107 vjet, Polici e Shtetit - Reparti i ri i forcave speciale RENEA - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/01/2020

107 vjet, Polici e Shtetit – Reparti i ri i forcave speciale RENEA

107 vjet Polici e Shtetit – Reparti i ri i forcave speciale RENEA – VIDEO

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:

I nderuar Zoti Kryeministër,
I nderuar Ambasador Soreca,
Drejtor i Policisë së Shtetit,
Të nderuar përfaqësues të zyrave dhe misioneve partnere pranë Policisë së Shtetit,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Drejtues dhe pjesëtarë të dikurshëm të Policisë së Shtetit,
Drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit,
Zonja dhe Zotërinj,

Përgjatë 107 vitesh Policia ka kryer një ndër detyrat më të rëndësishme, që lidhen me ekzistencën e vetë shtetit dhe me sigurinë e qytetarëve të tij.

Përkujtimi i sotëm i 107 vjetorit është një detyrim i rëndësishëm që ne përmbushim ndaj historisë sonë, ndaj mundit, sakrificave dhe shërbimit të shumë brezave, të cilët i kanë dhënë jetë institucionit themelor të shtetit shqiptar, duke mbajtur barrën kryesore për sigurinë e tij dhe të qytetarëve të vendit.

Është krejt e kuptueshme që një histori shekullore është e mbushur me shumë ngjarje, me shumë ngjitje, apo dhe rënie, me suksese apo dhe dështime. Por më shumë së çdo gjë tjetër, sot ka vlerë fakti se ne jemi tashmë tek shifra e 107-të si shtet i pavarur, si komb, por edhe si Polici e Shtetit shqiptar.

Sot është dita për ta drejtuar vëmendjen dhe mirënjohjen tonë tek të gjithë ata burra e gra që për më shumë se një shekull shërbyen në radhët e Policisë shqiptare në të gjitha postet, nga baza në majë, nga periferia në qendër, punonjës të thjeshtë specialist shkencëtarë, drejtues të të gjitha niveleve.

Përpara e mbi të gjitha mirënjohja e respekti drejtohet për ata punonjës të Policisë Shqiptare që i dhanë asaj dhe vendit tonë, gjënë më të shtrenjtë që kishin, jetën e tyre.

Më vjen mirë që shoh sot shumë prej veteranëve të Policisë, të cilëve iu shpreh mirënjohjen për kontributin dhe shërbimin ndaj vendit.

107 vjet histori janë një arsye e plotë për investim dhe frymëzim të ri për të ardhmen e vendit tonë dhe të policisë tonë.

Nëse brezat e mëparshëm ia dolën përgjatë 107 viteve në kushtet e tyre, ne mund dhe do t’ia dalim në këtë segment të së ardhmes, që na përket neve për ta zhvilluar, në kushte shumë më të përshtatshme.

Policia e Shtetit shqiptar kryeson sot pa asnjë diskutim dhe me të gjithë meritat e mundshme, listën e institucioneve më të vlerësuara dhe më të besueshme për publikun në Shqipëri. Por pa asnjë diskutim dhe pa asnjë dyshim, ne të gjithë e dimë se ende jemi larg pritshmërisë publike dhe larg nivelit të mundësive dhe ambicieve tona, për një polici moderne në të gjitha dimensionet.

Në të njëjtën kohë ne e dimë mirë se çfarë duhet të arrijmë, cila është rruga për këtë dhe me çfarë mjetesh dhe burimesh do të punojmë.

Lufta kundër krimit në tërësi dhe atij të organizuar në veçanti, është fushë-beteja kryesore për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.

Sukseset e padiskutueshme të arritura në këtë betejë, janë argumenti kryesor që mbështet thellimin e mëtejshëm të luftës në këtë front.

Qeveria shqiptare nën lidershipin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama, edhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë të vendit, po punon fort në dy drejtime të rëndësishme.

Së pari, përmirësimin e kuadrit ligjor në funksion të një lufte më efikase kundër krimit të organizuar, me synim që policia të ketë kompetenca të mjaftueshme për sukses të plotë në këtë përballje, dhe së dyti, ngushtimin e vazhdueshëm të hapësirës së veprimit për grupet dhe rrjetet e krimit të organizuar. Si aspekti i tretë, është fuqizimi i kapaciteteve dhe modernizimi i pandërprerë i Policisë së Shtetit.

Inaugurimi i këtyre mjediseve moderne të Forcave Speciale të Policisë së Shtetit sot, që janë financuar nga Qeveria shqiptare dhe nga BE-ja në kuadër të programit IPA, është vetëm një element, që provon se cili është vizioni, cilët janë partnerët dhe cila është e ardhmja jonë në këtë drejtim.

Në ditët në vijim do të kemi rastin për të parë finalizimin e projekteve të tjera në fushën e modernizimit të Policisë së Shtetit, apo dhe fillimin e disa të tjerëve po aq të rëndësishëm.

Me këtë rast kam kënaqësinë të falënderoj Ambasadorin Soreca, ekipin e delegacionit të BE në Tiranë dhe Komisionin Europian për mbështetjen e madhe që kanë dhënë dhe që vijojnë të japin në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit tonë.

Një tjetër fushë e rëndësishme e sigurisë publike, e cila paraqet sfida dhe probleme të shumta për ne është dhe siguria rrugore, e cila gjatë vitit 2020 e në vijim do të njohë një vëmendje të dorës së parë.

Përmes një programi të gjerë masash të karakterit ligjor, administrativ, operacional dhe teknik, do të synohet arritja e një niveli shumë herë më të përmirësuar të gjendjes së sigurisë rrugore në vend.

Për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, viti 2020 do të jetë viti i sigurisë rrugore.

Zonja dhe zotërinj,

I përmenda këto prioritete madhore, politike, në këtë ditë përkujtimore, pikërisht në respekt të 107 viteve të policisë shqiptare, si shenjë e një angazhimi serioz për të vijuar rrugën e rritjes dhe të modernizimit të saj në kuadër të përpjekjeve të të gjithë shtetit dhe shoqërisë për më shumë demokraci, siguri, prosperitet dhe mirëqenie drejt standardeve dhe vlerave më të mira europiane.

Duke përfunduar u uroj të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Shtetit, atyre që shërbejnë sot dhe atyre që janë jashtë radhëve të saj, si edhe të gjithë shqiptarëve: – Gëzuar përvjetorin e 107 të Policisë së Shtetit shqiptar!
Faleminderit!