Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 124 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/02/2020

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 124

Raporti javor nr. 124 – VIDEO
17 – 23 shkurt 2020

GODITJE E FORTË RRJETEVE KRIMINALE TË ORGANIZIMIT TË LOJRAVE TË FATIT
Hetim policor proaktiv për 7 muaj – 115 të arrestuar në 8 qytete në Shqipëri

Policia e Shtetit finalizoi një operacion shumë të rëndësishëm në fushën e lojërave të fatit të shtrirë në disa qarqe të vendit si: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë e Shkodër. Hetimet u zhvilluan me metoda speciale proaktive me një shtrirje kohore rreth 7 muajsh, me qëllim dokumentin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Gjithsej u arrestuan në flagrancë 115 shtetas, 24 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim. U sekuestruan 172 milion lekë (të vjetra), 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celularë, një numër i konsiderueshëm televizorësh plazma, blloqe shënimesh që shërbejnë për vendosjen e basteve, kasa fiskale, një armë zjarri pistoletë dhe prova të tjera materiale. U zhvilluan kontrolle në 486 lokale dhe ambiente që dyshohej që ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme. Në Tiranë u arrestuan 97 shtetas dhe u sekuestrua një sallë qendrore operative, 20 monitorë, 17 DVR, dhe 170 milionë lekë të vjetra. Në Korçë u arrestuan 9 persona ndërsa 7 u proceduan në gjendje të lirë si, dhe u sekuestruan 1 milion lekë të vjetra. Në Elbasan u arrestuan 7 persona ndërsa 1 është shpallur në kërkim. Në Durrës u arrestuan 5 persona ndërsa 2 u proceduan në gjendje të lirë. Në Berat u arrestuan 4 persona, 6 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë ndërsa 1 është shpallur në kërkim. Edhe në Fier e Shkodër u arrestuan përkatësisht 3 persona ndërsa 3 u proceduan në gjendje të lirë. Në Shkodër, përveç arrestimeve, u sekuestruan edhe 1 milionë lekë të vjetra ndërsa në Lezhë u proceduan 3 persona në gjendje të lirë. Ky operacion është në zhvillim e sipër edhe në qarqe të tjera të vendit, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit.

“OPERACIONI FORCA E LIGJIT” NË VEPRIM
Policia e Shtetit, shkresa për vetëdeklarim disa personave të dënuar për vepra penale

“Operacioni Forca e Ligjit” ka shënuar rezultate të rëndësishme edhe gjatë kësaj jave me aksione speciale të zhvilluara në disa rrethe të vendit si Tiranë, Kurbin, Berat, Vlorë dhe Lezhë. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit u ka dërguar kërkesa mbi dhjetë shtetasve të ndryshëm të cilët janë dënuar për vepra për vrasje, shkatërrim të pronës me zjarr, trafikim të lëndëve narkotike, trafik armësh etj. Në Tiranë formularët i janë dërguar katër shtetaseve, 3 prej të cilëve janë dënuar në Itali për vrasje, trafik armësh e tjetër, ndërsa një tjetër për shkatërrim të pronës me zjarr. Në Kurbin iu dërgua kërkesa një shtetasi nën hetim për veprën penale të vrasjes me paramendim. Në Berat, Vlorë e Leshë, formularët iu dërguan disa personave të dënuar në Itali për trafikim të lëndëve narkotike.
Shtetasit objekt i këtij ligji duhet t’u përgjigjen brenda 48 orëve të gjitha pyetjeve. OFL ka bërë me dije gjatë javës që formularët i janë dërguar SPAK për ndjekjen e procedurave të mëtejshme që parashikohen duke vlerësuar më tej vlefshmërinë e veprimeve të ndërmarra.

RRITET FUQIA PARANDALUESE E INSTITUCIONEVE NË MBROJTJEN E MJEDISIT
Ministri Lleshaj, takim me Prefektët, strukturat drejtuese të IKMT dhe Policinë e Shtetit

Ministri i Brendshëm z.Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me prefektët e qarqeve, strukturat drejtuese të IKMT dhe të Policisë së Shtetit në qendër e rrethe, për të diskutuar disa çështje kryesore që lidhen me zgjerimin e kompetencave të IKMT-së, masat për sezonin turistik dhe luftën antikanabis. Në lidhje me IKMT, Lleshaj tha se tashmë me një vendim të qeverisë, këtij institucioni në varësi të MB, i janë shtuar detyra të reja që kanë të bëjnë me kontrollin e territorit dhe mjedisit. “Ndryshimet konsistojnë në një zgjerim të fushës së përgjegjësisë të Ministrisë së Brendshme, edhe me funksionet e parandalimit, mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, kontrollit dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e tokës, ajrit, ujërave dhe pyjeve nga ndotja, dëmtimet apo ndërhyrjet e paligjshme. IKMT tashmë do të zgjerojë fushën e veprimtarisë dhe funksioneve të tij, duke u kujdesur jo vetëm për mbrojtjen e territorit, por dhe për mbrojtjen e mjedisit, kryesisht të ujit, tokës dhe pyjeve, me theks te pyjet. Ky ndryshim synon që të rrisë fuqinë parandaluese të institucioneve tona në mbrojtjen e mjedisit në vend, të godasë veprimtarinë e paligjshme dhe të sigurojë që vendi të zhvillohet në kushte normale sa i përket mjedisit, për të siguruar edhe parakushtet e tjera të domosdoshme për zhvillimin e ekonomisë, turizmit dhe të tjera,” thekoi Ministri në fjalën e tij.
Në lidhje me masat për sezonin turistik veror, Ministri kërkoi nga strukturat përkatëse që të nisë puna që sot, për të mos lejuar abuzuesit që të dhunojnë hapësirën publike dhe të krijojnë kushtet për një sezon edhe më të suksesshëm. Për luftën antikanabis Lleshaj theksoi se viti i kaluar ishte një sukses, por duhet që institucionet dhe strukturat e ngarkuara me ligj duhet të zbatojnë me përpikëri planin e masave kundër këtij fenomeni me qëllim parandalimin e tij. Lleshaj tha se vitin e shkuar u proceduan mjaft zyrtarë shtetërorë, edhe punonjës policie, për mos-ushtrim të përgjegjësive dhe shpërdorim detyre, pikërisht për shkak të kultivimit të kanabisit. “Në qoftë se vjet kishim vendosur Qershorin si datë fundore, pas të cilës mbaronte puna e policisë, dhe fillonte përgjegjësia e saj, sivjet ky afat është tërhequr më para, pra duhet të jetë Prilli, afati, të cilin drejtuesit e policisë duhet ta kenë mbyllur përpjekjen e tyre në luftën kundër kanabisit,” theksoi Lleshaj në fjalën e tij.

TURQI – ZV.MINISTRI JULIAN HODAJ, VIZITË ZYRTARE
Mbështetje e pakufizuar për institucionet e sigurisë, projekte konkrete në të ardhmen e afërt

ZV Ministri i Brendshëm Julian Hodaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi, gjatë së cilës u takua me ministrin e Brendshëm z. Sylejman Sojllu, homologun e tij Zv. Ministrin e Brendshëm z. Mehmet Ersoy, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të agjencive ligjzbatuese të këtij vendi.
Gjatë këtyre takimeve Hodaj mori mbështetje të pakufizuar për rritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Shqipëri, si dhe projekte konkrete nga ana e qeverisë Turke. Zv.Ministri Hodaj shprehu falënderime për mikpritjen dhe takimet me zyrtarët e lartë të Turqisë dhe vuri në dukje rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Ai u takua gjatë kësaj vizite edhe me Komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë Gjeneral Arif Çetin si dhe me Zv. Komandantin Gjeneral Ali Çardakci.

BRUKSEL – ZV.MINISTRJA ROMINA KUKO, TAKIME INTENSIVE
Në Parlamentin Europian, diskutime mbi kriminalizimin e mëtejshëm të krimeve me bazë gjinore dhe shfrytëzimit

Zv Ministrja e brendshme Romina Kuko zhvilloi një vizitë pune në Bruksel, gjatë të cilës pati një sërë takimesh të frutshme me deputetë të Parlamentit Europian dhe zyrtarë të Komisionit Europian. Në takimin e eurodeputetin francez, Younous Omarjee, i cili është dhe njëkohësisht kryetar i komisionit për zhvillim rajonal, u diskutuan tema të tilla si: prioritetet e Komisionit të ri Europian, politikat rajonale të Ballkanit Perëndimor në perspektivën europiane, dhe mbi fuqizimi i pushtetit vendor. Në një takim tjetër me eurodeputeten Corina Cretu, kjo e fundit vlerësoi hapat e deritanishëm të Shqipërisë sa i përket integrimit europian, si dhe shfaqi dakordësinë mbi fuqizimin e dialogut politik, dhe intensifikimin e shkëmbimit midis grupimeve politike në Parlamentin Europian. Zv.ministrja Kuko mori pjesë në Komisionin e të Drejtave të Grave dhe Barazisë Gjinore të parlamentit Europian (FEMM), gjatë të cilit u diskutua mbi intensifikimin e mëtejshëm të kriminalizimit të dhunës me baza gjinore, si dhe mbi trafikimin dhe shfrytëzimin seksual të grave.  Gjatë kësaj vizite Kuko u takua me Maja Kocijancic, një mike të shqiptarëve, e cila aktualisht është këshilltare në kabinetin e komisionerit të BE për zgjerim Oliver Varhelle.

SIGURIA RRUGORE – VIJOJNË TRYEZAT E KONSULTIMIT
Ndryshimet në Kodin Rrugor/Ekspertët e Qarkullimit takohen me përfaqësues të shoqatave të transportit të udhëtarëve

Në Ministrinë e Brendshme u zhvilluan dy takime për sigurinë rrugore, ku morën pjesë drejtues të lartë nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, përfaqësuesit kryesorë të kompanive të sigurimeve, zyrtarë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, përfaqësues të shoqatave të transportit të udhëtarëve si dhe ekspertë të pavarur të këtyre çështjeve. Në mbledhjen e parë u diskutua lidhur me sigurinë rrugore dhe harmonizimin e instrumentit financiar si dhe për menaxhimin e rasteve të aksidenteve, pa përjashtuar tema të tjera që lidhen me to. U nënvizua se numri i aksidenteve në vit mbetet i lartë, dhe MB ka bërë propozimet e saj duke filluar me ndryshimet ligjore; monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes; projektet infrastrukturore; fushatat ndërgjegjësuese në shkolla etj. Në këtë kontekst u arrit në konkluzionin se ka hapësira për rishikimin e udhëzimeve të përbashkëta mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve diskutuan lidhur me këto problematika dhe ngritën çështje që kanë të bëjnë në marrëdhëniet mes shtetit e privatit, duke vënë në dukje rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes palëve në grupe pune të përbashkëta në nivel ekspertësh.
Në mbledhjen e dytë diskutua mbi problematikat që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor, disa propozime për ndryshime në Kodin Rrugor dhe për thellimin e bashkëpunimit mes palëve të interesuara. Biseda u përqendrua në disa ndryshime që kanë të bëjnë me zonat e banuara, shkollat, sanksionet ndaj shoferëve në raste të konsumit të alkoolit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, por njëherësh edhe futjen e një kulture ndërgjegjësimi ndaj shoferëve, nëpërmjet këshillimit. Përfaqësuesit e kompanive të transportit patën një qasje miratuese ndaj propozimeve të bëra, duke shtuar se për kontrollet mjekësore të drejtuesve të mjeteve të tyre, duhet të ketë një kujdes më të shtuar dhe në afate periodike më të shkurta.