Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 121 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 03/02/2020

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 121

Raporti javor nr. 121 – VIDEO
27 janar – 2 shkurt 2020

 

MINISTRI LLESHAJ PRET AMBASADOREN E RE TË SHBA
Ambasadorja Kim rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit

Ministri i Brendshëm z.Sandër Lleshaj priti në një takim protokollar Ambasadoren e re të SHBA në Shqipëri, znj.Yuri Kim, ku u rikonfirmua niveli i lartë i bashkëpunimit si dhe mbështetja e SHBA në luftën kundër krimit. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për projekte të reja bashkëpunimi, për thellim të partneritetit mes institucioneve të sigurisë nga të dyja vendet dhe për çështje të tjera me rëndësi.
“SHBA vijojnë të jenë partneri ynë i madh strategjik, përherë në krah dhe në mbështetje të përparimit të gjithanshëm të vendit tonë” – u shpreh Ministri Lleshaj pas takimit.
Ai deklaroi gjithashtu se “Ndamë vlerësime të njëjta për nevojën e një faze të re në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, për rolin e pazëvendësueshëm të Policisë së Shtetit për suksesin e reformës në drejtësi, për projekte të reja bashkëpunimi me SHBA, për thellim të partneritetit mes institucioneve të sigurisë nga të dyja vendet dhe për çështje të tjera me rëndësi.”
“Gjatë takimit, Ambasadorja Kim rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në përpjekjet e tyre për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,” thuhej në një deklaratë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, pas takimit.

ZV.MINISTRI HODAJ TAKON HOMOLOGUN ITALIAN
Gjatë këtij takimi u përgënjeshtrua zyrtarisht një reportazh i transmetuar nga “Rai3” në lidhje me mbjelljen e kanabisit në Shqipëri

Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Lufta kundër krimit të organizuar në Ballkanin perëndimor”, ku bëri një bilanc të arritjeve të vendit tonë ndaj këtij fenomeni. Hodaj theksoi se lufta ndaj krimit të organizuar është një prioritet i punës së Policisë së Shtetit dhe se për këtë qëllim janë krijuar struktura speciale, të cilave janë vënë në dispozicion instrumentet e nevojshme ligjore, burimet njerëzore, informacioni, pajisje etj..
Gjatë konferencës që po zhvillohet në Napoli, Zv.ministri Hodaj zhvilloi një takim me homologun e tij italian z.Vito Crimi ku u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm ndërmjet dy vendeve në çështjet e luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës. Gjithashtu u përcaktuan edhe fushat e reja të bashkëpunimit në të ardhmen. Gjatë këtij takimi u përgënjeshtrua edhe njëherë zyrtarisht një reportazh i transmetuar nga “Rai3” ku thuhej se në Shqipëri është rritur 12 herë sasia e bimëve të kanabisit të mbjellë. Pas takimit, në një postim në facebook Hodaj u shpreh se “në Napoli për një bilateral të frytshëm me zv Ministrin e Brendshëm Vito Crimi dhe shefin e Policisë Franco Gabrielli. Bashkëpunimi ynë është i suksesshëm dhe asnjë pseudoreportazh nuk mund të hedhë baltë mbi beteja të fituara me aq mund”. Në një kronikë të medias italiane në lidhje me takimin nënvizohet se “Autoritetet kanë specifikuar se njoftimet e dhëna në emision (të Rai3) nuk u korrespondojnë të dhënave të vërteta dhe nuk mund të hedhin hije mbi efikasitetin e luftës kundër kultivimit të kanabisit dhe mbi rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë këtyre viteve të fundit”. Në konferencë morën pjesë vendet përfituese të fondeve të programit IPA2, dhe me këtë rast u shpërndanë [mime për vendet pjesëmarrës. Përve[ Shqipërisë, pjesë e këtij programi të financuar ngë vendet e BE-së, janë edhe Bosnje & Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

ZV.MINISTRJA KUKO NË VARSHAVË PËR SISTEMIN ZGJEDHOR
Vlerësime nga OSBE/ODIHR mbi modernizimin e sistemit, eliminimin e gabimeve/dublikimeve dhe rritjen e transparencës e rrjedhimisht garantimin shprehjes së vullnetit të zgjedhësve

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko mori pjesë në një takim të organizuar në Poloni nga OSBE, me vendet e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar mbi sistemet zgjedhore dhe regjistrimin e votuesve në të gjithë vendet e rajonit. Kuko bëri një rezyme të arritjeve të Shqipërisë për [ështjet që kanë të bëjnë për regjistrimin e votuesve, për të cilën mori vlerësime nga përfaqësuesit e organizatës.
Duke komentuar këtë pjesëmarrja, Kuko u shpreh në një postim në Facebook :
“Në takimin e vendeve të Ballkanit Perendimor mbi sistemet zgjedhore dhe regjistrimin e votuesve organizuar nga ODIHR. Raportuam mbi arritjet e Shqipërisë në lidhje me procedurat e regjistrimit të votuesve. Vlerësime nga OSBE/ODIHR mbi modernizimin e sistemit, eliminimin e gabimeve/dublikimeve dhe rritjen e transparencës e rrjedhimisht garantimin shprehjes së vullnetit të zgjedhësve,” u shpreh Kuko.

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE PËR SIGURINË NË RAJON
Sofje, zv.ministrat Lamallari dhe Caka raportojnë për masat e marra nga vendi për çështjet e sigurisë kombëtare

Zv. Ministri i Brendshëm, Z. Besfort Lamallari mori pjesë në takimin e tretë të Grupit Drejtues për Çështjet e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, organizuar nga Ministria e Brendshme bullgare dhe Qeveria britanike. Pjesë e delegacionit shqiptar, bashkë me z. Lamallari, ishte edhe Zv. Ministrja e Drejtësisë, Znj. Fjoralba Caka. Në diskutimet e zhvilluara, Lamallari e Caka kanë nënvizuar masat e marra nga Shqipëria në lidhje me çështjet e sigurisë. Pjesëmarrësit në takim u përqendruan në sfidat aktuale të sigurisë dhe nevojën për të rritur bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nga diskutimet e bëra u vu në dukje se siguria e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e vendeve të BE-së.