie.

Fillimi është i rëndësishëm, por mbetet shumë për të bërë. Ne pretendojmë dhe do të arrijmë që “Illyrian Guard” të rrisë nivelin e saj profesional. Ne do të vazhdojmë së pari të kushtojmë vëmendje të madhe personelit, stafit që shëben në “Illyrian Guard”, të cilët duhet të përfaqësojnë një model të punonjësve që shërbejnë në fushën e sigurisë në kuptimin e integritetit, profesionalizimit, të arsimimit, të trajnimit, të kualifikimit dhe të motivimit.  Do të ndiqet me rigorozitet procesi i ruajtjes së parametrave të integritetit të punonjësve të “Illyrian Guard”. Punonjësit e “Illyrian Guard”, duhet të jenë në lartësinë e emrit që mbajnë, “Roja Ilire”, në kuptimin e të gjithë parametrave profesional.

Së pari integriteti, mbetet thashë “ADN-ja” e “Illyrian Guard”, na duhen njerëz me nder, me dinjitet, me profesionalizëm, me trimëri, me zgjuarësi. Pastaj na duhen njerëz që përditë zhvillohen profesionalisht. Misioni i punonjësve të “Illyrian Guard” nuk është të kryejnë vetëm shërbim dhe të shkojnë në shtëpi. Misioni i punonjësve të “Illyrian Guard” dhe i drejtuesve, i stafeve të saj është dhe do të jetë trajnimi i vazhdueshëm, përgatitja e vazhdueshmë në mënyrë që “Illyrian Guard” të bëhet një brand i rëndësishëm në fushën e sigurisë në vend edhe më gjerë.  Në mënyrë që dalëngadalë pasi të mbulojë përgjegjësinë e saj për ruajtjen e të gjithë objekteve shtetërore, “Illyrian Guard” të mund të shohë për hapësira të reja, për tregje të reja edhe në fushën e ofrimit të shërbimeve ndaj subjekteve private në vend, pse jo edhe jashtë tij, kudo që kjo të bëhet e mundur.  Për këtë duhen njerëz profesionistë, dhe profesionist njeriu bëhet vetëm atëherë kur trajnohet dhe zhvillohet çdo ditë. Ky është kushti i parë i profesionalizimit, performanca dhe zhvillimi saj çdo ditë. Ne do të vazhdojmë ta shohim me prioritet çështjen e “Illyrian Guard” edhe në kuptimin e modernizimit.  Ne kërkojmë që shërbimi i sigurisë të mos bazohet thjeshtë tek rojet fizike, por dalëngadalë të kombinohet midis angazhimit të teknologjisë moderne dhe njerëzve të përgatitur për përdorimin e saj. Kjo do të thotë që “Illyrian Guard” nuk do të synojë të shtojë numrat e saj, por do të synojë të shtojë mendjen e saj në kuptimin e pajisjes me teknologji moderne, dhe të zbatimit, dhe të implementimit, të teknologjive moderne në ruajtjen e objekteve të rëndësishme që ka. “Illyrian Guard” sot ruan një pjesë të madhe të pasurisë të këtij vendi, ruan objekte të rëndësisë së veçantë, ruan hidrocentrale, ruan ujësjellësa, ruan spitale, ruan institucione të larta të shtetit, ministri, institucione të tjera qëndrore, universitete dhe shumë e shumë institucione të rëndësishme të këtij vendi. Për ta plotësuar këtë, ne do të vazhdojmë të jemi përherë të motivuar për ta mbështetur këtë kompani, e cila siç thashë dhe siç duket do ta vazhdojë këtë proces rritjeje profesionale, dhe rritje e përmirësimi të imazhit të saj.

Është me rëndësi jetike që ju të vendosni një model të ri edhe në kontekstin e të gjithë operatorëve që ofrojnë shërbime sigurie në vend.  Me “Illyrian Guard” ne duhet të vendosim një model përballë të gjithë operatorëve të tjerë, pra kompanive të tjera të sigurisë private, të cilat duhet të synojnë të vendosin standarte të larta, të ngjashme me këto të “Illyrian Guard”. E them këtë për arsye se Ministria e Brendshme, respektivisht Policia e Shtetit ka një detyrë të rëndësishme në monitorimin e performancës profesionale të këtyre kompanive si dhe në fushën e liçensimit të tyre. Për këtë arsye duhet që standartet e “Illyrian Guard” të kërkohen, të respektohen edhe nga kompani të tjera. Në mënyrë që i gjithë tregu, të gjithë operatorët që ofrojnë shërbime sigurie në vend të jenë në parametrat optimal. Një ndër parametrat optimal që duhet të vendoset është trajtimi i njerëzve, trajtimi i stafeve. Fatkeqësisht kemi patur përvoja jo të mira në trajtimin e stafeve dhe personelit të kompanive që ofrojnë shërbime sigurie në vend. Pra, kompanive private ose operatorëve private që ofrojnë shërbime sigurie në vend. Me “Illyrian Guard” ne kemi vendosur një standart të ri shumë të lartë të trajtimit të personelit, të stafeve. Pra trajtim dinjitoz, financiar, mbështetje e plotë, me pajisje dhe me elemente të tjerë të nevojshëm për zbatimin e detyrës. Dhe do kërkojmë që standarte të tilla të respektohen edhe nga operatorët e tjerë në tregun privat. Sepse interesi ynë nuk është thjesht të ndërtojmë një ishull përformance të lartë me “Illyrian Guard”, por interesi ynë, detyra jonë është që të rrisim parametrat dhe performancën e shërbimit që ofrohet nga të gjithë operatorët që ofrojnë shërbime në tregun e sigurisë në Shqipëri dhe të cilët janë shumë.  Është një treg i madh, është një numër i madh njerëzish, profesionistësh që ofrojnë shërbim në këtë fushë, por që duhet të gjejnë trajtim të përshtatshëm në përputhje me legjislacionin dhe në përputhje me standartet në të cilat ne jetojmë.  Duke e përfunduar ju përshëndes të gjithëve, ju uroj suksese. Besoni tek “Illyrian Guard” dhe “Illyrian Guard” do të besojë tek ju.  Për të gjithë stafin tjetër administratën që është e rreshtuar këtej civil në krahun e majtë kërkoj që të thelloni punën, për ta mbajtur “Illyrian Guard” si promotorin, si lokomotivën që tërheq para në rrugë e duhur të gjithë tregun e sigurisë private në Republikën e Shqipërisë. Faleminderit!