Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 120 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/01/2020

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 120

Raporti Javor nr. 120 – VIDEO
20 – 26 janar 2020

AKADEMIA E SIGURISË – MINISTRI LLESHAJ BASHKËBISEDIM ME STUDENTËT
Investime të mëdha në infrastrukturën e Policisë; do të kërkohet integritet i lartë nga organizata

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një vizitë në Akademinë e Sigurisë, ku bashkëbisedoi me studentë ekselentë të kursit të Policisë Kriminale si dhe të nivelit “Bachelor”. I shoqëruar në këtë vizitë nga Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu, Drejtori i Akademisë Bilbil Mema dhe Dekani i Fakultetit Ilirjan Mandro, Ministri theksoi rëndësinë e integritetit për punonjësit e Policisë. Ai vuri në dukje se procesi i Vettingut po funksionon dhe mbetet prioritet për mirë-funksionimin e organizatës së Policisë. Ministri tha gjithashtu se po punohet në disa fronte për ta përmirësuar infrastrukturën e Policisë së Shtetit, por nënvizoi se do të kërkohet më shumë integritet nga vetë punonjësit. Në lidhje me bashkëpunimin me qytetarët, ministri i Brendshëm shtoi se nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka aleancë të fortë me publikun.  Z. Lleshaj u kërkoi studentëve të Akademisë të jenë aktivë në procesin e partneritetit me shkollat e mesme e 9-vjeçare, duke organizuar orë të hapura me tema mbi sigurinë publike, pasi kjo ndihmon edukimin e të rinjve dhe rrit imazhin e Policisë së Shtetit. Më pas, ministri Lleshaj bëri me dije se po punohet për të përmirësuar bazën ligjore në mbështetje të punës së Policisë së Shtetit me qëllim që kjo e fundit të ketë rezultate më efikase në luftën kundër krimit. “Ne së shpejti do të kalojmë një paketë shumë të rëndësishme ligjore kundër krimit të organizuar, e cila do të kërkojë që Njësitë e Policisë së Shtetit të angazhohen fort. Do të kalojmë në një fazë të re të luftës kundër krimit të organizuar dhe këtu kërkohet dituri”, tha Lleshaj.
Në këtë kuadër ai vuri në dukje se sipas ndryshimeve të pritshme ligjore, do të lehtësohet procesi i sekuestrimit të bizneseve të ngritura nga aktivitete kriminale, duke synuar që këtë model biznesi ta shkatërrojmë. Ministri foli gjithashtu edhe për Njësitë e reja të specializuara, që do të krijohen ose janë krijuar në Policinë e Shtetit, të tilla si Njësia për kapjen e personave në kërkim, Njësia kundër krimit ekonomik, kompjuterik dhe inteligjenca. “Kemi krijuar ndërkohë Njësinë për Kapjen e Personave në Kërkim. Njësia “K”, për shkurt, e krimit ekonomik, “E”, ajo e inteligjencës, Njësia “I” . Edhe kjo “K”–ja, pra e kërkimit dhe e kapjes së personave, është një çështje e rëndësishme. Ka filluar aktivitetin por prapë është në fazë konsolidimi dhe aty mund të ketë hapësirë për ju. Pastaj janë strukturat tjera, është ajo e krimit kompjuterik”, u shpreh ai.

SË BASHKU – NDIHMË PËR FAMILJET E 224 “DËSHMORËVE TË ATDHEUT”
Fondacioni “Gjurmë” – Në krah e mbështetje të familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës, 3 dekadat e fundit

Ministri i Brendshëm z.Sandër Lleshaj tha në takimin e organizuar së bashku me Fondacionin “Gjurmë” se qëllimi i këtij aktiviteti është që “të përcjellim një mesazh të madh solidariteti mes njëri-tjetrit dhe sidomos ndaj Policisë së Shtetit, e cila është ajo organizatë, që qëndron atëherë kur shumë gjëra luhaten, kur janë të pasigurta. Prandaj e meritojnë një mbështetje të madhe, qoftë materiale, por para së gjithash, shoqërore dhe njerëzore”. Ky takim u zhvillua në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në të morën pjesë deputetë, zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, përfaqësues të spikatur të biznesit në vend, zyrtarë të lartë të pushtetit vendor, ish drejtues të policisë në vite, familjarë të punonjësve të policisë të rënë në detyrë dhe drejtuesit e Fondacionit “Gjurmë”. Pasi falënderoi të pranishmit, Ministri Lleshaj vuri në dukje faktin që janë 224 familje të punonjësve të policisë, të cilët kanë humbur përkatësisht bashkëshortin apo kryefamiljarin, por, – vijoi ai më tej, – humbja ka qenë e dyfishtë, edhe për Policinë e Shtetit, sepse të rënët kanë qenë pjesë integrale e organizatës së policisë. “Bashkë me mbështetjen që ne u ju japim familjeve të punonjësve të policisë, me këto akte solidariteti, ne solidarizohemi me vetë Policinë e Shtetit. Sepse vërtetë familjet kanë humbur baballarët ose kryefamiljarët, por edhe Policia e Shtetit ka humbur një pjesë të rëndësishme të saj,” u shpreh Ministri Lleshaj. Në lidhje me angazhimin e drejtuesve të Fondacionit ‘Gjurmë’, Ministri Lleshaj vuri në dukje se “qëllimi i kësaj përpjekjeje të djemve dhe vajzave të Fondacionit “Gjurmë” është të mobilizojnë ndihmat, që burojnë nga qytetarët e thjeshtë, edhe nga pak. Sepse nuk është qëllimi që ne të sigurojmë thjesht ndihma materiale”. Lleshaj siguroi më tej se Qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme do të vijojnë të jenë të përkushtuara në maksimum për ta mbështetur Policinë e Shtetit, për ta modernizuar atë.

SOLIDARITET – PUNONJËSIT E POLICISË DHUROJNË PARÁ PËR FAMILJET E POLICËVE TË RËNË
Drejtori Veliu i dorëzoi fondacionit “GJURMË” çekun prej 4 mln lekësh, nis ndërtimi i banesës së parë

Punonjësit e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin kanë mbledhur në mënyrë vullnetare një shumë prej 4 milionë lekësh (të reja), të cilat i janë “dorëzuar” në mënyrë simbolike Fondacionit “Gjurmë” gjatë aktivitetit solidarizues të zhvilluar në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Ky fakt u bë publik nga Drejtorit i Përgjithshëm Ardi Veliu, i cili i dha drejtuesit të Fondacionit një çek prej 4 milionë lekësh. Duke përshëndetur të pranishmit, Drejtori Veliu tha se “me këtë rast dëshiroj t’i përcjell fondacionit “Gjurmë” një donacion në vlerën e 4 milion lekë, kontribut i punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjej rastin të falënderoj çdo punonjës policie që i është përgjigjur thirrjes për të kontribuar”. Me tej Veliu falënderoi edhe kompanitë e ndryshme dhe organizatat e biznesit për ndihmën dhe kontributet e dhëna ndër vite ndaj familjarëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Ai i siguroi drejtuesit e Fondacionit “Gjurmë” se do të kenë gjithmonë mbështetjen e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit në përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë familjarëve të të rënëve dhe se dyert e Policisë së Shtetit do të jenë gjithmonë të hapura për ta.

FUSHATA SENSIBILIZUESE – POLICIA RRUGORE, ORË TË HAPURA NË SHKOLLA
Në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Korçë, specialistë të policisë zhvilluan takime me nxënësit për sensibilizimin e brezit të ri mbi rregullat e qarkullimit rrugor

Policia e Shtetit në kuadër të vitit të sigurisë rrugore ka organizuar takime me nxënës të shkollave në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Korçë etj., me qëllim sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e brezit të ri, për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, sigurinë në shkollë, si dhe parandalimin e fenomeneve të tjera negative.
Në Tiranë, grupe nxënësish të shkollave “Ismail Qemali” dhe “ 1 Maji” kanë vizituar ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku janë pritur nga drejtues të lartë të Policisë Rrugore të cilët kanë shpjeguar parimet bazë të qarkullimit rrugor, domosdoshmëria e respektimit të tyre si nga përdoruesit e mjeteve, ashtu edhe nga këmbësorët dhe aspekte të tjera që lidhet me këtë fushë. Zyrtarët e policisë kanë theksuar se brezi i ri ka mundësi të ndikojë pozitivisht në ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë, duke kërkuar më shumë kujdes nga prindërit apo familjarët në rastet kur këta drejtojnë makina. Në fund të takimit nxënësve u janë shpërndarë broshura me rregulla të qarkullimit rrugor dhe materiale të tjera sensibilizuese.
Takime të tilla ndërgjegjësuese janë zhvilluar edhe në disa qytete të ndryshme të vendit, përkatësisht me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Teli Ndini” Vlorë, shkollës 9-vjeçare “Europa” Elbasan dhe shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi” në Korçë. Gjatë vizitave në ambjentet e komisariateve të këtyre qyteteve, specialistët e sigurisë rrugore kanë shpjeguar disa nga rregullat kryesore në rrugë dhe u kanë kërkuar të rinjve të bëhen promotorë të zbatimit të tyre, pasi nesër ata mund të jenë në drejtim të mjeteve. Në Elbasan, nxënësit, të veshur si punonjës policie, kanë shpërndarë fletëpalosje për drejtuesit e mjeteve duke i këshilluar që të zbatojnë me korrektësi rregullat e qarkullimit rrugor, për një ambient të sigurt për të gjithë.

OPERACION KUNDËR TRAFIKIMIT TË NARKOTIKËVE NË JUG TË VENDIT
Arrestohen 8 persona, 1 shpallet në kërkim. Aksioni policor u zhvillua kryesisht në Memaliaj

Policia arrestoi në flagrancë 6 shtetas në një fshat të Memaliajt, të cilët po paketonin një sasi prej 103 kg kanabis, me qëllim për ta transportuar drejt Vlorës. Në bazë të informacioneve të mbledhura në rrugë operative, njësitë e policisë kanë ndërhyrë në vendngjarje duke sekuestruar lëndën narkotike, armë zjarri, telefona celularë, një sasi parash e sende të tjera në cilësinë e provës materiale. Policia shpalli në kërkim edhe një person tjetër të përfshirë në këtë grup trafikantësh droge, ndërsa materialet procedurale ia përcolli Prokurorisë për hetime të mëtejshme për zbardhjen e të gjitha lidhjeve të këtij grupi.
Në Tiranë, policia arrestoi 2 shtetas dhe sekuestroi një sasi prej 736 gramë kanabis, të ambalazhuar, e gati për t’u shitur. Shërbimet e policisë kishin informacion për shpërndarje droge në zonën e ngjarjes dhe kanë ndërhyrë befasisht në një lokal bar-kafe në Tiranë, duke arrestuar në flagrancë pronarin e lokalit dhe banakierin, si autorë. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale, grirëse metalike, dy aparate celularë dhe sende të tjera me vlerë për hetimin.