Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 126 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 09/03/2020

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 126

Raporti Javor nr. 126 – VIDEO
2 – 8 mars 2020

MIRATOHET AKTI NORMATIV “ANTI-KÇK”
Parlamenti voton me shumicë dërrmuese aktin normativ i cili do të jetë në fuqi deri në datë 31 dhjetor 2020

Ministri i Brendshëm z.Sandër Lleshaj argumentoi në seancë plenare domosdoshmërinë e miratimit të “Aktit normativ” që ka të bëjë me masat parandaluese kundër krimit të organizuar, ose e quajtur ndryshe “paketa anti-KÇK”. Akti u miratua në një mbledhje qeveria në 31 janar 2020 dhe emërtohet “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”.
Ministri Lleshaj theksoi në fjalën e mbajtur se “Akti synon vetëm një fjalë: Parandalim të krimit”. Ai argumentoi se “akti” u miratua për shkak se “ka një nevojë dhe ka një emergjencë.” Në lidhje me përmbajtjen e tij, Ministri u shpreh se: “Akti në thelb është një akt parandalues nuk është një instrument i ndjekjes penale, i procedimit penal sepse ka patur keqkuptime të pafundme të sponsorizuara. Të nderuar deputetë, kjo nuk është e vërtetë”.
Lleshaj më tej vuri në dukje se “ligji parashikon një kohë të kufizuar zbatimi, e cila mbaron me datën 31 dhjetor 2020, dhe siç thashë ka një numër të kufizuar personash, të cilët i kanë mbyllur dënimet e tyre penale, para hyrjes në fuqi të ligjit”. Në konkluzion të fjalës së mbajtur, Ministri Lleshaj u kërkoi deputetëve ta miratojnë aktin normativ sepse “besoj që është në interes të çdo shqiptari që gjërat të shkojnë në vendin e duhur, që pronat që janë të siguruara përmes gjakut, përmes krimit, përmes trafikimit të mos gëzohen nga ata që janë subjekt i këtij ligji, për të hequr kështu një model të keq nga shoqëria jonë, dhe për të dhënë një sinjal që askush nuk mund të ketë mbështetje në këtë sallë, për sa kohë është rreshtuar në anën e krimit”. Në fund të debatit në Kuvend, deputetët votuan më shumicë dërrmuese “aktin normativ” me 89 vota pro. Në seancë u miratua edhe një ndryshim tjetër ligjor në ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, i cili gjithashtu ka për qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar.

GJERMANIA I DHURON 7 MJETE POLICISË SHQIPTARE
Ministri Lleshaj: Angazhim i madh për të thelluar luftën kundër krimit të organizuar

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u organizua ceremonia e dorëzimit të 7 mjeteve të dhuruara nga Ministria e Brendshme Federale e Gjermanisë. Ato do të përdoren nga forcat speciale të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë, Tiranë. Në ceremoni mori pjesë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtues të lartë policorë.
Në fjalën e rastit, Ministri Lleshaj vuri në dukje se “Ne jemi tashmë, si Polici e Shtetit dhe si Qeveri, të përfshirë në një angazhim të madh për të thelluar luftën kundër krimit në përgjithësi, kundër krimit të organizuar në veçanti. Ditën e djeshme, ishit dëshmitarë të miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të dy ligjeve të rëndësishme, të cilat synojnë thellimin e mëtejshëm të luftës kundër krimit të organizuar në vend, ligji special, por edhe ligji për Agjencinë e Aseteve të Sekuestruara. Të dy këto ligje synojnë që të krijojnë mundësi të reja për të rritur efektivitetin e angazhimit të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar.”
Më tej Ministri Lleshaj falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e dhënë dhe nënvizoi në fjalën e tij se: “Kjo mbështetje është shenjë e një bashkëpunimi të thellë, që ekziston midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë në të gjithë sektorët, ku edhe sektori i sigurisë, rendit publik, po merr përditë e më shumë një rëndësi të re”. Paketa e ndihmës së Gjermanisë për policinë shqiptare, përveç automjeteve, përfshin edhe pajisje moderne pune, trajnime të oficerëve etj.
Mjetet e dhuruara janë të markës Mercedes, furgonë modernë model “Sprinter”, të cilët kapin një shifër të përgjithshme që shkon mbi 327 mijë euro.

PËRKUJTOHET BESËLIDHJA E LEZHËS
Lleshaj: Nuk kemi nevojë për Besëlidhje të re, duhet të ruajmë Besëlidhjen e vjetër

Ministri Lleshaj mori pjesë në ceremoninë përkujtomore që u zhvillua në Lezhë me rastin e përvjetorit të “Besëlidhjes së Lezhës” të organizuar nga Heroi Kombëtar Skënderbeu në vitin 1444. Ai theksoi në fjalën e tij se kjo ngjarje “është më e madhe se sa vetë Lezha, është një ngjarje që i përket gjithë Shqipërisë. 576 vite që besoj është kujtuar përherë kjo ngjarje dhe do kujtohet edhe për sa kohë do të ketë shqiptarë mbi dhé, paraqesin një shifër shumë të rëndësishme.”
Duke reflektuar mbi peshën e kësaj ngjarjeje në historinë e kombit tonë, Ministri Lleshaj u shpreh se: “Do të doja që sot në këtë ditë, që është unike dhe duhet të ngelet e tillë, e pakonkurrueshme, të them që ne si shqiptarë nuk kemi nevojë besoj unë për Besëlidhje të reja! Ajo që kemi nevoje ne është që të ruajmë Besëlidhjen e vjetër, sepse jo sa herë kemi hall duhet të bëjmë besëlidhje të reja, mbi parime të reja”. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë zyrtarët më të lartë të pushtetit vendor, deputetë, personalitete të ndryshme, figura të spikatura të artit e kulturës, qytetarë të qarkut Lezhë etj..

VODA MBRON NDRYSHIMET NË P/LIGJIN “PER KONTROLLIN KUFITAR”
Ndryshimet përafrojnë ligjin me direktivat e BE-së, me qëllim forcimin e luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, migracionit të paligjshëm, dhe ruajtjes së rendit

Zv.ministrja e Brendshm Rovena Voda ka prezantuar në komisionet parlamentare të Sigurisë dhe të Integrimit propozimet për disa shtesa në ligjin “Për kontrollin kufitar”. Voda theksoi gjatë fjalës së saj se këto propozime synojnë të përafrojnë dy direktiva të BE-së, “me qëllim forcimin e luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, migracionit të paligjshëm, dhe ruajtjes së rendit e sigurisë publike në përgjithësi.”
Qëllimi i ndryshimeve të propozuara është të shpjerë në fazë tjetër luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Voda vuri në dukje gjatë fjalës së saj se “Miratimi i ndryshimeve të reja ligjore, do i detyrojë transportuesit ajrorë që të ndajnë informacion për hollësi të pasagjerit, biletës, fluturimit, itinerarit, prenotimit etj., me një njësi që ngrihet pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ku akses në informacion do të kenë edhe shërbime të sigurisë dhe inteligjencës”. Siguria e kufijve është një nga kushtet e kërkuara nga BE me qëllim forcimin e sigurisë në rajon dhe gjithë familjen e madhe europiane.

DREJTOR I PSH VELIU PRET HOMOLOGUN BELG MARC DE MESMAEKER
U ra dakord që të forcohet bashkëpunimi ndërmjet FAST-it dhe strukturave homologe, si dhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë rrugore

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës Marc de Mesmaeker. Gjatë takimit u vlerësuan si mjaft të mira marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe asaj belge. Veliu e njohu homologun belg me rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit në drejtim të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, mënyrën e funksionimit të OFL-së etj. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Federale të Belgjikës, Marc De Mesmaeker vlerësoi rezultatet e deritanishme të OFL-së, përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe punën e përbashkët të skuadrave hetimore.
Gjatë takimit u ra dakord që të punohet në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet FAST-it dhe strukturave homologe, për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë rrugore dhe atë të rendit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Federale të Belgjikës Marc de Mesmaeker dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën në takim nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj dhe Drejtori i Drejtorisë Hetimore Qendrore Artan Shkëmbi.
Delegacioni i Policisë belge, vizitoi ambientet e reja të repartit special RENEA, si dhe zhvilloi një bashkëbisedim me drejtuesit e këtij reparti. Në këtë vizitë ai shoqërohej nga Gjovalin Loka, Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.

SIGURIA NË RRUGË – EDUKIMI I BREZIT TË RI MBI KULTURËN E RRUGËS
Orë mësimore në disa qytete të vendit me nxënësit e shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme

Policia vijon takimet në të gjithë vendin për sensibilizimin dhe edukimin e brezit të ri mbi sigurinë rrugore. U zhvilluan orë mësimore në Shkodër, Kukës, Durrës, Maliq/Korçë me nxënësit e shkollave nëntëvjeçare dhe gjimnazeve. Bisedat e zhvilluara ishin mbi rregullat bazë që duhen respektuar gjatë qarkullimit rrugor si: vendosja e rripit të sigurimit që në momentin që hipën në mjet, mospërdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, respektimi i shpejtësisë sipas sinjalistikës, ndalimi kategorik i konsumimit të alkoolit gjatë drejtimit të mjetit, vendosja e kaskës mbrojtëse dhe respektimi i semaforit dhe vijave të bardha.
Gjithashtu u fol edhe mbi shkelje të ndryshme që shfaqin drejtuesit në rrugë dhe penalitetet përkatëse të tyre. U shpërndanë jelekë të vedhë dhe u veshën prej nxënësve në shenjë ndërgjegjësimi.