Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 119 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/01/2020

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 119

Raporti Javor nr. 119 – VIDEO
13 – 19 janar 2020

SIGURIA RRUGORE 2020 – PRIORITET KRYESOR I MINISTRISË SË BRENDSHME
Disa nga masat që do të merren: “Zëvendësimi i punonjësve të policisë me teknologji”, ”targat inteligjente”, “lëshimi dhe dërgimi automatik i gjobave” etj.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj theksoi në një takim ndërinstitucional se duhet hartuar një paketë e gjerë masash për rritjen e sigurisë rrugore, në të cilën duhet të marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha palët, përfaqësues institucionesh, shoqëria civile, media dhe publiku i gjerë. Ministri solli në vëmendjen e të gjithëve faktin se numri të vdekurve në aksidente rrugore është gati 5 herë më i lartë se ai i të vdekurve në ngjarjet kriminale. Takimi ishte organizuar në formë tryeze diskutimesh ku morën pjesë Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës znj.Belinda Balluku, zyrtarë dhe ekspertë nga ky dikaster, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe ekspertë të ndryshëm të policisë për qarkullimin rrugor, kryetarë bashkish, ekspertë të fushës etj. Në thelb të diskutimeve ishte nevoja e ashpërsimit të masave në kodin rrugor dhe ndërhyrje të tjera që përmirësojnë situatën në lidhje me trafikun.
Ministri Lleshaj nënvizoi se: “diskutimi që zhvillojmë sot është pjesë e programit të rëndësishëm të aktiviteteve që ne kemi planifikuar të zhvillojmë me qëllim përfshirjen e të gjithë aktorëve në këtë proces të rëndësishëm diskutimi, qoftë të autoriteteve shtetërore, ekspertëve, shoqërisë civile, medias, publikut të gjerë, me qëllim hartimin e një pakete të plotë masash, të cilat do të adresojnë problematikën që kemi me qarkullimin rrugor”.
Duke sjellë në vëmendje situatën aktuale dhe ngjarjet fatale në rrugë, Ministri Lleshaj u shpreh se “vetëm në 2019-ën, kemi humbur jetën e 227 qytetarëve shqiptarë në rrugët e vendit. Shifër e cila është pothuajse se pesë herë më e lartë se shifra e të vrarëve që shkakton krimi në Shqipëri. Pra gjithë kriminaliteti në vend prodhon rreth 50 të vrarë në vit. Kemi shumë të vrarë në rrugët e vendit, dhe ky numër duhet të ulet në mënyrë të vazhdueshme”.  Ministri Lleshaj u shpreh rreth propozimeve për ndërhyrje në kodin rrugor, duke theksuar ashpërsimin e sanksioneve për përdoruesit e celularëve në timon, alkoolin, tejkalimin e shpejtësisë, mosdhënien e përparësisë, drejtimin agresiv të mjetit, pakujdesinë ndaj fëmijëve në mjet, rripin etj. Në lidhje me masat që do të implementohen nga Ministria e Brendshme, Ministri Lleshaj përmendi “zëvendësimin e punonjësve të policisë me teknologji”, “targat inteligjente”, “Lëshimin dhe dërgimin automatik të gjobave” etj.. Ai u shpreh më tej se synojmë që nga fundi i muajit shkurt të kristalizojmë ndryshimet themelore, përmes tryezash të dedikuara për secilën çështje, në bashkëpunim me ekspertë të fushës, shoqërinë civile, median dhe publikun e gjerë.

MINISTRIT I BRENDSHËM LLESHAJ DEKORON 19 PUNONJËS POLICIE
Të dekoruarit janë propozuar e përzgjedhur nga vetë strukturat dhe mbajnë grada të ndryshme, nga më e ulëta të më të lartat

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dekoroi 19 punonjës të Policisë së Shtetit me “Medaljen e Nderit” me motivacionin: “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit dhe sigurimit të rendit dhe të qetësisë publike, në shërbim të Policisë së Shtetit”. Të dekoruarit janë propozuar e përzgjedhur nga vetë strukturat dhe mbajnë grada të ndryshme, nga më e ulëta të më të lartat. Takimi u zhvillua në sallën e madhe të Ministrisë së Brendshme dhe në të morën drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Duke vlerësuar performancën e Policisë së Shtetit gjatë vitit 2019 dhe profesionalizmin e saj, Ministri i Brendshëm theksoi se “gjithë viti 2019 na ka ballafaquar me shembuj të jashtëzakonshëm angazhimi të punonjësve të Policisë së Shtetit.”
Ai më tej vuri në dukje mbështetjen që qeveria shqiptarë ka programuar për strukturat e policisë dhe u shpreh optimist për realizimin në kohë të tyre. Ministri Lleshaj përmendi gjithashtu investimet e mëdha infrastrukturore që do të bëhen për policinë, të tilla si kampusi i ri i Policisë së Shtetit, në të cilën do të përfshihet edhe Drejtoria e Përgjithshme e PSH, Akademia e Sigurisë, Instituti i Policisë Shkencore si dhe ambjente për forcat speciale, që mund t’u shërbejnë edhe trupave të Gardës dhe zjarrfikësve.

POLICIA E SHTETIT KREMTON 107 VJETORIN
Ministri Lleshaj: Mirënjohje e respekt për ata punonjës të policisë shqiptare që dhanë gjënë më të shtrenjtë që kishin, jetën e tyre

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, me rastin e aktiviteteve për 107-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, shprehu mirënjohjen për të gjithë efektivat që kanë shërbyer, që prej themelimit të këtij institucioni. Ai theksoi se fjalën e tij se: “Sot është dita për ta drejtuar vëmendjen dhe mirënjohjen tonë tek të gjithë ata burra e gra që për më shumë se një shekull shërbyen në radhët e policisë shqiptare në të gjitha postet, nga baza në majë, nga periferia në qendër, punonjës të thjeshtë specialist shkencëtarë, drejtues të të gjitha niveleve”. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, morën pjesë edhe Kryeministri z.Edi Rama, deputetë, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesit kryesore të Policisë së Shtetit, Ambasadori i Delegacionit të BE z.Soreca, përfaqësues të misioneve partnere pranë Policisë së Shtetit, drejtues e ish pjesëtarë të dikurshëm të Policisë së Shtetit, ceremoniali, trupat RENEA etj.. Ministri Lleshaj vlerësoi faktin që Policia e Shtetit vijon të kryesojë në renditjen e institucioneve më të besueshme për publikun në vend por u shpreh se “ende jemi larg nivelit të mundësive dhe ambicieve tona, për një polici moderne në të gjitha dimensionet”. Ai bëri një përmbledhje të masave që do të merren në mbështetje të Policisë së Shtetit, të tilla si përmirësimi i kuadrit ligjor, në funksion të një lufte më efikase kundër krimit të organizuar; ngushtimi i vazhdueshëm i hapësirës së krimit të organizuar; programi i masave për rritjen e sigurisë rrugore etj., si dhe modernizimi i teknikave dhe pajisja me infrastrukturë moderne etj..

OPERACIONE POLICORE

ANTIKANABIS, SEKUESTROHEN 28.4 KG KANABIS, ARRESTOHEN 4 VETË
Në Himarë, Kurbin dhe Tiranë, policia godet disa grupe kriminale dhe po hetohet për zbardhjen e lidhjeve të tyre

Policia zhvilloi tre operacione antidrogë në qarqe të ndryshme, gjatë të cilave u arrestuan 4 persona, si dhe u sekuestruan 28.5 kg kanabis, 44.5 gr heroinë, armë, lëndë shpërthyese, dhe prova të tjera materiale. Në Himarë u arrestua në flagrancë një shtetas me banim në Shkodër, të cilit iu sekuestruan 13 kg kanabis, të cilin ai tentoi ta fshihte duke e hedhur nga makina në momentin që po ndiqej nga policia. Shtetasit iu gjet me vet edhe një sasi prej prej 2400 eurosh që iu sekuestruan bashkë me makinën dhe prova të tjera materiale. Në Zhejë të Kurbinit policia arrestoi dy shtetas, të cilëve iu gjetën në banesë një sasi prej 15.5 kg kanabis, të cilën po tentonin ta shisnin. Gjatë kontrollit u kapën edhe një armë zjarri automatik, një sasi municioni luftarak, 22m fitil detonator zjarrpërcjellës, të cilat bashkë me provat tjera materiale iu referuan prokurorisë për hetime të mëtejshme. Ndërsa në Tiranë policia arrestoi një shtetas në flagrancë, me precedentë penalë, i cili merrej me shitje drogash të forta, heroinë. Me vete iu kapën disa doza heroinë, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu sekuestruan edhe dhjetëra doza të tjera me peshë totale 44.5 gr. U sekuestrua gjithashtu një peshore elektronike, një shumë parash, aparate celular sende të tjera në cilësinë e provës materiale. Gjatë këtij aksioni policia ndaloi dhe procedoi në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër të cilit iu gjet me vete 1 dozë heroinë.

PROCEDOHEN 3 PERSONA, SEKUESTROHEN 66 MIJE EURO
Kapet në Kapshticë nj shtetas shqiptar, i shoqëruar nga një shtetase bullgare, u gjenden të fshehura në trup një sasi prej 25 mijë eurosh

Policia sekuestroi gjithsesi 66 mijë euro të padeklaruara në kufi në dy aksione të ndryshme, në pikat kufitare Kakavijë dhe Kapshticë, duke proceduar penalisht 3 shtetas si autorë, të cilët akuzohen veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Në Kakavijë policia kufitare ndaloi një shtetas të cilit gjatë kontrollit në pjesën e brendshme të automjetit, iu gjetën të fshehura një sasi prej 41 mijë euro të padeklaruara. Ndërsa në Kapshticë policia procedoi penalisht dy shtetas një shqiptar, rezident në Greqi dhe një shtetase bullgare, të cilëve gjatë kontrollit iu gjetën të fshehura në trup një sasi prej 25 mijë eurosh të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Policia vijon kontrollet e imtësishme me qëllim parandalimin e krimeve ndërkufitare duke përzgjedhur sipas një programi shtetasit mbi të cilët ka dyshime të arsyeshme.