Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 125 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 02/03/2020

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 125

Raporti javor nr. 125 – VIDEO
24 shkurt – 1 mars 2020

TIRANË – ZHVILLOHET KONFERENCA NDËRKOMBËTARE “SIGURIA RRUGORE 2020”
Ministri Lleshaj: Aksidentet janë vrasësi kryesor, pas sëmundjeve të rënda. Aksidentet vrasin shumë herë më tepër se sa krimi

Rritja e parametrave të sigurisë rrugore dhe hapat konkretë, që do të ndërmerren nga qeveria shqiptare ishin tema e konferencës së nivelit të lartë që u zhvillua në Tiranë, në të cilën morën pjesë Ministrat Lleshaj e Balluku, deputetë të Kuvendit, zyrtarë të tjerë të lartë vendas dhe të huaj, ekspertë të fushës, përfaqësues të grupeve të interesit etj. Konferenca ishte e ndarë në 3 sesione të ndryshme, në të cilën u paraqitën përkatësisht vizioni i qeverisë shqiptare dhe masat që parashikohen të ndërmerren, zbërthime konkrete të çështjeve nga ekspertë vendës dhe të huaj si dhe demonstrime risish teknologjike në lidhje me trafikun nga përfaqësues të kompanive të njohura ndërkombëtare, Konferenca u organizua në bashkëpunim mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Infrastrukturës & Energjisë, me një angazhim thelbësor nga Policia e Shtetit. Morën pjesë dhe dhanë kontribute të rëndësishme akademikë, drejtues të lartë dhe ekspertë nga universitetet, shoqëritë e sigurimeve, shoqatat e automobilistëve, grupe të tjera interesi e shoqëria civile.
Në fjalën e hapjes, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj theksoi se “aksidentet janë vrasësi kryesor, pas sëmundjeve të rënda. Aksidentet vrasin shumë herë më tepër se sa krimi. Pjesëmarrja shumë e lartë e publikut në sondazhet e zhvilluara nga MB në interes të kësaj konference, në të cilat morën pjesë më shumë se 65 mijë qytetarë, tregon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka tema për të cilën jemi mbledhur”. Më tej, duke folur për shkaktarët kryesorë të aksidenteve, Lleshaj u shpreh se “përdorimi i telefonave celularë, por edhe i sistemeve elektronike të integruara në makinë është një faktor i rëndësishëm për aksidente rrugore. Studimet serioze provojnë se kërkimi dhe thirrja e një numri telefoni nga celulari e rrit rreth 12 herë riskun e një aksidenti, ndërkohë që formulimi i teksteve për mesazhe e rrit këtë risk me rreth 6 herë”. Për ata që konsumojnë alkool dhe drejtojnë mjetet, Lleshaj the se “Rreth 25 % e aksidenteve vdekjeprurëse në BE vijnë për shkak të alkoolit, ndërkohë që përdorimi i drogës e shumëfishon riskun e aksidentit me disa herë”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, vuri në dukje se “si objektiv parësor i Ministrisë së Infrastrukturës dhe e Energjisë, në bashkëpunim edhe me ministritë e tjera, është ulja me 50 % e aksidenteve rrugore. Duhet të vendosim sigurinë si një vlerë të panegociueshme, të riorganizojmë vlerat që mbizotërojnë sistemin e transportit rrugor. Shqipëria ka marrë një angazhim maksimal për përmirësimin ne infrastrukturës, do fokusohemi në eliminimin e pikave të zeza”.  Në konferencë përshëndeti edhe zv.ministri i Brendshëm i Çekisë z.Jakub Kulhanek, ndërsa kontribute me vlerë u dhanë nga ekspertë të ndryshëm nga Italia, Kroacia, Çekia, Turqia dhe Gjermania. Sesionin teknologjik, ku u prezantuan risi teknologjike për monitorimin e akseve rrugore, e drejtoi Zv.ministri i Brendshëm z.Julian Hodaj, ndërsa ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor u paraqitën nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu.
Konferenca pati një interes të veçantë nga ekspertë vendas dhe të huaj dhe u ndoq drejtpërdrejt nga mediat e ndryshme.

GJERMANIA, MBËSHTETJE TË FORTË NDAJ SHQIPËRISË
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pret dy ministra të qeverisë së Landit Nordrhein-Westfalen të Gjermanisë

Ministri i Brendshëm z.Sandër Lleshaj priti në një takim dy ministra të qeverisë së landit të Gjermanisë Landit Nordrhein-Westfalen. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjes së qeverisë federale ndaj Shqipërisë për integrimin europian.
Në një postim në rrjete sociale, Ministri Lleshaj, shprehet se “prita në një takim z. Joachim Stamp, Zëvendëskryeministër dhe Ministër për Fëmijët, Familjen, Refugjatët dhe Integrimin si dhe Stephan Holthoff-Pfortner, Ministër për Çështjet Federale, Europiane dhe Ndërkombëtare, në Qeverinë e Landit Nordrhein-Westfalen të Gjermanisë. Ndamë qëndrimin e përbashkët se integrimi i Shqipërisë në BE nuk është zgjerim i Unionit, por plotësim i tij me një pjesë natyrore që i mungon. Në këtë kontekst diskutuam për zbatimin e Reformës në Drejtësi, për mbështetjen mbarëpopullore, por dhe për kundërshtarët e saj, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për OFL, për investimet gjermane në Shqipëri, etj.”, thuhej në postimin e Lleshaj.
Në fund ai nënvizon se “vizita ishte një tjetër dëshmi e mbështetjes së fortë dhe vëmendjes së veçantë të Gjermanisë ndaj Shqipërisë në këtë periudhë të rëndësishme të historisë së saj”.

PARANDALIMI I KULTIVIMIT TË KANABISIT, PRIORITET
Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu, takim pune me drejtuesit më të lartë të strukturave të policisë në rrethe. Në fokus, lufta antikanabis dhe OFL

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu zhvilloi një takim pune me zëvendësdrejtorët për Sigurinë Publike në Drejtoritë Vendore të Policisë dhe shefat e Komisariateve të Policisë, ku u diskutua për zbatimin e masave antikanabis në të gjithë vendit. Veliu theksoi se lufta antikanabis është ndër prioritetet kryesore, prandaj në këtë fazë duhen forcuar masat parandaluese duke shtuar kontrollet në terren, me qëllim goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike. Veliu theksoi se për çdo kubik, fidan apo bimë që do konstatohet nga informacionet e ardhura jashtë strukturave të Policisë së Shtetit, përgjegjës direkt do jenë zv/drejtorët dhe shefat e komisariateve, ndaj duhet të ngarkohen me përgjegjësi strukturat, me qëllim që pesha e përgjegjësisë të ndihet në gjitha nivelet.
Një tjetër pikë që Drejtori i Përgjithshëm diskutoi gjatë takimit ishin veprimet që strukturat e qarqeve duhet të kryejnë në mbështetje të OFL-së. Në takimin e zhvilluar morën pjesë edhe Zv.Drejtorja e Përgjithshme Aida Hajnaj, Drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale Tonin Vocaj dhe Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike Gjovalin Loka.

ANTIKANABIS – POLICIA 6724 KONTROLLE NE TE GJITHE VENDIN
Operacionet, aty ku dyshohej se mund të kultivohen lëndë narkotike. U arrestua një shtetas, një tjetër në kërkim

Policia e Shtetit ka ushtruar 6724 kontrolle në të gjithë vendin në kuadër të planit antikanabis për të evidentuar rastet e kultivimit dhe trafikimin të lëndëve narkotike në territorin shqiptar. Operacionet janë zhvilluar në vendet ku dyshohej që mund të kultivoheshin lëndë narkotike. Gjatë këtyre aksioneve u arrestua një shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër për vepra të ndryshme penale. Nga numri i përgjithshëm prej 6724 kontrollesh të kryera, 4956 kanë qenë në sera, 457 në tunele, 211 në ish-reparte ushtarake, 546 në ish-rezerva dhe magazina shtetërore, 249 në banesa të pabanuara, 34 në vila dhe banesa të dyshuara, 271 në objekte të ndryshme dhe territore të pyllëzuara, që dyshohet se mund të shfrytëzohen për kultivim të bimëve narkotike. Në Tiranë u arrestua një shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje, ndërsa në fshatin Gur i Zi, Shkodër, u shpall në kërkim një shtetas tjetër, i dënuar për moskallëzim krimi. Gjatë kontrolleve të territorit dhe ambienteve nuk është konstatuar ndonjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.  Policia vijon operacionet në terren për konstatimin e personave me tendencë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, me qëllim parandalimin në kohë të çdo tentative për të kultivuar kanabis.

RINAS – DEPORTOHEN NGA SPANJA 26 SHTETAS
Të kthyerit kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen dhe kishin kërkuar azil

Deportohen nga Spanja 26 shtetas shqiptarë, që kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen apo që kishin kërkuar azil. Kthimi në Rinas u realizua nëpërmjet një fluturimi me charter për të gjithë të kthyerit, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen apo që kishin kërkuar dhe azil. Gjatë intervistimit të të deportuarve policia ka dyshuar për njërin prej tyre për gjeneralitete të rreme. Pas verifikimit, në bashkëpunim edhe me Interpol Tiranën, Policia Kufitare e Rinasit vuri në pranga personin e dyshuar dhe nisi procedurat e ekstradimit të tij drejt Italisë, për arsye se ishte person në kërkim ndërkombëtar, i shpallur nga Interpol Roma, i dyshuar për veprat penale “Trafikim i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.