Interpelanca/Lleshaj: Gjendja e rendit dhe e sigurisë në Shqipëri është në parametrat më të mirë historikë. Akti normativ, për të vënë në dispozicion të publikut, pasuri që i janë marrë në mënyrë kriminale publikut - Ministria e Brendshme
Postuar më: 12/02/2020

Interpelanca/Lleshaj: Gjendja e rendit dhe e sigurisë në Shqipëri është në parametrat më të mirë historikë. Akti normativ, për të vënë në dispozicion të publikut, pasuri që i janë marrë në mënyrë kriminale publikut

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në interpelancën e kërkuar nga deputetit Maliqi

I nderuar Kryetar i seancës,
Të nderuar qytetarë,
të rinj e të reja që ju shoh në lozhën e parlamentit sot,

Së pari, dua të them një gjë fare të thjeshtë: nuk ka asgjë urgjente kjo interpelancë dhe nuk ka patur asnjë arsye për ta klasifikuar si një interpelancë urgjente, për një arsye të vetme – asgjë s’ka ndodhur e tillë. Megjithatë Kryesia e Kuvendit e ka gjetur të udhës për ta konsideruar urgjente dhe unë po i përgjigjem pa asnjë lloj urgjence.

I nderuar z. Maliqi, së pari dua t’ju bëj një korrigjim të vogël në terminologji; unë nuk jam ministër i Rendit, sepse e përdorni shpesh, ministër i Rendit; unë nuk jam ministër i Rendit, por jam ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë. Ka një ndryshim konceptual të thellë këtu, për arsye se është reminishenca e vjetër e ministrit të Rendit si ministër i Policisë. Unë jam ministër i Brendshëm që përgjigjemi edhe për Rendin, edhe për Policinë, edhe për pushtetin vendor, edhe për shumë e shumë çështje të tjera.

Sigurisht që unë do të përqendrohem në përgjigjet e mia në pyetjet e shkruara dhe jo në ato që shtruat, sepse në ato që shtruat ishit larg atyre që keni shkruar, ndoshta edhe për faktin që këtu erdhët pa letër dhe nuk e mbani mend se çfarë keni adresuar ndaj meje si pyetje, si grup parlamentar.

Kështu që do t’i kaloj të gjitha këto që thatë dhe do të përqendrohem te pyetjet e paraqitura me shkrim. Nëse do të isha shumë korrekt dhe pak cinik, unë mund vija sot dhe të thoja që një pjese të madhe të pyetjeve nuk do t’i përgjigjem, për arsyen se ju nuk keni dhënë dhe vetë përgjigjen në pyetjen që keni shtruar, për arsye se pyetjet janë konkluduese, nuk janë pyetje por kanë dhe konkluzionin brenda, psh e para është për situatën e rëndë të kriminalitetit në vend.

Tani ju them që në fillim të herës; nuk ka një situatë të rëndë kriminaliteti në vend, por vendi sot ka situatën më të mirë historike të rendit dhe sigurisë.

Do të isha shumë i lumtur nëqoftëse do kisha prej jush një referencë. Përse thoni e rëndë? Si e keni matur ju që thoni që është gjendje e rëndë e rendit dhe sigurisë publike, ndërkohë që ne themi të kundërtën. Shifrat thonë të kundërtën, publiku thotë të kundërtën. Pra duhen indikatorë objektivë për të klasifikuar gjendjen e vendit tënd dhe timit si të rëndë.

Për t’ju qetësuar i nderuar deputet dhe për qytetarët, them që gjendja e rendit dhe e sigurisë në Shqipëri është në parametrat më të mirë historikë, në të gjithë parametrat.

Nëqoftëse marrim vrasjet, krimet e rënda, rrëmbimet, kultivimin e kanabis, të drogës e shumë e shumë treguesve të tjerë, aksidentet rrugore po deshët e shumë parametra të tjerë, që tregojnë nivelin e gjendjes së sigurisë dhe rendit publik, po ju them me përgjegjësi të plotë shtetërore që kjo është ndër më të mirat në historinë e këtij vendi, të paktën në historinë e 30 viteve të fundit.

Për t’ju dhënë një shifër: mesatarja e vrasjeve në Shqipëri për 10 vitet e fundit është 85. Ne jemi sot në vitin 2019, rreth 30 më pak se mesatarja e 10 viteve të fundit, dhe ky është një tregues objektiv. Në qoftëse ka ndonjë që mund ta kundërshtojë, është i ftuar ta kundërshtojë. Por, ne nuk mund ta nxijmë një situatë e cila nuk është e zezë, përkundrazi është më e mira historike, por shumë larg pretendimit tonë për të pasur një vend shumë më të mirë, shumë më të sigurtë, shumë më të përshtatshëm dhe të aftë për të zhvilluar një jetë normale të qytetarëve të tij.

Nëqoftëse do t’ju jap tregues të tjerë për punën e bërë nga organet e sigurisë publike në tërësi për përmirësimin e parametrave të sigurisë në vend, do të them që ka patur po ashtu një tendencë pozitive dhe gjendja e sigurisë në vend është produkt në radhë të parë i sjelljes së qytetarëve, sepse asnjë polici nuk mund të mbajë rend nëqoftëse qytetarët nuk e mbajnë atë.

Pra, rendi i përmirësuar në radhë të parë në Shqipëri është funksion i një sjellje përherë e më të përmirësuar të gjithë qytetarëve të publikut; e dyta është funksion i masave të marra nga Qeveria, por dhe së fundi dhe më kryesori është produkt i angazhimit të jashtëzakonshëm të strukturave ligjzbatuese në vend ku Policia e Shtetit mban peshën kryesore.

Dhe po ju them që vetëm për vitin 2019 në krahasim me vitin 2018 është bërë një volum i madh pune për të goditur grupet e krimit të organizuar në vend. Vlen ndoshta një shifër për t’u thënë, që në vitin 2019 janë shkatërruar 24 grupe kriminale në krahasim me 12 që janë shkatërruar në vitin 2018, i cili po ashtu ka qenë një vit i sukseshëm. Janë arrestuar vetëm për pjesëmarrje në krimin e organizuar dhe grupet e organizuara kriminale 204 persona nga 198 të një viti më parë.

Kujtoj operacione të tilla si: ‘Goldfinger’, ‘Kioto’, ‘Rruga e gabuar’, ‘Brezi i Gjelbër’, ‘Maranai’ etj, të cilët kanë çuar prapa hekurave përfaqësues të shquar të botës së krimit në vend.

Niveli i zbulueshmërisë është po ashtu shumë i lartë, i rritur dhe nuk mund ta pranoj kurrësesi konkluzionin tuaj z. Maliqi që thatë shumica të pazbuluar. Jo, shumica janë të zbuluara, dhe pakica e veprave kriminale të ndodhura të vitit 2019 dhe më para janë të pazbuluara, dhe për këtë ka tregues të plotë.

Ne publikojmë periodikisht të gjithë gjendjen e kriminalitetit në vend. Në uebsajtin e Ministrisë së Brendshme mund të lexoni çdo javë, çdo muaj gjithçka që ndodh me krimin në Shqipëri, me sigurinë dhe rendin publik, dhe aty mund t’i verifikoni në vijueshmëri tendencat dhe të gjithë treguesit e kësaj fushe.

E kam thënë dhe vazhdoj ta them: unë, Qeveria etj, që janë të shqetësuar për gjendjen e sigurisë dhe rendit publik në vend, se volumi i madh i punës së Policisë së Shtetit, organeve të tjera ligjzbatuese nuk ka gjetur rezonancën e duhur nga sistemi gjyqësor në vend.

Ju e përmendët atë shqetësimin pse janë liruar të dënuar me burgim të përjetshëm, sigurisht ajo pyetje nuk është për mua, nuk është as për Qeverinë. Qeveria nuk liron, Qeveria është përgjegjëse për t’i çuar para sistemit të drejtësisë, dhe pastaj ajo se çfarë ndodh me ta më tutje është puna e një sistemi tjetër. Por është fakt i padiskutueshëm që rezonanca e e gjyqtarëve, jo e sistemit në drejtësi, por e gjyqtarëve apo prokurorëve të caktuar ka qenë jo ajo që duhet të jetë, për arsye se një numër i madh rastesh të rënda kriminale, të dokumentuara në mënyrë të pakundërshtueshme, janë trajtuar me masa sigurimi krejtësisht të papranueshme, dhe po ju them që vetëm për vitin 2019 janë rreth 26 raste personash të çuar para drejtësisë për krime të rënda, vrasje apo vepra të tjera, që cilësohen në kategorinë e krimeve të rënda, të cilat janë shoqëruar me masa sigurimi të papërshtatshme që vijojnë nga, ose fillojnë nga detyrim paraqitje për vrasje, garanci pasurore, arrest shtëpie, gjobë, lirim i menjëhershëm apo dhe mbyllje hetimi.

Kjo është një situatë, e cila nuk është e pranueshme, sepse nuk i kontribuon përforcimit të rendit, të sigurisë publike në vend dhe është kjo arsyeja që Qeveria u detyrua të marrë hapa të rëndësishëm për luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe aseteve kriminale të tij në veçanti, duke miratuar dhe paketën përkatëse e cila përmes aktit normativ dhe një seri ndryshimesh të tjera ligjore, të cilat synojnë pikërisht të ngushtojnë hapësirën e abuzimit të kujtdo, i cili ende tenton të përdorë postin e tij në sistemin e drejtësisë për të bërë favore dhe për të minuar punën e madhe që po bëhet në vend në fushën e luftës kundër krimit të organizuar.

Një çështje tjetër që ju keni ngritur në pyetjet tuaja, ka të bëjë me luftën kundër drogës në përgjithësi, fokusuar të kanabisi.

Mund t’ju them që viti 2019 ka qenë një vit i rëndësishëm i luftës kundër kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të drogave në përgjithësi. Është bërë një volum i madh, rreth 2819 persona janë proceduar në vitin 2019 për përfshirjen në vepra kriminale penale që lidhen me drogën, me kultivimin, me trafikimin e të tjera më rrallë. Është bërë një volum i madh i kontrollit të territorit të vendit dhe janë zhvilluar një numër shumë i lartë hetimesh proaktive, të cilat kanë çuar edhe në goditje të rëndësishme jo vetëm ndaj kultivuesve të kanabisit në vend, por kryesisht edhe ndaj ose kundër personave ose zyrtarëve që kanë përgjegjësi për kontrollin e territorit.

Po ju them që 193 zyrtarë publikë u akuzuan në vitin 2019 për shpërdorim detyre ose vepra të tjera të ngjashme që lidhem me moskontrollin efektiv të territorit në lidhje me kultivimin e kanabisit, prej të cilëve: 5 kanë qenë oficerë të Policisë së Shtetit, 6 kanë qenë drejtues të Njësive Administrative Vendore, 111 kanë qenë kryetar fshatrash ose kryepleq, si dhe 71 inspektorë pyjesh. Kjo është një rritje rreth 350 % krahasuar me vitin 2019.

Rezultati i kësaj ka qenë edhe reduktimi i sasive të kanabisit të kultivuara në Shqipëri në nivele shumë të ulta, në nivelet më të ulta historike. Ju them që kemi shkuar tek gjithsej 90 mijë bimë të sekuestruara në Shqipëri, flas nga niveli i fidanit centimetrik deri në nivelin e bimës së rritur në territor, bimë, të cilat janë mbjellë në zona të larta, në sipërfaqe të vogla që tregojnë që fenomeni i kanabisit ka marrë goditje të pakthyeshme dhe ndërkohë gjej rastin të them që viti 2020 do të jetë po ashtu një vit i thellimit të kësaj lufte për ta çrrënjosur përfundimisht këtë fenomen, i cili e ka goditur Shqipërinë që në fillimin e viteve ’90.

Një indikator tjetër që tregon që kanabisi dhe trafikimi i drogës ka pësuar goditje të mëdha është dhe sasia e kanabisit apo e drogërave që është kapur jashtë territorit të Shqipërisë.

Kam theksuar edhe një herë tjetër që kanabisi në Shqipëri është kultivuar kryesisht për t’u trafikuar jashtë vendit. Italia ka qenë destinacioni i parë i trafikimit dhe po ju them që në vitin 2019, në Itali janë kapur nga autoritetet italiane 6 herë, 600 % më pak kanabis se një vit më parë. Pra, po të kishim patur këtu një ‘boom’ rritjeje ai prodhim do të kishte shkuar diku, por ky është tregues i vetë autoriteteve italiane, 600 % më pak në vitin 2019 krahasuar më vitin 2020.

Ndërkohë që sipas vlerësimeve të burimeve të mbuluara të Policisë së Shtetit, çmimi i kanabisit i shitur, i trafikuar brenda vendit tonë ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme dhe ka mbërritur në nivele të panjohura në harkun e 30 viteve të fundit.

Pra, në shifra që shkojnë rreth 800 euro për kilogram, që nënkupton që furnizimi, pra prodhimi dhe furnizimi me këtë lëndë narkotike në vend është reduktuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe risku i përfshirjes në këtë veprimtari është rritur, gjë që ka çuar automatikisht në rritjen e çmimit të kësaj lënde narkotike, duke treguar efektivitet të padiskutueshëm të punës së organeve ligjzbatuese dhe në radhë të parë të Policisë së Shtetit.

Një pyetje tjetër është, lidhur me përdorimin e gazit lotsjellës në protestat e dhunshme të zhvilluara në vitin 2019. Kjo pyetje në fakt e ka marrë përgjigjen nga ne, dhe unë detyrohem që tani në kushte urgjente të përsëris në mënyrë urgjente, gjëra që i kam përsëritur edhe më parë, por po ua përsëris edhe njëherë.

Në vitin 2019 institucionet e shtetit shqiptar janë vënë përballë sulmeve të dhunshme, të organizuara, që kanë paraqitur rrezik për institucionet kushtetuese, për jetën e qytetarëve, deputetëve, zyrtarëve të lartë të shtetit dhe kanë sfiduar në mënyrë të drejtpërdrejt rendin kushtetues të Shqipërisë.

Përballë këtyre kushteve, Policia e Shtetit ka aplikuar një strategji që tashmë besoj e ka marrë dhe emrin e saj “1-1-0”, është një strategji de-eskaluese, që synonte jo përshkallëzim por de-eskalim ose jo-përshkallëzim; “1-1-0”.

Policia ka vepruar gjithmonë një hap më pas ose një moment në kohë më pas nga ata që ka pasur përballë; ky është 1-shi i parë; 1-shi i dytë ka qenë: Policia ka vepruar gjithmonë një shkallë më poshtë në nivelin e dhunës me të cilën është ndeshur. Dhe zero; Policia ka luftuar që të mos ketë asnjë viktimë nga ky ballafaqim i jashtëzakonshëm, i pashembullt në kuadrin e një viti. Dhe ia ka arritur që në kuadrin e një viti, Policia e Shtetit, organet e tjera ligjzbatuese të mbrojnë jetën e qytetarëve, të mbrojnë lirinë e qytetarëve, të mbrojnë edhe lirinë e demonstrimit, të mos shkaktojnë asnjë viktimë dhe të mundësojnë që për herë të parë në historinë e përplasjeve të dhunshme në Shqipëri, në harkun e këtyre 30 viteve, ne të mos kemi gjak në rrugët e vendit, të mos kemi plumba dhe armë të zbrazura në bulevardin kryesor të Tiranës, por të kemi një menaxhim i cili, sipas nesh dhe sipas vlerësimeve të partnerëve tanë, ka qenë një menaxhim ekzaktësisht sipas librit të shkollës më të mirë policore europiane.

Nëqoftëse jeni të interesuar për çështjet se nga ka ardhur gazi lakrimogjen i përdorur në rastet e ballafaqimeve të dhunshme mund të kërkoni informacion, t’ju japim detaje.

Gazi është përdorur nga rezervat që Policia e Shtetit ka patur në dispozicion që prej viteve të kaluara, që prej qeverisë së mëparshme. Ky është fakt i padiskutueshëm, se kam dëgjuar dhe spekulime që bëhen sot; jo ka ardhur nga Kosova… Sigurisht, nga Kosova është marrë në muajin qershor një sasi dhe nuk është përdorur asnjëherë. Dhe është kthyer prapë, në dijeninë time atje ku është marrë.

Kjo është e vërteta lidhur me çështjen e angazhimit të Policisë në protestat e dhunshme.

Sigurisht, e kam thënë dhe gjej rastin ta përsëris edhe njëherë që është fatkeqësi dhe turp i madh për këdo që merr dhe ballafaqon fëmijë, gra dhe pleq përpara policisë.

Policia kurrë nuk është angazhuar dhe kurrë nuk do të angazhohet me forcë kundër qytetarëve të këtij vendi, kundër grave, fëmijëve. Policia është aty për t’u angazhuar, qoftë edhe me forcë ndaj atyre që shkelin ligjin, ndaj atyre që kryejnë krime.

E kam theksuar edhe para zgjedhjeve, z.Maliqi, zgjedhjeve, për të cilat me sa më kujtohet, ju thoshit që nuk do të ndodhin për arsye se do të bëhet nami në Shqipëri, dhe po ndodhën, Lefter Maliqi do të ikë nga parlamenti!

Dhe unë atëherë kam thënë që në qoftë se do të ndodhë ajo që thotë z.Maliqi, pra në qoftë se populli shqiptar do të ngrihet për t’i djegur ato lokalet zgjedhore, Policia e Shtetit shqiptar nuk do të bëjë asnjë hap, se kam thënë që Policia e Shtetit shqiptar nuk ekziston për të frenuar popullin shqiptar të bëjë atë që do. Policia e Shtetit shqiptar ekziston për të frenuar kriminelët që t’i kundërvihen popullit shqiptar. Por nuk ndodhi për fat të mirë, ajo, dhe çdo spekulim, aludim që u ballafaqua policia me fëmijët… – duhet ta bëjmë pyetjen ndryshe: kush është ai burrë shqiptari, që i merr fëmijët dhe gratë dhe i çon t’i ballafaqojë para policisë?!

Nëqoftëse ti ke vendosur, i nderuar kushdoqofsh, të kalosh në mjetet e dhunës, të paktën duhet të jesh aq dinjitoz, sa të largosh fëmijët nga dhuna. Dhe ka ndodhur e kundërta, jo ju, por ata që kanë vënë fëmijët përballë Policisë, kanë shkelur çdo etikë, por policia nuk është ballafaquar me fëmijët, asnjëherë, as me gratë, por as me burrat, të cilët nuk ushtrojnë dhunë ndaj saj, kurrë! Dhe s’do ta bëjë kurrë për sa kohë që në Shqipëri të jetë kjo Kushtetutë dhe ky ligj. Faleminderit!

Ndërhyrja e dytë e Ministrit Lleshaj, pas replikës së deputetit Lefter Maliqi:

Këtu është e bukura e demokracisë, i nderuar z. deputet, që na vë përballë kështu, megjithëse jemi në valë të ndryshme kundër krimit.

Karl Popper, një filozof i madh thotë që “monarkia ka një anë të kundërt; mund të jetë e mirë monarkia, por ana e keqe e saj është tirania. Aristokracia ka si anë të kundërt të saj oligarkinë. Demokracia s’ka të kundërt, sepse demokracia i bën bashkë të gjithë”. Falë kësaj demokracia ne jemi sot këtu për të folur me gjuhë të ndryshme, sepse folët në një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo imja. Nuk kam çfarë t’ju bëj për këtë. Por dua të them vetëm kaq, e megjithatë jo të flisni këtu 20 minuta, por 20 vjet, faktet në terren nuk ndryshohen dot.

Shqipëria sot ka një nivel sigurie, i cili nuk është në përputhje me parashtrimin dhe përshkrimin tuaj, fare.

Është një nivel sigurie, i cili nuk na bën ne të jemi të turpëruar në sytë e botës dhe të qytetarëve tanë, është një nivel sigurie që na detyron të punojmë shumë më tepër, sepse është larg pritshmërive tona. Kjo është ajo që them unë. Por nuk është aq e zezë apo aspak e zezë siç mundoheni ta vizatoni ju me ato fjalët: krim, krim, vrasje, vrasje, vrasje. Jo. Shqipëria ka numër vrasjesh më pak se shumë vende anëtarë të BE, se nuk dua të përmend vendet anëtare të BE apo të tjera, por lexoni statistika, lexoni dokumente dhe binduni. Se leximi nuk është mëkat. Duhet lexuar nganjëherë për të krijuar opinione dhe vlerësime të sakta.

Do t’i përgjigjem vetëm një gjëje nga ato që thatë ju. Nuk ka emergjencë, edhe ligji që bëmë kundër krimit të organizuar, akti normativ, nuk paraqet aspak emergjencë për gjendjen e sigurisë në vend. Sepse ai ligj nuk merret fare me aspektin penal. E kam përsëritur shumë herë. Ai është një ligj që aktivizon masa administrative kundër pasurisë së krimit.

Nëqoftëse do të flasim për një emergjencë, nëse kemi një emergjencë në vend; po, kemi persona, që janë dënuar për vepra të shumta, të ndryshme penale, në harkun e 30 viteve, pasuria e të cilëve nuk është prekur. Por nuk ka emergjencë në kuptimin e rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri, përkundrazi.

Akti normativ synon të zgjidhë në mënyrë administrative, çështjet e pasurive të pajustifikuara. Kjo është e vërteta e madhe dhe e vetme. Angazhimi i Policisë së Shtetit, strukturave të tjera të sistemit të drejtësisë, organeve të tjera ligjzbatuese, është pikërisht për të adresuar dhe vënë në dispozicion të publikut, pasuri që i janë marrë në mënyrë kriminale po publikut. Kaq.

Sigurisht që ky akt ka shqetësuar shumë njerëz, në të gjithë kategoritë. Ka shqetësuar në radhë të parë banditët, ka shqetësuar edhe të tretë. Kanë arsye të jenë të shqetësuar, por këtë shqetësim nuk ua heq dot askush. Faleminderit!