Intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Opinion, në TV Klan - Ministria e Brendshme
Postuar më: 12/05/2020

Intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Opinion, në TV Klan

VIDEO – Pjesë nga intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në emisonion Opinion me gazetarin Blendi Fevziu

✔ Protesta te sheshi “Skënderbej”? – Shkelje e hapur e ligjit, nga ata 5 veta që ju i quani ‘Shoqëri civile’. Këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Është një pamje e papëlqyeshme sigurisht, por ‘Shoqëria civile’ është një koncept shumë më i gjerë sesa 5 vetë që dalin hapur thyejnë një ligj në shërbim të qytetarëve. Sepse ka një ligj që ndalon tubimet publike në kohën e pandemisë. As tre veta nuk mund të dalin dhe ta sfidojnë ligjin kur ligji është në fuqi. Nëse do ta shihni me kujdes, kjo nuk është një ngjarje që meriton aq shumë vëmendje. Qytetarët janë në krah të policisë. Nëse të gjithë qytetarët do të silleshin kështu ne sot do të ishim në katastrofë. Ka patur shumë zëra që kanë nxituar të arrijnë në përfundime krejtësisht të papranueshme. Kanë artikuluar fjalën ‘turp’ për Policinë e Shtetit. Në fakt askush nuk mund të artikulojë këtë fjalë për Policinë e Shtetit. Ata po bëjnë detyrën në mënyrën më korrekte të mundshme.
Mjafton të shihni pamjet e së njëjtës ditë përpara Bundestagut dhe do të shihni, që ka skena më të forta se këto.

✔ Pandemia Covid-19 – Po punohet përditë për skemë hapje, por kjo duhet të shoqërohet me garanci, që të mos kemi përhapje të virusit. Kemi kaluar një situatë të tmerrshme globale, relativisht mirë si vend deri tani. Përpjekje për raportin e artë mes kufizimeve dhe lirisë.

✔ Ne kemi interes të madh që të kemi kufijtë e hapur. Është tubi i oksigjenit, dhe një prej tyre është turizmi. Ende nuk kemi një vendim as me Kosovën dhe as me Maqedoninë.
Kufijtë do të hapen kur kjo çështje të arkivohet. Kufijtë janë çështje e dy palëve. Deri në 15 qershor është fakt që janë të mbyllur. Vetëm në raste të nevojave esenciale. Ne kemi interes të madh të kemi kufijtë të hapur. Por duhet të balancojmë sigurinë e jetës së qytetarëve dhe të ardhurave nga turizmi.

✔ Aplikimi për pasaportë është hapur dhe është hequr paraqitja pranë Komisariatit të Policisë. Deri para koronavirusit, qytetari duhej të shkonte fizikisht në Komisariat për të kryer verifikimet. Tani aplikimi kryhet online tek e- Albania, regjistrohesh atje, jep të dhënat, bëhet aplikimi dhe Komisariati merr kohën për të bërë verifikimet, 8 ditë për aplimime të zakonshme dhe 24 orë të përshpejtuar.
Qytetari merr një email dhe i dërgohet një link për të lënë takimin me Aleat-in, lë takimin dhe shkon tek zyra bën aplikimin.

✔ Nga e hëna e ardhshme fillojnë shërbimet kryesore të Gjendjes Civile, mes të cilave edhe shërbimet e martesave.

✔ Nisma e re ligjore, trajtim dinjitoz për punonjësit mbi 55 vjeç, që dalin jashtë radhëve të Policisë. Do të marrin pagë pothuaj sa marrin sot në detyrë, ndaj do kenë detyrim të shërbejnë disa orë në vit në detyra të caktuara ku nuk kërkohet angazhim i madh fizik.

✔ Vettingu në Polici po zhvillohet. Ka patur disa situata që e kanë ulur ritmin, siç ishin tërmeti, pandemia. Por ky proces do të vijojë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe SHÇBA, parashikuar në ligj.

✔ Fakti që çmimi i kanabisit është në kulme historike dëshmon se është tentativë e vdekur. Nuk ka shans që të ketë kultivim. Ky fenomen është i përfunduar, çështje e mbyllur. Shanset për të patur sukses në tentativat për kultivimin e kanabisit në Shqipëri janë në minimumin historik, sepse janë shtuar kapacitetet monitoruese të Policisë së Shtetit me disa-fish.

✔ Legalizimi i kanabisit mjekësor? – Duke qenë se bëhet fjalë për një projekt mjekësor, Ministria e Brendshme nuk është përfshirë ende në këtë proces. Sepse ende jemi në një fazë të hershme të procesit, sigurisht do i merret mendimi sepse përveçse mjekësor, një projekt i tillë sigurisht ka dhe elementë sigurie. Dhe vëtëm kur të bëhet bashkë elementi mjekësor dhe elementi i sigurisë, atëherë do të jetë i pjekur projekti për t’u diskutuar.