Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA për sigurinë kufitare dhe luftën kundër krimit dhe terrorizmit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 08/05/2020

Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA për sigurinë kufitare dhe luftën kundër krimit dhe terrorizmit

Në Ministrinë e Brendshme u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA për sigurinë kufitare dhe luftën kundër krimit dhe terrorizmit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Ambasadorja e SHBA, Juri Kim nënshkruan një memorandum bashkëpunimi që ka të bëjë me sigurinë kombëtare të të dy vendeve, në thelb të të cilit është shkëmbimi i informacioneve në kohë të shpejtë mes agjencive ligjzbatuese, përkatësisht strukturave të sigurisë kufitare. Ministri Lleshaj theksoi se kjo është një marrëveshje e rëndësishme, e cila zgjeron më tej mundësitë dhe kapacitetet e bashkëpunimit mes qeverive të Shqipërisë dhe të SHBA, në parandalimin dhe luftën kundër krimit dhe terrorizmit. “Ky është një hap tjetër drejt thellimit të partneritetit strategjik me SHBA, i cili sjell më shumë siguri për qytetarët dhe pak hapësirë për veprimtaritë kriminale dhe terroriste,” nënvizoi ministri Lleshaj.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj:

Mirëdita!
E nderuar Zonja Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Të nderuar pjesëmarrës të paktë,

Është vërtetë e pazakontë organizimi i një ceremonie kaq të rëndësishme me kaq pak njerëz dhe me kaq pak vëmendje. Por jemi të detyruar për arsye që tashmë dihen dhe nuk po i përsëris, që ta bëjmë ceremoninë e nënshkrimit të këtij dokumenti të rëndësishëm, në kushte krejt të pazakonta sa i përket pjesëmarrjes. Por jo rëndësisë, rëndësia mbetet e madhe, e paprekur.

Rëndësia e nënshkrimit të këtij dokumenti midis qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e madhe, për arsye se adreson një çështje shumë të madhe, që ka të bëjë me sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, po ashtu dhe me sigurinë kombëtare të Amerikës, dhe me sigurinë kombëtare të të gjithë aleancës ku ne së bashku kontribuojmë.

Në thelb memorandumi që sot nënshkruajmë ka për qëllim rritjen e nivelit të shkëmbimit të informacionit të sigurisë midis autoriteteve shqiptare dhe amerikane, në funksion të parandalimit të krimit, të parandalimit të terrorizmit dhe të lehtësimit të të gjithë procedurave që mundësojnë që institucionet tona të shkëmbejnë pa burokraci të tepërta.

Të shkëmbejnë informacion në kohë reale. Të kenë avancë në kohë ndaj të gjithë rrjeteve kriminale, përfaqësuesve të krimit, kryesisht terrorizmit. Pra me qëllim që të jemi përherë një hap para, në mënyrë që të jemi në gjendje të parandalojmë dhe të godasim sa herë që është e nevojshme, të gjithë ata që cenojnë sigurinë e Shqipërisë apo sigurinë e Amerikës, apo sigurinë e aleatëve tanë.

Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë këtyre muajve që kanë kaluar, për konceptimin e këtij dokumenti dhe për sjelljen e tij në formën e duhur për t’u nënshkruar sot. Dhe shpreh besimin e plotë që institucionet shqiptare do të bëjnë të gjitha përpjekjet që dokumenti mos të ngelet thjesht një dokument i bukur në letër, por të gjitha të gjejnë zbatim në terren, në praktikën e përditshme, në mënyrë që të gjitha ato objektiva, që parashikon dokumenti, të plotësohen më së miri, nga angazhimi i vendosur i strukturave tona në funksion të sigurisë.

Dokumenti është i madh, projekti është i madh, për këtë arsye fjalët duhet të jenë të pakta sot, në mënyrë që t’u lëmë kohë atyre që do të merren me zbatimin. Për ta zbatuar me devocion, me profesionalizëm, me përgjegjshmëri të lartë, në interesin tonë të përbashkët.

Me këtë rast falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadën edhe për të gjithë mbështetjen e dhënë në funksion të përforcimit të institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri. Në funksion të mbështetjes së reformave të mëdha, sidomos të reformës në drejtësi, e cila padyshim është kryereforma, që do të mundësojë progresin e mëtejshëm të vendit drejt integrimit në strukturat europiane dhe drejt përafrimit përherë e më të madh me vlerat dhe me standardet euro-atlantike dhe perëndimore.

Faleminderit edhe njëherë Ambasadore dhe mirëseerdhët në Ministrinë e Brendshme!

Ambasadorja e SHBA, Juri Kim:

Faleminderit shumë Ministër Lleshaj,

jam shumë e kënaqur që ndodhem këto sot, pavarësisht se është një situatë e çuditshme, siç e thatë edhe ju, e nuk do të duhej të nënshkruanim në një ceremoni të tillë. Por fakti që ne kemi mundur të jemi këtu, në një situatë të tillë relativisht të sigurt dhe të qetë, është falë punës suaj.

Dhe unë do të dëshiroja të vija në dukje lidershipin tuaj, rolin e forcave të policisë dhe të çdokujt tjetër në Ministrinë e Brendshme, të cilët e kanë mbajtur të sigurt Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Siç e dimë të gjithë, mbajtja e kësaj balance ndërmjet ligjit, rregullit dhe respektimit të së drejtave, është një barazpeshim mjaft i vështirë.

Ne e vlerësojmë që Shqipëria e ka bërë këtë me korrektesë dhe besojmë se vendim i BE, duke hapur negociatat e anëtarësimit është e provueshme. Kështu, ne jemi sot këtu, edhe njëherë në një situatë që po bashkëpunojmë si partnerë që të balancojmë sigurinë dhe të drejtat e shtetasve tanë.

Jam shumë e kënaqur që ndodhem këtu që të shënojmë zbatimin e ligjit për regjistrimin e emrave të pasagjerëve në Shqipëri si dhe të thellojmë bashkëpunimin mes SHBA dhe Shqipërisë për zbatimin e ligjit dhe kundër terrorizimit.

Terrorizmi është një kërcënim për të gjithë, nuk bën dallime, nuk pyet për kufijtë, madje përpiqet mos të vërë re kufijtë, por ndryshe nga “korona”, në këtë rast ne mund të bëjmë diçka ndaj tij. Shqipëria ka bërë një hap para, përmes këtij memorandumi bashkëpunimi dhe kjo do të na japë mundësi të dy palëve, SHBA e Shqipëri, të jenë më efektivë në identifikimin dhe ndalimin e terroristëve dhe keqbërësve të tjerë.

Gjithashtu sikurse dëshmohet përmes këtij memorandumi edhe njëherë nënkupton që Shqipëria mund të bëhet një kontribues neto, i sigurisë për rajonin por edhe për botën. Gjithashtu e përgëzojmë qeverinë e Shqipërisë për përkushtimin e saj të vazhdueshëm në përmirësimin e sigurisë kufitare siç dëshmohet nga bashkëpunimi i rritur me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për një sërë çështjesh të sigurisë rajonale të lidhura me kufijtë. Dhe presim me kënaqësi që ta zbatojmë plotësisht këtë marrëveshje.

Jam në Shqipëri vetëm prej pak muajsh, por më duhet të them që Shqipëria më ka hyrë shumë për zemër.

Jam gjithashtu e kënaqur të shoh mundësinë se si ju e keni zhvilluar këtë partneritet, sesi kombi është bashkuar dhe sesi ne mund ta vazhdojmë këtë partneritet edhe në të ardhmen.

Pres me kënaqësi që të punojmë akoma më ngushtësisht me njëri-tjetrin, në mënyrë që ta mbajmë vendin më të sigurtë dhe t’i mbajmë edhe aleatët më të sigurtë. Faleminderit!