196 automjete të reja i shtohen Policisë së Shtetit/Vijon procesi i modernizimit të flotës së mjeteve - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/05/2020

196 automjete të reja i shtohen Policisë së Shtetit/Vijon procesi i modernizimit të flotës së mjeteve

Vlera e projektit “Furnizimi me automjete për operacione standarde dhe të specializuara të Policisë së Shtetit” në kuadër të Programit Kombëtar “IPA-2015” është 8.1 milion Euro, nga të cilat 4.8 milion financohen nga BE dhe 3.3 milion Euro nga Qeveria Shqiptare.

Plotësohen nevojat me mjete për strukturat operacionale, me qëllim ruajtjen e rendit e sigurisë publike, si dhe arritjen e rezultateve sa më te larta kundër veprimtarive kriminale dhe ilegale te kultivimit e trafikimit të bimëve narkotike. Flotës së Policisë së Shtetit iu shtuan 196 automjete, nëpërmjet furnizimit me mjete me kalueshmëri të lartë dhe fugon.

Në ceremoninë e inaugurimit të mjeteve në sheshin “Nënë Tereza” Kryeministri Rama, ministri Lleshaj, ambasadorin e BE-së Soreca, drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Veliu dhe drejtues të lartë të Policisë.

VIDEO – Prezantimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:

Kemi 196 mjete të rreshtuara këtu, në kuadër të programit IPA, Bashkimit Europian dhe Shqipërisë një projekt i financuar. Janë mbledhur 8.1 milion euro që janë shfrytëzuar për këtë projekt, 4.8 janë të europianëve dhe 3.3 janë të Shqipërisë. Janë mjete këto kryesisht fuoristradat “Land Rover”, janë për Policinë Kriminale. Ndërkohë që mikrobuzët dhe furgonët janë për Policinë e Rendit. Pak a shumë, motorrizojmë rreth 2000 punonjës policie me gjithë këtë flotë.

Në fakt ka shumë e shumë kohë që s’ka patur një investim të kësaj përmase dhe do të shpërndahen sipas një plani të miratuar nga Drejtori i Policisë. Do të shkojnë për Policinë Kriminale të gjitha Forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Do të rinovojmë flotën e komisariateve vendore dhe po ashtu një numër të madh. Sigurisht kjo pastaj rrit efiçencën e vetë Policisë. Ne vërtetë kemi pak polici, por në qoftë se e bëjmë mobile dhe të lëvizshme shtojmë në mënyrë të ndjeshme efektivitetin e saj. Kështu që meritojnë falënderime të mëdha edhe partnerët europianë edhe të gjithë ata që janë angazhuar për projektin. Projekti ka kërkuar edhe volum të madh administrativ.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u shpreh se për herë të parë, të tilla mjete lehtësojnë ndjeshëm  punonjësit e policisë gjatë operacioneve.

“Kemi 49 nga fuoristradat e bardha që do t’ua japim drejtorive. Fuoristradat janë 4 herë 4. Për herë të parë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë “Renea” do të jenë me të njëjtin model makine. Automjetet brenda janë të pajisura me të gjitha pjesët e veçanta dhe nga jashtë janë me mbrojtëse, për të mos u dëmtuar nga gurët, qoftë nga pjesa e xhamave, qoftë nga pjesa anësore. Pjesën e poshtme e kanë me çelik për të mos u dëmtuar motorri, ndërsa pjesën e brendshme e kanë me një armaturë speciale për të mbajtur armët e zjarrit. Ndryshe nga herët e tjera , punonjësit do të jenë sa më të lehtë gjatë lëvizjes, por edhe mbrapa kemi përgatitur disa rafte që të kenë qoftë mburoja, qoftë pajisje të tjera individuale apo kolektive, që përdorin shërbimet e forcave të lëvizjes operacionale dhe RENEA gjatë operacioneve. Kemi gjithsej 51 të tilla. Të gjitha forcat speciale do të jenë me këtë lloj makine. 30% e flotës që kemi në përdorim do të rinovohet,” tha Veliu.

Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca shprehu falenderimet e tij për punën e palodhur të policisë gjatë muajve të fundit dhe theksoi se BE-ja që prej muajit nëntor ka qenë dhe mbetet një donator i rëndësishëm për Shqipërinë dhe nevojën e saj për rimëkëmbje.

“Jam i lumtur që jam këtu sot që t’u dorëzoj këtë flotë moderne të mjeteve. Kemi 49 Land Rover, kemi 96 mikrobusë, që do të përdoren për patrullimin për policinë, për transportin e oficerëve të policisë, për operacionet në vijë të parë, për operacionet kundër drogës, për aktivitet e kufirit. Në fakt, kjo është një kohë krize, siç e dimë dhe në këtë kohë të pandemisë në mënyrë që të bëhet puna ashtu si duhet dhe policia të jetë efikase në punën e saj profesionale, është shumë e rëndësishme për sigurinë që policia të ketë të gjitha mjetet e duhura. Për këtë arsye dëshiroj të falenderoj shumë Policinë e Shtetit për punën  e palodhur që kanë bërë gjatë këtyre muajve  të fundit. Gjatë këtyre momenteve të vështira, BE-ja ka qëndruar pranë Shqipërisë dhe që nga nëntori, ne kemi qenë dhe vazhdojmë të mbetemi, pra, BE-ja mbetet donatori më i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, për nevojat e menjëhershme që kanë patur për rimëkëmbjen e vendit. Ne sapo kemi përfunduar Javën e Europës dhe motoja është “Më të fortë sëbashku” e kjo është shumë e qartë sot,” deklaroi Ambasadori Soreca.

Kryeministri Rama, duke falenderuar për kontributin e BE dhe bashkëpunimin e konsoliduar, tha se projekti për modernizimin vijon dhe se do të shkohet më tutje me rritjen e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit, me futjen e mjeteve më të sofistikuara.

“Shumë faleminderit për kontributin dhe bashkëpunimin. Ky kontribut i përbashkët financiar, ku padiskutim kontributi i BE-së është një pjesë e konsiderueshme, përveç kontributit të qeverisë, është një shprehje e qartë e faktit që sëbashku, ne po me transformojmë rrënjësisht vendin dhe Policinë e Shtetit, në mënyrë të veçantë. Disa vite më parë, kjo ishte e paimagjinueshme. Policia e Shtetit që ne gjetëm në vend ishte në një gjendje të mjerë. Flota motorike e Policisë së Shtetit ishte qesharake, ndërkohë që sot, ne u japim të gjithë punonjësve të policisë një forcë të re motorike e sidomos forcave speciale, një flotë të tërë mjetesh që do të mundësojnë kushte optimale operacionesh, që janë operacionet më speciale dhe më të rrezikshme për ta. Sigurisht që këtu nuk mbaron. Këtu hidhet një hap i rëndësishëm i modernizimit. Tani, ne duam të shkojmë më tutje me rritjen e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit, me rritjen e kapaciteteve digjitale, me futjen e mjeteve më të sofistikuara, me dronat e fjalës së fundit e kështu me radhë,” u shpreh në përfundim Kryeministri.