Sezoni turistik/Ministri Lleshaj: Vija bregdetare nuk duhet të preket nga paligjshmëria - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/06/2020

Sezoni turistik/Ministri Lleshaj: Vija bregdetare nuk duhet të preket nga paligjshmëria

VIDEO – Golem/Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në takimin me ministrin Klosi, Prefektët dhe drejtues vendorë të bashkive bregdetare, për masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik:

I nderuar Ministër Klosi
Të nderuar Zv.ministra,
Të nderuar Kryetarë Bashkish, Prefektë,
Zonja e Zotërinj,

Edhe për mua është kënaqësi dhe ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në mbledhje të këtij Komiteti. Vërtetë unë besoj që ky vit ndoshta nuk do jetë viti me më shumë turistë, për arsye të njohura tashmë, po shpresoj që të jetë vit me shumë pushues, duke shpresuar dhe besuar që qytetarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, kryesisht shqiptarë që vijnë këtu, unë i konsideroj pushues dhe jo turistë, dhe besoj që ata për arsye të hapjes së portave dhe lirimit të komunikimit, do ta gjejnë përsëri rrugën për të ardhur e për të kaluar pushimet këtu në bregdetin e Shqipërisë.

Dhe me këtë rast duke përfituar nga fakti që ka media të pranishme, i ftoj qytetarët e Kosovës, të Malit të Zi, të Maqedonisë që të vijnë për të shfrytëzuar mundësitë e mëdha që ofron bregdeti shqiptar dhe Shqipëria në tërësi si adresë turistike. Dhe shpresoj që në këtë mënyrë ne ta kompensojmë fort mungesën e turistëve në kuptimin e vërtetë, turistëve që vijnë nga larg përmes ofrimit të kushteve kryesisht për shqiptarët, por dhe të tjerët nga rajoni, që vijnë dhe kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri. Dhe besoj që viti ndoshta nuk do të jetë viti ideal i turizmit, ama duhet të jetë viti ideal i kushteve që ne ofrojmë për ata që arrijnë që ta gjejnë rrugën deri këtu.

Kjo mundësi ekziston dhe ne duhet t’i vazhdojmë përpjekjet, dhe Ministria e Brendshme si një ndër aktorët e përfshirë në këtë proces, me rol mbështetës por të rëndësishëm, do të përpiqet për ta plotësuar më së miri këtë obligim të saj përmes angazhimit të gjithë strukturave të kësaj Ministrie.

Sigurisht janë dy elementët kryesorë, me të cilët Ministria e Brendshme kontribuon në mbështetjen e këtij procesi, është Policia e Shtetit, është IKMT, dhe pastaj një faktor tjetër janë Prefektët, si institucion, të cilët janë edhe një ndër autorët kryesorë të koordinimit në nivel vendor. Unë dua të prek vetëm shkurtimisht disa çështje që kanë të bëjnë me rolin e Ministrisë së Brendshme dhe të gjithë aktorëve të saj.

Së pari, do flisja për ruajtjen e vijës bregdetare në dispozicion të qytetarëve. Është përmendur prej kohësh nga Kryeministri nga Qeveria, nevoja e padiskutueshme që e gjithë vija bregdetare e Shqipërisë të mbetet e pa prekur nga ndërhyrjet e paligjshme, të mbetet e gjitha në dispozicion të qytetarëve. Për këtë arsye Policia e Shtetit, IKMT, por dhe institucione të tjera, edhe Bashkitë, Prefektët e aktorët e tjerë duhet të bëjnë maksimumin që kjo gjë të realizohet sipas germës. Do të thotë që e gjithë vija bregdetare duhet të mbetet e pa prekur.

Fatkeqësisht kemi patur në historinë tonë të re, por edhe pak më të vjetër kemi patur mjaft raste të përpjekjeve nganjëherë të suksesshme për të zaptuar sipërfaqe të caktuara të vijës bregdetare. Në një kohë kur dihet që e vetmja pjesë e territorit shqiptar që s’ka tapi është rëra dhe vija bregdetare dhe kjo do mbetet e tillë. Për atë kanë tapi vetëm qytetarët e Shqipërisë.

Në këtë kontekst do të kërkoja që puna që tashmë po vazhdon e IKMT, Policisë dhe IMT-ve të bashkive për lirimin dhe të atyre pak segmenteve apo objekteve të cilat ekzistojnë pa leje, pa ligj në vijën bregdetare, të mbyllen sa më shpejt përpara se flukset e pushuesve, turistëve apo vizitorëve të mbërrijnë në destinacionet turistike.

Pra IKMT në bashkëpunim me Policinë dhe IMT-të e bashkive duhet që këtë punë ta mbyllin në çështje ditësh, për të mos thënë më tepër, me qëllim që të evitohet çfarëdo lloj pamjeje e papërshtatshme të evitohen problemet dhe qeveria të jetë në dispozicion të pushuesve.

Është një gjë e qartë, që duhet mbajtur në konsideratë. Ministri përmendi që nga 3.300 poste plazhi të vitit të kaluar, sivjet kanë aplikuar rreth 800. Pra ka një sipërfaqe të madhe të plazhit, të cilin nuk e ka kërkuar njeri.

Tashmë kjo shifër duhet kuptuar në dy drejtime, e para, mund të jetë vërtetë kështu se kaq është interesi, e dyta, mund të jetë një tentativë për të vazhduar atë zanatin e vjetër, që mos të aplikojmë por ta zaptojnë. Kjo e dyta nuk duhet të ndodhë! Dhe për këtë ka përgjegjësi të madhe, kanë të gjithë aktorët, por në fund Policia e Shtetit është në mbështetje të të gjithë aktorëve, me qëllim që të mos lejohet në vijën bregdetare të vendit as edhe një post individual pa leje. Asnjë çadër, asnjë shezlon, jo më objekte, lokale, disko e të tjera me radhë. As edhe një!

Drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë marrë këtë detyrë të qartë dhe atyre do t’ju llogaritet në llogarinë personale, nëse do të kemi raste të shmangies nga kjo kërkesë e qartë. Pra, as edhe një ndërtim, as edhe një çadër, as edhe një shezlon, as edhe një post tregtar, as edhe një gjë, e cila nuk është e justifikuar me një vendim, me një autorizim të vlefshëm ligjor. Kjo do të jetë kaq e qartë.

Po ashtu IKMT-ja ka marrë detyra, dhe vlen që në bashkëpunim edhe me bashkitë, (IKMT-ja tashmë “M”-në e ka edhe për mjedisin nuk është thjesht mbrojtja e territorit, por është mjedis dhe territor, në kuadër të përgjegjësisë së re që ka marrë si strukturë për të bërë edhe inspektimin e mjedisit, dhe të pyjeve, dhe të ujërave), ka marrë detyrë për të rritur kontrollin në funksion të parandalimit, ndalimit, apo dhe goditjes, dhe ndëshkimit të gjitha rasteve të krimit mjedisor, i cili shfaqet kryesisht në formën e hedhjes së mbeturinave në ujërat e vendit, kryesisht në lumenj, liqene dhe det, mbeturinave inerte, mbeturinave urbane, apo ujërave të zeza.

Faktorë të gjithë këta që kontribuojnë për ta dëmtuar në thelb cilësinë e turizmit dhe për këtë arsye do të duhet që të gjithë së bashku të angazhohen, dhe të mbështesin këtë përpjekje të madhe për t’i çliruar këto asete të jashtëzakonshme që natyra dhe Zoti na ka vënë në dispozicion nga ndërhyrjet e papërgjegjshme njerëzore, nga dëmet e mëdha që i bëjmë.

Kanë filluar prej disa kohësh goditje, të cilat vazhdojnë edhe sot që flasim, në të gjithë territorin. Këto goditje po prodhojnë efektet e duhura, por po penalizojnë shumë njerëz. Për fat të keq e them me dhimbje të madhe, me trishtim faktin që po bëhen qindra milionë lekë gjoba që vihen ndaj subjekteve të ndryshme kryesisht kompanive te pastrimit. Apo subjekteve të tjera, bizneseve të cilët në mënyrë të papërgjegjshme, dramatikisht të papërgjegjshme, hedhin pa asnjë lloj kujdesi në lumë gjithçka që u tepron. Këtu kërkohet bashkëpunim, koordinim, në mënyrë që ky fenomen të marrë fund dhe që në këtë mënyrë të kontribuohet për cilësinë e turizmit, cilësinë e pushimit në plazhe dhe për vende të tjera turistike të vendit.

Policia e Shtetit bashkë me IKMT tashmë veprojnë si një strukturë e integruar, pra IKMT-ja që është mbrojtja e territorit, mjedis, pyje dhe ujëra, funksionon si një strukturë unike, si një krah i zgjatur i Policisë së Shtetit. Dhe në të gjitha rastet IKMT-ja dhe Policia godasin paralelisht në dy aspekte, në çdo goditje që bëhet ndaj krimit mjedisor procedohet me masa administrative, pra me gjoba të rënda, të cilat vendosen nga IKMT-ja, dhe me fillimin e procedimit penal, që fillohet nga Policia e Shtetit.

Gjej rastin edhe një herë ta përsëris thirrjen që ndihmoni që të ulet sa më shumë fatura që ju vetë paguani, flas për qytetarët, dhe kryesisht kompanitë e pastrimit dhe bizneset, të cilat paguajnë një faturë të madhe të papërgjegjshmërisë po të tyre. Interesi ynë është që kjo të ulet, niveli i gjobave të bëhet zero, niveli i procedimit penal të bëhet zero. Por këto do të bëhen zero, vetëm atëherë kur krimi mjedisor do të bëhet zero. Përndryshe nuk mund të ndodhë.

Ju lutem shumë që me këtë rast edhe bashkive që janë prezent këtu, të rrisin nivelin e bashkëpunimit për arsye se e gjitha kjo bëhet në funksion të interesit publik.

Një aspekt tjetër, në të cilin Policia e Shtetit kryesisht do të angazhohet fort është siguria në zonat e plazheve dhe sidomos siguria në ujë. Kemi pasur eksperiencë pozitive por edhe të goditur shpesh jo pak raste nga përvojat e hidhura të dëmtimit të qytetarëve kryesisht nga mjetet lundruese të cilat futen në zona të palejuara dhe kanë shkaktuar dëme në vitet e kaluara. Sivjet duket që është më e kontrollueshme situata, por gjithsesi Policia e Shtetit do të vazhdojë me intensitet të shtuar që të rrisë kontrollet ndaj ruajtjes së parametrave të sigurisë për të gjithë ata që operojnë stacione plazhi. Kushdo që operon një stacion plazhi, do të marrë masat, konform rregullave në fuqi për ruajtjen e jetës së qytetarëve, të cilët kërkojnë shërbimin e tij dhe paguajnë për atë shërbim. Policia do të jetë në monitorim të të gjithë këtij procesi për të ndërhyrë në funksion parandalues, jo për të pritur që të ndodhin gjërat, të ndodhin dëmet, por për të ndërhyrë në kohën e duhur, për të parandaluar dhe për të bërë të mundur që jeta e njerëzve të jetë e garantuar nga të gjitha format e rrezikut që mund të lidhen me pushimet në bregdet.

Dhe një çështje e fundit, e përmendi edhe Ministri Klosi, ka të bëjë me rolin e Prefektëve të cilët duhet të përfundojnë tashmë përpjekjet për planet përkatëse që kanë të bëjnë me dhënien e dorës së fundit të masave në përgatitje për sezonin, që ka të bëjë kryesisht me pastrimin. Kemi dy gjëra në konsideratë, këtu kemi sipërfaqe publike, pronën publike, e cila duhet të pastrohet me mjete publike dhe me angazhim publik dhe ajo çka është marrë tashmë në përdorim privat, stacionet e plazhit, të rërës etj., duhet të pastrohen nga ata që i kanë marrë në përdorim. Sigurisht që kjo pjesa e dytë, pjesa private përgjithësisht nuk cedon. Ata që marrin stacionet e plazhit në përdorim, përgjithësisht kujdesen dhe i mirëmbajnë parametrat e kërkuara, por problemi dhe sfida mbetet pjesa tjetër, që është pjesa e “luanit”, pjesa më e madhe, pjesa publike, rrugët, sheshet, mjediset e tjera rretheqark, të cilat shpesh konsiderohen si “tokë e askujt” dhe shndërrohen në vend depozitimi mbetjesh. Për këtë arsye duhet që plani për pjesën publike të përfundojë shpejt dhe të angazhohen shpejt të gjitha institucionet, për arsye se këtë sipërfaqe, këtë pjesën publike mund ta përballojmë vetëm me forca publike, duke angazhuar ata njerëz që kemi në dispozicion, punonjësit e bashkive, punonjësit e administratës qendrore, të gjithë të heqim nga një shishe nga territori, të gjithë të vemë nga një dorë në këtë territor, që është vendi ynë, në mënyrë që kjo punë të mbyllet shpejt.

Eksperiencat janë pra, çdo vit, Prefektët kanë drejtuar aksione të kësaj natyre për t’i dhënë dorën e fundit, si të thuash, përgatitjes për hapjen e dyerve dhe këto duhet të mbyllen brenda javës së ardhshme, në qoftë se ne pretendojmë të jemi gati vërtet për të filluar sezonin, pa asnjë cen të madh, të paktën. Kështu që u kërkoj prefektëve, që duke filluar nga sot, të azhornoojnë plane, të japin detyra, të ndajnë sektorët e përgjegjësisë për të gjithë aktorët publike duke filluar nga ministritë, agjencitë përkatëse të ministrive, shkollat, inspektoratet, pastaj për të zbritur, patjetër, pjesën kryesore, më të madhe e kanë vetë bashkitë të cilat janë zotër të territoreve këtu, të cilat kanë edhe asetet më të mëdha, kanë kompani pastrimi, kanë njerëz, resurse, mjete por gjithsesi kanë edhe marrëdhënie me biznesin dhe me gjithë aktorët e shoqërisë civile, të cilët duhet të shtohen për t’u përfshirë në këtë aksion të madh.

Ka shumë kapacitet biznesi, të cilët mund dhe duhet të ftohen, të bashkohen në këtë kuadër dhe po ashtu shumë aktorë të shoqërisë civile, të cilët sot janë të ftuar për të ndërhyrë konkretisht në terren për të dhënë një dorë, jo vetëm për të folur, se për të folur, po flasim, dhe shumë mirë bëjmë që flasim, por në fund të herës, të vemë një dorë të gjithë për ta çuar situatën në atë nivel kemi mundësitë tona.

Ju falënderoj edhe njëherë dhe ju uroj punë të mbarë! Dhe unë shpreh edhe njëherë vullnetin e gatishmërinë që të jem në mbështetje të plotë të këtij procesi të madh. Faleminderit!

#MB #MTM