Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 117 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 30/12/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 117

Raporti javor Nr. 117 – VIDEO
23-30 dhjetor 2019

FESTA TË SIGURTA – POLICIA ME SHËRBIME SHTESË
Ministri kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të ndihmuar policinë në zbatimin e masave për rendin e sigurinë

Gjatë inspektimit në sallën operative të DVP Tiranë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka bërë të ditura prioritetet e punës së policisë me rastin e festave të fundvitit. Ai u shpreh se për shkak të ngarkesës së shtuar gjatë festave “Një numër i madh i Policisë së Shtetit nuk do të ketë festë, por do të ketë shërbim.”
Duke përmbledhur çështjet ku do të fokusohet puna e strukturave të policisë gjatë fundvitit, Ministri Lleshaj deklaroi se “Policia është e fokusuar në disa drejtime kryesore; e para në drejtimin e menaxhimit të të gjithë fluksit të kalimit në pikat tona kufitare, për arsye se fundi i vitit shton numrin e qytetarëve shqiptarë që hyjnë apo dalin nga territori. Po kështu vëmendje e madhe i kushtohet çështjeve të trafikut, sigurisë rrugore në përgjithësi, luftës kundër krimit, mbajtja në monitorim e elementëve me precedentë kriminalë si edhe çështje që kanë të bëjnë me rendin publik. Kryesisht dhe fokus i veçantë i Policisë është çështja e ruajtjes së festës nga zhurmat, nga incidentet, nga shpërthimet, nga fishekzjarret, nga kapsollat dhe gjithë elementët e tjerë piroteknikë, të cilët për vite të tëra kanë shqetësuar dhe kanë shkaktuar probleme të mëdha”.
Ministri Lleshaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të ndihmuar policinë në zbatimin e masave për rendin dhe sigurinë, duke raportuar në kohë në numrat e emergjencës ose përmes “Komisariatit Dixhital”. “Policia e Shtetit është e angazhuar me një prani të shtuar në territor për t’iu përgjigjur çdo shqetësimi qytetar dhe e rëndësishme mbetet që qytetarët të bashkëpunojnë, pra të informojnë Policinë e Shtetit përmes të gjithë kanaleve të cilat janë të gjitha funksionale, qoftë përmes telefonit 112-ës apo edhe numrave të tjerë, qoftë përmes aplikacionit Komisariati Dixhital, apo në rrugë të tjera, në mënyrë që të garantojmë që festat do të zhvillohen në qetësi të plotë ashtu siç duhet dhe të evitojmë çdo incident apo çdo person, i cili mundohet të shfrytëzojë nganjëherë festat për të bërë edhe veprimtari të dëmshme,” u shpreh Ministri Lleshaj.

VITI 2019 – SIGURIA, NË NIVELET MË TË MIRA HISTORIKE
Lleshaj: 2019 ka qenë mjaft i ngarkuar me ngjarje, çka ka sjellë një barrë shtesë për punën e Policisë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se parametrat e sigurisë në vend janë në nivelet më të mira historike. Gjatë një prononcimi për mediat ai vuri në dukje se viti 2019 ka qenë mjaft i ngarkuar me ngjarje, çka ka sjellë një barrë shtesë për punën e Policisë së Shtetit.  I pyetur se si e vlerësonte gjendjen e sigurisë për vitin 2019, Ministri pohoi se: “2019-ta ka qenë një vit i ngarkuar. Mund të themi që po i afrohemi mbylljes së vitit me tregues mjaft optimistë, sa i përket progresit të bërë. Për këtë do kemi kohë të flasim ndoshta në ditët e para të janarit, në kuadër të një analize, ku do t’i pasqyrojmë më mirë treguesit”. Në lidhje me gjendjen e sigurisë në vend, Ministri Lleshaj theksoi se : “të gjithë treguesit që karakterizojnë sigurinë publike në vend janë në nivelet më të mira historike”. Siç është traditë, në javët e para të janarit, strukturat e policisë në qarqe zhvillojnë analiza për gjithë punën në harkun e një viti, proces i cili mbyllet me analizën e DPPSH-së.

INTEGRITETI – SHÇBA PROCEDON 6 PUNONJËS POLICIE
Korçë, u ndalon 2 punonjës, të dyshuar si të implikuar në kontrabandë; Gjirokastër, u pezulluan 4 punonjës, dyshohen se lejuan kultivim të narkotikëve

SHÇBA ndaloi dy punonjës policie në Korçë, pasi dyshohet se janë të përfshirë në një skemë kontrabande në pikën kufitare të Gorricës, për një ngjarje në të cilën më herët janë arrestuar edhe 3 punonjës policie të tjerë. Ndaj dy punonjësve të policisë gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” lidhur me ngjarjen në fjalë. Të arrestuarit janë me gradën “Inspektor” dhe ishin me detyrë ndihmës specialist/kontrollor në P.K.K-Gorricë. Të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me doganierë, por dhe me disa shtetas, në keqpërdorim të atributeve, që u jepte detyra në P.K.K. Gorricë, lejonin e favorizonin futjen e automjeteve me mallra kontrabandë ose mallra, të cilat nuk lejohen të futen në Shqipëri, në këmbim të përfitimeve monetare. Në Gjirokastër, SHÇBA ekzekutoi vendimet e gjykatës për 4 punonjës policie të cilët janë pezulluar nga detyra si të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”. Ndaj tyre gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi” në kuadër të një procedimi për kultivim kanabisi, në njësinë administrative Pogon ku u asgjësuan bimë narkotike. Gjykata shpalli në kërkim edhe një shtetas nga Lazarati, për të cilin është caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg”.

SEKUESTROHEN MIJËRA KAPSOLLA E FISHEKZJARRË
Procedohen penalisht pronarët e dyqaneve ku u gjetën kapsollat

Policia sekuestroi në Bulqizë 7680 kapsolla ndërsa në Gjirokastër 365 fishekzjarrë dhe 1130 kapsolla, të cilat janë të ndaluara për t’u tregtuar. Në bazë të vendimit “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike”, strukturat e policisë po ushtrojnë kontrolle në të gjithë territorin e vendit dhe pikat ku dyshohet se mund të shitet ilegalisht.
Në Bulqizë, gjatë kontrolleve të dy dyqaneve, u gjetën dhe sekuestruan 7680 kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale ndërsa pronarët e tyre u proceduan penalisht. Ndërkohë në Gjirokastër, gjatë kontrolleve u gjetën të magazinuara 1130 kapsolla dhe 365 fishekzjarrë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale ndërsa vijon puna për veprime e mëtejshme. Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 e Komisariatin Dixhital çdo rast të tregtimit apo përdorimit të kapsollave, fishekzjarrëve dhe çdo rast të paligjshmërisë.

LEZHË – ARRESTOHEN 2 VETË, KAPEN 52 KG KANABIS
Operacioni për goditjen e trafikimit e shitjes së narkotikëve

Policia arrestoi në flagrancë dy shtetas në Lezhë, të cilët në bashkëpunim me tjetër, po transportonin një sasi prej 52 kg lëndë narkotike kanabis. Në bazë të informacioneve në rrugë operative, policia ishte në dijeni të trafikimit të kësaj sasie lënde narkotike drejt kufirit për në Malin e Zi. Skema e transportit ishte e tillë ku një makinë lëvizte para për të kontrolluar rrugën, ndërsa mjeti me lëndën narkotike vinte më pas. Forcat e policisë kanë ndërhyrë në Lezhë duke ndaluar makinën pararojë, dhe duke bërë arrestimin e 2 personave që gjendeshin në të. Personi i tretë, i cili transportonte lëndën narkotike, ka mundur të ndalë makinën pa arritur te postblloku i policisë, duke u larguar nga vendngjarja. Policia ka shpallur në kërkim autorin, 29 vjeç, banues në Shkodër dhe vijon puna për kapjen e tij. Policia, nën drejtim e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me DVP Tiranë e Shkodër po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.