P/ligji për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë/Lleshaj: Një hap historik, nuk preket asgjë nga trajtimi i punonjësve të Policisë, ndërkohë përtërihen radhët e saj me oficerë të rinj - Ministria e Brendshme
Postuar më: 08/05/2020

P/ligji për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë/Lleshaj: Një hap historik, nuk preket asgjë nga trajtimi i punonjësve të Policisë, ndërkohë përtërihen radhët e saj me oficerë të rinj

Projetktligj “Për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës”

Relacioni shoqërues – KLIKO

Status i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në rrjetet sociale

Sot diskutuam në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend, projektligjin për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë, në rastet e lirimit para mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë.

Me këtë vendim qeveria shqiptare ka bërë një hap historik në përkrahje të Policisë Shqiptare.

Ata persona që do të duhet të largohen nga radhët e Policisë për arsye të moshës dhe të pamundësisë fizike, për të shërbyer në struktura ku kërkohet edhe kondicion i lartë fizik do të mund të trajtohen me:

1) 50% të pagës neto në momentin e largimit;
2) Përfitimet që u njihen me legjislacionin për pensionet e parakohshme në Policinë e Shtetit.

Në trajtë kumulative, praktikisht ata do të vijojnë të trajtohen afërsisht me të njëjtën pagë, sikur të ishin në shërbim aktiv në radhët e Policisë. Dhe pikërisht për këtë arsye, atyre mund t’u kërkohet që të jenë në dispozicion për të shërbyer në funksion të Policisë së Shtetit deri në 700 orë pune në vit.

Shkurt: Ky është një hap historik, prej të cilit nuk preket asgjë nga trajtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërkohë që kjo e fundit mund të përtërijë radhët e saj me oficerë të rinj dhe të arrijë një moshë mesatare si dhe Policitë e tjera moderne europiane.

Në të njëjtën kohë, së shpejti qeveria do të miratojë një hap tjetër reformues, i cili do të hapë rrugë për transferimin e punonjësve të Policisë edhe në poste pune brenda administratës shtetërore, kur plotësojnë kriteret përkatëse të arsimimit. Kjo do të hapë një tjetër mundësi për vijimin e karrierës për punojësit e Policisë së Shtetit në radhët e administratës shtetërore.

Për ata që kërcyen për të dhënë alarme të rreme, pa lexuar as projektligjin: Nuk mundet që në mëngjes të hakërreheni kundër “Narko-policisë” së “Narko-Shqipërisë” dhe në darkë të vajtoni për trajtimin e saj; që natën ta bombardoni me Molotov dhe ditën të përdëlleheni për fatin e saj. Jo!

Kjo lojë e pa-principtë nuk ka kuptim.

Policia e Shtetit është sot në një rrugë të kthellët modernizimi, e motivuar si kurrë më parë, e mbështetur maksimalisht, e vlerësuar me notat më të larta nga qytetarët e vendit dhe e besuar fort nga partnerët perëndimorë të Shqipërisë.

 

Mbledhja online e Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare

Diskutimi në parim i projektligjit “Për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës”.

Ministri i Brendshëm z.Sandër Lleshaj ka prezantuar para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, “P/ligjin për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA në Ministrinë e Brendshme, pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës”, duke nënvizuar se ky është një instrument për menaxhimin e burimeve njerëzore që synon sigurinë ekonomike të atyre punonjësve mbi të cilët do të ketë efekt ligji. Një shkak tjetër i hartimit të këtij ligji është ulja e moshës mesatare të radhëve të Policisë së Shtetit, e cila sot shënon moshën më të lartë në rajon, me rreth 45,1 vjet dhe shumë larg standardeve të vendeve moderne. Në prezantimin e bërë, Ministrit përmendi edhe faktin që ky p/ligj tashmë është miratuar nga qeveria dhe u bëri thirrje deputetëve që pas shqyrtimit të tij, të japin votën pro miratimit. Ministri Lleshaj iu përgjigj edhe pyetjeve të ndryshme të bëra nga deputetët gjatë këtij bashkëbisedimi online duke sqaruar ekuivokë apo aspekte të ndryshme të ligjit.

VIDEO – Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:

Arsyet që e kanë çuar qeverinë në konceptimin e këtij projektligji lidhen me nevojën për një dinamikë të re në radhët e policisë së shtetit dhe kryesisht, një përmirësim të moshës mesatare të saj.

Dihet që Policia e Shtetit mbulon një gamë shumë të gjerë veprimtarish ndër të cilat kapacitetet dhe kondicioni fizik është gjithmonë i kërkuar për arsye se një pjesë e madhe e Policisë së Shtetit i duhet që të përballojë detyra që kërkojë një kondicion fizik të mirë. Për rrjedhojë kondicioni fizik lidhet edhe me moshën e PSH dhe të strukturave të tjera.

Dua të them që policia shqiptare është një polici e cila ka një moshë mesatare relativisht të lartë, krahasuar me policitë e vendeve të tjera të BE apo me policitë e vendeve të rajonit tonë, madje ndër më të lartat në të gjitha këto.

Megjithë përpjekjet e bëra nga qeveria për të përmirësuar këtë tregues të PSH që nga viti 2013 e këtej, të paktën kjo qeveri që ne përfaqësojmë, ende nuk është bërë e mundur që të arrihen ato parametra të moshës mesatare të policisë, të cilët duhet të jenë. Po ju them disa shifra: vetëm mosha mesatare e policisë shqiptare sot është rreth 45.1 vjet, ndërkohë që vetëm disa shtete këtu të rajonit të afërt, të gjitha janë poshtë nesh. Greqia e ka 38 vjet, Mali i Zi 41, Bullgaria 40. Shumë vende të tjera, nga SHBA e me radhë, tentojnë poshtë 40-ës, si tendencë e përgjithshme. Dhe kjo ka qenë arsyeja që ne kemi lëvizur, kemi studiuar, kemi ngritur grupe ekspertësh, kanë studiuar të gjitha mundësitë dhe kemi arritur në përfundimin që t’i paraqesim Kuvendit për miratim një p/ligj, i cili ka kaluar në qeverinë shqiptare.

Qëllimi është të adresojë çështjen e moshës në Policinë e Shtetit, por në të njëjtën kohë, që të përmirësohet mosha mesatare e PSH, duhet që për ata që do detyrohen ta lënë atë për arsye moshe, të garantohen kushtet e një jete dinjitoze.

P/ligji ka parashikuar në nenin 4 të tij që të krijojë mundësinë që në radhët e policisë të largohen, ose me kërkesën e vetë punonjësit të policisë, ose me vendim të autoriteteve drejtuese të saj, ata punonjës policie që kanë mbushur moshën 55 vjeç, ose kanë plotësuar 30 vite shërbim në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo SHÇBA. Kjo do të thotë që përmbushja e njërit prej këtyre dy kushteve e mundëson largimin, por nuk e detyron atë.

Me qëllim që këta punonjës policie, në momentin që largohen nga policia, të mund të vijojnë jetën normale të tyre, është parashikuar që ata të kenë një trajtim financiar, i cili shkon në vlerën 50% të pagës mujore neto. Siç thashë, dalja nuk është automatike, dalja nuk është as një e drejtë që kushdo që mbërrin në këtë moshë, mund ta shfrytëzojë për të dalë, por i gjithë ky është një instrument menaxhimi, i cili i jepet në dorë Policisë së Shtetit për të menaxhuar strukturën e personelit të saj, pra në rast nevoje mund të nxjerrë persona që kanë mbushur moshën 55 vjeç, por në rast nevoje mund t’i mbajë ata.

Pra nuk është automatike kjo dalja, por është e gjitha në varësi të nevojave, edhe në varësi të mundësive financiare që do të ketë në dispozicion qeveria për ta mbështetur këtë proces. Financimi i gjithë kësaj do të bëhet nga buxheti i Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që është parashikuar që personat që dalin sipas kësaj skeme nga radhët e Policisë së Shtetit të trajtohen me atë nivel trajtimi financiar që përmenda më lart, pra 50 % te pagës neto, ndërkohë që edhe ky trajtim do të indeksohet siç indeksohen përgjithësisht të gjitha përfitimet financiare që merren nga persona që dalin në pension apo në trajtime të tjera.

Një gjë tjetër e rëndësishme që duhet përmendur në këtë ligj është fakti që personat që përfitojnë prej kësaj skeme nuk janë pensionistë, nuk konsiderohen persona në pension, por konsiderohen persona që janë liruar nga radhët e Policisë, nga shërbimi aktiv i Policisë së Shtetit që marrin një trajtim financiar, por për këtë trajtim financiar që marrin, ata kanë dhe detyrime përballë Policisë se Shtetit dhe është parashikuar që ata mund të angazhohen në kuadër të programeve të ndryshme të Policisë së Shtetit, që shkojnë deri në 700 orë në vit.

Pra i bie që pak a shumë një punonjës Policie që do të jetë në këtë status, do të angazhohet në detyra të ndryshme në shërbim të Policisë, jo në detyra operacionale të mirëfillta, por në detyra në shërbim të Policisë në një nivel kohe që shkon deri në 700 orë në vit, që kupton pak a shumë një angazhim në gjysmën e kohës normale, koha normale e punës e një punonjësi Policie shkon tek 1500-1700 orë në vit, ndërkohë këtyre do t’u kërkohet deri në 700.

Kjo nuk do të thotë që të gjithë do të angazhohen në punë deri në 700 orë, dikush mund të angazhohet 3 orë, dikush 30, dikush 300, parashikohet të jenë detyra kryesisht të karakterit të marrëdhënieve të Policisë me shkollat, marrëdhënie me Komunitetin, fushata informimi, ndërgjegjësimi dhe të tjera aktivitete të kësaj natyre, por është lënë kjo hapësirë që këta persona mos të trajtohen si pensionistë.

Një ndër pyetjet kryesore është shtruar edhe gjatë diskutimeve në Qeveri, edhe me kolegë Ministra, edhe me tej ka qenë çështja e efekteve financiare. Duke aplikuar skemën që kemi zgjedhur, çështja e efekteve financiare të këtij ligji është e menaxhueshme për arsye se duke qenë se ky trajtim financiar nuk konsiderohet si një e drejtë automatike që i lind çdo punonjësi të Policisë, por si instrument menaxhimi i burimeve të saj njerëzore.

Kjo do të thotë që Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme, mund të thotë që për vitin 2020 kam buxhet për të trajtuar me këtë skemë 10 persona, atëherë do nxjerrin 10. Në vitin 2021 mund të ketë mundësi të nxjerrë200, sepse ka mundësi financiare mund të nxjerrë 200. Në vitin pasardhës mund të nxjerrë zero persona, për arsye se nuk ka mundësi financiare ndoshta të parashikuara në buxhetin e shtetit. Është dhënë një skemë shumë fleksible, e cila do të mundësojë që të dalin sipas kësaj skeme nga radhët e Policisë, aq persona sa buxheti mund të përballojë.

Dhe kjo nuk krijon barrë automatike për buxhetin e shtetit. Sigurisht që tendenca dhe synimi do të jetë që ne të mund të përdorim sa më shumë të jetë e mundur nga kjo skemë, me qëllim që të arrijmë në një kohë të shpejtë një përmirësim të ndjeshëm të moshës mesatare të punonjësve të Policisë së Shtetit. E cila siç thashë është ende më e larta në rajon edhe përtej tij.

Duke qenë se, edhe një çështje e fundit për mënyrën sesi veprohet, çdo person që ka plotësuar kriteret dhe që mendon që ka ardhur koha për ta lënë Policinë e Shtetit mund t’i drejtohet asaj me një kërkesë, e cila pastaj trajtohet në një komision të posaçëm, të veçantë, i cili merr vendimin po ose jo.

Këtij komisioni mund t’i drejtohet pra individi, mund t’i drejtohet dhe drejtuesi i strukturës përkatëse kur gjykon që një person ka arritur disa parametra të atillë profesionalë, fizikë, të cilët e pamundësojnë vijimin normal të detyrës nga ana e tij. Pra mund të bëhet edhe me dëshirën e personit, pra me kërkesën e personit, por edhe me kërkesën e institucionit që nuk nënkupton domosdoshmërisht pëlqimin e personit që del.

Pra janë të dy instrumentat në dorë, pra është një skemë shumë fleksibël e cila do të sjellë si efekt përmirësimin e moshës mesatare të Policisë së Shtetit, për aq kohë sa buxheti do të ketë mjete për ta mbështetur atë. Por në të njëjtën kohë, është një skemë e cila nuk prodhon asnjë lloj barre automatike për buxhetin e shtetit.

Së fundi kjo është një skemë, e cila të gjithë atyre që do të detyrohen të largohen nga Policia e Shtetit me nder, por për arsye moshe t’u krijojë kushtet e një jete dinjitoze që ata të mos përfundojnë as në rrugë, as në rrjetet e duart e krimit, as në skajet e abandonimit social.

Në këndvështrim dhe konsideratë të të gjitha këtyre, unë ju ftoj të nderuar deputetë që ta konsideroni dhe ta miratoni këtë projektligj, i cili është një hap tjetër në drejtim të plotësimit të disa kushteve të domosdoshme për një Polici e cila duhet të funksionojë ashtu siç kërkohet prej të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe me këtë miratim ne do të japim edhe një tjetër mesazh të rëndësishëm për shtetin ndaj Policisë sonë, e cila përballon një volum jashtëzakonisht të madh ngarkese punësh, detyrash, në shërbim të qytetarëve të këtij vendi në të gjithë gamën e aktivitetit të saj, që nga lufta kundër krimit të organizuar, lufta për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike, lufta për të kontrolluar territorin, për të çrrënjosur fenomenet negative si kanabisi dhe fenomene të tjera.

Për të luftuar dhunën në familje, për të rritur parametrat e sigurisë rrugore, për të menaxhuar fluksin e kufirit, për të menaxhuar edhe flukset turistike, për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit në vendin tonë, për të kontribuar në frenimin e ndërtimeve pa leje, për të kontribuar në disiplinimin e qytetarëve në drejtim të pagesës së detyrimeve që kanë ndaj institucioneve dhe ndaj ofertuesve të shërbimeve të ndryshme dhe shumë aktivitete të tjera.

Komente të deputetëve Dhima dhe Vorpsi mbi p/ligjin.

Përgjigje e Ministrit Lleshaj: Falenderoj Z. Vorpsi për gjithë parashtrimin e tij, i cili ishte mjaft i rëndësishëm. Sigurisht si Ministër i Brendshëm jam përgjegjës njëlloj si për policinë dhe për zjarrfikëset. Madje do të thosha që koncepti im për zjarrfikësit është ai që, zjarrfikësi duhet të jetë jo një trupë e organizuar, por duhet të jenë të barabartë në cilësi dhe në vlera me trupat special të policisë. Pra jo thjesht një policia, por një çikë si pjesa speciale e policisë, sa i përket kapaciteteve, nivelit të profesionalizmit etj me radhë, edhe trajtimit. Sepse bëjnë atë punë që askush tjetër nuk e bën, të luftojnë me zjarrin. Është një profesion që shumë pak njerëz mund ta bëjnë. Dhe sigurisht është alarmante fakti që kanë moshën mesatare 50 vjeç për këtë jam i qartë.

Problemi i vetëm që kemi këtu është ana teknike si do ti qasemi për ta zgjidhur? Sigurisht e meritojnë dhe ata, sigurisht ata duhet të jenë djem të rinj të gjithë ose masivisht të rinj. Por për ta zgjidhur teknikisht ne kemi menduar që në kuadër të këtij ligji nuk mund të zgjidhet për arsye se është parashikuar mbi ligjin që kemi folur ne, që po diskutojmë sot menaxhohet buxheti i Ministrisë së Brendshme.

Ka dy rrugë këtu: ose do të mendojmë një amendament të cilin do ta bëni ju, dhe jo qeveria se qeveria e ka mbyllur diskutimin e saj përmes vendimit për këtë rast, ose të lë mundësinë të bëjmë një ligj tjetër të veçantë duke amenduar ligjin ekzistues të shërbimit zjarrfikës, duke bërë një ndryshim në ligjin përkatës, për shërbimin zjarrfikës ku ta vendosim këtë pikë.

Unë për veten jam plotësisht dakord, madje do të isha shumë i interesuar që kjo gjë të ndodhi një orë e më parë. Por teknikisht do na duhet që këtu të përdorim instrumente të tjerë financiare dhe instrumente të tjerë vendimarrës për arsye se shërbimi është i decentralizuar nëpër bashki.

Pra ky është propozimi im, ose të mendojmë një amendament por kjo do na zgjaste dhe kam frik se nuk do kishim shumë sukses këtu, ose të punojmë shpejt duke hartuar të njëjtin ligj duke i shtuar të njëjtat nene në ligjin për shërbimin zjarrfikës, dhe kjo besoj do ishte rruga më e paqme.

Pyetje nga deputetët:

Përgjigje e Ministrit Lleshaj: Zgjedhja e përfituesve; sigurisht këtu kriteret bazë janë mosha biologjike dhe vjetërsia e shërbimit, por siç ju thashë këtu nuk bëhet fjalë për një të drejtë që i jepet punonjësit të policisë, por për një instrument menaxhimi që struktura e MB dhe e policisë mban për të mbajtur e menaxhuar në kushte optimale moshën e punonjësve të saj. Kështu që nuk është se gjithkush që mund të kërkojë, edhe mund të dalë, sepse mund t’i thuhet se jo, do të punosh sepse kemi nevojë për ty. Kjo nënkuptohet me përzgjedhje.

Ka një Komision Qendror, i cili do të jetë në MB dhe aty do të diskutohet rast pas rasti dhe do të merret vendimi. Dhe vendimi merret duke bërë bashkë dy faktorë, e para, kërkesën e institucionit apo të personit dhe e dyta, mundësinë buxhetore që ka Ministria. Sepse ne mund ta miratojmë ligjin nesër, dhe do ta miratojmë, shpresoj, me sa shoh, por të nesërmen e miratimi të ligjit mund të na vijnë 100 kërkesa për të dalë. Dhe ne mund t’u themi të 100 kërkesave, “jo, s’do të dilni asnjëri, sepse s’kemi buxhet për këtë”. Sepse kjo është e lidhur me buxhetin që vihet në dispozicion nga qeveria.

Kështu që nuk shoh kontradiktë, për sa kohë nuk flasim për një lloj pensioni, por po flasim për një lloj instrumenti menaxhimi. Dhe këtu duhet të bëhen bashkë edhe kushtet objektive, që duhet të plotësojë punonjësi, edhe mundësinë po ashtu objektive që duhet të plotësojë institucioni për këtë gjë.