Ministri takim me Prefektët, IKMT e strukturat vendore e qendrore në Policinë e Shtetit/Rritet fuqia parandaluese e institucioneve në mbrojtjen e mjedisit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/02/2020

Ministri takim me Prefektët, IKMT e strukturat vendore e qendrore në Policinë e Shtetit/Rritet fuqia parandaluese e institucioneve në mbrojtjen e mjedisit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me Prefektët, strukturat drejtuese të IKMT dhe strukturat vendore e qendrore në Policinë e Shtetit. Takimi vjen pas miratimit të vendimit në Qeveri, që transferon përgjegjësinë për kontrollin e mjedisit dhe pyjeve, nga MTM tek Ministria e Brendshme.

VIDEO – Fjala e ministrit Lleshaj:

Mirëdita të gjithëve,

të nderuar Prefektë,

drejtues të Policisë së Shtetit,

të nderuar drejtues të IKMT-së!

Takimin e sotëm e zhvillojmë, së pari, për të informuar për një masë të re, që Qeveria ka ndërmarrë në funksion të pajisjes ose ngarkimit të Ministrisë së Brendshme me disa detyra të shtuara të reja, për sa i përket kontrollit të territorit dhe mjedisit. Ndryshimet konsistojnë në një zgjerim të fushës së përgjegjësisë të Ministrisë së Brendshme, edhe me funksionet e parandalimit, mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, kontrollit dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e tokës, ajrit, ujërave dhe pyjeve nga ndotja, dëmtimet apo ndërhyrjet e paligjshme. Në vijim të këtij ndryshimi, ose këtij zgjerimi të fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Brendshme, një pjesë funksionesh, që kanë të bëjnë kryesisht me inspektimin në fushën e mjedisit, territorit, ujërave dhe pyjeve do të kalojnë tashmë në përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme dhe për këtë arsye është realizuar edhe një ndryshim strukturor, për sa i përket Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT-së, i cili tashmë do të zgjerojë fushën e veprimtarisë dhe funksioneve të tij, duke u kujdesur jo vetëm për mbrojtjen e territorit, por dhe për mbrojtjen e mjedisit, kryesisht të ujit, tokës dhe pyjeve, me theks te pyjet.

Ky ndryshim synon që të rrisë fuqinë parandaluese të institucioneve tona në mbrojtjen e mjedisit në vend, të godasë veprimtarinë e paligjshme dhe të sigurojë që vendi të zhvillohet në kushte normale sa i përket mjedisit, për të siguruar edhe parakushtet e tjera të domosdoshme për zhvillimin e ekonomisë, turizmit dhe të tjera.

Ajo që do të ndodhë në terma praktikë është një fuzion i funksioneve të deritanishme të IKMT-së me funksionet e inspektoratit përkatës, që është marrë me mjedisin, ujin dhe pyjet. Dhe përmes këtij bashkimi, synohet që të rritet fuqia parandaluese, të përmirësohet kontrolli i territorit, të përdoren më mirë dhe më me efiçencë burimet, të evitohen shpenzimet e panevojshme kryesisht në nivelin mbështetës, infrastrukturë, e kështu me radhë, dhe të mbahet më mirë në administrim, në ruajtje dhe në shfrytëzim, ato burime të rëndësishme natyrore, të cilat jo rrallë herë janë kërcënuar nga veprimtaritë e paligjshme.

Por përse është bërë kjo lëvizje, në thelb, duhet parë, përse tek Ministria e Brendshme?! Arsyeja është së pari, duke qenë se IKMT-ja ka kryer deri tani një funksion të rëndësishëm në mbrojtjen e territorit të vendit, është menduar që duke e zgjeruar fushën e veprimit të këtij institucioni të provuar ndërkohë për një efiçencë të caktuar, ne do të arrijmë ta kryejmë më mirë edhe atë pjesë të shtuar të tij pra ujin, territorin, pyjet. Por nuk është vetëm kjo.

Arsyeja e dytë, ndoshta më kryesore, është që duke e afruar pranë Ministrisë së Brendshme, pranë Policisë së Shtetit, ne do të arrijmë që funksionet e mbrojtjes së territorit, të kryhen në kuadër të një veprimi të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe të IKMT-së së re, e cila tashmë nuk do të jetë pjesë e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit por do të jetë Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit, pra ngelet i njëjti akronim IKMT, vetëm se “M” nga mbrojtje bëhet mjedis. Por, në kuptimin operacional, në kuptimin e punës së përditshme, strukturat e reja të IKMT-së, e kam fjalën kryesisht për ato që i shtohen si funksione, të inspektimit të mjedisit dhe të pyjeve dhe të ujërave do të kryhen në bashkëveprim të ngushtë me strukturat vendore të policisë.

Drejtuesit e rinj ose të vjetër të IKMT-së, vendorë, do të jenë, në një kuptim të qartë, pjesë integrale, – në kuptimin operacional, pra të funksionimit – e Drejtorive ose Komisariateve përkatëse të Policisë, në mënyrë që e gjithë puna për kontrollin e territorit, për mbrojtjen e territorit, të kryhet së bashku, në koordinim të plotë duke shfrytëzuat resurset reciproke, duke evituat moskuptimet apo harxhimin e panevojshëm të energjive, që kanë ndodhur për arsye të njohura.

Kërkohet nga të gjithë drejtuesit e policisë, të IKMT-së që të përgatiten mirë, për të filluar këtë funksionim të ri, i cili do të adresojë ato çështje kryesore që shqetësojnë vendin në fushën e mjedisit dhe territorit.

Do të vazhdojë fokusi te ndërtimet pa leje, sidomos në zonat me prioritet strategjik dhe prioritet kombëtar të zhvillimit, që janë zonat e bregdetit, zonat turistike, kryesisht aty do të jetë fokusi në këtë punë. Hapja e fronteve të reja për zhvillimin e vendit në akset kryesore rrugore, në projektet e mëdha kombëtare, që do të jetë një prioritet i rëndësishëm, ndërkohë që fokusi do të zgjerohet dhe do të orientohet edhe te disa zona të brishta siç janë administrimi i baseneve ujore, kontrolli i shfrytëzimit të lumenjve, inerteve të lumenjve, kontrolli i shtuar i zonave minerare, guroreve, minierave, vendeve të tjera me risk të shtuar të cilat kanë paraqitur historikisht, për fat të keq, viteve të fundit, shqetësime të mëdha, për zhvillimin e vendit, për mjedisin, për qytetarët.

Është bërë një punë e rëndësishme vitin që shkoi për të adresuar disa pika nevralgjike në këtë fushë, kryesisht në zonën e Tomorit dhe të Krujës ku është bërë ndërhyrje e mirë, por që s’ka përfunduar ende. Dhe do të zgjerohet ky fokus në të gjitha ato pjesë të territorit ku ende vazhdon të ushtrohet veprimtari e paligjshme, ose nganjëherë ndoshta e ligjshme, por e dëmshme për mjedisin dhe për territorin.

Dhe pastaj fokusi i madh do të jetë mbrojtja e sipërfaqeve pyjore të vendit, të cilat meritojnë vëmendje të madhe dhe mbrojtja e tyre mund të bëhet më së miri, nëse ne kombinojmë që në themel, punën midis IKMT-së së re dhe strukturave vendore të policisë.

Për ta përmbledhur do të thosha që nga fundi i muajit shkurt, kohë në të cilët ne synojmë që ta bëjmë operacional IKMT-në e re në të gjitha aspektet, Policia e Shtetit, Drejtoritë Vendore do të kenë edhe një përgjegjësi të shtuar, por edhe një aset të shtuar. Pra, do të kenë jo vetëm përgjegjësinë për t’u kujdesur më mirë për territorin në tërësi por do të kenë dhe instrumentin e duhur në dorë, i cili do të jetë strukturat vendore e IKMT-së, Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit dhe të Territorit.

Kjo kërkon një rikonceptim në themel të qasjes së vetë policisë dhe të IKMT-së. IKMT-ja do të drejtohet nga qendra në kuptimin profesional dhe administrativ, ndërkohë që në kuptimin operacional do të drejtohet nga strukturat vendore të policisë. Se çfarë do të bëjë  inspektorati, dega e IKMT-së së Shkodrës për muajin mars, do ta caktojë drejtori i policisë atje, e njëjta gjë për Korçën apo për Vlorën, apo për Fierin apo etj. Pra do të jetë një organizim i kësaj natyre.

Ne do të lançojmë këto ditë thirrjet e reja për rekrutim në fushën e  IKMT-së, pra inspektimit të mjedisit dhe të territorit. Shpresojmë që qytetarët t’i përgjigjen thirrjes me angazhim, dhe shpresojmë që nga ky proces të marrim specialistë dhe ekspertë të motivuar, të arsimuar, të trajnuar dhe para që gjithash të gatshëm dhe të angazhuar për të kryer këtë mision shumë të rëndësishëm.

Ky proces do të kryhet në kushtet e një transparence të plotë publike, prandaj e gjej  këtë mundësi duke qenë se ka edhe media të pranishme për ta bërë këtë thirrje publike, që të nxis të rinj e të reja që kanë ekspertizë në fushat e mjedisit, të ujërave, të pyjeve t’i bashkohen kësaj thirrjeje për t’u inkuadruar në radhët e Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit, me qëllim që së shpejti të fillojmë një proces shumë rigoroz të inspektimit, të kontrollit, të mbrojtjes dhe të parandalimit të dëmeve në mjedisin tonë.

Duke qenë se këtu jemi një rreth i duhur i personave, që kanë lidhje me dy çështje të tjera, do të trajtoj shkurtimisht edhe dy çështje të tjera.

E para, ka të bëjë me përgatitjen për sezonin e ardhshëm turistik, ku Prefektët, Drejtoritë Vendore të Policisë dhe IKMT-ja, duhet të përfshihen në kuadër të zbatimit të planit të masave për të bërë secili atë pjesë të detyrimeve që ka në kuadër të këtij plani. Është me shumë rëndësi që të parandalohet çdo ndërhyrje e paligjshme në zonat turistike të vendit, e cila jo rrallë ka ndodhur në të kaluarën tonë, është e rëndësishme të shtohet bashkëpunimi me njësitë vendore, njësitë e pushtetit vendor, për të koordinuar përpjekjet dhe për të parandaluar me çdo kusht që të eliminohet çdo lloj zaptimi i çdo centimetri katror në plazhet e vendit apo në zonat e tjera turistike.

Në qoftë se vite më parë kemi pasur fatkeqësisht nganjëherë rolin që policia është futur në mes të sezonit për të rivendosur rendin në zonat e plazheve, duke larguar zaptues, duke larguar materiale të vendosura në mënyrë të paligjshme nëpër plazhe, kjo punë, për këtë vit, duhet të fillojë që tani, jo për të pritur dhe për të larguar materiale apo zaptues, por për të parandaluar me çdo mënyrë zaptimin e territoreve ose sipërfaqeve të caktuara në zonat turistike të vendit.

Për këtë kanë detyrë, qoftë Policia e Shtetit, Prefektët patjetër, në koordinim, por edhe IKMT-ja. Derisa flasim për territor dhe për çdo ndërhyrje të paligjshme në territor, IKMT që tani duhet të parashikojë masa për të ndërhyrë në nivelin parandalues. Për të mos lënë që të shkojnë punët më thellë, që të penalizohen njerëz, që të shkaktohen pasoja financiare, sepse edhe dëmtohen ata në njëfarë mënyre, megjithëse nganjëherë e meritojnë dëmin që u shkaktohet, por e mira është që t’u dalim përpara dhe kërkohet nga të gjithë një angazhim i plotë në kuadër të planit ndërinstitucional që ekziston për këtë punë dhe që koordinohet nga prefektët, për t’u bërë e mundur që sezoni turistik i ardhshëm, të zhvillohet në kushtet e një rendi dhe një rregulli të plotë.

E treta, ka të bëjë me angazhimin në kuadër të luftës për parandalimin e kultivimit të kanabisit. Po ashtu, jeni aktorët e duhur këtu. Dua të them që viti që shkoi ka paraqitur një nivel shumë të fortë angazhimi të institucioneve, i cili është reflektuar në numrin e madh të operacioneve të policisë të zhvilluara; në numrin e lartë të personave të proceduar penalisht; në numrin e konsiderueshëm të mjediseve të kontrolluara; në numrin e bimëve të kanabisit të sekuestruara etj. Pra ka një volum të lartë, por viti i kaluar na ka dëshmuar edhe një numër të lartë të goditjes ndaj zyrtarëve që kanë përgjegjësi për kontrollin e territorit.

Është një numër i lartë i zyrtarëve shtetërorë, të njësive të pushtetit vendor, pra njësive administrative, të pyjeve, vetë policisë, të cilët janë proceduar edhe penalisht për mos-ushtrim të përgjegjësive dhe të kompetencave, për shpërdorim të detyrës, por në raste të caktuara, edhe për bashkëpunim me keqbërës të caktuar në këtë fushë.

Për vitin që jemi, puna tashmë ka filluar dhe operacioni në terren ka filluar, por kërkohet më shumë ritëm në mënyrë që kjo çështje, ky operacion të përfundojë para fillimi të mirëfilltë të pranverës. Gjithë fenomeni i kanabisit, i cili jam krejt i bindur që është apo ka përfunduar në trajta rudimentare, por gjithsesi dhe një bimë e vetme, edhe një kubik i vetëm i mbjellë, është objekt i cili duhet kërkuar, duhet gjetur, duhet asgjësuar dhe duhen nxjerrë përgjegjësitë përkatëse për të gjithë ata që kanë përgjegjësi.

Në qoftë se vjet kishim vendosur Qershorin si datë fundore, pas të cilës mbaronte puna e policisë, dhe fillonte përgjegjësia e saj, sivjet ky afat është tërhequr më para, pra duhet të jetë Prilli, afati, të cilin drejtuesit e policisë duhet ta kenë mbyllur përpjekjen e tyre në luftën kundër kanabisit.

Duhet ta kenë mbyllur brenda muajit prill, dhe pas këtij muaji do të fillojë pastaj kërkimi i përgjegjësisë edhe tek radhët e zyrtarëve që kanë përgjegjësi për këtë. Çdo sipërfaqe e mbjellë me kanabis ku do që të jetë, do të shkaktojë automatikisht proces ndaj zyrtarëve personave, që kanë përgjegjësi për atë territor të caktuar. Duke filluar nga drejtuesit e pushtetit vendor, duke filluar nga drejtuesit e policisë, nga drejtuesit e inspektorateve të pyjeve flas tani, të bujqësisë etj., me radhë.

Çdokush që është përgjegjës për territorin e vendit tonë duhet të mbajë përgjegjësinë që ky territor të përdoret vetëm për qëllime të ligjshme ku kanabisi nuk përfshihet. Muaji prill duhet të jetë muaji ku se cili prej jush prej nesh do të jetë i gatshëm për të dhënë llogari lidhur me punën e kryer. Është një muaj i mirë pune për t’u angazhuar masivisht në kuadër të një operacioni të gjerë që të prekë çdo cm katror të territorit.

Atje ku tani mund të zhvillohet ose kultivohet kanabis, në zonat me risk të lartë, në serra, në tunele, në objekte të braktisura, në vende të tjera me risk, të cilat tashmë janë  pjesë e planit kombëtar, për këtë çështje. Dhe jam besimplotë që ju do ta bëni këtë detyrë, në mënyrë që viti 2020 të shënojë një vit tjetër të thellimit të suksesit  tonë në luftën kundër kanabisit, për ta mbyllur këtë histori një herë e mirë nga axhenda e punës tonë. Faleminderit!