Shpallje për konkurrim për 1 vend për Kursin e Formimit të Lartë në Shkollën e Perfeksionimit të Forcave të Policisë, Itali - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/06/2020

Shpallje për konkurrim për 1 vend për Kursin e Formimit të Lartë në Shkollën e Perfeksionimit të Forcave të Policisë, Itali

Shpallje për konkurrim për 1 vend për Kursin e Formimit të Lartë në Shkollën e Perfeksionimit të Forcave të Policisë, Itali, viti akademik 2020-2021

 

Policia e Shtetit njofton punonjësit e Policisë që kanë interes të ndjekin “Kursin e Formimit të Lartë në Shkollën e Perfeksionimit të Forcave të Policisë, viti akademik 2020-2021” në Itali të aplikojnë online në adresën: PoliciaeShtetit@asp.gov.al, deri në datë 24 Qershor 2020. 

Kriteret për konkurrim:

a) Të kenë gradën Komisar – Drejtues;

b) Të kenë përfunduar studimet dhe të jenë diplomuar në nivelin Bachelor në një institucion të akredituar të arsimit të lartë shqiptar ose të huaj (diplomat e huaja të jenë të ekuivalentuara);

c) Të njohin gjuhën italiane në nivelin shumë mirë. Kandidatët do t’i nënshtrohen një testimi të posaçëm për njohuritë e gjuhës italiane në një qendër të specializuar;

d) Të kenë dy vlerësimet e fundit të aftësive individuale të punës mbi 80 % të vlerësimit të përgjithshëm;

e) Të kenë rekomandimin e eprorit direkt;

f) Të kenë trajnime/kualifikime në fushën e sigurisë publike;

Njohja e gjuhës angleze përbën avantazh.

Kandidatët që kanë përfunduar studimet Bachelor në një nga Universitetet/Akademitë e Policisë të sistemit italian do të kenë avantazh në vlerësim.

 

Kursi përbëhet nga katër tematika kryesore:

1) Koordinimi i forcave të policisë dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit;

2) Bashkëpunimi ndërkombëtar policor;

3) Shkencat sociale, ekonomike dhe të komunikacionit;

4) Menaxhimi publik.

 

Pas përfundimit me sukses të kursit, do të përfitohet Master i Nivelit të Dytë për “Sigurinë, koordinimin interforcë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, bazuar në marrëveshjen mes Universitetit të Romës “La Sapienza” dhe Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Italisë.

Në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të ngrihet një komision i posaçëm, i cili do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve, sipas një sistemi objektiv dhe të ponderuar pikësh për çdo kriter.