Akti normativ në Kuvend/Lleshaj: Kombinimi i masave të karakterit parandalues, do ta ngushtojë së tepërmi lirinë e operimit të krimit të organizuar - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/03/2020

Akti normativ në Kuvend/Lleshaj: Kombinimi i masave të karakterit parandalues, do ta ngushtojë së tepërmi lirinë e operimit të krimit të organizuar

VIDEO – Fjala e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancën parlamentare ku diskutohet Akti Normativ Nr. 1, datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”:

I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,

Sot kemi ardhur për të paraqitur në Kuvend Aktin normativ, i cili është miratuar më datën 31.01.2020, që ka për objekt thellimin e masave parandaluese në luftën kundër krimit të organizuar. Në fakt u bënë vite që në Shqipëri flitet për krimin e organizuar, bëhet shumë kundër tij, por ende ka mbetur për t’u bërë shumë. Në fillimin e viteve ’90, kur Shqipëria ndërroi sistemin, në fakt liria u përkthye thjesht si mungesë e ligjit dhe ajo që rezultoi pas diktaturës, ishte një lloj karikature e demokracisë, që në fakt ishte anarkia, që në thelbin e saj nënkuptonte rënien e lirë të shtetit dhe një keqkuptim tragjik të lirisë si thjeshtë mungesë e ligjit. Dhe kështu ndodhi.

Jemi të gjithë dëshmitarë të asaj se çfarë ka përjetuar vendi gjatë dekadave të fundit në fushën e mos-sundimit të ligjit. Besoj është e qartë po të përdor për të ilustruar se çfarë ka ndodhur, një shembull nga fusha e ndërtimit se si filloi ndërtimi pa leje, zaptimi i tokës së huaj. Në fillim ndërtimi i një dhome, pastaj shtesa e një dhome tjetër, pastaj shtesa e një kati tjetër, pastaj kolapsi, pastaj përpjekja për ta legalizuar atë që ishte bërë pa ligj, pastaj përpjekja për ta urbanizuar, kolapsi tjetër e kështu me radhë. Dhe është krijuar një model krejtësisht unik dhe i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, që ligji ndjek njerëzit dhe jo njerëzit të ndjekin ligjin. Dhe kjo ka sjellë pasoja të mëdha në shumë sektorë të jetës së vendit tonë.

Në një farë mënyre ne kemi përjetuar të gjitha ato anarkitë e famshme që thoshte edhe Fan Noli dikur, ndoshta edhe më shumë se sa ato, anarkitë e plota në shumë plane. Sot rezultojmë në një shoqëri ku kemi të rinj analfabetë, por edhe milionerë, kur kemi të ditur, por varfanjakë, kur kemi krijuar modele shkatërruese për rininë, modele kriminale biznesi, të cilat kanë joshur shumë të rinj në rrugë kriminale, të rinj të cilët nuk kanë investuar asgjë në jetën e tyre. Nuk kanë bërë shkollë, nuk kanë mësuar asnjë profesion, por kanë parë se çfarë ka bërë komshiu ose i afërmi i tyre, janë futur në rrugë kriminale, kanë ndërtuar biznese, nganjëherë perandori ekonomike të ndërtuara mbi krim.

Ky model ka shkatërruar jo vetëm shumë të rinj e të reja, por ka shkatërruar edhe shumë biznese të ndershme, të cilat nuk gjejnë hapësirë për tu zhvilluar normalisht për sa kohë që lulëzojnë biznese të ndërtuara mbi krim, biznese që s’kanë nevojë për bilance, biznese që nuk kanë nevojë për vlerësim risqesh apo analiza të tjera. Dhe, në këtë mënyrë e gjithë shoqëria vetë është vënë përpara një sfide të madhe. Dhe siç ndodh zakonisht në këtë qerthull vicioz kriminalizues, fillimisht vjen pasuria pastaj vjen etja për pushtet, pastaj vjen edhe etja për prestigj dhe dalëngadalë krijohen modele jashtëzakonisht toksike për shoqërinë.

Kjo ka ndodhur, këtë e kemi parë, e kemi patur parasysh për vite e vite me radhë dhe tashmë ne besojmë se ka ardhur momenti për një kthesë serioze, historike në këtë fushë. Vendi ynë, shoqëria jonë ka nevojë për t’i adresuar këto çështje, për t’i adresuar këto sfida dhe për t’i shkatërruar këto modele, të cilat shkatërrojnë në vetvete shoqërinë, në qoftë se lihen të mbijetojnë kështu siç janë.

Dhe për këtë arsye, Qeveria ka miratuar Aktin normativ të datës 31.01.2020, për të adresuar këto çështje, jo thjesht së këtë na kërkon Bashkimi Europian, jo thjesht se këtë pastrim të thellë e kërkon integrimi, por në radhë të parë e kërkon e ardhmja jonë, e ardhmja e fëmijëve tanë. Për këtë arsye është marrë ky vendim, unik, i panjohur më parë, në bazë të një formulë, në bazë të një recete origjinale në një farë mënyre, i cili synon së pari: të vendosë drejtësi, në një vend që ajo ka munguar. Të vendosë drejtësi për të gjithë ata që duan të punojnë në mënyrë dhe në rrugë të ndershme dhe që konkurrohen, që masakrohen, që pengohen nga ata që kanë zgjedhur rrugën e shkurtër, rrugën e krimit për ta bërë këtë gjë.

Duhet që përmes këtij akti të synohet të shkatërrohet pikërisht ai modeli kriminal, i cili josh shumë të rinj në rrugë të gabuar, merr në qafë shumë prej tyre. Akti synon vetëm një fjalë: Parandalim të krimit.

Përse u zgjodh Akti normativ si mënyrë për të ardhur te ky përfundim? Akti normativ u zgjodh në zbatim të atributeve që Kushtetuta i njeh Qeverisë për të miratuar akte normative me fuqinë e ligjit, të cilat plotësojnë dy kushte: ka një nevojë dhe ka një emergjencë.

A janë plotësuar këto dy kushte? Sigurisht që ne mendojmë se po.

Së pari, është konstatuar dhe është provuar nevoja e emergjencës për arsye se me fillimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, u krijua një situatë sipas të cilës shumë gjyqtarë dhe prokurorë panë se shanset për të kaluar Vettingun nuk janë të larta, madje janë të ulëta dhe deri tani procesi ka provuar se rreth 50% e gjyqtarëve apo prokurorëve, që kanë kaluar nëpër filtrin rigoroz të Vettingut, nuk kanë arritur që të dalin në fund të tij 50%.

Prognozat janë që kjo tendencë do të vijojë, pak a shumë e tillë. Pikërisht ky parashikim, aspak optimist për ata gjyqtarë apo prokurorë, të cilët mbajnë barrë të mëdha dhe përgjegjësi të mëdha, për mos funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, i ka bërë ata të kenë të qartë fundin dhe ndërkohë u ka dhënë një mundësi që kohën e mbetur ta shfrytëzojnë për të bërë ato gjëra që i kanë bërë pa përtesë dhe papërgjegjshmëri gjatë viteve të kaluara. Dhe përmes vendimeve krejtësisht të pakuptueshme, të papërgjegjshme, të papranueshme është mundësuar, sidomos vitet e fundit, vitin e fundit kryesisht, dhënia e vendimeve, që janë jo vetëm përtej ligjit, por edhe përtej logjikës. Mbi 28 vendime të kësaj natyre janë të regjistruar të paktën nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët provojnë këtë situatë krejtësisht të pakuptueshme dhe të papranueshme.

Përmes këtyre vendimeve ç’po ndodh? Po lirohen elementë me rrezikshmëri shumë të lartë kriminale, të cilët sipas të gjitha pritshmërive dhe llogarive të policisë dhe të organeve të tjera ligjzbatuese, duhej që të ishin në burg. Ndërkohë që Policia operon përditë me intensitet të lartë për të çuar para drejtësisë grupe të reja kriminale, elementë të tjerë kriminalë që janë jashtë burgut, burgjet në vetvete po lirojnë dhe po furnizojnë skemën e krimit me kriminelë të tjerë, të dënuar dhe të liruar në kushte absurde. Dhe këta persona që janë liruar nga sistemi i drejtësisë në mënyrë të paarsyetuar, vijnë, bëhen pjesë e skenës kriminale, duke qenë në të njëjtën kohë në posedim të aseteve shumë të mëdha kriminale, logjistike të madhe kriminale, dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në rritjen e kriminalitetit në vend, në frenimin e reformave dhe në rritjen e gjithë risqeve, që ndikojnë në sigurinë publike të vendit. Për këtë arsye ne besojmë fort, që kemi një situatë emergjence, e cila duhet të adresuar në kushte emergjence përveç një akti normativ.

E dyta, përmes Aktit normativ qeveria do të marrë edhe përgjegjësi, përgjegjësi të drejtpërdrejta, prandaj dhe ka zgjedhur këtë rrugë, sepse me këtë shpreh edhe një vullnet politik të qartë, Qeveria nuk ka asgjë për të ndarë me krimin, por ka vetëm një objektiv shkatërrimin përfundimtar të të gjitha rrjeteve, celulave të krimit të organizuar në vend për t’i hapur rrugë një zhvillimi normal të vendit tonë.

Çfarë synon projektligji ose Akti normativ që kemi sjellë sot? Akti në thelb është një akt parandalues nuk është një instrument i ndjekjes penale, i procedimit penal sepse ka patur keqkuptime të pafundme të sponsorizuara në fakt pafundësisht, për të krijuar idenë që jemi futur në një domen dhe po krijojmë paralelizma me struktura të tjera të procedimit apo të hetimit penal përmes këtij akti. Të nderuar deputetë, kjo nuk është e vërtetë.

Akti normativ që vjen sot dhe kërkon miratimin tuaj, është një akt me natyrë administrative dhe parandaluese. Pra nuk kemi të bëjmë aspak me procedim apo me aspekt penale apo procedurale penale me këtë akt. Në këto kushte, ne besojmë që akti i ri mundëson masa të mëdha në fushën e parandalimit në tre fusha kryesore.

Së pari, në fushën e pasurisë së vendosur përmes krimit. Akti parashikon që kushdo që është dënuar për një kategori të caktuar veprash penale, që parashikohen në nenin 5 të tij, kushdo që është i dënuar me një vendim të formës së prerë, pra për vepra të rënda në fushën e krimit të organizuar, krimeve të rënda apo terrorizmit dhe që ka pasuri të cilat nuk është në gjendje t’i justifikojë përmes të ardhurave të ligjshme, do të duhet që të paraqitet para një Gjykate dhe para vetëm një Gjykate që është Gjykata Speciale ose e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për të justifikuar, për të mbrojtur, për të argumentuar apo për të provuar që pasuria e tij buron nga rrugë e ligjshme ose në të kundërt, do të duhet të heqë dorë prej saj.

Së dyti, akti parashikon disa masa të karakterit parandalues, personal, që kanë të bëjnë me faktin që policisë i jepet iniciativë për të vepruar ndaj personave të paraqitur ose që janë subjekt i këtij ligji, për të kufizuar edhe lirinë e lëvizjes së tyre në raste të argumentuara. Gjithmonë përmes rrugës: Policia ka iniciativën, Prokuroria bën verifikimin e parë, Gjykata e Posaçme vendos. Përmes këtyre masave synohet që elementëve të caktuar qartësisht, të paracaktuara qartësisht të ligjit të krimit të organizuar t’u pamundësohet lirshmëria për të vijuar veprimtarinë kriminale. Që do të thotë kufizimi i lirisë së lëvizjes, qoftë jashtë shtetit, qoftë edhe brenda vendit në raste të caktuara, kur policia e gjykon si të nevojshme dhe të arsyeshme dhe kur gjykata vendos për këtë.

Së treti, ligji parashikon masa të forta parandaluese të karakterit ekonomik që do të thotë: personave, që janë subjekt i këtij ligji, u pamundësohet mundësia që të përfitojnë parà publike, përmes pjesëmarrjes në prokurime publike, përmes marrjes së autorizimeve, licencave dhe instrumenteve të tjerë ekonomikë, duke synuar që të kufizohen dukuri shumë të rrezikshme të papranueshme që janë vënë re në këtë fushë, kur eksponentëve të krimit të organizuar, u janë dhënë hapësira për të përfituar para publike, përmes pjesëmarrjes në prokurime, përmes marrjes së licencave, autorizimeve, e të tjerë elementë të kësaj natyre.

Kombinimi i këtyre tre masave të karakterit parandalues, besojmë fort, do ta ngushtojë së tepërmi lirinë e operimit të krimit të organizuar në vend, do të reduktojë burimet materiale dhe financiare, do të shterojë fuqinë e krimit për të prodhuar krim tjetër. Ky është një aspekt i rëndësishëm i këtij akti normativ.

Akti normativ është mbështetur në një formulë mjaft të thjeshtë, deri diku po të doni edhe inovative. Duke e bërë të pamundur interpretimin subjektiv të kujtdo. As policia vetë nuk ka mundësi të ketë ndonjë interpretim subjektiv për arsye se e ka qartësisht të shkruar se kush janë objekt i personave, të cilët do t’i nënshtrohen këtij procesi pavarësisht kanë apo nuk kanë pasuri.

Të gjithë do ta kalojnë këtë proces dhe këtu bëhet fjalë për qindra dhe qindra persona, të cilët në harkun e shumë viteve janë dënuar në Shqipëri apo jashtë saj. Sigurisht jo të gjithë janë kriminelë, por të gjithë do t’i nënshtrohen këtij procesi. Ata që nuk arrijnë ta provojnë pasurinë e tyre do të duhet, siç përmenda më lart të heqin dorë prej saj.

E reja, ose gjëja më e rëndësishme e Aktit, është fakti që Policia dhe Prokuroria nuk provojnë, nuk kanë barrën e provës në këtë proces. As barrën e hetimit. Kanë vetëm barrën e verifikimit, evidentimit dhe pasqyrimit e prezantimit të rastit në gjykatë. Ndërkohë që janë vetë subjektet të cilët janë të detyruar të përgjigjen dhe të sjellin prova. Kjo është thelbi i çështjes, pra barra e provës është vendosur mbi supet e atyre që janë subjekt i krimit. Dhe kjo thuajse e ka bërë të pamundur subjektivitetin në vlerësim. As Policia nuk ka subjektivitet për të zgjedhur njërin dhe për të lënë tjetrin jashtë, se siç e përmenda më lart, është krejtësisht e përcaktuar, as prokuroria nuk e ka më hapësirën për të interpretuar, por as edhe gjykata nuk e ka më hapësirën për të provuar, për të interpretuar, për arsye se kjo hapësirë tashmë është inekzistente. Subjektet përgjigjen ndërkohë që prokuroria dhe policia vetëm pyesin.

Sigurisht ligji parashikon një kohë të kufizuar zbatimi, e cila mbaron me datën 31 dhjetor 2020, dhe siç thashë ka një numër të kufizuar personash, të cilët i kanë mbyllur dënimet e tyre penale, para hyrjes në fuqi të ligjit. Është lënë pikërisht kështu për të pamundësuar çdo mundësi sado elementare keqpërdorimi të ligjit në funksion të axhendave të caktuara politike apo korruptive për arsye se ligji nuk ka subjekte të reja.

Nëqoftëse dikush kryen një vepër penale sot, dënohet sot, ai do t’u nënshtrohet proceseve të tjera që janë në fuqi të ligjit. Por ky ligj thashë merret vetëm me të shkuarën e tij. Dhe tjetër, thashë, ka edhe një kohë të kufizuar aplikimi.

Sigurisht ne nuk përjashtojmë mundësinë që nëqoftëse volumi i çështjeve do të jetë i tillë, saqë gjykata nuk do të arrijë, ta kapërdijë gjithë këtë volum, mundet që në fund të vitit mund të lindë nevoja për një rishikim dhe një vendimmarrje të re se çfarë do të bëhet me personat, të cilët nuk e kanë kaluar procesin.

Si ka ecur deri tani? Akti normativ ka filluar zbatimin dhe besoj përmes medias dhe formave të tjera të informimit, ju keni ndjekur ecurinë e tij. Akti normativ ka filluar zbatimin në kuadër të një operacioni që quhet “Operacioni Forca e Ligjit”, që është struktura e ngarkuar me zbatimin e këtij ligji. Dhe ecuria është e mirë, për faktin se deri tani nuk kemi regjistruar raste kontestimesh nominale për asnjë nga rastet e paraqitura në prokurori apo në gjykatë.

Sigurisht ka pasur sulme politike, por nuk ka pasur asnjë rast konkret kur të jetë paraqitur një kontestim i qenësishëm nga kushdo qoftë, pra nga krahët politikë, apo subjekte të tjera shoqërore. Dhe ky është lajmi pozitiv që tregon që ligji dhe gjithë procesi është i ndërtuar mbi baza solide dhe që do të shkojë drejt një përfundimi të suksesshëm.

Çfarë ka ndodhur deri tani, megjithëse procesi është i përditshëm, po ju them disa shifra të datës së djeshme: Janë sekuestruar në kushtet e emergjencës, pra me vendim të Policisë, 7 objekte që u përkasin 7 shtetasve; objekte të ndryshme, rezidenca, hotele, biznese; 71 automjete që janë po ashtu të sekuestruara me vendim të Policisë në kushtet e emergjencës, 7 prej të cilave, mjete të blinduara.

Ndërkohë që përmes procesit të vetë-deklarimit që u kërkon Policia, janë tashmë në proces, 37 subjekte të tjerë dhe qindra e qindra praktika të tjera janë ndërkohë të sistemuara dhe vetëm presin radhën për t’u përcjellë në Prokurori dhe në Gjykatë.

E rëndësishme është të theksojmë që Akti normativ e ka thjeshtuar të gjithë procesin, për arsye se ka caktuar vetëm një Prokurori dhe një Gjykatë përgjegjëse për zbatimin e ligjit, që nuk ka mundësi të kemi diversitet vendimesh, të cilat pastaj nuk unifikohen kurrë, po kemi një praktikë, kemi një Gjykatë, gjykatën më të mirë të vendit. Në fakt është gjykata që është e ngarkuar me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe prokurorë të cilët kanë kaluar procesin e vettingut, që do të thotë vetëm në këto kushte Qeveria kishte mundësi ta startonte këtë betejë për arsye se janë krijuar mundësi objektive për sukses, dhe risku i dështimit është shumë i ulët, pothuajse nuk ekziston sipas mendimit tim.

Ndërkohë përveç rasteve që janë proceduar nga policia dhe prokuroria, ndërkohë gjykata ka filluar të japë vendimet e para, dhe vendimet e para janë të gjitha në konfirmim të policisë. Pra, tregon se policia ka paraqitur pranë gjykatës subjektet e duhura, rastet e duhura, për arsye se këto tashmë janë konfirmuar me vendim gjykate si sekuestrime.

Kemi 6 vendime deri tani, kuptohet, janë brenda afatit, 2 prej të cilave për automjete dhe 4 për pasuri të patundshme.
Sigurisht e përmenda shkurt pak më parë, është pikëpyetja se çdo të ndodhë me ata që ligji nuk arrin t’i adresojë, ose gjykata nuk arrin t’i procedojë, t’i trajtojë deri në fund të vitit. Kjo është një çështje mbetet e hapur për t’u diskutuar, por kjo duhet parë me intensitetin dhe me rezultatet konkrete që do të ketë procesi deri në fundin e tij.

Duke dashur ta mbyll këtë prezantim të shkurtër të këtij projekt-akti normativ do të doja t‘ju them një gjë: Ju ftoj ta votoni me 100%! Përse e kërkoj me 100%? Sepse besoj që është 100% në interes të çdo shqiptari që gjërat të shkojnë në vendin e duhur, që pronat që janë të siguruara përmes gjakut, përmes krimit, përmes trafikimit të mos gëzohen nga ata që janë subjekt i këtij ligji, për të hequr kështu një model të keq nga shoqëria jonë, dhe për të dhënë një sinjal që askush nuk mund të ketë mbështetje në këtë sallë, për sa kohë është rreshtuar në anën e krimit.

Prandaj e kërkoj votën 100% me qëllim që të jepet një mesazh i fortë për krimin e organizuar në këtë vend, një mesazh i fortë për qytetarët e këtij vendi, të cilët e presin këtë. Besoj dhe jam i sigurt që ju jeni në kontakt me qytetarët dhe e ndjeni përditë të gjithë se çfarë rezonance pozitive ka ky akt normativ, ky hap historik i qeverisë në këtë fushë. Sigurisht nuk kërkohen 100%, Akti do të miratohet edhe me më pak, por them që është e mira e simbolikës së këtij parlamenti që të paktën të gjejë një moment për t’u rreshtuar në krahun e shoqërisë, pa komente pa ekuivok. Dhe për t’i thënë gjithkujt që mund të shpresojë, mund të ketë iluzione, që, ‘hë mo se do të kalojë vala e radhës’, për t’i dhënë një sinjal: Jo nuk është vala e radhës, është një vendim i qëndrueshëm i pa kthyeshëm, një vendim, i cili mbështetet nga e gjithë politika e përgjegjshme e këtij vendi.

Ju faleminderit!