Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 118 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/01/2020

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 118

Raporti javor nr. 118 – VIDEO
6 – 12 janar 2020

LLESHAJ: 91% E SHËRBIMEVE DO TË KRYHEN ONLINE
Vetëm me këtë ndërhyrje kemi mundësuar që rreth 2 milionë certifikata të mos printohen, por të merren përmes shërbimit online

Ministri i Brendshëm z.Sandër Lleshaj inspektoi zyrat e aplikimit për dokumente biometrike në Njësinë Bashkiake 1 dhe 2 në Tiranë, për të parë se ecurinë e procesit të aplikimit, pas ndërhyrjeve të bëra me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Ministri Lleshaj u shpreh me këtë rast se rritja e shërbimeve online për qytetarët është një prioritet i madh i qeverisë për vitin 2020. Ai theksoi gjithashtu se me ndryshimet e bëra, tashmë qytetarët nuk kanë asnjë detyrim për të mbledhur dokumente që janë në zyrat e shtetit, pasi këtë barrë e merr përsipër vetë shteti.
Në një prononcim për media lidhur me këto ndryshime, Ministri Lleshaj tha se “jemi këtu për të parë se si po shkon procesi i aplikimit për kartat e identitetit dhe pasaportat, në ndjekje të gjithë punës që po bëhet për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Viti 2020 ka filluar me një prioritet të madh të Qeverisë, që ka të bëjë me rritjen e shërbimeve online për qytetarët, në thelb bëhet fjalë për një revolucion të vërtetë në fushën e administrimit dhe të shërbimit ndaj qytetarëve.
Në fillim të këtij viti, ne kemi nisur me 472 shërbime, të cilat ofrohen online nga gjithë administrata e shtetit, ndërkohë që në gjysmën e dytë të vitit ne do të shtojmë edhe 395 shërbime të tjera, që do të thotë rreth 91% e shërbimeve që ofron administrata e shtetit shqiptar do të kryhen online.
Por nuk është vetëm kjo risia. Risia më e madhe dhe revolucioni i vërtetë ka të bëjë me faktin që shteti shqiptar merr përsipër provën e dokumentimit për të gjitha aplikimet e qytetarëve. Pra, të gjitha dokumentet që shteti i ka në zyrat e tij, nuk do t’ia kërkojë më qytetarëve. Qytetarët do të jenë të detyruar vetëm të shkojnë të aplikojnë, pra të plotësojnë formularët përkatës dhe të paraqesin vetëm dokumente që shteti nuk i ka, pjesën tjetër do e bëjë shteti dhe ky është një revolucion i vërtetë i cili bëhet për herë të parë.
Është një reformë e jashtëzakonshme dhe shpresojmë që përmes saj do lehtësohet në mënyrë të ndjeshme barra e qytetarëve, do të ulet koha e pritjes dhe për më tepër ofrimi online do të bëjë që zyrat, të jenë në shtëpinë e çdo qytetari tashmë. Vetëm për të dhënë një detaj lidhur me certifikatat e qytetarëve, që nga momenti kur është futur shërbimi online, kemi arritur të reduktojmë në mënyrë të ndjeshme sasinë e certifikatave që printohen, ose që lëshohen në letër nga Gjendja Civile. Vetëm me këtë ndërhyrje kemi mundësuar që rreth 2 milionë certifikata të mos printohen më dhe të mos lëshohen direkt nga Gjendja Civile, por të merren nga qytetarët përmes shërbimit online. Ne synojmë që të ulim akoma më shumë sasinë e certifikatave që lëshohen në letër, në mënyrë që dalëngadalë të arrijmë tek një shërbim i plotë online, por kjo do të marrë kohën e saj. Por megjithatë 2 milionë në vit janë minus dhe kjo është një arritje e konsiderueshme,” u shpreh Ministri Lleshaj gjatë këtij inspektimi, ku shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj.

MB SIGURON 48 SHËRBIME ONLINE
Voda: Qytetarët të logohen në portalin “e-albania” edhe për sa i përket shtetësisë. Të drejtohen në faqen ku flitet për dokumentet e fitimit, rifitimit, apo lënies së shtetësisë shqiptare

Zv.Ministrja e Brendshme Rovena Voda inspektoi ambjentet e Zyrës së Shërbimit për Qytetarët pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ku bëri një apel për qytetarët që të aplikojnë tashmë online për shumë shërbime nëpërmjet portalit “e-albania”, duke vënë në dukje ato për çështjet e shtetësisë. Voda vuri në dukje se nëpërmjet këtij portali qytetarët fitojnë kohë dhe kanë më pak detyrime për të gjetur dokumentet e duhura, pasi tashmë një pjesë e madhe e tyre sigurohen nga vetë shteti. Duke shpjeguar lehtësitë e këtij procesi, Voda u shpreh se  “jemi në ambjentet e Zyrës së Shërbimit për Qytetarët, ku ofrohet shërbimi i Shtetësisë. Janë tre shërbime, është fitimi, rifitimi dhe lënia e shtetësisë shqiptare. Tashmë qytetarët e qarkut Tiranë nuk do të duhet më të marrin rrugën dhe të vijnë në Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve në Drejtorinë Vendore, por mund të bëjnë online aplikimin për këto tre forma, të fitimit, lënies apo lënies së shtetësisë. Të gjithë qytetarët, ju bëj thirrje të logohen në portalin “e-albania” dhe në të, të drejtohen për sa i përket shtetësisë, pikërisht në faqen ku flitet për dokumentet e fitimit, rifitimit, apo lënies së shtetësisë shqiptare”. Voda theksoi më tej se në kuadër të reformës së shërbimeve online Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ofrojnë 48 shërbime të tilla për qytetarët. Aplikimi është shumë i thjeshtë, merr vetëm disa minuta, kjo do të thotë sigurisht shmangie të radhëve, – tha gjithashtu Zv.Ministrja e Brendshme Voda e cila në këtë inspektim shoqërohej nga Zv.drejtori i DVP Tiranë Dhimitraq Ziu.

MINISTRI LLESHAJ, INTERVISTË NË “KAPITAL” NË VIZION PLUS

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ftuar në “Kapital” me gazetarin Aleksander Furrxhi, në përgjigje të pyetjeve, mohoi që Shqipëria të jetë e rrezikuar nga hakmarrja e Iranit, pas tensionimit të marrëdhënieve me SHBA pas ekzekutimit të gjeneralit iranian. Ai deklaroi se siguria kombëtare e vendit tonë nuk cenohet nga iranianët. “Shqipëria është pozicinuar sdhumë fortë në krah të SHBA. Pyetja lidhur me sigurinë kombëtare nuk shtrohet sepse nuk ka asnjë shans, asnjë idicie, asnjë mundësi që siguria kombëtare e Shqipërisë të cenohet për arsye se siguria kombëtare është e kontraktuar në kuadër të një aleance të madhe, është Aleanca e NATO”. leshaj pranoi se kur bëhet fjalë për sigurinë publike të Shqipërisë, atëherë mund të flasim për një rrezik të vogël. “Siguria publike sigurisht që kemi arsye të jemi të kujdesshëm, të jemi vigjilentë dhe të mendojmë për të parandaluar çdo mundësi për terrorizmin”, tha ministri. Ministri i Brendshëm u shpreh me nota optimizmi se vrasja e biznesmenit Kastriot Reçi në qendër të Rrëshenit do të zbardhet. Ai e cilësoi vrasjen mafioze dhe deklaroi se policia po punon shumë fort për të kapur autorin. “Është e mundur gjithçka, por nuk ka indicvie për asgjë. Ka vetëm një fakt, që kemi të bëjmë me një vrasje mafioze të mirëfilltë. Policia nuk mund të them nëse është afër ose larg zbulimit, por po punon me intensitete të larta, është e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj. Hetimet kanë sjellë progres që jep arsye për optimizëm dhe policia është e bindur se gjithë skema e kësaj vrasjeje do të zbardhet. Nuk mund të ngelet pa u zbardhur”, nenvizoi ministri.

DURRËS – SHÇBA ARRESTON 9 PUNONJËS POLICIE
Dyshohet se lejuan ndërtime pa leje në zonën e Durrësit, Manzës dhe Shijakut

SHÇBA, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës, kanë arrestuar 9 punonjës policie, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, në kuadër të një procedimi penal të nisur në vitin 2019 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“. Gjithashtu janë arrestuar 3 zyrtarë vendorë si dhe 5 shtetas të tjerë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtim të paligjshëm, në bashkëpunim”.  Gjykata e Shkallës së Parë Durrës caktoi masat e sigurimit personal për shtetasit e proceduar duke u mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara dhe administruara gjatë hetimeve, duke vendosur “Arrest në burg” për 10 punonjësit e policisë, 3 zyrtarët vendorë dhe 5 shtetasit e proceduar. Për një shtetas tjetër, me detyrë specialist armatimi pranë DVP Durrës, gjykata vendosi masën “Pezullim nga detyra”. Subjektet e këtij procedimi penal, kryenin funksione publike në Policinë e Shtetit, nëpunës të Njësive Administrative, IKMT-ve dhe INUV-it në Durrës, Shijak dhe Manzë. Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj, duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre. Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të cilët janë përfshirë në këtë veprimtari. Nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Prokurorë dhe hetues të Drejtorisë së Hetimit të SHÇBA.

POLICIA RRUGORE, QINDRA MASA ADMINISTRATIVE
Arrestohen 7 shtetas, vendosen qindra masa për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në të gjithë vendin

Policia Rrugore ka pezulluar 75 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 14 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, ka vënë 105 masa administrative për tejkalim shpejtësie nga monitorimet me radar në disa rrethe të vendit. U arrestuan 5 shtetas për drejtimin e makinës në gjendje të dehur dhe 2 shtetas të tjerë për veprën e korrupsionit aktiv ndaj punonjësve të policisë, në Lezhë dhe në Tiranë.
Në të gjithë vendin, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur: 243 masa administrative për parakalime dhe manovra të gabuara në rrugë, 230 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 647 masa për parkime të gabuara, 74 masa për mosvendosje të rripit të sigurisë, 40 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 28 masa për mungesë siguracioni, 443 masa për shkelje të ndryshme.

SEKUESTROHEN 70900 EURO DHE NJË MJET LUKSOZ
Kakavijë, arrestohen 2 shtetas që po qarkullonin me një mjet të vjedhur, të cilit i kishin ndërruar numrin e shasisë

Policia arrestoi në flagrancë dy shtetas në PKK Kakavijë, pasi po qarkullonin më një mjet luksoz, të vjedhur, ndërkohë që gjatë kontrollit iu gjet edhe një shumë prej 70900 eurosh të padeklaruara. Shtetasve iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale mjeti dhe paratë që kishin me vete, ndërkohë u proceduan për trafikim të mjeteve motorike dhe mosdeklarim të të hollave e sendeve me vlerë. Nga kontrolli i mjetit rezultoi se ishin bërë ndërhyrje mekanike në numrin e shasisë, duke konfirmuar kështu edhe faktin e vjedhjes së tij. Gjatë këtij operacioni, policia kufitare u ndihmua nga ekspertët e Frontex dhe nga ata të Policisë Doganore. Materialet procedurale dhe provat i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme për zbardhjen e të gjithë ngjarjes dhe lidhjeve të tjera të mundshme.