OPERACIONI FORCA E LIGJIT - Ministria e Brendshme
Postuar më: 02/02/2020

OPERACIONI FORCA E LIGJIT

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në aktivitetin e zhvilluar në Repartin RENEA, ku është trajnuar Njësia OPERACIONI FORCA E LIGJIT, gjatë prezantimit të Ligjit Special, për masat pasurore ndaj personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar:

I nderuar zoti Kryeministër,
Zoti Drejtor i Policisë së Shtetit,
Drejtues të Agjensive ligjzbatuese dhe të sigurisë,
Partnerë të Policisë së Shtetit
Pjesëtarë të Policisë së Shtetit shqiptar,

Krimi në përgjithësi dhe ai i organizuar në veçanti kanë marrë një goditje shumë të rëndë përgjatë viteve të fundit. Shifrat e treguesve kryesorë të kriminalitetit janë më poshtë se gjysma e atyre që vendi regjistronte vetëm disa vite më parë. Por suksesi afatgjatë i luftës kundër krimit lidhet me rrënjët e tij. Vetëm shkulja e rrënjëve shënon fitore të vërtetë. Dhe rrënjët e vërteta të krimit janë pasuritë dhe financat që gjenerohen prej tij.

Krimi i organizuar ekziston për të fituar parà dhe fitorja ndaj tij nuk mund të jetë vetëm dënimi penal, për sa kohë pasuritë e nxjerra prej tij, mbeten të paprekura. Shkatërrimi i këtij modeli është tashmë nevojë e dorës së parë.

Miratimi i paketës kundër krimit të organizuar të njohur si Paketa Anti-KÇK nga Qeveria shqiptare me 31 janar 2020, shënon fillimin e një përshkallëzimi të panjohur më parë në vend.

Shënjestra e të gjithë sistemit të drejtësisë dhe e agjencive të tjera ligjzbatuese do të jetë qartazi pas asnjë ekuivok, pasuritë e krijuara nga krimi i organizuar.

“Operacioni Forca e Ligjit” do të ketë për objekt pikërisht shkatërrimin e burimit ekonomik dhe financiar që mban gjallë krimin e organizuar në vend; shkatërrimin e këtij modeli të shëmtuar dhe të rrezikshëm të pasurimit të shpejtë, që gjeneron krime të rënda, dëmton ekonominë dhe bizneset e ndershme, josh shumë të rinj në rrugë të gabuara, dhe pengon progresin e gjithanshëm të shoqërisë.

“Operacioni Forca e Ligjit” do të zhvillohet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me SPAK, me agjensitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend dhe me partnerët ndërkombëtarë brenda një kuadri shumë të përcaktuar ligjor. Thënë shkurt objekt i OFL-së do të jenë pasuritë e deklaruara apo të fshehura të personave të dënuar apo të proceduar për vepra penale në fushën e krimeve të rënda, krimit të organizuar apo terrorizmit.

OFL do të zhvillohet në kuadër të një procedure shumë të thjeshtë. Policia e Shtetit do të kërkojë nga personat, që janë subjekt i ligjit që të provojnë burimet prej nga rrjedh pasuria e tyre. Më tej Prokuroria do të paraqesë rastet në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, e cila do të marrë vendimet përfundimtare.

Paketa e re ligjore në thelb nuk i jep ndonjë autoritet të ri Policisë. Në të vërtetë kjo paketë i përcakton Policisë së Shtetit detyra të reja, objektiva të rinj dhe e pajis atë me instrumente të domosdoshëm për arritjen e qëllimit madhor në luftën kundër krimit të organizuar.

Policia e Shtetit është e përgatitur dhe mjaft e motivuar për të hapur një tjetër front për të shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në luftën kundër krimit.

Fillimi i OFL-së shënon padyshim një moment të rëndësishëm, jo vetëm për Policinë e Shtetit apo institucionet e tjera shqiptare, por për të gjithë shoqërinë.

Është kjo arsyeja që gjej rastin të drejtoj disa thirrje publike.

Së pari për Policinë e Shtetit, si rrallë ndonjë institucion tjetër ju keni mbajtur me përkushtim shumë barrë të rëndë në shërbim të sigurisë së qytetarëve tanë dhe vendit tonë. Jeni përballur, jeni goditur, keni qëndruar, keni fituar edhe keni pësuar, dhe sot përfaqësoni një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët e Shqipërisë.

E tash jeni thirrur për një betejë tjetër. Mbështetja e fortë e Qeverisë, e partnerëve tanë dhe e publikut si dhe profesionalizmi e patriotizmi juaj, janë garanci se suksesi i këtij operacioni do të jetë i garantuar. Një pjesë e rëndësishme e aseteve që do të konfiskohen nga OFL do të vihen në dispozicion të vetë Policisë së Shtetit, në funksion të modernizimit të kapaciteteve dhe motivimit të personelit të saj.

Për qytetarët dua të them që Policia është forca juaj e vërtetë. Fuqizojeni atë përmes informimit, bashkëpunimit dhe mbështetjes.

Për mediat, ju jeni një faktor i pazëvendësueshëm dhe në përballjen me krimin dhe në këtë përballje nuk mund të jeni neutralë. Është jetike që të bëheni palë me Policinë dhe ta margjinalizoni lajmin e keq në këtë fushë sa më shumë të jetë e mundur. Hiqeni nga ballinat dhe çojeni lajmin e keq në skajet e faqeve apo rubrikave tuaja dhe kërkojeni heroin e vërtetë aty ku është realisht, te Policia, të Zjarrfikësit, te shpëtuesit e jetës, ashtu siç bëtë me mjaft dinjitet gjatë ditëve të tërmetit të nëntorit që shkoi.

Për politikën, korrigjoni shënjestrat e sulmit politik. Policia dhe agjencitë e zbatimit të ligjit nuk mund të jenë tabela për sulmet politike.

Dhe, së fundmi, për ata që e kanë humbur rrugën e ligjit, asnjëherë nuk është vonë për pendesë dhe kthim në normalitet. Tërhiquni nga rruga e krimit, për të shpëtuar të ardhmen tuaj, të familjeve tuaja dhe të pasardhësve tuaj. Bashkëpunoni për këtë qëllim me Policinë dhe organet e tjera ligjzbatuese. Kthjellohuni dhe kuptoni që keni përgjegjësi jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët e sidomos për ata që vijnë pas jush, të cilët nuk ju kanë borxh as turpin dhe as barrët që ju u lini pa të drejtë mbi shpinë.

Dhe nëse të gjitha këto ju duken pa kuptim, mbani mend vetëm një gjë: – është thjesht çështje kohe. Udhëtimi kriminal do të ndërpritet keq. Në mos sot, nesër! Por nesër do të jetë vonë!

Zonja dhe zotërinj,

Zhvillimi me konsekuencë i ‘Operacionit Forca e Ligjit’ do të shënojë një moment të rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi, ai do të garantojë që periudha deri në funksionimin e plotë të të gjithë organeve të sistemit të ri, të mos shfrytëzohen në dëm të interesave të vendit dhe të qytetarëve nga anëtarët e krimit të organizuar dhe nga mbetjet e padronëve apo ortakëve të tyre në sistemin e drejtësisë, apo përtej tij.

Masat e marra deri tani dhe ato që do të merren në javët në vijim janë garanci se ‘Operacioni Forca e Ligjit’ do të shënojë një sukses të panjohur më parë në përballje me krimin e organizuar duke sjellë kështu edhe një kontribut të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit.

Më lejoni me këtë rast të falënderoj Kryeministrin Rama për angazhimin e tij personal dhe për lidershipin e drejtpërdrejtë për hartimin dhe miratimin e paketës së re ligjore kundër krimit të organizuar si dhe të uroj suksese në kryerjen e ‘Operacionit Forca e Ligjit’ për të gjithë drejtuesit dhe pjesëtarët e strukturave të Policisë së Shtetit dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese në vend. Faleminderit!