Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 123 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 17/02/2020

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 123

Raporti Javor nr. 123 – VIDEO
10 – 16 shkurt 2020

 

Vlorë – Ministri Lleshaj flet për prioritetet e Ministrisë së Brendshme
“Financat dhe asetet kriminale paraqesin një model biznesi negativ. Qëllimi i gjithë përpjekjes së tanishme është që ky model biznesi të shkatërrohet”

Ministri i Brendshëm z.Sandër Lleshaj paraqiti prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2020 gjatë njkë takimi ky u krye analiza vjetore e Prefekturës së Qarkut Vlorë. Ai i ndal gjatë fjalës së tij në çështje të tilla si rindërtimi pas tërmetit në zonat e prekura, lufta kundër krimit të organizuar, siguria rrugore, kontrolli i territorit, sezoni turistik, shërbimet online, adresari i banesave, emërtimi i rrugëve etj.
Për luftën kundër krimit të organizuar, Ministri tha se janë duke u zhvilluar operacione speciale kundër elementëve dhe grupeve kriminale si dhe po miratohet “një paketë e tërë ndryshimesh të rëndësishme ligjore” për këtë qëllim. Ai theksoi se krimi do të goditet në pikën e tij më nevralgjike që janë pasuritë e vëna përmes veprimtarisë kriminale.
“Financat dhe asetet kriminale paraqesin një model biznesi negativ, i cili ka inkurajuar edhe të tjerë të rinj që të futen në këtë rrugë të rrezikshme. Qëllimi i gjithë përpjekjes së tanishme është që ky model biznesi të shkatërrohet përmes goditjes së financave dhe aseteve kriminale, duke siguruar kështu që me shterimin e këtyre burimeve, që e mbajnë gjallë krimin, të kontribuohet në reduktimin e përgjithshëm të kriminalitetit dhe krimit të organizuar në vend”, tha ai.  Ministri u ndal me tej në çështjet e sigurisë rrugore duke vënë në dukje se “në fushën e sigurisë rrugore ende konstatohet që nevoja për të ndërhyrë dhe për të përmirësuar është mjaft e lartë. Ende kemi problematikë, ende kemi humbje jetësh njerëzore, ende kemi dëmtime të trupit e të pasurisë, plagosje, gjymtime, dhe një faturë mjaft e madhe njerëzore, ekonomike, financiare që prodhohet çdo vit nga problematikat që shfaqen në rrugët e vendit dhe ne e kemi konsideruar vitin 2020, një vit të rëndësishëm për luftën për një siguri më të lartë rrugore”.
Në lidhje me masat për turizmin, Ministri nënvizoi rritjen e numrit të vizitorëve nga viti në vit dhe nevojën për të bashkëpunuar në përballimin e një sezoni cilësor e të suksesshëm.  “Turizmi është një sipërmarrje komplekse ku ngërthehen shumë aktorë, operatorët turistikë, institucionet e mjedisit, ato të sigurisë, shëndetësisë, të ushqimit e kështu me radhë. Vitet që kanë shkuar na kanë ballafaquar me përvoja pozitive, por dhe me përvoja negative të cilat janë regjistruar tashmë, janë analizuar nga të gjithë strukturat përgjegjëse, por do duhet që në vitin që sapo jemi futur, dukuritë negative që ne kemi ndeshur gjatë viteve të fundit të mos ketë më vend në këtë fushë”, tha Ministri Lleshaj. Ministri trajtoi gjerësisht edhe çështjet e mbrojtjes së mjedisit, kontrollit të territorit, luftën kundër bimëve narkotike dhe përgjegjësive përkatëse, si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me sistemin e adresave dhe shërbimeve online.

 

P/ligji për të huaj: Lehtësohen procedurat për vizë e leje qëndrimi
“Ligji parashikon lehtësim, modernizim të shërbimeve që shteti shqiptar ofron ndaj të huajve, pra si vizitorë, turistë ne vendin tonë përmes ofrimit të vizave online”

Ministri i Brendshëm z.Sandër Lleshaj u kërkoi deputetëve në seancë plenare të miratojnë ndryshimet në ligjin për të huajt, pasi “me miratimin e ligjit e bëni Shqipërinë një vend më mikpritës ndaj qytetarëve të huaj që vijnë drejt saj si turistë, si studentë, si punëtorë, apo si profesionistë të tjerë.”
Ministri nënvizoi në ekspozenë e bërë para deputetëve se: «Projekt-ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr.108/2013 ‘Për të huajt’, të ndryshuar”, ka tre synime kryesore që kanë të bëjnë përkatësisht me “politikën e vizave”, me “punësimin e të huajve” dhe me “politikat e qëndrimit të të huajve” ose më thjesht “me lehtësimin e procedurave administrative për shqyrtimin e lejeve të qëndrimit”. Duke folur rreth çështjes së vizave, qëndirmit dhe punësimint të të huajve ai tha se ligji synon krijimin e mekanizmave të rinj, lehtësimeve dhe kryesisht në përmirësimin e vizave elektronike online. Përsa i përket politikës së punësimit të të huajve në Republikën e Shqipërisë, përmirësimin e disa dispozitave lidhur me lejet e punës dhe me punësimin e të huajve në vendin tonë. Ndërsa për qëndrimin e të huajve në vendin tonë, ligjit parashikon lehtësim të procedurave administrative për shqyrtimin e lejeve të qëndrimit. “Në thelb ligji parashikon lehtësim, modernizim të shërbimeve që shteti shqiptar ofron ndaj të huajve, qofshin ndaj atyre që vijnë për kohë të shkurtër, pra si vizitorë, si turistë ne vendin tonë përmes ofrimit të vizave online. Për ata që kanë qëllime më të gjata, pra të punësohen dhe janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si studentë apo qëllime të tjera, dhe e fundit për ata që synojnë të punësohen në Republikën e Shqipërisë”, theksoi Ministri Lleshaj në fjalën e tij

Parametrat e sigurisë – Lleshaj: Ndër më të mirat në historinë e këtij vendi
Ministri Lleshaj u përgjigjet pyetjeve lidhur me rendin dhe sigurinë në interpelancën e kërkuar nga deputeti Lefter Maliqi

Ministri Lleshaj deklaroi se vendi unë ka situatën më të mirë historike sa u përket parametrave të rendit dhe sigurisë, në interpelancën e kërkuar nga deputeti Lefter Maliqi, në emër të një grupi parlamentar të opozitës. Ministri hodhi poshtë etiketimet e deputetit Maliqi që e konsideronte situatën e sigurisë “të rëndë”, dhe u bëri thirrje deputetëve që të lexojnë raportet e ndërkombëtarëve apo të institucioneve tona që raportojnë për këto çështje, pasi një këtë mënyrë do të krijojnë një pamje konkrete e korrekte të gjendjes. Duke folur rreth situatës së sigurisë, rendit dhe qetësisë në vend, Ministri vuri në dukjet se për këto tregues kemi situatës më të mirë në 3 dekadat e fundit. “Në qoftë se marrim vrasjet, krimet e rënda, rrëmbimet, kultivimin e kanabis, të drogës e shumë e shumë treguesve të tjerë, aksidentet rrugore po deshët e shumë parametra të tjerë, që tregojnë nivelin e gjendjes së sigurisë dhe rendit publik, po ju them me përgjegjësi të plotë shtetërore që kjo është ndër më të mirat në historinë e këtij vendi, të paktën në historinë e 30 viteve të fundit”.
Më tej Lleshaj bëri një paraqitje të fakteve në lidhje me shkatërrimin e grupeve kriminale, pronave e aseteve të sekuestruar dhe numrin e personave të arrestuar në operacionet e policisë. Edhe për luftën kundër drogave dhe kultivimit të bimëve narkotike, Ministri tha se 2019 ka qenë gjithashtu një vit me rezultate të shënuara historike, çka vërtetohet me aksionet e policisë dhe raportet e partnerëve tanë, që flasim për një pakësim me 600% të sasisë së kanabisit të kapur dhe që besohet se ishte nisur nga vendi ynë. Në lidhje me pyetjen për përdorimin e gazit lakrimogjen në protesta, Ministri shpjegoi se janë përdorur nga rezervat që ka pasur në gjendje vetë policia jonë. Ndërsa në lidhje me reagimin e policisë gjatë protestave të dhunshme të partive të opozitës, Ministri tha se policia ka qenë korrekte, dhe ka reaguar në bazë të strategjisë “1-1-0’.  “Policia kurrë nuk është angazhuar dhe kurrë nuk do të angazhohet me forcë kundër qytetarëve të këtij vendi, kundër grave, fëmijëve. Policia është aty për t’u angazhuar, qoftë edhe me forcë ndaj atyre që shkelin ligjin, ndaj atyre që kryejnë krime”, theksoi Lleshaj në fjalën e tij.

 

Shqipëria anëtare e rrjetin ENFAST
“Anëtarësimi i Shqipërisë në ENFAST është një tjetër hap me rëndësi drejt përfshirjes së Policisë së Shtetit në marrëdhënie të reja me strukturat europiane”

Zëvendës Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari njoftoi përmes një postimi në rrjete sociale se vendi ynë është pranuar në rrjetin më të madh europian për gjetjen dhe kapjen e personave në kërkim ENFAST. “Rrjeti Evropian i Skuadrave për Gjetjen e Personave në Kërkim, nga sot më i madh & më i fortë. Shqipëria është anëtari më i ri i ENFAST!” – thekson në postimin e tij Lamallari. Hyrja në këtë rrjet nënkuptim një shkëmbim informacioni në kohë reale 24/7, koordinim dhe operacione të përbashkëta me njësitë homologe policore. Lamallari nënvizon gjithashtu se “Për personat më të kërkuar, së bashku me ENFAST dhe Europol do të ofrohen shpërblime të konsiderueshme për qytetarët që bashkëpunojnë me Policia e Shtetit”. Anëtarësimi i Shqipërisë në ENFAST, tha Ministri Lleshaj në një postim enkas për këtë ngjarje – është një tjetër hap me rëndësi drejt përfshirjes së Policisë së Shtetit në marrëdhënie të reja me strukturat europiane. Tashmë jo vetëm Policia jonë, por një rrjet i gjerë strukturash europiane do të jetë në mbështetje të përpjekjeve për kapjen e personave që i shmangen drejtësisë.

Siguria Rrugore 2020 – Tryezë konsultimi me ekspertë të qarkullimit rrugor, për ndryshimet në Kodin Rrugor
Ekspertë të njohur të qarkullimit rrugor, drejtues të shoqatave të autoshkollave, instituteve kërkimore mbi aksidentet mbështetën përgjithësisht propozimet e bëra

Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj deklaroi se ndryshimet ligjore të propozuara, synojnë forcimin e parametrave të sigurisë rrugore, gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, ku morën pjesë ekspertë të njohur të kësaj fushe. Hodaj tha se në vijim do të zhvillohen disa tryeza, që kanë të bëjnë secila me çështje specifike, lidhur me problemet e sigurisë rrugore. Ai nënvizoi se siguria rrugore është një nga prioritetet kryesore të MB-së për vitin 2020 dhe në datë 27 shkurt do të zhvillohet një konferencë e nivelit të lartë, për këtë çështje. Sa u përket ndryshimeve ligjore, Hodaj theksoi se është shumë i rëndësishëm mendimi i ekspertëve dhe qëllimi i kësaj tryeze është pikërisht ballafaqimi i pikëpamjeve dhe përvojave të ndryshme. Shefi i Analizës në Policinë Rrugore Mitat Tola shpjegoi hollësisht ndryshimet që do të propozohen në Kodin Rrugor, të cilat në thelb synojnë të jenë më favorizuese për këmbësorët dhe përgjithësisht me një qasje përkrahëse për qytetarët. Në këtë tryezë dhanë opinione ekspertë të njohur të qarkullimit rrugor, drejtues të shoqatave të autoshkollave, instituteve kërkimore në lidhje me aksidentet si dhe drejtuesit kryesorë të Policisë Rrugore, duke mbështetur përgjithësisht propozimet e bëra.