Fondacioni "Gjurmë" - Në krah e mbështetje të familjeve të "Dëshmorëve të Atdheut", 224 punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë. - Ministria e Brendshme
Postuar më: 22/01/2020

Fondacioni “Gjurmë” – Në krah e mbështetje të familjeve të “Dëshmorëve të Atdheut”, 224 punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.

Fondacioni “Gjurmë” – Në krah e mbështetje të familjeve të “Dëshmorëve të Atdheut”, 224 punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.

VIDEO – Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:

Mirëmbrëma të gjithëve dhe faleminderit që i jeni përgjigjur ftesës për t’u bashkuar sot me djemtë dhe vajzat e policëve të rënë në krye të detyrës.

Në ditët e para të detyrës time si Ministër i Brendshëm, në fakt kanë qenë ditë të vështira, por kam patur mundësinë të takoj të gjithë familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës dhe më ka mbetur në mendje një detaj nga një zonjë e vjetër, relativisht e vjetër, e sëmurë, bashkëshortja e një polici, e cila ankohej se çfarë do të ndodhë pasi të ndërronte jetë. Ajo priste të ndërronte jetë për arsye të problemeve të mëdha që kishte me zemrën dhe kishte një vajzë të sëmurë rëndë, e cila ishte e lidhur me të ëmën, nuk mund të jetonte pa të ëmën. Kishte një sëmundje shumë të rëndë, kishte nevojë për përkujdesje të vazhdueshme dhe më thoshte: “kush do të merret me vajzën time?” Nuk qante hallin e vetes, por qante hallin se çfarë do të ndodhte me vajzën kur të mos ketë njeri për t’u përkujdesur për të.

Siç e patë nga shifrat që u prezantuan këtu, falë punës shumë të mirë të bërë nga këta djem edhe vajza të mrekullueshëm të punonjësve të policisë, nuk bëhet fjalë për një, por bëhet fjalë për dhjetra e qindra fëmijë policësh, të cilët kanë mbetur pa baba, bëhet fjalë për 224 familje, të cilët nuk e kanë kryefamiljarin, siç e përdorim në zhargon në Shqipëri.

Pyetja shtrohet se kush mund ta kompesojë në një farë mënyre? Kush mund ta luajë babain për këto qindra familje të këtyre burrave, të cilët kanë dhënë jetën për ne, për qetësinë për sigurinë dhe për mbarëvajtjen e jetës tonë? – Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur këta djem edhe vajza të policëve, të cilët kanë thënë, të përpiqemi te bëjmë edhe vetë diçka, të përpiqemi sado pak të bëjmë vetë diçka, duke bashkuar forca, duke bashkuar energji me qëllim që të krijojmë një mundësi të re për shumë djem edhe vajza, të cilët siç i patë nuk kanë arritur as ta shohin ndonjëherë babain e tyre. Për t’u ofruar edhe atyre një jetë dinjitoze pa e zëvendësuar kurrë atë humbje të madhe.

Bashkë me mbështetjen që do t’ju japim familjeve dhe punonjësve të policisë me këto akte solidariteti, ne solidarizohemi me vetë Policinë e Shtetit, sepse vërtetë familjet kanë humbur baballarët dhe kryefamiljarët, por edhe Policia e Shtetit ka humbur një pjesë të rëndësishme të saj si asnjë organizatë tjetër në Shqipëri, si asnjë grup tjetër në Shqipëri, në harkun e 30 viteve ka pësuar humbje të rëndë të parikuperueshme, duke dëshmuar se është po ashtu një ndër organizatat për të mos thënë organizata më besnike e qytetarëve shqiptarë, organizata, e cila në funksion të shërbimit të saj jo vetëm orët e punës, por edhe gjakun e saj.

Në këtë kuptim mendoj se takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë. Gjej rastin edhe njëherë t’ju falenderoj të gjithëve dhe më vjen ndërmend një histori personale. Para shumë vitesh isha jashtë, kisha një hall të madh familjar dhe na ndihmon dikush me një ndihmë të konsiderueshme, por nuk e dija se kush ishte. Lodhesha me miqtë e mi për ta gjetur se kush më ka ndihmuar në një ditë të vështirë. U lodha shumë. Një ditë një miku im, i cili e dinte më tha: “Po çtê intereson kjo ta dish?” I thashë që dua ta di.

Gjithmonë me atë mentalitetin e shqiptarit që ne futemi në borxh kur dikush na ndihmon dhe ngelemi me atë detyrimin për t’ia kthyer disi, dikur.

Unë atij s’ksha mundësi t’ja ktheja kurrë se ishte larg por, dhe më tha që e ke gabim sepse nuk duhet ta dish se kush të ndihmon. Mua me dukej, aso kohe ishim gati para 25 vitesh, më dukej absurde. Më tha nuk duhet ta dish sepse ndihma nuk kthehet. Ndihma merret dhe transmetohet diku tjetër, nuk i kthehet atij që ta jep, por i jepet atij që ka nevojë. Dhe në qoftë se ti ke mundësi të ndihmosh dikë, atëherë e ke shlyer ndihmën e madhe të atij të cilën ti s’mund t’ia kthesh kurrë.

Besoj se të gjithë ne kemi mundësi për të ndihmuar dikë. Sot kemi ftuar pak njerëz, sepse salla është e vogël, por kemi ftuar njerëz që kanë mundësi për të bërë ndihma të mëdha. Sot kemi ftuar disa përfaqësues të biznesit që ndoshta mund të kenë mundësi për të ndihmuar më shumë, por qëllimi i kësaj përpjekjeje të djemve dhe vajzave të Fondacionit “Gjurmë” është të mobilizojnë ndihmat që burojnë nga qytetarët e thjeshtë, sepse nuk është qëllimi që ne të sigurojmë thjesht ndihma materiale, thjesht të bëjmë 20 shtëpi, apo të sigurojmë 50 bursa, apo të çojmë për trajtim mjekësor 20 persona.

Qëllimi është që ne të përcjellim një mesazh të madh solidariteti mes njëri-tjetrit dhe sidomos ndaj Policisë së Shtetit, e cila është ajo organizatë, që qendron atëherë kur shumë gjëra luhaten, kur janë të pasigurta.

E kemi parë në rastin e tërmetit, në raste të tjera që policia, zjarrfikësit, shërbimi shëndetësor i urgjencës, forcat e armatosura, janë ato profesionale, të cilat rendin në krahun e kundërt nga ikin njerëzit. Nëse njerëzit ikin në këtë drejtim, ato shkojnë drejt burimit të rrezikut dhe së keqes. Prandaj e meritojnë një mbështetje të madhe, qoftë materiale, por para së gjithash shoqërore dhe njerëzore.

Qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme do të vijojnë të jenë të përkushtuara në maksimum për ta mbështetur Policinë e Shtetit, për ta modernizuar atë.

Kur them Policia e Shtetit, në radhë të parë njerëzit e saj, sepse këtu duhet të fillojë gjithë mbështetja, te njerëzit, te çdo punonjës që mban uniformën e Policisë së Shtetit, të familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit, të atyre që jetojnë dhe të atyre që kanë dhënë jetën, me qëllim që këtë aset të rëndësishëm të sigurisë sonë ta perfeksionojmë dhe ta fuqizojmë përditë.

Duke përfunduar më lejoni edhe njëherë t’ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu, përmes jush, edhe të tjerë, të cilët për arsye të ndryshme ose nuk kanë pasur mundësi të vijnë, ose nuk janë ftuar, sepse thjesht kemi patur këtë kapacitet pritjeje këtu e donim ta organizonim këtu, në këtë mjedis të thjeshtë.

Ju falënderoj të gjithëve dhe ju kërkoj që ta mbështesni Fondacionin “Gjurmë” për arsye se unë besoj fort se ky Fondacion drejtohet nga djemtë dhe vajzat e disa prej atyre që patë në këtë seri të gjatë fotosh që u shfaqën këtu. I keni besuar në duar të sigurta. Nuk besoj kurrë që ata mund të devijojnë sadopak nga një amanet që mbajnë mbi supet e tyre dhe mbi gjakun e tyre.

Kështu që është adresa më e saktë për t’i mbështetur këta djem dhe këto vajza, të cilët jam i sigurt do të na dëshmojnë se e meritojnë mbështetjen tonë dhe do të na japin shembuj të tjerë si ky që sapo paraqitëm, për ndërtimin e një shtëpie të një polici të vrarë, familjes Ndreshaj në Shkodër, të na pasojnë në të ardhmen dhe me projekte të tjera, duke ndihmuar jo vetëm këtë familje, por duke përcjellë një mesazh të domosdoshëm solidariteti shoqëror, që ne na duhet në të gjitha fushat e jetës. Faleminderit shumë!