Masat e marra dhe angazhimi për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit - Shqipëria Solidare - Ministria e Brendshme
Postuar më: 02/12/2019

Masat e marra dhe angazhimi për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit – Shqipëria Solidare

Tërmeti i 26 Nëntorit, ditë pas dite

1 Dhjetor

Grupet e verifikimit të dëmeve infrastrukturore në banesa vijojnë punën në qytetin e Laçit.

Apel për banorët, të mos hyjnë në pallatet e rrethuara me shiritin e kuq, pasi janë të rrezikshme për banim!

#TiNukDoJeshKurrëVetëm

 

1 Dhjetor – Mbledhja e radhës e Qendrës Operacionale të Emergjencave, Lezhë

✅ Vijon puna në terren për evidentimin e gjithë objekteve të dëmtuara që paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve. Për t’i përfunduar në një kohë të shpejtë, me cilësi e besueshmëri aktet e ekspertimit janë angazhuar ekspertët inxhinierë më të mirë.

✅ Janë marrë masa të plota në bashkëpunim me rrjetin hotelier të zonës, për akomodimin e mbi 1 mijë qytetarëve në nevojë nga Laçi, Lezha e Thumana, në hotele në Shëngjin.

✅ Për të mirë-administruar ndihmat e mbledhura dhe ato që vijojnë të grumbullohen për qarkun Lezhë janë përzgjedhur kapanone të posaçme dhe një staf i bashkive menaxhon procesin.

📞 Qytetarët mund të telefonojnë në numrin 069 297 69 82 të Q.O.E. Lezhë për çdo shqetësim apo nevojë.

#Shqiperisolidare

30 Nëntor – Në Milot u ngrit Qendra Operacionale për menaxhimin e situatës së krijuar pas tërmetit në qarkun Lezhë

Përfaqësuesi i Prefekturës është përgjegjësi kryesor dhe kjo Qendër do të shërbejë për grumbullimin e gjithë informacionit e problematikave, me qëllim koordinimin e veprimeve për zgjidhjen në kohë të tyre. Në Qendrën Operacionale janë anëtarë nga të gjitha institucionet shtetërore, Bashkitë, Policia, Shëndetësia, Arsimi, Zjarrfikëset. Një kënd i posaçëm do të jetë në dispozicion të gjithë organizatave apo aktorëve të tjerë vendas dhe të huaj që do të bashkohen në aksionet e përbashkëta. Qendra do të funksionojë 24/24 dhe do të drejtojë dhe koordinojë gjithë veprimtaritë në funksion të menaxhimit të emergjencës në Qarkun e Lezhës.

#ShqiperiSolidare

30 Nëntor – Ministri Lleshaj në rrjetet sociale:

“Për 4 ditë me radhë, rreth 450 punonjës të Shërbimit Zjarrfikës nga 45 bashki në vend u angazhuan në një sfidë të madhe e tepër të rrezikshme, ku shpëtuan dhjetëra jetë njerëzore, mbetur nën rrënojat e tërmetit shkatërrues në Durrës e Thumanë, Krujë. Sakrificë e vetëmohim, duke punuar pa u ndalur. Krenarë për guximin e këtyre burrave dhe profesionistëve, që nuk u tërhoqën edhe nën lëkundjet e vazhdueshme të tokës, por vijonin të gërmonin e qëndronin vetë nën kolonat e rrëzuara”.

28 Nëntor – Ministri Lleshaj në rrjetet sociale:

“Është koha për të mirë-administruar gjithë masat dhe gjendur pranë çdo familjeje në nevojë, të dëmtuar nga tërmeti. Në Thumanë, në kampin e ngritur për të strehuar përkohësisht familjet pa banesa, ka një angazhim të madh jo vetëm të strukturave shtetërore por edhe dhjetëra vullnetarëve”.

28 Nëntor – Ministri Lleshaj në rrjetet sociale:

“28 Nëntori i sivjetëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer. Ky flamur, që u gjet pak minuta para mesnatës së mbrëmshme, shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga gërmadhat në Thumanë, sikur i ndriçoi sytë dhe zemrat e heronjve shqiptarë, që edhe me thonj kanë gërmuar pa pushim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Ishte ky flamur, i nxjerë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës. Le të jetë ky flamur, lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare. Rroftë Shqipëria!”

27 Nëntor – Ministri Lleshaj në rrjetet sociale:

“Vijon operacioni i kërkim-shpëtimit këtu në Thumanë, nisur që prej orëve të para të mëngjesit, në ditën e dytë. Krenarë dhe shumë vlerësime për punën dhe angazhimin e këtyre forcave”.

#Shqiperisolidare

27 Nëntor – Ministri Lleshaj në rrjetet sociale:

“Edhe sot në Thumanë, aty ku prej shumë orësh forca policore, të ushtrisë, të Emergjencave Civile si dhe ekspertë e forca të sigurisë civile nga vendet mike, po punojnë pa reshtur në operacione kërkim shpëtimi. Respekt për këto forca, për kurajon e angazhimin. Të sigurojmë që çdo familje apo person i prekur nga pasojat e tërmetit, të kalojë në perimetrin e sigurisë. Të mbrojmë çdo jetë njerëzore dhe të shmangim çdo burim të mundshëm rreziku. Mbetemi të angazhuar për të rindërtuar gjithë banesat e rrënuara nga tërmeti. Sytë dhe zemrat e shqiptarëve bashkohen me dhimbjen e familjarëve, që kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur”.

#Shqiperiasolidare

 

27 Nëntor – Drejtues dhe nëpunës të MB dhurojnë gjak për të plagosurit

Bashkë me angazhimin e mbi 2400 punonjësve të Policisë dhe të shërbimeve të tjera në terren, sot drejtues e nëpunës të Ministrisë së Brendshme kontribuuan duke dhënë gjak për personat e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Një ndër pasojat më të rënda të tërmetit ishte numri i lartë i të plagosurve, që kanë humbur mjaft gjak, shumica e të cilëve janë shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Për të treguar solidaritet me të dëmtuarit, drejtues e nëpunës së aparatit të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë, u organizuan në mënyrë vullnetare, për të dhuruar gjak pranë bankës së gjakut në Spitalin e Traumës. Sot, për çdo qytetar shqiptar, është detyrim të shpreh solidaritet me familjet e goditura rëndë nga tërmeti. Në kohën kur në ndihmë të të dëmtuarve kanë shprehur solidaritet shumë shtete të huaja, angazhimi qytetar përbën një detyrim për gjithsecilin, pasi jo vetëm lehtëson dhimbjen e atyre që sot kanë më shumë nevojë, por dëshmon edhe vlerat tona si komb.

#ShqipëriaSolidare
#dhurimgjaku
#angazhimqytetar
#MinistriaeBrendshme

27 Nëntor – Ministri Lleshaj në rrjetet sociale:

Çdo shqiptar ka sot mundësinë për të kontribuuar në lehtësimin e pasojave të tërmetit shkatërrues. Qeveria ka vënë në dispozicion një adresë të vetme për të gjitha llojet e kontributeve:
👇
https://e-albania.al

 

26 Nëntor – Ministrat e Brendshëm dhe Shëndetësisë të Malit të Zi, në zonën e tërmetit

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Mevludin Nuhodžić, si dhe Ministri i Shëndetësisë Kenan Hrapović udhëtuan sot me helikopter drejt një prej zonave më të prekura nga tërmeti, me pasoja në njerëz dhe banesa të dëmtuara. Zyrtarët e lartë të kabinetit qeveritar në Malin e Zi u takuan dhe panë nga afër së bashku me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, punën e punonjësve të emergjencave dhe ndërhyrjet e tyre për shpëtimin e jetëve, në Thumanë. Ata shprehën në emër të Qeverisë së Malit të Zi, solidaritetin e dhimbjen e thellë, si dhe u treguan të gatshëm për të ofruar mbështetje për operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe në fushën mjekësore për të lënduarit.

26 Nëntor – Ministrat e Brendshëm të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, letra ngushëllimi dhe mesazhe mbështetje ministrit Lleshaj, për pasojat dramatike të tërmeteve të mëngjesit të sotëm.

Ministrat e Brendshëm të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i kanë dërguar letra ngushëllimi Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, duke shprehur dhimbjen për humbjet njerëzore dhe shprehin mbështetjen për forcat e emergjencave në Shqipëri, të angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit.

“Me pikëllim të thellë mësova lajmin për tërmetet e shkaktuara në orët e hershme të mëngjesit, të cilët kanë prekur disa lokacione në Republikën e Shqipërisë. Ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura të qytetarëve. Shpresoj që personat e ngujuar të shpëtohen sa më parë, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për të gjithë qytetarët e lënduar. Populli i Kosovës bashkë-ndjen dhimbjen dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe po lutemi për bashkëkombësit tanë në Shqipëri që t’u lehtësohen vuajtjet dhe dhimbjet.

I nderuar ministër,

Unë sot kam kërkuar mobilizim të plotë të agjencive tona për t’ju dalë në ndihmë Qeverisë së Shqipërisë dhe popullit shqiptar dhe disa ekipe janë nisur drejt Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbetemi në dispozicionin tuaj për t’ju ofruar çfarëdo mbështetje”, shkruan ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa.

“Jam i prekur thellë nga lajmet e fundit për viktimat, plagosjet dhe dëmtimet e mëdha të shkaktuara nga tërmeti që ka prekur më së shumti rajonin e Durrësit. Humbja më e madhe është për familjet e viktimave, të cilave, në emër të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të thella dhe lutem për ta, në këto kohë të vështira. Ministria e Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut ofron gjithë mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme, për përballimin e situatës aktuale”, shkruan në mesazhin e tij, ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.

26 Nëntor – Ministri Lleshaj në rrjetet sociale:

“I vetmi ngushëllim për tragjedinë e sotme është heroizmi i pashoq i punonjësve të Policisë, të Ushtrisë, Zjarrfikësve, Shërbimit Shëndetësor, vullnetarëve e shumë të tjerëve. Mirënjohje pa fund për secilin!”