Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në analizën vjetore të Prefekturës së Qarkut Vlorë/Prioritetet e vitit 2020 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 14/02/2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në analizën vjetore të Prefekturës së Qarkut Vlorë/Prioritetet e vitit 2020

Vlorë – Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në analizën vjetore të Prefekturës së Qarkut:

Viti 2020 ka nisur me shumë dinamika të larta dhe kjo ka bërë të vështirë që unë të marr pjesë në shumë analiza që janë zhvilluar në Prefekturat e vendit, por sot arrita ta gjej një hapësirë. Ndoshta Vlora e krijon këtë mundësi për të gjetur hapësira dhe erdha në Vlorë.

Vij përherë me kënaqësi për arsye se Vlora është ndër ato qarqe dhe qytete, të cilat po zhvillohen me dinamikë të lartë dhe ndihet një puls i rëndësishëm zhvillimi në të gjithë qarkun dhe veçanërisht në bashkinë e Vlorës, por nuk harrojmë që qarku është më i madh se Vlora, mbërrin deri në skajin më jugor të Shqipërisë.

Viti 2019 ishte një vit i rëndësishëm për gjithë qeverinë shqiptare dhe për qarkun e Vlorës patjetër, ku u realizuan disa reforma të rëndësishme, u arritën tregues të konsiderueshëm në shumë fusha të jetës së vendit dhe për sa i përket veprimtarisë së Prefektit të Qarkut këtu, dolën arritjet kryesore, problematikat që kurrë nuk ndahen nga arritjet, pra kemi edhe disa problematike që duhet t’i adresojmë. Por më shumë se sa për t’u marrë me vitin që shkoi, dua të theksoj dy-tri gjëra të rëndësishme që ne duhet të kemi parasysh në vitin që sapo kemi nisur.

Dihet që viti në nivelin kombëtar, ky vit është i shënjuar në një farë mënyre nga përpjekja e madhe kombëtare për rindërtimin e vendit pas tërmetit rrënues të Nëntorit të vitit që shkoi, dhe besoj që të gjithë ju punonjës të Prefekturës e dini që prioriteti numër 1 i Qeverisë Shqiptare është ky angazhim.

Sigurisht, Qarku i Vlorës për fat nuk ka pasur ndonjë prekje apo dëmtim, por ama duhet të dimë që dhimbjen e një trupi, pavarësisht se ku preket, e ndjen i gjithë trupi, dhe sigurisht që kjo do të ketë rolin e vet, ky prioritet në gjithë zhvillimet, në gjithë objektivat tona për këtë vit.

Me këtë rast dua të përshëndes dhe të falënderoj të gjithë ata që janë bërë pjesë e kontributit për të ndihmuar në dobi të zonave, të qyteteve, apo familjeve të prekura kryesisht në qendër dhe diku më në veri të Shqipërisë.

Ka pasur shumë mobilizim dhe angazhim qytetar dhe institucional për ta mbështetur procesin e ringritjes dhe procesin e lehtësimit të pasojave dhe i gjithë Qarku i Vlorës ka qenë mjaft i dukshëm ky proces.

Një tjetër çështje shumë e rëndësishme, e cila do të prekupojë të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, veçanërisht ato të Ministrisë së Brendshme, është lufta kundër krimit të organizuar, e cila është renditur në listën e prioriteteve të Qeverisë Shqiptare për këtë vit, si e dyta pas rindërtimit.

Ndërkohë që, pak ditë para tërmetit konsiderohej prioriteti i parë, vetëm tërmeti ishte ai që e spostoi në vendin e dytë këtë prioritet të madh të Qeverisë Shqiptare për të luftuar krimin e organizuar në vend, dhe besoj tashmë jeni të gjithë të njohur me faktin që një paketë e tërë ndryshimesh të rëndësishme ligjore është miratuar ose është në proces miratimi.

E gjithë kjo përpjekje e madhe e Qeverisë dhe e Ministrisë së Brendshme, dhe e Policisë së Shtetit do të synojë të godasë ato segmente të krimit të organizuar, të cilat për arsye tashmë të njohura për qytetarët e vendit tonë, kanë ngelur të paprekura, kryesisht financat e krimit, financat dhe asetet e tjera kriminale, të cilat kanë bërë të mundur që krimi të persistojë që financat e tij të angazhohen për të zgjeruar krimin tjetër.

Po ashtu, kanë bërë të mundur që financat dhe asetet kriminale të paraqesin një model biznesi negativ, i cili pse jo ka inkurajuar edhe të tjerë të rinj që të futen në këtë rrugë të rrezikshme.

Qëllimi i gjithë përpjekjes së tanishme është që ky model biznesi të shkatërrohet përmes goditjes së financave dhe aseteve kriminale, duke siguruar kështu që me shterimin e këtyre burimeve, që e mbajnë gjallë krimin, të kontribuohet në reduktimin e përgjithshëm të kriminalitetit dhe krimit të organizuar në vend, duke krijuar në të njëjtën kohë kushte normale për jetesën e qytetarëve, duke i hapur rrugë zhvillimit të vendit dhe duke i hapur perspektiva integrimit të tij në familjen europiane.

Në këtë kuadër do të kërkohet nga gjithë strukturat e Prefekturës së Qarkut, por sidomos edhe të Policisë angazhim i jashtëzakonshëm në këtë proces, i cili përfshin shumë institucione. Pavarësisht se është Policia e Shtetit ajo që ka detyrën e hapit të parë, e më tej SPAK-u apo Gjykata e Posaçme, janë edhe një sërë institucionesh të tjera të shtetit shqiptar që kanë detyra shumë të qarta në kuadër të këtyre ndryshimeve të kësaj përpjekje të madhe kombëtare për këtë hap të ri në luftën kundër krimit dhe kryesisht janë ato organe që merren me tatimet, që merren me taksat, që merren me hipotekat dhe që merren me aspekte të tjera të zyrave të shtetit shqiptar të cilat kanë përgjegjësi konkrete për të kryer në këtë proces të rëndësishëm.

Një tjetër drejtim mjaft i rëndësishëm i punës së Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Prefektit dhe strukturave të tjera që lidhen me të, lidhet me sigurinë rrugore. Megjithë përmirësimet e vazhdueshme në harkun e viteve të fundit, në fushën e sigurisë rrugore ende konstatohet që nevoja për të ndërhyrë dhe për të përmirësuar në këtë aspekt është mjaft e lartë. Ende kemi problematikë, ende kemi humbje jetësh njerëzore, ende kemi dëmtime të trupit e të pasurisë, plagosje, gjymtime, dhe një faturë mjaft e madhe njerëzore, ekonomike, financiare që prodhohet çdo vit nga problematikat që shfaqen në rrugët e vendit dhe ne e kemi konsideruar vitin 2020, një vit të rëndësishëm për luftën për një siguri më të lartë rrugore. Ka shumë faktorë që prodhojnë pasiguri në rrugë.

Janë faktorë të karakterit objektiv, është gjendja e rrugëve, është gjendja e sinjalistikës, por ka edhe faktorë të karakterit subjektiv që lidhet me sjelljen e papërshtatshme, me papërgjegjshmërinë, mungesën e formimit, trajnimit, përgatitjes së shumë e shumë qytetarëve që përdorin rrugën, në mënyra të ndryshme, qoftë si shoferë, qoftë si kalimtarë etj. Për këtë arsye lufta për të përmirësuar parametrat e sigurisë rrugore në vend do të jetë prioritet i rëndësishëm për vitin 2020.

Ne jemi duke punuar tashmë për të konceptuar një paketë të re ndryshimesh ligjore apo nënligjore në këtë fushë, të cilat synojnë që ta adresojnë problemin në shumë aspekte të tij, në aspektin teknik, infrastrukturor, në aspektin e sjelljes së qytetarëve, në aspektin e ndëshkimit, pra kodi rrugor në përgjithësi do të pësojë ndryshime të rëndësishme. Edukimi i të rinjve në shkolla për sjellje të përshtatshme në rrugët e vendit, do të jetë një aspekt i madh i kësaj pakete. Roli dhe përgjegjësia e shtuar e shoqërive të sigurimeve në përballimin e problematikës që lind nga pasiguria në rrugë etj.

Çfarë kërkohet këtu? Kërkohet që të gjitha institucionet e qarkut, të cilat kanë përgjegjësi në këtë aspekt, ta konsiderojnë, ta vendosin në axhendën e tyre, këtë prioritet dhe ta ndjekin me rigorozitet të lartë. Flas, policia, shkollat, bashkia, autoritetet tjera, kontraktorët strukturat e tjera që kanë përgjegjësi për qarkullimin dhe sigurinë rrugore, me qëllim që viti 2020 të shënojë një përshkallëzim të ri në përpjekjen tonë për më shumë siguri.

Të regjistrojmë sa më pak jetë të humbura, sa më pak të plagosur në rrugët e vendit. Duke pasur në konsideratë faktin që përherë e më shumë që rrugët e vendit po frekuentohen, qarkullimi po shtohet, vizitorët e huaj po shtohen. Dhe kërkohet patjetër që ne të realizojmë masa të shtuara dhe një përpjekje të koncentruar të të gjithë aktorëve për këtë qëllim.

Kjo pika e fundit që përmenda domethënë shtimi i frekuentimit të rrugëve më sjell te një prioritet tjetër i rëndësishëm që ka të bëjë me turizmin. Këtu në Vlorë është vendi i duhur për të folur për turizmin.

Sigurisht që në harkun e viteve që kemi lënë pas, turizmi ka njohur një rritje eksponenciale. Është lajm shumë i mirë, ndër lajmet më të mira që mund të kemi në vend gjatë këtyre viteve është pikërisht rritja pothuajse eksponenciale e numrit të turisteve që vizitojnë Shqipërinë dhe zgjerimi i periudhës së sezonit turistik, po ashtu zgjerimi i gjeografisë së turizmit, i cili dikur përqendrohej vetëm në zonat bregdetare, tashmë ka rrokur të gjithë Shqipërinë dhe Vlora është një ndër ato bastionet le të themi të turizmit, e cila ofron gjithë paletën e shërbimeve dhe ofertës turistike nga turizmi bregdetar deri tek ai malor e kulturor, historik e kështu me radhë, por na duhet që në qoftë se shumë njerëz në muajit që vinë bëhen gati për të filluar pushimet në duhet të bëhemi gati për të filluar dhe thëlluar përpjekjen dhe punën e gjithë institucioneve për të përballuar këtë sezon me cilësi dhe përgjegjësi të lartë.

Turizmi është një sipërmarrje komplekse ku ngërthehen shumë aktorë, operatorët turistikë, institucionet e mjedisit, ato të sigurisë, shëndetësisë, të ushqimit e kështu me radhë. Vitet që kanë shkuar na kanë ballafaquar me përvoja pozitive, por dhe me përvoja negative të cilat janë regjistruar tashmë, janë analizuar nga të gjithë strukturat përgjegjëse, por do duhet që në vitin që sapo jemi futur, dukuritë negative që ne kemi ndeshur gjatë viteve të fundit të mos ketë më vend në këtë fushë.

Së pari, e kam fjalën lidhur me administrimin e territorit dhe kryesisht administrimin e vijës bregdetare të vendit.

Është ndeshur praktikë negative deri në papërgjegjshmëri institucionesh, të cilat kanë lënë pas dore, kanë lënë harruar vijën bregdetare, e cila pastaj është zënë, në mënyrë arbitrare nga persona që s’kanë lidhje me të, madje nga persona dhe me ngarkesa kriminale të cilët thjeshtë dhe pa u lodhur, pa pyetur njeri kanë pushtuar segmente të caktuar të vijës bregdetare a thua se është pronë e tyre private. Vitin që shkoi besoj e mbani mend skenat kur Policia u detyrua të ndërhynte në mes të sezonit turistik për të larguar dhe për të zbrazur sipërfaqet e vijës bregdetare të pushtuar në një farë mënyrë, në mënyrë të paligjshme.

Në qoftë se vjet kjo, fokusi i përpjekjes u drejtua ndaj atyre, që kishin zënë hapësira publike në mënyrë të paligjshme sivjet dua të jemi të qartë, përpjekja do të drejtohet ndaj atyre që kanë përgjegjësi për ruajtjen e tyre. Ne nuk do të lejojmë që punonjësit e Policisë të kthehen në punëtorë komunalë për të lëvizur shezlongë, për të lëvizur çadra, për të lëvizur gjithçka që mund të gjesh nëpër banaqe etj,.

Në vijën bregdetare punonjësit e Policisë do të adresohen vetëm ndaj atyre që janë përgjegjës për çdo centimetër katror të këtij vendi, e meqënëse jemi në Vlorë për çdo centimetër katror të Qarkut të Vlorës, të Sarandës, Himarës, Dhërmiut, të gjithë vijës bregdetare, por jo vetëm dhe duhet që të përcillet mirë ky mesazh të gjithë drejtuesve dhe personave përgjegjës të institucioneve që kanë përgjegjësi, që të marrin masa që tani, që mos të lejojnë asnjë centimetër katror që të jetë në posedim të paligjshëm, që tani. Dhe kjo duhet të jetë fort e qartë, për të gjithë, por së pari duhet të jetë e qartë edhe për Policinë e cila duhet të kujdeset që rasti i parë që ndodh, personi përgjegjës kushdo qoftë ai, pra zyrtari përgjegjës, kushdo qoftë dhe kudo qoftë, duhet të vihet përpara përgjegjësisë ligjore për këtë çështje.

Ne nuk mund ta lëmë asnjë centimetër të shndërrohet në pjesë të zaptuar. Përkundrazi ne duhet të marrim masa të plota që vija të jetë e lirë, vija të administrohet nga autoritetet përgjegjëse në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëllim që sezoni turistik, të prodhojë kënaqësi për ata që e vizitojnë, të prodhojë të ardhura për ata që shërbejnë, të prodhojë të mira për gjithë shoqërinë dhe për gjithë vendin.
Një çështje tjetër që lidhet bashkë me turizmin është çështja që ka të bëjë me mjedisin.

Mjedisi mbetet parakushti numër 1 që ne të kemi një jetë normale përfshirë edhe një turizëm normal. Këtë vit, qeveria do të thellojë punën e saj, për marrjen e masave për ruajtjen e mjedisit dhe për zhvillimin harmonik të tij, por në këtë vit Ministria e Brendshme do të marrë një përgjegjësi të shtuar në këtë fushë, prandaj po e përmend si pikë më vete, do marrë një përgjegjësi të shtuar për arsye se, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, do të transformohet shumë shpejt në Inspektorat Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit, pra do të marrë dhe kompetenca të shtuara në fushën e inspektimit, kontrollit të mjedisit.

Ndryshimet e parashikuara synojnë që strukturat e inspektimit të mjedisit dhe të territorit të thellojnë bashkëpunimin me strukturat e Policisë së Shtetit, për arsye se të dyja palët nëse do t’i quajmë palë, kanë përgjegjësi për të njëjtin territor sado palë të bëhen, sado ministri dhe inspektorate, agjenci, etj., territori mbetet një.

Prandaj ka nevojë për një qasje dhe një koordinim shumë të madh të punës së këtyre institucioneve. Me riorganizimin e IKMT-së, ku ajo “M” nga “Mbrojtje” bëhet “Mjedis”, tashmë dhe aty përfshihen edhe pyjet, do të duhet që strukturat e IKMT-së së reformuar, do të jenë si të thuash të atashuara realisht pranë strukturave të Policisë, në mënyrë që Policia dhe IKMT, të veprojnë si një trup i vetëm në mbrojtje të territorit dhe mjedisit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ku përfshihet patjetër Vlora me një potencial shumë të madh turistik, me një mjedis shumë të larmishëm, por edhe shumë të rrezikuar nga ndërhyrjet e papërgjegjshme. Përmendi Prefekti hedhjen e mbetjeve në Sarandë, guroret dhe shumë e shumë dëme të papranueshme, që ne i bëjmë asaj çka kemi më të mirën në fakt që është kjo vija jonë e Rivierës, por jo vetëm.

Në këtë kuptim do duhet që tani të fillojë puna që IKMT-ja, Policia e Shtetit, struktura të tjera nën koordinimin e Prefektit në bashkëpunim dhe me agjenci të tjera, se nuk janë vetëm këto përgjegjës të marrin masa që ky vit të njohë zhvillime shumë pozitive në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, pasurisë, e cila na mban gjallë të gjithëve ne.
Një çështje tjetër që dua të theksoj për këtë vit, është edhe ajo që lidhet me luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike në vend, pra kryesisht të kanabisit.

Viti 2019, shënoi një përshkallëzim të ri të luftës në këtë front. Policia e Shtetit, agjencitë e tjera të koordinuara në kuadër të organizmave të përbashkët kanë zhvilluar një volum shumë të madh përpjekjesh dhe kanë arritur rezultate shumë të mira. Viti 2019, ka shënuar një rritje veçanërisht të fuqisë goditëse të Policisë ndaj atyre që kanë përgjegjësi për territorin.

Janë disa qindra zyrtarë të shtetit, të cilët vitin që shkoi janë vënë para përgjegjësisë ligjore penale për mos ushtrimin e detyrës, mos ushtrimin e përgjegjësive të tyre për të kontrolluar territorin. Janë me dhjetëra, madje me qindra zyrtarë që fillojnë nga kryetarët e fshatrave ose kryepleq, një numër i madh. Janë drejtues njësish administrative vendore, janë punonjës kryesisht të inspektimit të pyjeve, por janë edhe punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët janë vënë para përgjegjësisë penale në një numër të lartë.

Sigurisht ky nuk është një lajm i mirë, është lajm i keq që ne kemi zyrtarë të cilët bëhen objekt i goditjes së strukturave ligjzbatuese, por lajmi më i keq do të jetë në qoftë se ne do të kemi raste të kultivimit të bimëve narkotike në vend, dhe përballë këtyre dy lajmeve të këqija ne jemi të detyruar ta vazhdojmë, ta thellojmë goditjen ndaj atyre që nuk bëjnë detyrën e tyre.

Sigurisht, nëse të gjitha institucionet do ta bëjnë ashtu siç duhet punën e tyre. Nuk ka arsye që të ketë qoftë edhe një rrënjë bime në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëse kushdo do ta bëjë pjesën e tij që i takon, për atë pjesë të territorit për të cilën paguhet nga taksat e qytetarëve të këtij vendi.
Vjet ka qenë maji afati i fundit kur i kemi thënë Policisë që, çfarë gjendet pas kësaj date është përgjegjësia juaj, çfarë kapet para kësaj date është merita juaj.

Sivjet ky afat është Marsi. Policia e Shtetit ka një afat deri në mars që të krehë në kuadër kontrollesh të plota, territorin e vendit, të gjitha vendet ku mund të kultivohet, ose mund të tentohet ky proces, por pas muajit mars është vetë policia e cila do të vihet para përgjegjësisë nëse fenomeni do të njohë sadopak ekzistencë në territorin e vendit.

Unë jam krejt i bindur që kjo detyrë do të realizohet nga Policia e Shtetit. Por Policia e Shtetit është vetëm njëri nga aktorët me përgjegjësi në këtë fushë, për arsye se rol të madh kanë siç ju përmenda më lart, administratoret e përgjithshëm të territorit, ata të pyjeve, që tashmë janë pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe e kemi disi më të shkurtër linjën e komunikimit me ta, por dhe më të qartë gjuhën e komunikimit me ta, inspektorët e pyjeve. Janë administratorët lokalë, kryepleqtë, kryetarët e njësive administrative, struktura të tjera të pushtetit vendor, janë struktura të tjera që lidhen me strukturat e bujqësisë, të mjedisit, e shumë e shumë aktorë të tjerë. Edhe në këtë rast, Policia e Shtetit ka për detyrë që të merret me personat përgjegjës dhe jo me bimët. Policia e Shtetit nuk është strukturë kopshtarësh që të dalë të presë e të kositë nëpër male bimë.

Policia e Shtetit ka detyrë të merret me personat përgjegjës që detyrime për kontrollin e territorit, dhe kjo do të jetë qasja, dhe ky do të jetë objektivi i punës së Policisë së Shtetit. Policia, edhe njëherë po e përsëris, do të merret me personat që kanë përgjegjësi për atë centimetër katror të vendit.

Në qoftë se është territor privat është e thjeshtë përgjegjësia, në qoftë se është territor publik po ashtu është e qartë përgjegjësia se kush është përgjegjës për çdo centimetër të territorit të vendit. Edhe ndarja, dhe qartësimi i hartave midis njësive administrative që u mbyll vitin që shkoi, e ka bërë tashmë krejtësisht më të qartë identifikimin e përgjegjësive se kush është përgjegjës për çfarë.

Theksoj që bindja ime është e plotë që fenomeni tashmë e ka marrë goditjen e pakthyeshme, por gjithsesi ne do të vazhdojmë prapë me konsistencë luftën për t’a zhdukur përfundimisht këtë fenomen nga sipërfaqja e vendit tonë, sepse besojmë që në këtë mënyrë i shterojmë një burim tjetër financimi krimit në përgjithësi dhe kontribuojmë që jeta, shëndeti i të rinjve, qytetarëve të vendit tonë të mos jetë i kërcënuar nga ky rrezik.

Një çështje tjetër e rëndësishme, e cila do të ndiqet me prioritet këtë vit do të jetë çështja që ka të bëjë me vendosjen e një sistemi adresash në vendin tonë, i cili ende me gjithë përpjekjet e shumta të bëra ndër vite nuk ka arritur të përfundohet, dhe në këtë kuadër do të kërkohet shumë angazhim i strukturave vendore, bashkisë, njësive vendore, policisë, gjendjes civile, prefekturës për ta realizuar në terren emërtimin e rrugëve, shesheve, të banesave në mënyrë që të mundësohet një administrim normal i të gjithë vendit. Pa një sistem adresash vështirësohet funksionimi i jetës ekonomike e shoqërore në vend.

Po realizohet tashmë që flasim në fazën finale, integrimi i regjistrit të adresave me regjistrin e gjendjes civile dhe në këtë kuadër do të shtohen shumë detyrime ndaj të gjitha zyrave të gjendjes civile dhe zyrave të urbanistikës në bashkitë, me qëllim që të përfundojë vendosja e emrave të rrugëve. Tashmë këtë detyrë do ta ketë prefektura, prefekti, si institucion, i cili në një kohë të shkurtët duhet të përfundojë procesin e emërtimit të të gjithë rrugëve, në qytet, në fshat dhe kudo që ka një banesë. Kudo që ka një banesë, kjo duhet të jetë në krah të një vije që quhet rrugë, edhe sikur të jetë një banesë e vetme në fshatin më të largët, duhet që të jetë një emër i rrugës ose një numër i saj kur s’kemi emra.

Ndërkohë që po ashtu është kërkuar dhe do të ndiqet me konsekuencë problemi i vendosjes së emrave të përshtatshëm për rrugët e vendit. Emrat e rrugës ku banojmë janë pjesë e identitetit tonë për arsye se në çdo dokument, që nga dëftesa, te certifikata, kartolina, letra që marrim etj etj., bashkë me emrin tonë na shënohet edhe emri i atij që i jep emrin rrugës.

Madje këtu duhet pasur kujdes që emërtimet e rrugëve, shesheve etj., të zbatojnë ato parime, që tashmë janë të qarta dhe tek tuk atje ku kemi emra rrugësh të cilat janë vendosur, megjithëse nuk kam informacion që qarku juaj është i prekur nga ky fenomen, i një lloj “blerjeje” të emrave të rrugës, apo vendosja e emrave të rrugëve pa asnjë lidhje , deri edhe te persona me rekorde kriminale kanë përfunduar me emrin në rrugët e vendit tonë. Edhe këto të marrin përgjigjen e duhur dhe në emrat e rrugëve të jenë njerëz që na nderojnë të gjithëve. Në qoftë se është e pamundur për të gjetur kaq shumë njerëz, sepse rrugë ka shumë, do të vendosim një sistem tjetër, me numra, siç ka dhe në shumë vende të tjera të botës që e bëjnë këtë çështje.

Dhe një çështje tjetër, që e lashë të fundit në fakt, për të mos ta lënë të parën, është çështja e shërbimeve.

Qeveria Shqiptare, në vitin 2020 ka vendosur si objektiv thellimin e punës për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, të cilat gjatë këtij viti do të kalojnë pothuajse të gjitha online, do të eliminohen sportelet ku qytetarët shkojnë, presin, paraqesin dokumente, harxhojnë kohë, energji, para etj., dhe do të kalojmë në modelin e ofrimit të shërbimeve online. Pra zyrat e aplikimit përgjithësisht qytetarët do t’i kenë në shtëpinë e tyre, në kompjuterat që kanë.

Ndërkohë që punonjësit që deri dje e kanë ofruar këtë nëpër sportele, tashmë do të detyrohen të kalojnë në zyra shërbimesh dhe të mbledhin aplikimet, të mbledhin të gjithë dokumentet vetë ata dhe t’i kthejnë qytetarit përgjigje.

Parimi është krejt i thjeshtë: shteti nuk do t’u kërkojë qytetarëve dokumentet, të cilat shteti i lëshon vetë, apo i ka vetë në arkivat e tij. Nuk do t’i kërkohet qytetarit asgjë për të cilën shteti është vetë përgjegjës, as dëftesa e shkollës, as certifikatat, as dëshmia e penalitetit, as organizimi i taksave, as ku di unë sepse janë pafund dokumente që jua kërkojmë qytetarëve.

Ata sorollaten nëpër institucione, i mbledhin vijnë pas 6 muajsh prapë tek zyra, kjo periudhë ka marrë fund, ose do të marrë fund përfundimisht gjatë këtij viti dhe qytetarëve do t’ju kërkohet vetëm ai dokument të cilin ata e kanë marrë diku tjetër jashtë institucioneve të shtetit shqiptar. Pra themi në qoftë se ka bërë universitetin në Itali ai do ta marrë atje dokumentin, në qoftë se e ka bërë universitetin këtu nuk ka përse t’ia kërkojmë atij e kështu me radhë.

Kjo kërkon një angazhim të të gjithë drejtuesve të institucioneve që ofrojnë shërbime, dhe këtu është detyra e rëndësishme e prefektit për të monitoruar këtë proces në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj ngecje, dhe në qoftë se të gjithë do ta bëjnë atë listën e tyre do të jemi të gjithë të bindur që në këtë mënyrë do të bëjmë vërtet një revolucion ndaj publikut.

Shkurtojmë kohën, shkurtojmë shpenzimet, rrisim eficencën, eliminojmë mundësinë e korruptimit të sistemit përmes dokumenteve false të cilat shpeshherë janë në qarkullim kur njerëzit i sjellin nëpër sportele me dorë, dhe lehtësojmë jetën e mijëra e mijëra qytetarëve, veçanërisht të personave të moshuar, të moshës së tretë, pensionistëve etj, që shpeshherë ngarkohen për t’i zgjidhur këto detyra edhe në emër të më të rinjve.

Duke përfunduar, dua t’ju falënderoj për angazhimin të gjithë punonjësve të institucioneve të prefektit të Qarkut Vlorë për vitin 2019, t’ju inkurajoj për një angazhim të shtuar në vitin 2020 si dhe t’ju kërkoj që të përpiqeni maksimalisht për të adresuar jo vetëm këto që unë përmenda si prioritete, por të gjithë atë plan të cilin prefekti e paraqiti në fjalën e tij me qëllim që 2020 të jetë një vit, ashtu siç e duan të gjithë një vit suksesesh një vit arritjesh për të gjithë institucionet për të gjithë qeverinë, por në rrallë të parë një vit arritjesh për qytetarët tanë. Faleminderit!

 

Vlorë – Prononcimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për mediat, pas analizës vjetore të Prefekturës së Qarkut:

Pyetje: Është folur për ngritjen e një tjetër Njësie Antikorrupsion. Por për t’u formalizuar ajo, KM Rama është shprehur se do të konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë, veçanërisht me ata izraelitë. Çfarë do të jetë kjo Njësi e re, ndryshe nga të tjerat që janë krijuar deri tani dhe kur pritet të formalizohet?

Ministri Lleshaj: Njësia është në krijim e sipër, nuk mund të them sesi do të jetë trajta përfundimtare e saj, por bëhet fjalë për krijimin e një strukture, e cila do të adresojë me theks të veçantë krimin ekonomik dhe korrupsionin, dy fusha të cilat meritojnë qasje të re. Vetëm kaq mund të them sot.

Pyetje: Cili do të jetë ndryshimi nga Anti-KÇK-ja e të tjera? A nuk duket se do të jenë në një vijë lineare të tëra?

Ministri Lleshaj: Kur të formalizohet do të dini detajet.

Pyetja: Anti-KÇK-ja, a do të shtrihet edhe në Vlorë, dmth a ka indicie?

Ministri Lleshaj: Lufta kundër krimit nuk ka kufizime gjeografike, ajo do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Pyetje: Si është situata në Vlorë, e rendit, qetësisë, kriminalitetit?

Ministri Lleshaj: Atë besoj e dini ju më mirë se unë.

Pyetje: Flitet për një situatë më të mirë gjatë vitit që lamë pas, por statistikisht situata nuk është më e mirë sesa vitet e kaluara?

Ministri Lleshaj: Situata, jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë, statistikisht është më e mirë, sesa të gjitha vitet që kemi kaluar, por sigurisht kjo nuk është një arsye që ne të flemë. Përkundrazi ne synojmë të shtojmë intensitetin e punës së Policisë dhe strukturave të tjera për ta përmirësuar më tej rendin, sigurinë publike në Vlorë.

Pyetje: Thatë se do të ketë një forcim të pozitave të Policisë duke hequr disa kompetenca, të cilat deri tani kanë qenë kontrollimi i territorit apo asgjësimi i lëndëve narkotike. Është ky le të themi, një pozicion më i volitshëm për Policinë e Shtetit për të bërë detyrën?

Ministri Lleshaj: Ne sigurisht, mendojmë dhe besojmë fort që mbështetja e Policisë është mbështetje për qytetarët. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Policinë në mënyrë që ajo t’i ketë të gjitha atributet për ta plotësuar misionin e saj mjaft të ndërlikuar dhe të vështirë.

Pyetje: Në disa nga emrat e prekur nga “Operacioni Forca e Ligjit” ka dhe vendim të Gjykatave për sekuestrim pasurie. A nuk duhet pritur vendimi i gjykatave, pa u vepruar nga “Operacioni Forca e Ligjit”?

Ministri Lleshaj: Ligji i parashikon këto situata. Ligji nuk konkuron, nuk krijon situata konkuruese midis procedurave të ndryshme. Nëse ka procedura që po zhvillohen ndërkohë nga gjykata, ligji nuk vepron.

Faleminderit!