Ministri Lleshaj: Po kërkojmë rrugë, mundësi e partnerë, që mund të na ndihmojnë për riatdhesimin e fëmijëve jetimë shqiptarë nga Siria - Ministria e Brendshme
Postuar më: 07/11/2019

Ministri Lleshaj: Po kërkojmë rrugë, mundësi e partnerë, që mund të na ndihmojnë për riatdhesimin e fëmijëve jetimë shqiptarë nga Siria

Bejrut – Prej një jave, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ndodhet në Liban, në një operacion të vështirë të Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, Kryqit të Kuq ndërkombëtar në bashkëpunim me autoritetet italiane, libanese e forcat tona policore, të cilat shpëtuan Alvin Berishën, 11-vjeçarin shqiptar, që prej 5 vitesh ishte në kampin-burg Al-Hol, në Siri.

Biseda telefonike e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshah me studion e “Report TV”

Pyetje: Është me interes për të përcjellë detaje të operacionit, duke qenë se ju jeni prezent atje në Bejrut, ndërsa jeni takuar me djalin 11 vjeçar, si është gjendja e tij për momentin?

Ministri Lleshaj: Besoj që gjendja e tij është e mirë, për faktin se është tashmë larg kampit të ferrit, ku ka kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë së tij. Kaq mund të them sa i përket aspektit shëndetësor, psikologjik, që meriton vëmendjen e të gjithëve. Ajo që mund të them unë është që gjithkush duhet të ndihet i qetë dhe i lumtur që të paktën ky fëmijë i shpëtoi një gjendjeje shumë të vështirë.

Pyetje: Si është bërë e mundur që të realizohet edhe ky bashkëpunim pas prezantimit të këtij rasti që ka tronditur mjaft opinionin publik?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që bëhet fjalë për një operacion krejt të vështirë ose krejt i rrallë, i panjohur për të cilin edhe forcat tona janë të pamësuara. Kapacitetet tona janë ato që janë, në kuptimin e limiteve. Por ka qenë iniciativa e dy Kryeministrave, të Shqipërisë dhe Italisë, pra Kryeministrit Conte dhe Kryeministrit Rama, të cilët gjatë takimit të tyre morën angazhimin për t’u përfshirë së bashku të gjithë forcat e Shqipërisë dhe Italisë në këtë operacion.

E në vijim të këtij angazhimi një ekip i posaçëm i Policisë Shqiptare është nisur para, ka një javë që është në kamp, për të marrë masat përkatëse për finalizimin e operacionit. Ka bashkëpunuar ngushtë me ne edhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e Kuqe, të cilët në bazë të kërkesës së autoriteteve shqiptare kanë mundësuar negociatat përkatëse me autoritetet e kampit në Siri si edhe transportimin e fëmijës nga Al–Hol në kufirin e përbashkët siriano–libanez.

Ne sot patëm mundësi për ta pritur djalin në atë zonën e ndërmjetme të kufijve, për të përcjellë lajmin e shumë pritur nga shumë shqiptarë, italianë, apo edhe njerëz të tjerë të cilët vërtetë ishin prekur nga tragjikja e këtij rasti.

Ka qenë një operacion mjaft kompleks italian, shqiptar, libanez, Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe të cilët kanë rakorduar në mënyrë perfekte, e diskrete, pa rrjedhje informacioni, duke bërë të mundur që djali të transportohet pa u komprometuar asnjë çast siguria e tij dhe ky ishte problemi themelor. Dhe sot mund ta them me kënaqësi që kjo është realizuar falë këtij bashkëpunimi.

Gjej rastin të përgëzoj të gjithë autoritet, shqiptare, italiane, Kryqi i Kuq, Gjysmëhëna e Kuqe, Konsullin tonë në Liban, i cili ka qenë ndër njerëzit që është angazhuar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë gjithë kësaj kohe, me kapacitetet e tij. Dhe falë kësaj u bë e mundur që Alvin Berisha, sot të jetë i lirë, pas disa vitesh ferri të vërtetë.

Pyetje: A mund ta konfirmojmë që ditën e nesërme, do të kryhet tashmë transportimi nga Libani drejt Italisë, i djalit, për t’u takuar me babain?

Ministri Lleshaj: Ajo që mund të konfirmojmë është që djali është dorëzuar sot nga trupa e Policisë Shqiptare në Ambasadën italiane në Bejrut. Është pajisur me dokumentet e udhëtimit, me vizën dhe me të gjitha dokumentet që nevojiten për të udhëtuar drejt Italisë. Pritet që në kohën më të shpejtë të mundshme ai të udhëtojë drejt Italisë, por nuk besoj se është koha për të dhënë ende detaje të tjera për këtë. Duhet të punojmë ende, sadopak që djali të mbërrijë të babai i vet.

Pyetje: Z. Lleshaj, në kampet e Sirisë ka në fakt edhe fëmijë të tjerë që pritet të deportohen në vendet ku jetojnë familjarët e tyre. Por lidhur me rastin që është bërë mediatik, çfarë po bëhet nga autoritet shqiptare për të realizuar edhe kthimin e personave të tjerë shqiptarë, që u përkasin këtyre kampeve tashmë?

Ministri Lleshaj: Duhet pasur parasysh diçka që kampi që ne flasim, janë të përqendruar rreth 70 mijë shtetas, qytetarë të vendeve të ndryshme, burra, gra, fëmijë. Dhe kampi nuk është një kamp pushimi, por është një kamp me status tjetër pra. Ata mbahen atje për arsye se kanë atë ndajshtimin “pjesëtarë të ISIS-it”. Kështu që të merresh me ta është diçka krejtësisht e vështirë, për arsye se shumë prej njerëzve që janë aty, kanë edhe llogari për të dhënë para drejtësisë.

Për sa u përket fëmijëve, çështja është më e thjeshtë për arsye së fëmijët janë jashtë çdo dyshimi për përfshirje në vepra terroriste. Dhe ne po punojmë që për fëmijët shqiptarë që ndodhen në këtë kamp, të hapim kanale për të bërë riatdhesimin e tyre.

Një nga qëllimet kryesore të ardhjes sime në Liban prej një jave tashmë, lidhet pikërisht me faktin që ne po kërkojmë rrugë, mundësi dhe partnerë, të cilët mund të na ndihmojnë për të mundësuar riatdhesimin e fëmijëve jetimë shqiptarë, të cilët bashkë me militantët e Al-Hol.

Kam pasur biseda të rëndësishme me autoritetet e këtushme, të cilat më japin besim, më inkurajojnë për ta vazhduar më tej angazhimin tonë për t’u marrë me këtë çështje e cila është mjaft, mjaft e ndërlikuar, për arsye se situata në terren ku ndodhen kampi Al-Hol është mjaft e ngatërruar, për shkak të ndryshimeve të shpejta që u bënë në kontekstin gjeo-politik në atë rajon.

Është e vështirë të gjejmë partnerët e duhur, të gjejmë rrugët e duhura dhe sidomos të garantohet siguria e veprimeve. Ne po punojmë fort që në një kohë sa më të shpejtë të bëjmë më të mirën e mundshme.

Pyetje: Është më se e vërtetë në fakt sepse edhe Alvinit, për t’u bashkuar me familjarët e tij i është dashur afro 5 vite që nga largimi i tij në vitin 2014. Zoti Lleshaj pas bërjes publike të këtij lajmi, a ka raportime nga autoritetet tuaja lidhur me denoncime të tjera që kërkojnë kthimin e fëmijëve në vendet ku jetojnë familjet e tyre përkatësisht?

Ministri Lleshaj: Po, ne nuk kemi nevojë për denoncime sepse pak a shumë autoritetet shqiptare i dinë se kush ndodhet tashmë në kampin Al–Hol, dinë pra emrat dhe të dhënat kryesore të atyre që ndodhen tashmë atje.

Problemi është se si mund të tërhiqen pa rrezikuar as ata vetë, as ata që do të ndërhyjnë për shpëtimin e tyre. Kjo është sfida kryesore e gjithë autoriteteve tona për të gjetur aktorët e mundshëm, partnerët e mundshëm, rrugët, mjetet dhe kohën e duhur.