COVID-19/Ministri Lleshaj inspektim në Durrës: Falë masave të marra, Porti po funksionon në kushte normale. Ka kryer volum të madh pune - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/04/2020

COVID-19/Ministri Lleshaj inspektim në Durrës: Falë masave të marra, Porti po funksionon në kushte normale. Ka kryer volum të madh pune

VIDEOMinistri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një inspektim të masave në Portin e Durrësit, për të parë nga afër masat për parandalimin e COVID-19.

Prononcimi për media: 

Kemi ardhur sot në Portin e Durrësit për të parë masat e marra për përballimin e situatës së krijuar nga coronovirusi. Konstatoj me kënaqësi që këtu është realizuar një volum shumë i madh pune dhe është marrë një numër i konsiderueshëm masash, të cilat kanë bërë që Porti të funksionojnë si në kushte normale, pavarësisht se jemi në situatë krejtësisht jo normale.

Vihet re me kënaqësi, që volumet e shkëmbimit të mallrave jo vetëm që nuk janë ulur, por janë rritur. Madje mësova me kënaqësi nga Drejtori i Doganës, nga Drejtori i Portit se sidomos volumi i importeve ushqimore është dyfishuar gjatë kësaj periudhe. Kjo do të thotë se asnjë problem nuk ka për furnizimin e qytetarëve me mallrat jetike.

Po ashtu edhe te Porti i Kontenierëve konstatohet e njëjta gjë, pra flukse të rritura në shërbimin e mallrave edhe në nivelin e mallrave industriale.

Por ajo që ka më shumë rëndësi është niveli shumë i mirë i masave të marra për sigurinë e atyre që operojnë Portin.

Punonjësit e Policisë, punonjësit e Doganës, punonjësit e Shëndetësisë, punonjësit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, shoferët të cilët meritojnë një falenderim dhe mirënjohje të thellë për arsye se janë ata të cilët e mbajnë gjallë këtë Port. Për rrjedhojë mbajnë gjallë gjithë vendin me ushqime dhe produkte të tjera jetike, jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën e ndoshta edhe më tej.

Besoj që koordinimi i mirë i punëve që bëhet nga të gjitha autoritetet, të cilat punojnë sikur të jenë një strukturë, jep garanci të plotë që Porti, kjo nyje shumë strategjike për funksionimin e vendit do të vijojë ta kryejë këtë mision me përgjegjësi të lartë.

Me këtë rast i kam falënderuar të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e këtyre strukturave të ndryshme shtetërore të cilët janë të angazhuar në kuadër të një përpjekje shumë të veçantë dhe këta janë po ashtu pjesë e linjës së parë të punonjësve të shtetit të cilët përballen me këtë situatë të pazakontë.

 

VIDEOMinistri Lleshaj, së bashku me zv.ministren Voda, Prefektin e Qarkut Nasto, Kryetarin e Bashkisë Varfaj, Drejtorin e Përgjithshëm të PSH Veliu zhvilloi një inspektim të masave të marra nga autoritetet vendore e policore për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Prononcimi për media:

Në kuadër të inspektimit që po zhvillojmë në Durrës, patëm një vizitë edhe në Bashkinë e Durrësit, dhe inspektuam kryesisht tregjet e futa-perimeve në Durrës.

Konstatoj me kënaqësi që janë marrë masa të mira dhe serioze nga autoritetet vendore, nga Kryetari dhe nga i gjithë stafi, për të bërë të mundur që tregu të funksionojë si një treg që jep ushqime, por jo si një treg që jep infeksion për qytetarët. Dhe siç duket qartë, masat janë marrë të mira.

 

VIDEOGjatë vizitës në Durrës, ministri Lleshaj zhvilloi një takim me drejtues dhe punonjës të Policisë Vendore në qark, të cilët i falënderoi për gjithë angazhimin në përmbushje të detyrave.

Pjesë nga mesazhi gjatë takimit:

“Vërtet duket sikur kemi sot dy herë më shumë polici. Në fakt, Policia është ai numër që ka qenë, por është shtuar prezenca, është shtuar koha e shërbimit për secilin prej jush. Kështu që gjej mundësinë që përmes jush t’i përshëndes dhe t’i falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë për angazhimin që po bëjnë.

Sigurisht, qeveria mban shënim për këtë, në kuptimin që ne do të marrim masat e plota për kompensimin e përpjekjeve tuaja, në kuptimin e orëve shtesë, të ngarkesës së madhe që po mbani, por prapë theksoj se ne mbajmë një barrë të madhe për këtë situatë, pas barrës që mbajnë punonjësit e bluzave të bardha. Por ju, bluzat blu po ashtu, mbani një barrë të madhe në këtë situatë dhe duhet të vazhdojmë me këtë intensitet.

E rëndësishme është që Policia nuk është përgjegjëse vetëm për coronavirusin, por është përgjegjëse për të gjithë atë gamë detyrash, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi, lufta ndaj krimit, parandalimi i krimit, lufta ndaj fenomeneve të tjera, që cënojnë rendin e sigurinë publike e shumë e shumë përgjegjësi të tjera”.