Ministri Lleshaj prezanton p/buxhetin 2020 në Komisionin e Sigurisë dhe Komisionin e Ligjeve/Investimet kryesore të MB - Ministria e Brendshme
Postuar më: 21/11/2019

Ministri Lleshaj prezanton p/buxhetin 2020 në Komisionin e Sigurisë dhe Komisionin e Ligjeve/Investimet kryesore të MB

INVESTIMET KRYESORE TË MINISTRISË SË BRENDSHME NË 2020

VIDEO – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj prezantoi p/buxhetin 2020 në Komisionin e Sigurisë:

Në daljen e tij para Komisionit të Sigurisë, ministri Lleshaj ka theksuar objektivat kryesore që synohet të arrihen nëpërmjet p/buxhetit 2020 për Ministrinë e Brendshme. Ai tha se prioritetet e qeverisjes janë të reflektuara në programet buxhetore dhe ai u shpreh optimist për realizimin e tyre. Lleshaj shtoi se ky p/buxhet shënon një rritje prej 1.4% në raport me atë të 2019 dhe se njëherësh është rritur edhe financimi i jashtëm në totalin e tij.

Disa nga investimet e rëndësishme që përmendi, ishin Korpusi i Policisë së Shtetit, Laboratori i ri Shkencor modern, rinovimi i flotës së mjeteve, armatim dhe pajisje të reja, rikonstruksione të komisariateve dhe drejtorive vendore të policisë etj.

Më poshtë një përmbledhje tematike e fjalës së Lleshajt para deputetëve:

Ministria e Brendshme ka 5 programe buxhetore, që janë Policia e Shtetit, Garda e Republikës, Planifikimi e Menaxhimi, Prefektura si dhe funksionet e deleguara të pushtetit vendor, nga të cilat pjesën më të madhe e zenë programet që lidhet me sigurinë, Garda dhe Policia e Shtetit.

Në 2019 buxheti i planifikuar ishte 20.7 miliard, ndërkohë me ndryshimet e bëra, u rrit gjatë vitit edhe me 1% dhe shkoi 21 miliard. Nga ky buxhet Policia e Shtetit ka marrë pjesën më të madhe me 80.3%, ose 16.9 mld; Garda e Republikës 1.5 mld, ose 7.5% e këtij buxheti, Planifikimi dhe menaxhimi 1.3 mld, ose 6%, prefekturat dhe funksionet e deleguara kanë marrë 607 mln ose ose 3.2% të buxhetit total.

Ky buxhet është realizuar në shifra të kënaqshme, aktualisht në 91% dhe besojmë, deri në fund të vitit do të realizohet 100%.

Nga projektet kryesore të realizuara gjatë vitit 2019, janë ndërtimi i Komisariatit Special Renea, ndërtimi i DVP Shkodër etj..

Investime të rëndësishme janë në mjete transporti për policinë, me bashkëfinancim me strukturat e BE.

Gjatë 2019 ka filluar puna për projektimin e korpusit të ri të Policisë së Shtetit, korpus i cili është planifikuar të nisë nga ndërtimi gjatë vitit 2020.
Korpusi do të ndërtohet në terrenet aktuale pranë Akademisë së Sigurisë dhe në të do të vendoset edhe institucioni i Policisë Shkencore.

Janë bërë investime të rëndësishme në armatime dhe pajisje për Policinë e Rendit, të Kufirit etj.

P/buxheti i 2020, i miratuar në qeveri, ka disa objektiva kryesorë në fushën e sigurisë që lidhen me Policinë e Shtetit. Për realizimin e këtij objektivi madhor, është planifikuar mbështetje buxhetore të këtij prioriteti dhe në mbështetjen e Policisë me kompetenca të reja ligjore.

Prioritet tjetër që mbështetet me buxhet është kontrolli flukseve migratore, migracionit të parregullt, i cili vijon të zhvillohet në kufirin tonë jugor.

Garda e Republikës ka marrë disa përgjegjësi të reja në kuadër të reformës në drejtësi, për ruajtjen e personaliteteve të drejtësisë dhe në këtë kuadër janë shtuar fondet dhe personeli i saj.

Objektiv i rëndësishëm i MB për 2020, është forcimi i kapaciteteve të Policisë Shkencore, dmth Laboratori i Policisë Shkencore, i cili do të fillojë ndërtimin gjatë vitit 2020.

Plotësimi i detyrimeve të ligjit për vetingun është një objektiv tjetër shumë i rëndëishëm dhe meqë SHÇBA ka një rol kryesor në këtë proces, i është dhënë mbështetje shtesë buxhetore dhe me personel.

Në shifra kryesore, buxheti 2020 krahasuar më 2019, shënon një rritje prej 1.4 % dhe arrin në vlerën 21 miliard lekë. 20.2 mld janë financim i brendshëm dhe 818.8 mln financim i huaj, ose 3.9% rritje në krahasim me 2019.

Policia e Shtetit do të ketë 17 miliard lekë ose 80.9 % të buxhetit në total, në raport me buxhetin e vitit 2019 ka një rritje prej 2% plus.

Garda e Republikës do të ketë 1.7 miliard leke ose 7.9 % e buxhetit total dhe në raport me vitin 2019 do të ketë një rritje prej 6 % plus.
-Programi i vetëm që pëson ulje nga programet e Ministrisë së Brendshme është ai që ka të bëjë me menaxhimin e përgjithshëm dhe administrimin pra ai program që menaxhohet nga vetë Ministria e Brendshme i cili do të ketë 1.1 miliard lekë me një ulje rreth 8 % krahasuar me vitin 2019.

Uljet që i janë bërë programit të menaxhimit të përgjithshëm dhe administrimit shkojnë favor të Policisë, Gardës, SHÇBA-së e me radhë.

Gjendja civile ka 683.5 milion ose plus 1% krahasuar me vitin 2019.

Ndërkohë që prefektura dhe funksionet e deleguara kanë 540 milion lekë ose 1.35 % më shumë nga një vit më parë.

Në favor të shpenzimeve të personelit shkojnë rreth 15.7 miliard lekë, shpenzimet operative 3.5 miliard, investimet 1 miliard dhe shpenzimet për investimet nga financimi i huaj 819 milion.

Pra rreth 75% të buxhetit e merr personeli, 16.9% shpenzime te tjera dhe për investimet janë 5% investimi i brendshëm dhe 3.9% financimi i huaj, që këto rreth 9% e totalit është investimet.

Do të bëhen investime në Drejtorinë Vendore të Policisë në Shkodër. Këtë vit do të jetë rreth 25 milion lekë për ta mbyllur të gjithë këtë investim të rëndësishëm.

Puna do të vijojë edhe për një projekt i cili ka nisur për Dhomat e Shoqërimit dhe Blloku i Sigurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë parashikuar 142 milion lekë.

Investim në pikën kufitare Qafë-Botë, projekt i cili do të realizohet në bashkëpunim me Bashkimin Europian në vlerën e 32 milion lekëve. Përparësi menaxhimi jugor i kufirit të vendit merr përparësi, ku po zhvillohet operacioni me Frontex dhe po merr vlerësim nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Projekt shumë i rëndësishëm, prioritet i këtij viti rindërtimi ose ndërtimi nga e para e Institutit të Policisë Shkencore. Krijimi i një laboratori të policisë shkencore shumë i domosdoshëm. Vëmendja prioritara e Ministrisë është vendosur në rindërtimin e këtij institucioni, që shërben jo vetëm për Policinë e Shtetit por për sistemin e drejtësisë në tërësi.

Janë parashikuar investime të rëndësishme për fuqizmin e flotës së automjeteve në dispozicion të Policisë së Shtetit. Policia i ka nevojë organike mjetet dhe automjete, për këtë arsye do të vijojë edhe këtë vit për fuqizimin e mëtejshëm të flotës me automjete të përshtatshme.

Parashikohet rritja e numrit të automjeteve me 150 mikrobuzë, 5 fuoristrada etj.

Do të vijojnë planet për fuqizimin e kapaciteteve të Policisë Kriminale dhe Policinë Shkencore me pajisje, mjete të reja, teknikë, metoda speciale për t’i vënë në funksion të proceseve hetimore.

Investimi në një godinë të re për SHÇBA, me qëllim që ky institucion të mund të kryejë në kushte optimale detyrat e tij ligjore.

Aplikimi i aparaturës Poligraf në funksion të vetingut në Polici dhe në funksion të vetingut në strukturat e tjera si gjyqësori dhe më gjerë.

Rritje e buxhetit të Gardës së Republikës krahasuar me vitin e kaluar, referuar edhe rritjes së detyrave dhe përgjegjësisë në shërbim të sigurisë së autoriteteve apo personaliteteve si gjyqtarë, prokurorë.

Investim në armatim, teknologji, në fushën e mbrojtjes ndaj lëndëve eksplozive, në fushën e mbrojtjes nga lëndët e shkatërrimit në masë, me qëllim vijimin e plotësimit të kërkesave që ka funksioni i Gardës së Republikës.

Parashikohen investime të caktuara në prefektura. Përfundimi i restaurimit të Prefekturës së Tiranës, me qëllim ndjekjen më tej të këtij modeli edhe nga prefekturat e tjera të vendit. Modernizim i shërbimit që i ofrohet qytetarëve në zyrat e Gjendjes Civile.

VIDEO – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj prezantoi p/buxhetin 2020 në Komisionin e Ligjeve:

Prefektura

Sa u përket Prefekturave, sigurisht që Qeveria e vlerëson dhe ka ndërmend të merret seriozisht me Prefekturat, në kuptimin e rritjes së rolit të tyre si përfaqësuese të pushtetit qendror në nivelin vendor. Prefekti, si institucion, të njohë një fuqizim të rolit të tij, në aspektin e marrëdhënies me njësinë e qeverisjes vendore, me bashkitë, në aspektin e planifikimit të nevojave të këtyre bashkive për pushtetin qendror, në aspektin e auditimit të këtyre njësive të pushtetit vendor. Po ashtu, Prefektura do të ketë një rol të rëndësishëm sa i përket koordinimit të degëve territoriale të pushtetit qendror, që janë vendoset në qark dhe në prefekturë.

Prefekti do të vijë përditë e më shumë duke marrë një rol të qeverisë në nivel vendor, ashtu siç e përcakton ligji. Por për këtë i duhen dhënë instrumenta; instrumenta ligjorë, e së shpejti do të kemi një propozim për ndërhyrjen në disa vendime të Qeverisë dhe në ligjin “Për Prefektin” në mënyrë që roli i Prefektit të vijë duke u rritur. Të jetë ai ndërmjetësi në të gjitha raportet e qeverisë qendrore me pushtetin vendor.

Po kështu edhe në nivelin e Ministrisë së Brendshme do të donim ndërhyrje të caktuara, të cilat disa funksione, që sot janë shpërndarë në ministritë e tjera, të merren e të kalojnë te Ministria e Brendshme me qëllim që Ministria e Brendshme të luajë përherë atë rol që i takon me ligj, si një Ministri e pushtetit vendor, rol i cili për shkaqe të ndryshme, në këto vite, ka njohur njëfarë zbehjeje, por në vitin 2020 do të njohë një ridimensionim.

Sa u përket investimeve, nuk është se kemi parashikuar investime të mëdha në Prefektura. Pra thashë, investimi në prefektura do të jetë në kuptimin ligjor, kompetenca, atribute të reja, që u japim prefektëve. Ndërsa sa u përket parave, do t’u japim ato para që kanë marrë, me ndonjë shtesë të lehtë, kryesisht sa u përket pajisjeve, mjediseve të tyre të punës.

Do të vazhdojë puna për rikonstruksionin dhe restaurimin e godinës së Prefekturës së Tiranës, me një vlerë prej 40 mln lekësh për këtë vit, në 2020, e cila do të mundësojë që të ndërtojmë një Prefekturë, ashtu siç duhet të jetë, për të vijuar me tej në prefekturat tjera. Ideja është që i njëjti stadard të aplikohet edhe në prefekturat tjera.

Gjendja Civile

Sa i përket Gjendjes Civile, kemi një investim modest të ri, që ka të bëjë me pajisjet elektronike për arsye se GJC është tashmë një strukturë, e cila funksionon ose ofron shërbime kryesisht online dhe për ta përmirësuar më shumë cilësinë e shërbimeve të saj do të bëhen investime, pra blerje pajisjesh elektronike, që mundësojnë funksionimin normal të kësaj strukture.

Burimet Njerëzore

Sa i përket numrave, themi që në vitin 2020 është shtuar Garda e Republikës me 27 persona, është shtuar SHÇBA me 31 persona dhe ndërkohë që janë bërë disa zvogëlime për disa struktura të tjera, të cilat janë larguar nga fusha e përgjegjësisë e Ministrisë së Brendshme siç ka qenë Komisioni për Verifikimin e Titujve të Pronësisë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave.

A kemi nevoja më shumë? Patjetër që kemi nevoja më shumë, por këto nevoja ne i kemi diskutuar në Qeveri, sigurisht nëse ju do të keni mundësi të ndikoni që kjo Ministri të marri më shumë para, por nuk e di se ku do gjejë burimet, do të ishin të mirëpritur. Megjithatë ne jemi optimistë që buxheti që na është dhënë e mundëson që Ministria e Brendshme ta kryejë me sukses misionin, të realizojë objektivat e vendosura në programin qeveritar për vitin 2020.
Faleminderit!

 

INVESTIMET KRYESORE TË MINISTRISË SË BRENDSHME NË 2020

Buxheti i 2020, 21 miliard lekë – 1.4 % më shumë se 2019

• Rindërtimi i objektit të Policisë Shkencore

• Projektimi i mjediseve e infrastrukturës të Forcës së Posaçme Operacionale (përfshin Njësinë e re për kërkimin dhe kapjen e personave në kërkim)

• Përfundon godina e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër

• Përfundojnë punimet për bllokun e Dhomave të Shoqërimit dhe Sigurisë, në DVP Tiranë

• Rindërtimi i Pikës Kufitare të Qafë Botës

• Rinovimi i flotës së Policisë së Shtetit

• Fuqizim i kapaciteteve të Policisë Kriminale me mjete, pajisje, teknikë

• Godinë e re për SHÇBA

• Blerje armatimi, teknologjie për Gardën e Republikës

• Përfundon restaurimi i Prefekturës së Tiranës

• Modernizimi i shërbimeve në Gjendjen Civile

• Shtesë me 27 efektivë në Gardën e Republikës

• Shtesë me 31 efektivë në SHÇBA