Pushteti Vendor/Ministri Lleshaj takim me Prefektët dhe Kryetarët e Bashkive - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/02/2020

Pushteti Vendor/Ministri Lleshaj takim me Prefektët dhe Kryetarët e Bashkive

VIDEO –  Ministri Lleshaj takim me Prefektët dhe Kryetarët e Bashkive

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me Prefektët e Qarqeve dhe kryetarët e Bashkive në vend, ku ka diskutuar disa prej çështjeve kryesore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes pushtetit qendror me atë vendor. Ministri kërkoi prej pushtetarëve lokalë që të jenë më të gatshëm për të bashkëpunuar me agjencitë qendrore, sidomos sa i përket çështjeve të dixhitalizimit të dokumenteve dhe ofrimit të shërbimeve online për qytetarët. Çështje të tjera që Lleshaj diskutoi në praninë e mediave ishin ato për marrjen e masave për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, qarkullimit rrugor, sezonit turistik etj.

Më poshtë një përmbledhje e fjalës së mbajtur nga Ministri Lleshaj:

Qëllimi i takimit të sotëm lidhet me disa çështjeve të rëndësishme të koordinimit të punës midis pushtetit qendror dhe atij vendor. Kemi disa çështje për të diskutuar:

E para, është ajo që ka të bëjë me menaxhimin e emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore në tërësi;

Çështja e dytë lidhet me Adresarin në përgjithësi me sistemin e adresave dhe gjendjes civile në Shqipëri dhe problematikën përkatëse;

Çështja e tretë lidhet me sigurinë rrugore dhe detyrimet e pushtetit vendor për të marrë masa për funksionimin normal të qarkullimit rrugor në bashkitë përkatëse;

Një çështje e katërt lidhet me prioritetin e madh të qeverisë për organizimin dhe ofrimin e shërbimeve online për qytetarët, dhe për ndërveprimin e platformave lokale me atë qendrore të qeverisë;

Çështja e pestë ka të bëjë me sezonin e ri turistik dhe koordinimin e disa detyrave;

Një çështje e fundit, por jo nga rëndësia, ka të bëjë me zjarrfikëset.

I. Së pari, ne e dimë që vendi ynë është prekur shpesh, sidomos me dy goditje nga tërmeti i vitit të shkuar, dhe prioriteti i madh i qeverisë është rindërtimi i plotë. Trajtimi i çështjes së emergjencave ka të bëjë me nxjerrjen e mësimeve të nevojshëm, dhe marrjen e hapave të nevojshëm për të ardhmen. E para kërkesë shtrohet për bashkitë në lidhje me vlerësimin e risqeve në territorin e tyre në zbatim të ligjit për emergjencat civile. Nevoja për t’u konsoliduar në këtë fushë është e dorës së parë, sepse e tillë është dhe përgjegjësia që kemi përballë qytetarëve. Brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e ligjit përkatës për emergjencat, kërkohet që bashkitë të kryejnë vlerësimin e risqeve në territorin e tyre duke hartuar dhe miratuar dokumentin e vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë, të cilin ia dërgojnë Prefektit të Qarkut dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Një detyrë tjetër, që ligji kërkon është planifikimi i buxhetit të emergjencave civile. Ligji kërkon që bashkitë të alokojnë 4 % të buxhetit të tyre për emergjencat civile. Ligji i detyron Prefektët që ata mos ta miratojnë buxhetin e bashkive, në se ato nuk kanë parashikuar 4 % të buxhetit për emergjencat civile. Besoj me marrjen e këtyre masave ne do të jemi në gjendje për të vepruar më mirë në rast se do të sfidohemi nga natyra në të tjera raste.

II. Çështja e dytë në lidhje me Adresarin. Ne kemi një bazë ligjore të plotë, e cila parashikon shumë qartë detyrimin e bashkive sa, i përket pajisjes së çdo qytetari të Shqipërisë me adresën e tij, si dhe çdo objekt me adresën e tij.

Ligji parashikon që Këshillat e Vetëqeverisjes Vendore duhet të bëjnë emërtimin e bulevardeve, rrugëve, dhe parqeve, të paemërtuara, brenda datës 31 dhjetor 2016. Po të njëjtën detyrë ligji vendos dhe për seksionet dhe zyrat e urbanistikës të vetëqeverisjes vendore, të cilat do të bëjnë adresimin numerik të brendshëm e të jashtëm të objekteve ekzistuese brenda të njëjtës datë. Në mospërmbushje të detyrave nga njësitë e vetëqeverisjes vendore në afat, ligji parashikon që ato përmbushen nga Prefekti i qarkut sipas rregullave dhe procedurave të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Disa bashki nuk e kanë plotësuar detyrimin ligjor për të bërë adresimin, për të vendosur emrat e të gjithë rrugëve shesheve, parqeve të zonës që kanë nën juridiksion, për rrjedhojë kjo kompetencë u ka kaluar tashmë Prefektëve të vendit, të cilët duhet që të marrin masat urgjente për zbatimin e këtij detyrimi. Ne do të çojmë një udhëzim ose të Ministrit ose një udhëzim të Qeverisë, ku do të përcaktojmë edhe afatet edhe detajet përkatëse për këtë proces, por duhet që edhe Prefektët të vijojnë dhe të përmbyllin atë punë që bashkitë nuk e kanë bërë. Duhet që procesi i adresimit të njohë zgjidhje të shpejtë për arsye se, nga integrimi tashmë që po ndodh i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe i Regjistrit Kombëtar të Adresave, pra lidhja që po i bëhet emrave të qytetarëve me banesat, qoftë në një regjistër elektronik ose dy regjistra elektronik që integrohen së bashku dhe futja në masë e shërbimeve online për qytetarët, do të krijohen së shpejti probleme për të gjithë qytetarët që nuk kanë adresën e saktë.

Në ato vende që nuk ka mundësi të përdoren emra personalitetesh mund të përdorni edhe numra, ose kombinim numrash dhe gërmash, të cilat ne do përpiqemi t’i bëjmë të qarta edhe në udhëzimin që do përgatisim. Qëllimi është të mbrojmë qytetarët nga penalizimi që mund t’iu vijë nga mungesa e adresës. Në një të ardhme të shpejtë ne do të mundësojmë që të gjitha veprimet dhe çdo dokument që lëshohet në RSH do të lëshohet duke marrë adresën vetëm nga Regjistri i Gjendjes Civile. Duhet bërë një lloj filtrimi, ‘Vettingu’ të listave të emrave të rrugëve, të cilat jo në pak raste kanë çuar në vendosje emrash personash të cilët, nuk duhet ta kenë emrin aty. Nuk mundet që emri i një personi të dënuar për një vepër penale të jetë në sistemin e adresave pasi ajo adresë, emërtimi i rrugës bëhet pjesë e identitetit tonë, në dëftesën e shkollës, në lejen e qarkullimit, në kontratën e shitjes, CV, etj. Ju ftoj për bashkëpunim në funksion të qytetarëve që ju kanë zgjedhur juve, pasi i gjithë ky proces bëhet për të rritur dhe përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.

III. Viti 2020, viti i sigurisë rrugore është përparësi e Ministrisë pasi në rrugët e Shqipërisë humbin jetën çdo vit qindra qytetarë mbi 200, plagosen qindra të tjerë dhe shkaktohen dëme materiale në vlerën e disa miliona eurove, një faturë e jashtëzakonshme financiare. Numri më i madh i aksidenteve ndodh brenda në qendrat e banuara, brenda qyteteve, rrugët interurbane kanë një peshë mjaft të vogël në përqindjen e totale të aksidenteve sipas të dhënave të policisë. Pjesë e madhe e problematikës ndodh në rrugët dytësore që lidhin fshatrat me qytetet. Një ndër çështjet kryesore mbi sigurinë rrugore lidhet me rolin e njësive të qeverisjes vendore e bashkive për të marrë përsipër atë përgjegjësi që ligji jua ngarkon, vendosjen e sinjalistikës në rrugët e qyteteve tona.

Në të gjitha bashkitë e Shqipërisë përjashtuar Tiranën, semafori është ende një gjë e panjohur, nga Shkodra në Korçë. Ka ardhur koha që bashkitë në shërbim të qytetarëve të tyre, të jetës së qytetarëve të tyre të bëjnë atë që duhet. Qëllimi është për t’ju dhënë një imazh të ri qyteteve tona, për t’u bërë qytete miqësore për turistët të cilët nuk orientohet pa sinjalistikë.

Policia e Shtetit do të marrë masa që të jetë shumë e ashpër ndaj kaosit që shkaktohet në qytete nga mungesa e vijave. Ajo do futet brenda qyteteve për të ndëshkuar çdo qytetarë i cili parkon në një vend që nuk ka autorizim të shkruar për parkim, e për çdo shkelje tjetër. Duhet rregullim i sinjalistikës për të evituar ndëshkimet për mungesë të sinjalistikës ndaj qytetarëve. Bashkitë që kanë kërkuar të marrin kompetencën për gjobat në qytetet e tyre, kjo kompetencë do të kushtëzohet vetëm nga krijimi i kushteve të ngjashme me Tiranën në çdo bashki. Pra, kjo kompetencë do të delegohet tek strukturat tuaja bashkiake nga Policia e Shtetit në momentin që qytetit merr hijen e qytetit, ka sinjalistikën, aty ku lejohet parkimi ka shenjën përkatëse, vijëzimet përkatëse. Në këto kushte ne jemi të interesur për ta lënë këtë kompetencë tek bashkitë.

IV. Qeveria Shqiptare e ka vendosur në krye të prioriteteve të saj kalimin nga shërbimet në sportele, në ato online. Por shërbime online duhet të ofrojë edhe pushteti vendor, sepse u shërbejmë të njëjtëve qytetarë. Parimi që ka vendosur qeveria është se institucionet nuk do t’u kërkojnë qytetarëve asnjë dokument i cili ndodhet në zyrat e shtetit shqiptar, që i ka prodhuar vetë.

E dyta, duam të kalojmë në fazën e aplikimit online, pra që qytetari sportelin ta ketë në shtëpi dhe kjo ka filluar në nivelin qendror, masivisht me 485 shërbime, që nga 1 janari, ndërsa në qershor do të jetë për të gjitha shërbimet. Por kjo masë e qeverisë kërkon reagim edhe nga pushteti vendor. Janë bërë shumë investime nga bashkitë në vend, sidomos për programin e shërbimeve me një ndalesë “One Stop Shop”, 43 bashki në vend. Tani duhet të kalojmë në një fazë tjetër, shërbimet t’i ofrojmë online. Sistemet që do të ngrihen, duhet të koordinohen më parë më AKSHI-n, sepse ajo është platforma që ofron të gjitha shërbimet qeveritare.

V. Duhet të përfundojmë shërbimin e dixhitalizimit të shërbimit të Gjendjes Civile. GJC ofron shërbime online për qindra mijëra qytetarë, milionë certifikata nuk prodhohen më, por ka një segment të konsiderueshëm kohor, 1920-1974, kur regjistrat janë ende të padixhitalizuara. Bashkitë duhet të bashkëpunojnë me qeverinë qendrore, duke siguruar mjediset ku duhet të kryhet ky proces (shërbim), kurse qeveria, përkatësisht AKSHI dhe MB kanë për detyrë të marrin regjistrat t’i skanojnë e dixhitalizojnë. Kërkohen gjithashtu mjedise në disa bashki për shërbimet e aplikimit për karta ID e pasaporta, pasi aktualisht këto kryhen në mjedise të papërshtatshme dhe jodinjitoze. Të merren sa më shpejt masa për këtë, e të mos lënë qytetarët jashtë duke pritur.

VI. Dalëngadalë po afrohet stina e re turistike dhe prandaj duhet të fillojë që tani puna për sigurinë në plazhe, e cila ka çaluar historikisht megjithë përmirësimet e shënuara. Të merren masa për mjedisin, pastrimin etj., dhe të mos lejohet zaptimi i hapësirës publike në plazhe. Ne do të marrim masa që Policia të jetë në krye të detyrës, do të bashkëpunojmë me policitë partnere për patrullime të përbashkëta, ndërkohë kemi dakordësitë me pothuaj të gjitha vendet fqinje dhe disa vende të BE. Do të bëjmë përpjekje që sezoni veror 2020 të jetë një sukses dhe të ketë përfitime të drejtpërdrejta edhe për ju si pushtet vendor përmes taksave, rritjes ekonomike të qytetarëve etj..

VII. Sa i përket çështjes së Zjarrfikësve, kemi pasur diskutime me drejtuesit e shërbimeve nëpër bashki. Konstatojmë nevojën për përmirësime rrënjësore në këtë fushë, për unifikimin e procedurave, standardeve të trajnimit profesional, gradimit, pajisjeve, uniformës, blerjes së mjeteve. Ne do të bëjmë edhe përmirësime të nevojshme të kuadrit ligjor për çështjen e zjarrfikësve. Duhet që Shërbimin Zjarrfikës ta ngremë në një nivel të ri më të lartë, sidomos për personelit. Duhet që punonjësit zjarrfikës të jenë trupë speciale, elitë, më të mirë se ata të RENEA-s.