Vizita në Dibër/Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj takime në Burrel, Peshkopi, Bulqizë e PKK Bllatë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/06/2020

Vizita në Dibër/Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj takime në Burrel, Peshkopi, Bulqizë e PKK Bllatë

Burrel – Takim me kryetarët e bashkive Mat e Klos, deputeten e zonës, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin e Qarkut Dibër, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, ndërtimet pa leje, masat kundër dëmtimit e prerjes së pyjeve, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.

Fjala e ministrit të Brendshëm:

Mirëdita të gjithëve! Faleminderit të gjithëve që jeni mbledhur, është kënaqësi që më jepet mundësia dhe në këtë ditë kaq të bukur për të ardhur në Mat. Po the Mat ke thënë shumë gjëra, në kuptimin e një krahine të madhe të lashtë me histori, me kulturë, me traditë.

Kur kalon në këtë luginë përjeton emocione të veçanta, sepse është ndër luginat më të bukura në Shqipëri e më gjerë.

Sot në fakt ne kemi ardhur në kuadër të një programi që po zhvillojmë në të gjithë vendin, për të diskutuar disa çështje që kanë rëndësi të madhe. Prandaj i organizojmë takimet kështu, edhe me pjesëmarrje të autoriteteve, por edhe të publikut. Për të diskutuar disa çështje që i përmendi edhe Prefekti edhe Kryetari i Bashkisë, me çështje që kanë të bëjnë sigurisht me fushën e rendit dhe të sigurisë publike, dhe të territorit që tashmë një pjesë të përgjegjësive që i ka patur IKMT-ja janë zgjeruar. Tashmë IKMT-ja është atashuar pranë PSH.

Kemi ndryshime të rëndësishme. Ndryshimet ligjore, memorandumet që janë bërë duket që kanë ndikuar për mirë dhe kanë qenë me vlerë, duke para vetëm nga gjelbërimi dhe nga hovi që kanë marrë pyjet.

I është dhënë një frymëmarrje natyrës, florës, faunës, territorit në përgjithësi duke ja rritur shumëfish potencialin për jetë më normale të qytetarëve. Sepse në shkretëtirë nuk jetohet?!

Mbrojtja e këtyre pasurive natyrore me të cilat na ka bekuar Zoti është detyrë e jashtëzakonshme dhe një prioritet i madh. Ne do të angazhohemi fort, IKMT-ja, Policia e Shtetit e kanë tashmë në krye të prioriteteve punën për mbrojtjen e territorit.

Rreziqet që e kërcënojnë, së pari lidhen me papërgjegjshmërinë në shfrytëzim. Ata që shfrytëzojnë, ata që fitojnë nga territori, janë dëmtuesit, mëkatarët, nganjëherë edhe kriminelët më të mëdhenj të tij.

Nuk është përmendur për shumë vite me seriozitetin e duhur fjala “krim mjedisor”. Krimi në mjedis është një krim i parashikuar nga KP, janë rreth 19 nene në KP që e parashikojnë.

Ne jemi të fokusuar që në këtë fushë të orientojmë burime të shumta të policisë dhe të IKMT-së, për të goditur fort të gjithë ata që “presin” degën në të cilën jetojmë ne të gjithë.

IKMT-ja tashmë është e riorganizuar, po përfundon edhe një fazë të dytë të riformatimit të plotë në personel, dhe të gjitha degët territoriale, ose lokale të IKMT-së do të jenë të atashuara pranë DVP-së, ose komisariateve përkatëse. Dhe do të jenë nën drejtimin e përgjegjësinë operacionale të drejtuesve të policisë, me qëllim që të mos të ikim në dy drejtime të ndryshme, por të ecin në një drejtim të dy institucionet. Të godasin me një shpatë që ka dy tehe: një teh është IKMT-ja, e cila godet në mënyrë administrative dhe tehu tjetër është Policia që godet në mënyrë penale.

Kjo bëhet për të gjitha ata që se kanë kuptuar ende, apo nuk duan ta kuptojnë që mjedisi është pasuria jonë e përbashkët dhe nuk mund të lejojmë ta shkatërrojmë njëri apo tjetri për t’u pasuruar në mënyrë të paarsyeshme. Pra për këdo që do të kapet në shkelje do të ketë dy masa të forta: një ndjekje penale dhe një masë administrative të “thekur”, gjoba të forta, të pakundërshtueshme, të panegociueshme nga IKMT-ja.

Një çështje e rëndësishme janë pyjet si një potencial i madh i Matit dhe i Dibrës, dhe vetë çështja e pyjeve mbetet i prioritet i madh. Pastaj është ndotja e ujërave, e lumenjve, pasuri e jashtëzakonshme që nuk mund të shndërrohet në kanale ujërash të zeza. Mbetjet që hedhim në lum na kthehen mbrapsht në tryezë, në perime, në fruta, në ujin e pishëm, ose e gjejmë kur shkojmë atje në Tale, në plazh.

Tjetër çështje e rëndësishme është çështja e mbrojtjes nga shfrytëzimi pa kriter i minierave. Për fat të keq gjatë këtyre tre dekadave kemi arritur që konceptin e minierës ta degradojmë në absurd. Sot kemi me dhjetëra, e dhjetra subjekte të cilat shfrytëzojnë mineral në mënyrë të papërshtatshme.

Jashtë kritereve teknike, jashtë kritereve ekonomike, jashtë kritereve ligjore, jashtë kritereve njerëzore nganjëherë. Mbetet detyrë e madhe e PSH dhe IKMT-së për intensifikim të kontrollit në të gjitha zonat ku shfrytëzohen minerale. Mati dhe Dibra janë edhe ndër zonat më të prekura nga ky fenomen.

Duhet kërkuar që vendet e grumbullimit të mbetjeve që dalin nga minierat të miratuara, dhe të ndërhyet fort në raste se kjo gjë nuk respektohet në konform legjislacionit një fuqi. Nuk mund ta kthejmë një veprimtari ekonomike të dikujt, në një dëm katastrofik për pjesën tjetër. Ka edhe arsye të tjera që duhet patur kujdes: që kanë të bëjnë me kriteret e tjera ligjore, me shëndetin e punëtorëve, me masat mbrojtëse, me sigurinë atje, me administrimin sidomos të lëndëve plasëse e shumë e shumë aspekte të tjera, të cilat janë nën kujdesin e policisë, por e gjithë kjo çështje meriton vëmendje të shtuar.

Një aspekt tjetër i angazhimit të Policisë, autoriteteve vendore dhe gjithë vendit në fakt, lidhet me luftën që duhet të bëjmë kundër kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

Nuk ka një përmasë shqetësuese të kanabisit në Shqipëri, pasi falë punës së bërë gjatë këtyre viteve ky fenomen, në thelb, është shkulur. Probemi është që nuk mund të pushojmë këtë angazhim, për sa kohë nuk është krijuar në mënyrë të qendrueshme një traditë pa kanabis.

Përmes këtij angazhimi ne duam të përcjellim mesazhet e duhura, sidomos te të rinjtë e këtij vendi që mos ta konsiderojnë kanabisin si një opcion për jetën e tyre. Fatkeqësisht është krijuar një iluzion se mund ta ndërtosh e përmirësosh jetën mbi kanabisin. Në fakt, duhet thënë që e vetmja gjë që mund t’i bësh jetës përmes kanabisit, është ta shkurtosh atë! Ka ndodhur në fakt. Shumë të rinj, kanë shkurtuar jetën e tyre apo të tjerëve përmes përfshirjes në këtë veprimtari kriminale.

Kemi për fat të keq të rinj në Shqipëri që ende gënjehen dhe besojnë se po të mbjellin kanabis fitojnë më shumë sesa po të mbjellin domate. Kjo mund të funksionojë një apo dy vjet, por harrojnë të shkretët që pastaj 10 vjet do i kalojnë në burg. Është kosto shumë e madhe, jo vetëm për ata, por edhe për shoqërinë, familjen, fëmijët që do t’i lindin atij.

Ky pra është qëllimi, që merremi me çështjen e kanabisit, se duam të sensibilizojmë qytetarët, shkollën, autoritetet që të merren me këtë punë… edhe një rrënjë është tepër!

Ne kemi një Plan Kombëtar, i cili angazhon të gjitha strukturat dhe institucionet e vendit për t’u përfshirë në këtë luftë, qendrore dhe vendore, shkolla, shëndetësia, mjedisi, inspektoratet etj. Polici sigurisht. Puna po vazhdon e po vijohet me intensitet të shtuar sepse janë shtuar edhe kapacitetet, më shumë mjete, drone, helikopterë dhe më shumë kohë se vitin e kaluar, pasi vjet kishim edhe emergjenca të tjera.

Shanset e çdokuj për t’u përfshirë në këtë punë dhe të ketë sukses, praktikisht janë zero. Vitin që shkoi ne kemi pasur një numër të madh personash që janë penalizuar, edhe zyrtarë të policisë, zyrtarë vendorë, zyrtarë të institucioneve të tjera dhe inspektorateve. Lutem që të mos kemi të njëjtën nevojë për të goditur prapë këtë vit.

Një çështje e fundit, është ajo e pyjeve. Përvoja e krijuar është pozitive, por duhet të jemi prapë shumë vigjilentë.

Jemi bërë histori mediash botërore kohët e fundit me disa absurditete lidhur me masakrimin që i bëhet faunës nga disa qytetarë që nuk kuptojnë se çfarë bëjnë… shitet “mish ariu”, historira nga më të çmendurat, të cilat nuk jam në gjendje të them sa janë të vërteta, por di që janë dhënë lajme shumë për to.

I kam përcjellë Drejtorit të Policisë një listë të madhe me artikuj pa fund, në të gjithë botën, sepse për një vend të qytetëruar nuk kuptohet dot se si mund të vritet një kafshë, e cila nuk është kafshë gjuetie, dmth nuk përdoret për ushqim!

Mund të kuptohet të vrasësh një derr të egër, megjithëse tani kemi moratorium, por të vritet një ari, apo shqiponja, janë gjëra shumë të shëmtuara.

Këto histori na dëmtojnë rëndë imazhin, nëse ne tentojmë të bëhemi një adresë turistike për të huajt. Duhet të kuptojmë që kemi përgjegjësi ndaj natyrës dhe kafshëve të egra, pra jemi ne përgjegjës edhe për to.

Edhe diçka për Policinë. Ne kemi policinë më të vogël për frymë në rajon. Siguria rritet në shumë mënyrë por edhe përmes shtimit të numrit të punonjësve të policisë.

Një formë tjetër është përmes bashkëpunimit të qytetarëve me policinë, në mënyrë që të mos shpenzojmë para kur mund të investohen diku tjetër. Pra policia duhet mbështetur përmes informacioneve, dhe mënyrave të tjera të komunikimit. Edhe policia vetë mund të bëjë diçka në këtë drejtim, përmes programit të Policimit në Komunitet.

Policia në një vend demokratik duhet të merret me qytetarët normalë, dhe në qoftë se policia arrin të bëhet bashkë me qytetarët, ajo është e pamposhtur.

Kjo është mënyra për të rritur efektivitetin real të punës së policisë dhe besimin e qytetarëve. Besimi i qytetarëve duhet të fitohet dhe të meritohet, nuk mund të urdhërohet.

Peshkopi – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me përfaqësues e të zgjedhur vendorë, Prefektin e Qarkut, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, drejtues rajonalë, për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, masat kundër ndërtimeve pa leje, dëmtimit e prerjes së pyjeve, luftën antikanabis, çështje të tjera që lidhen me sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik e projekte të zhvillimit të Dibrës

Përmbledhje nga fjala e ministrit Lleshaj:

Ju faleminderit z. Prefekt,
Faleminderit z. Kryetar i Bashkisë,
Të nderuar zonja e zotërinj,

Është një ndiejnë defiçiti kur vjen në Dibër, se vjen rrallë. Besoj që këtë defiçit e kemi të gjithë ne, që ushtrojmë përgjegjësi publike, që lidhet edhe me vështirësitë objektive, sepse kushton shumë kohë ardhja në Dibër, ende shumë kohë.

Megjithatë kur vjen këtu e kupton që koha ia vlen. Ia vlen ta harxhosh atë kohë për të ardhur në Dibër, për të patur një eksperiencë krejt ndryshe në kuptimin pozitiv.

Panoramë të mrekullushme, mjedis i pastër, gastronomi e shkëlqyer, njerëz si përherë të mençur e të këndshëm për bisedë e për të bashkëpunuar. Shpresoj që, siç e përmendi edhe Kryetari, ky defiçiti ynë për të ardhur në Dibër dhe kjo lloj alibie që kemi për kohën, dalëngadalë të bien.

Hapja e “Rrugës së Arbrit”, do t’ia ndërrojë gjeografinë edhe Dibrës. Do ta spostojë fizikisht shumë afër qendrës së Shqipërisë. Kjo duke i shumëfishuar të gjitha mundësitë e dibranëve për të arritur shpejt në pjesët e tjera të Shqipërisë, por edhe të pjesës tjetër të shqiptarëve, për këto arsye gjeografike, logjistike, infrastrukturore, të cilat ende e bëjnë të vështirë ardhjen. Megjithatë është punë muajsh tashmë, rruga e ka marrë hovin e vet.

Janë disa çështje që unë desha t’i trajtoj sot, e para është pandemia. Megjithëse duket pa vend të flasim për pandeminë në një vend ku nuk ka raste të infektimit, por është e rëndësishme të flitet për këtë. Sepse hapja tashmë e qarkullimit rrugor, lëvizja nga një qytet në tjetrin e rrit në mënyrë të ndjeshme riskun e përhapjes. Dhe, siç po shohim, ka tendencë zhvillimi jo të pëlqyeshme, sa i përket përhapjes së virusit në vend. Nuk ka kaluar dhe ndaj duhet kujdes. Se kur kalohet nuk dihet!

Duhet bashkëpunim me organet e shëndetësisë, me organet e Policisë, me të tjerët, që kanë mbajtur barrë të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe. Ta vazhdojmë këtë bashkëpunim në mënyrë që të mos ta zhbëjmë atë sakrificë të jashtëzakonshme që është bërë nga shqiptarët gjatë këtyre muajve. Duhet të respektojmë të paktën ato minimume që janë kërkuar. Ju them që gjendja është serioze. Nuk po them të mbyllemi sërish nëpër shtëpi, se do ishte fatale. Por them që të respektojmë ato minimume, në mënyrë që të parandalojmë një rikthim dhe një riizolim që do të ishte mjaft më i rëndë sesa i pari.

Ndër shumë të tjera kjo çështje lidhet edhe me zhvillimin e turizmit. Ne jemi bërë një vend që përherë e më shumë jemi të varur nga turizmi. Ekonomia jonë për ditë e më tepër po kalon në varësi të turizmit, dhe rrjedhimisht turizmi po merr një peshë të madhe në ekonominë e vendit. Sa herë që flukset ndërpriten ne kemi probleme. Do ta ndiejmë dhimbjen ne të gjithë, ata që e ushtojnë vetë, por edhe ne të tjerët që shkojmë si turistë.

Mbajtja e vendit pastër si të thuash edhe nga virusi, është po ashtu një element jashtëzakonisht i rëndësishëm sa i përket afrimit të turistëve drejt vendit. Në qoftë se ne nuk arrijmë të mbajmë shifrat nën kontroll është një lloj risku për turizmin, psh., në qoftë se Dibra nuk do të jetë më zonë e gjelbër, por zonë e kuqe.

Turizmi mund të menaxhohet kur të gjithë institucionet merren me të. Nuk është çështje vetëm e hoteleve, apo bizneseve të specializuara për këtë punë. Është çështje e të gjithë shoqërisë, e të gjithë qytetarëve.

Një ndër të parat është qetësia, rendi publik, qarkullimi rrugor, lufta ndaj krimit. Pastaj faktorë të tjerë, mbajtja e pastërtisë dhe shumë e shumë aspekte të tjera.

Dibra është nga rrethet që prodhon më pak shqetësime në rang kombëtar në lidhje me rendin dhe sigurinë publike. Kur je i mençur nuk ke nevojë për ‘roje’ nga mbrapa, pasi di të bashkëjetosh e di si të sillesh. Por nevoja për të përmirësuar parametrat e rendit dhe të sigurisë publike është e lartë.

Edhe në këtë aspekt rendi dhe siguria është një produkt komunitar, një e mirë publike, nuk është një produkt i Policisë së Shtetit. Kuptohet policia ka rol të madh, ka rol bazë.

Problem i madh është ndërhyrja e paligjshme e disa individëve të caktuar në drejtim të shfrytëzimit të paligjshëm, ose jashtë kritereve të pasurive publike, kryesisht të mineraleve.

Ende kemi probleme me identifikimin e disa personave që kanë llogari të pashlyera, që kanë llogari për të mbyllur me drejtësinë.

Kemi shqetësim, në Dibër më pak, por ende mbetet shqetësim kanabisi. Është detyrë dhe përgjegjësi e të gjitha organeve vendore, degëve rajonale të pushtetit qendror, dhe e të gjithë të tjerëve për t’u angazhuar në një fushatë të madhe lufte kundër kanabisit. Jo kundër bimës në vetvete, por kundër përdorimit të saj, kundër trafikimit.

E para, që mbetet për të thënë këtu është nevoja për të intensifikuar përpjekjet për të mbrojtur të rinjtë nga ky fenomen, i cili ka prodhuar mjaft të keqe në këtë vend. Të rinjtë tanë kanë nevojë ta marrin përditë mesazhin që nuk ka rrugë të shpejtë për t’u pasuruar. Jo të gjithë njerëzit mund të bëhen të pasur. Një pakicë e vogël e njerëzve do të bëhet e pasur kudo, kështu është kjo botë. Të gjithë duhet të synojnë një jetë normale, por jo të gjithë duhet të synojnë një jetë me pasuri, luks, ekstravagancë.

Rruga e pasurimit të shpejtë është ‘rruga e vdekjes’ së shpejtë, sepse nuk është e mundur që të arrihet pasuria shpejt.

Problemi me kanabisin nuk është se na prodhon vetëm njerëz të çorientuar, që humbin ekuilibrin, humbin orientimin, por na prodhon krim përditë. Kanabisi ka prodhuar pasuri të paligjshme, këto pasuri kanë prodhuar grupe, individë, që besojnë që kanë fuqi ngaqë kanë pasuri.

Kjo na prodhon krim, dhe ju e dini se krimi sidomos në Shqipëri, por sidomos në këto zonat e veriut, në momentin që ndodh të hapet një ‘zinxhir’, ai e ka të vështirë të ndalojë më. Zgjerohet përmes traditave të dëmshme që kemi, përmes gjakmarrjes, hakmarrjes, e të tjerë e të tjerë, dhe nevoja për ta frenuar këtë fenomen është shumë e lartë për gjithkënd që i ka të çmuar fëmijët e tij, dhe kështu duhet ta kuptojmë.

Ne kemi një plan kombëtar kundër kanabisit. Luftën ndaj fenomenit nuk ia kemi lënë barrë ekskluzive Policisë së Shtetit, që do të thotë të gjithë institucionet e këtij vendi janë të detyruara të bëjnë pjesën e tyre.

Vitin e kaluar ka pasur një numër jo të vogël zyrtarësh, që e kanë paguar shtrenjtë mungesën e përgjegjësisë, nganjëherë edhe bashkëpunimin me elementë kriminalë.

Gjej rastin t’u bëj thirrje publike gjithë administratorëve, kryepleqve, kryetarëve të njësive administrative, punonjësve të policisë dhe drejtuesve të saj që të angazhohen shumë në këto pak ditë që kanë mbetur deri në fund të këtij muaji, pasi përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e atyre që kanë kultivuar, por edhe atyre që i kanë lejuar, me dashje apo pa dashje.

Këtë vit i kemi shtuar kapacitet në dispozicion të policisë, së pari monitorimin nga ajri me helikopterë, dronë, të cilët kanë mundësi të vëzhgojnë edhe ditën, edhe natën, në mënyrë që ky fenomen këtë vit të pësojë një goditje shumë të fortë.

Një çështje tjetër, mbrojtja e territorit, përditë e më tepër po shndërrohet në prioritetin e madh të punës së qeverisë shqiptare, sepse besojmë që duke mbrojtur territorin, ne mbrojmë atë që na mban gjallë, tokën, ajrin, ujin, pasuritë tona kombëtare, të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Janë bërë kompromise të mëdha në këtë vend, janë bërë ndërtime pa leje, etj., por hapësira për tolerancë tashmë është bërë zero. Nuk mund të vijohet më me asnjë cm2 hezitim apo lëshim në territor, sepse territori nuk është i yni. Ne jemi veç përdorues të përkohshëm të tij.

Kushdo që sot merr vendimin e guximshëm për të prekur e dëmtuar territorin, duhet të llogarisë që rreziku me të cilin përballet është shumë herë më i madh se dje. Për çdo ndërhyrje policia fillon menjëherë një proces të ndjekjes penale dhe paralel me policinë, do të jetë IKMT, e cila ndjek rrugën administrative me gjoba të rënda.

Për çdo punonjës policie mbetet tashmë detyra që të shohë jo vetëm krimin tradicional, por të shohë në radhë të parë edhe krimin mjedisor, i cili nganjëherë, ndonëse nuk e perceptojmë si të tillë, bën më shumë dëm sesa krimi tjetër. Janë shumë trajta të krimit mjedisor që bëjnë me shumë dëm sesa disa figura të tjera të krimit.

Lidhur me gjuetinë e paligjshme; – kjo është pasojë e edukimit të dobët të atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari, sepse dëmi që shkaktojnë, në raport me përfitimin, është katastrofal p.sh. për një peshk në lumë, mund të shkatërrojnë shumë të tjerë me lëndë plasëse. Është një trajtë e barbarisë në fakt.

Policia duhet të marrë masa të forta për ta vënë nën kontroll të plotë çështjen e lëndëve plasëse dhe të veprojë jo me tolerancë zero, por minus, në mënyrë që kjo punë të marrë fund, sepse është turp i madh. Jo vetëm për hir të peshqve, por edhe për hir të njerëzve, sepse kjo prodhon edhe dëme të tjera, aksidente fatale dhe depërton edhe në kanale kriminale, të cilat e përdorin edhe për gjëra të tjera më të rënda.

Nga pasuritë natyrore, pasuria më e madhe që keni këtu është lumi. Kudo, në çdo vend, uji është pasuria më e madhe. Nuk mund ta shndërrojmë lumin në një lumë të vdekur, duke i shuar gjallesat aty, duke shfarosur faunën ujore apo duke e ndotur me derdhjen e kanaleve të zeza, hedhjen e inerteve apo plehrave. Lumi duhet ruajtur kristal.

Bulqizë – Ministri Lleshaj zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë, përfaqësues e të zgjedhur lokalë, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit&IKMT, drejtues rajonalë, për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, parandalimin apo goditjen e rasteve të paligjshmërisë në shfrytëzimin e nëntokës, dëmtimin e prerjen e pyjeve, masat për luftën antikanabis, mbarëvajtjen e sezonit turistik si dhe projekte të zhvillimit të zonës.

Pjesë nga fjala e ministrit Lleshaj:

Në Bulqizë, çështja e kontrollit të territorit mbetet një sfidë e madhe, jo vetëm për shkak të sipërfaqes së madhe si bashki, por edhe për shkak të shfrytëzimit të pyjeve, apo dëmtimit të tyre, shfrytëzimit të mineraleve, apo shkatërrimit të resurseve. Këtë tokë në të cilën jetojmë, e kemi në përdorim dhe shkatërrimi, dëmtimi, moskujdesja është gjëja më e rëndë që i bëjmë vetes.

Kam ardhur si ministër i Brendshëm, për t’i thënë PSH, IKMT-së, Bashkisë, Inspektorateve që duhet të kuptojnë mirë se kanë përgjegjësi shtetërore, përgjegjësi ligjore për t’u marrë seriozisht me mbrojtjen e territorit. Mbrojtja e territorit do të thotë mbrojtje e Shqipërisë.

Përveç mbrojtjes së pyjeve këtu mbetet me rëndësi mbrojtja e pasurisë kombëtare që është kromi, i cili përgjatë këtyre dekadave ju vetë jeni dëshmitarë se çfarë degradimi ka patur mënyra e shfrytëzimit të kësaj pasurie. Degradim, përmes copëtimin në 150 mijë duar, që nganjëherë janë të papërgatitur, të paaftë për ta menaxhuar, të pazotë, të papërgjegjshëm, e shumë e shumë me radhë.

Përveç shumë problemeve që ka prodhuar kromi, në vend që të prodhonte mirëqenie për Bulqizën e për Shqipërinë, në aspektin e kriminalitetit, në aspekte të tjera, ka prodhuar dhe probleme të mëdha edhe në fushën e mjedisit. Hedhje pafund e asaj që tepron atje ku ta kesh më të lehtë, por kjo nuk është rruga. Nuk është mënyra për t’u sjellë me përgjegjësi ndaj vendit tënd. Nuk mund ta hedhim atë që tepron në vendin më të afërt të mundshëm, në qoftë se duam t’i themi vetes njerëz dhe qytetarë të një vendi europian.

Bulqiza ka potencial për t’u kthyer në një adresë të kërkuar. Me bërjen e rrugës kthehet në një oborr të pasëm të Tiranës. Një Tiranë, e cila zien nga mbingarkesa, mbipopullimi por edhe nga nevoja për të lëvizur, për të dalë, për të shijuar një ajër tjetër. Por duhet të krijohet mundësi këtu, të krijohet një lloj magneti. Që të bëhet magnet, e para janë këto pyjet që keni, dhe mbrojtja e këtij territori që keni.

IKMT-ja dhe Policia veprojnë së bashku dhe shumë prej funksioneve të inspektimit të mjedisit që kanë qenë më parë të strukturave të tjera, tashmë i kanë kaluar IKMT-së, e cila merret jo vetëm me ndërtime paleje, por me kontrollin e territorit në tërësi. Kontrolli i ujit, i ajrit, i tokës, i pyjeve. Arsyeja e kësaj lëvizjeje lidhet me nevojën për të rritur intensitetin, efikasitetin e punës së Policisë dhe IKMT-së.

Krimet mjedisore kanë faturë shumë të rëndë penale, Kodi Penal parashikon masa të rënda ndaj krimit mjedisor. ‘Dëmet’ janë të dyfishta, e para është dëmi që vjen nga IKMT-ja në kuptimin e gjobave të rënda, masave administrative të rënda dhe, e dyta, është përballja me Policinë për arsye se këto konsiderohen vepra të forta penale.

Çështja e fundit ka të bëjë me angazhimin e strukturave tona në kuadër të një plani kombëtar për të çrrënjosur kanabisin nga Shqipëria, si një fenomen që e ka shqetësuar Shqipërinë prej shumë vitesh, ka prodhur efekte të dëmshme, duke dëmtuar rëndë edhe imazhin e Shqipërisë padrejtësisht.

Nga ana tjetër shpresoj shumë që shpejt do të kemi gjëra të tjera, më pozitive për të diskutuar me njëri-tjetrin, aq më tepër që lajmi ma i madh afrohet përditë; – lajmi që ju bëheni praktikisht një lagje e kryeqytetit, afrohet me shpejtësi të madhe. Është çështje muajsh e jo më vitesh, që të lidhet me rrugën e re që të nxjerr menjëherë në Tiranë.

Status në facebook i ministrit të Brendshëm: 

Në PKK Bllatë, pika kufitare që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut në zonën e Dibrës, po rikthehet normaliteti pas pezullimit të lëvizjes për shkak të pandemisë. Fluksi normal vjetor i përpunimit në Bllatë është rreth 350 mijë pasagjerë dhe mbi 1 mijë kamionë me mallra.

Por me përfundimin e Rrugës së Arbrit vitin e ardhshëm, do t’i hapet perspektivë e re zonës dhe do të rriten shkëmbimet tregtare e turistike në këtë Pikë Kalimi Kufitar. Ndaj po merren masa për t’ju përgjigjur këtij realiteti premtues. Projekti i së nesërmes, është një PKK e përbashkët me Maqedoninë e Veriut, çka do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve në të dy anët e kufirit.