COVID-19/Ministri Lleshaj: Nga data 11 prill nis shpërndarja e kartave ID dhe pasaportave biometrike të prodhuara para pandemisë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/04/2020

COVID-19/Ministri Lleshaj: Nga data 11 prill nis shpërndarja e kartave ID dhe pasaportave biometrike të prodhuara para pandemisë

Durrës/Deklarata në lidhje me shpërndarjen dhe vlefshmërinë e dokumenteve të identitetit, pas takimit që Ministri Lleshaj pati me autoritetet vendore në Bashki:

VIDEO –  Shfrytëzoj këtë mundësi për të komunikuar me publikun në lidhje me shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave të prodhuara ndërkohë.

Dihet që për arsye të pandemisë, janë ndaluar veprimtaritë e zyrave të aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti, por ndërkohë një numër i madh kartash ID dhe pasaportash janë prodhur dhe ne do të marrim masa që sipas një skeme të caktuar dhe shumë të sigurt, të mundësojmë që këto të shpërndahen.

Për këtë arsye zyrat përkatëse që janë përgjegjëse për shpërndarjen e kartave ID dhe pasaportave dhe bëhet fjalë për disa mijëra syresh, do të fillojnë nga nesër që të thërrasin qytetarët nominalisht, për të lënë takime për të marrë në dorëzim kartat apo pasaportat.

Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë në këtë proces, i cili duhet të zhvillohet duke respektuar me rigorozitet të lartë të gjitha masat e sigurisë.

Ndërkohë për të gjithë qytetarët e tjerë, të cilët nuk kanë pasur mundësi të paraqiten për t’i rinovuar kartat apo pasaportat e tyre, theksoj që të gjitha kartat apo pasaportat, të cilave u ka mbaruar afati i vlefshmërisë gjatë periudhës së epidemisë, ky afat vlefshmërie nuk do të njihet, pra ato do të konsiderohen të vlefshme për aq kohë sa pandemia do të zgjasë në Shqipëri apo më tej.

Për këtë arsye ne do ta formalizojmë së shpejti me aktet përkatëse ligjore, të cilat do të mundësojnë njohjen e vlefshmërisë së çdo pasaporte apo karte identiteti, në të gjithë territorin e vendit, për aq kohë sa zgjat epidemia.

Ndërkohë që për bankat, është komunikuar zyrtarisht me të gjithë drejtuesit e bankave të cilëve u është kërkuar nga Ministria e Brendshme që t’i njohin ndërkohë, edhe pa u formalizuar i gjithë procesi i njohjes, të njohin vlefshmërinë e të gjitha kartave dhe pasaportave të cilave u ka përfunduar vlefshmëria zyrtare gjatë kohës së epidemisë.