Konferenca rajonale kundër trafikimit të personave #Bashkëmundemi #Ndalojmëtrafikimin - Ministria e Brendshme
Postuar më: 30/10/2019

Konferenca rajonale kundër trafikimit të personave #Bashkëmundemi #Ndalojmëtrafikimin

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në konferencën rajonale për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore:

Të nderuar zonja e zotërinj,

Për mua është kënaqësi e veçantë që marr pjesë sot në këtë konferencë të rëndësishme. Në fakt nuk është se jam ndonjë fans i madh i konferencave dhe kryesisht atyre të mëdhave, por kjo është një konferencë e veçantë të cilën e vlerësoj shumë, për arsye se tema, të cilës i kushtohet është një temë aq e madhe ku sensibilizimi i gjerë publik është i dorës së parë.

Tek sa vija këtu, në mes të shumë punimeve të fëmijëve, të cilat janë të vendosura në të dyja anët e korridorit, më ra në sy një pikturë e veçantë, të cilën e kam parë para disa ditësh në Laç. Është një këpucë e kuqe, me një takë të gjatë në të cilën është një këmbë shumë e vogël fëmije, që ka veshur një këpucë të kuqe. Më pati prekur dhe më pati bërë përshtypje të madhe ajo pikturë në Laç, ashtu si shumë të tjera, të cilat ishin bërë nga fëmijët e shkollës nëntë-vjeçare të atij qyteti.

Dhe mendoj që e gjithë simbolika e kësaj teme të rëndësishme mund të shihet pikërisht edhe te ajo këpucë, të cilën ju ftoj në dalje ta shihni për të parë se sa thellë prek ky fenomen në subkoshiencën e fëmijëve tanë. Dhe për këtë arsye e vlerësoj shumë edhe organizimin e kësaj konference, e cila synon të japë një mesazh të madh, jo thjesht të bëjë bilancin e punës së bërë, por më shumë të japë një bilanc të madh, për nevojën që kemi për të adresuar këtë fenomen, i cili prek rëndë shoqëritë tona në tërësi.

Jo më larg se dje, kam qenë në një takim ku ishin dhe disa vajza viktima të trafikut, të cilat ishin tashmë të strehuara në një qendër sociale. Dua të them që ky fenomen është i prekshëm ndonëse për një pjesë të madhe të shoqërisë ende konsiderohet si diçka teorike dhe jo-reale. Dua ta pranoj, edhe vetë e kam konsideruar për shumë kohë, përpara se të isha në këtë pozicion ku jam, si një temë që më dukej disi më shumë çështje akademie, çështje NGO-sh, sesa një çështje reale, e prekshme që e prek thelbin e shoqërisë sonë.

Përgjithësisht thuhet dhe pranohet se trafikimi i personave sot është trajta moderne e skllavërisë, e cila sjell kosto jashtëzakonisht të mëdha për shoqërinë, në të gjitha planet. Në thelb, ajo prek atë për të cilën ne ekzistojmë si shoqëri, si shtet; lirinë, demokracinë, vlerat humane dhe prandaj edhe adresimi i këtij fenomeni kërkon vëmendje të madhe shoqërore.

Shqipëria është prekur nga ky fenomen siç u prek nga shumë fenomene të tjera me fillimin e lirisë. Periudha pas 90’ shënoi lindjen e shumë fenomeneve që shoqëria diktatoriale nuk i njihte dhe këto fenomene kanë shoqëruar lirinë.

Njerëzit bashkë me lirinë për të udhëtuar, lirinë për të vepruar, për të menduar, ka patur shumë prej tyre që kanë gjetur hapësirë për t’i dhënë udhë edhe disa “lirive” për të bërë punë të mbrapshta dhe Shqipëria është prekur dhe është gjetur e papërgatitur për këtë fenomen pas viteve ’90, siç u prek nga droga, migracioni dhe fenomene të tjera u prek edhe nga trafikimi. Duhet të themi me kënaqësi se Shqipëria ndërkohë ka marrë masa dhe po merr masa përditë e më shumë për ta adresuar këtë fenomen, për të sensibilizuar shoqërinë, për të sensibilizuar rininë, për të sensibilizuar dhe për të përgatitur institucionet, për të ndërtuar kapacitetet që duhen për t’u marrë me këtë plagë të shëmtuar të shoqërisë tonë dhe ky progres i bërë nga Shqipëria tashmë është një fakt, i cili edhe pranohet, edhe nga raportet ndërkombëtare, nga raportet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, nga raporti i fundit i Progresit i Komisionit Europian, njihet progresi i bërë në këtë fushë.

Por ne jemi të ndërgjegjshëm se progresi është vetëm një progres i caktuar, i cili nuk shënon finalizimin e përpjekjes tonë dhe mesa duket do të na duhet që prapë të merremi intensivisht me këtë punë, madje të merremi shumë intensivisht.

Përpjekjet tona kryesisht janë fokusuar në ri-vitalizimin e kapaciteteve dhe të strukturave kombëtare të referimit për viktimat e trafikimit në nivel qendror dhe lokal. Kryesisht fokusi kanë qenë fëmijët dhe gratë, përmirësimi i standardeve të identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave, intensifikimi i zhvillimit të aktiviteteve për parandalimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut , etj.

Ekzistenca e Mekanizmit Kombëtar të Referimit, që përbën marrëveshjen bazë ndër-institucionale në nivel qendror ndërmjet 13 institucioneve është një fakt shumë pozitiv.

Ajo që mendohet dhe që besoj është rruga, është që ky Mekanizëm të konsolidohet duke shtuar më tej edhe rrethin e pjesëmarrësve. Është e rëndësishme të shtojmë se edhe gjatë shumë takimeve që kam patur me aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile dhe më gjerë, shihet mundësia që ky Mekanizëm Referimi të shtojë numrin e anëtarëve. Ka shumë të interesuar, të cilët kanë kapacitet, kanë vullnet, kanë mundësi për të kontribuar. Sa më shumë të bëhemi këtu, ky mund të ishte i vetmi mekanizëm që vetëm rritja nuk na dëmton, përkundrazi rritja na ndihmon.

Një çështje tjetër ka të bëjë me ngritjen dhe ri-vitalizimin e Komiteteve Rajonale Antitrafik, të cilat tashmë funksionojnë në të gjithë Shqipërinë, drejtohen nga Prefektët e 12 qarqeve të vendit dhe që kanë për objektiv identifikimin fillestar të viktimave të mundshme të trafikimit, evidentimin e problemeve parësore si dhe vlerësimin e gjendjes dhe përcaktimin e nevojave në çdo qark, të cilat edhe janë të ndryshme.

Një hap tjetër i rëndësishëm, i cili do të ketë impakt të padiskutueshëm në përpjekjen tonë kundër trafikimit është Reforma në Drejtësi. Pranohet tashmë që Reforma në Drejtësi është ajo reformë, e cila do të impaktojë jo vetëm këtë element, por të gjithë shoqërinë shqiptare. Dhe ndërkohë ka filluar impakti i madh pozitiv që kjo reformë po sjell në të gjithë vendin, por specifikisht në temën për të cilën ne jemi mbledhur sot.

Mendojmë se aktivizimi ose konkretizimi i hapave për Reformën në Drejtësi do të sjellë patjetër rezultate të dukshme, për arsye se do të bëjë që prokurorët dhe gjyqtarët e duhur do të marrin dhe vendimet e duhura. Kjo është ajo, e cila na jep shumë optimizëm, shpresë, por dhe na motivon, motivon të gjitha institucionet për të thelluar dhe intensifikuar punën në këtë drejtim. Motivon veçanërisht Policinë, e cila tashmë sheh tek Prokuroria, tek Gjykata, përditë e më shumë një partner të besueshëm tek i cili nuk varrosen rastet e evidentuara nga Policia, por tek i cili rastet thellohen dhe çohen deri në fund dhe shoqërohen me drejtësi në fund të herës.

Hapa të rëndësishëm janë bërë sa i përket aplikimit të standardeve më të mira ndërkombëtare të parashikuara tashmë dhe nga instrumentet tanë ligjorë, siç është Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. Po kështu edhe miratimi i Kodit të Drejtësisë Penale për fëmijët janë instrumente të rëndësishëm të cilët shënojnë hapa përpara në këtë fushë. Janë miratuar procedurat standarde të veprimit dhe një seri aktesh, të cilat lehtësojnë dhe fuqizojnë punën e institucioneve apo të gjithë enteve të përfshira në këtë proces të rëndësishëm.

Për shembull, miratimi i Planit Kombëtar për luftën kundër trafikimit të personave 2018-2020, shpreh në thelb përkushtimin zyrtar dhe të fortë të Qeverisë Shqiptare si dhe të gjithë aktorëve të tjerë që janë angazhuar në këtë betejë të rëndësishme.
Po ashtu ngritja e Bordit Këshillimor për Viktimat/Viktimat e Mundshme të Trafikimit; zhvillimi i një morie aktivitetesh të ndryshme në të gjitha nivelet, si në nivelin lokal, ashtu edhe në nivelin qendror, një ndër to është ky i sotmi, por ky është një aktivitet madhor, janë hapa dhe tregues të tjerë të një përpjekje shumë-dimensionale që Qeveria Shqiptare, aktorët e tjerë shoqërorë, të shoqërisë civile, po ndërmarrin për të progresuar në këtë fushë.

Mbështetja financiare për viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit si edhe për organizatat e tjera shtetërore apo jo-qeveritare, të cilat janë përfshirë dhe japin kontribut të rëndësishëm në këtë proces, është një aspekt tjetër i punës së institucioneve dhe i qeverisë për të bërë atë rolin që i takon në këtë fushë.

Janë bërë hapa konkretë, të vegjël, por gjithsesi hapa që kanë një simbolikë dhe një domethënie fillestare të rëndësishme. Sa i përket pajisjes së viktimave të trafikut me karta të shëndetit, të cilat u sigurojnë dhe përftimin falas të të gjitha shërbimeve shëndetësore, kolegia Manastirliu mund ta adresojë më mirë dhe nuk po ndalem në këtë fushë.

Hapa të tjerë janë bërë për të lehtësuar sadopak ngarkesën e viktimave, apo familjeve të tyre përmes pajisjes me libra shkollorë falas, apo organizimi i muajit të luftës kundër trafikimit të personave, siç është muaji Tetor, një mundësi e madhe që na jep rastin për të diskutuar dhe për të thirrur vëmendjen e gjithë shoqërisë ndaj këtij fenomeni, pasi jo të gjithë e kanë këtë sensibilitet të zgjuar.

Me rëndësi është funksionimi i linjës telefonike kombëtare “Raporto Shpëto”, si dhe një sërë masash të tjera.

Ashtu si shumë fenomene dhe plagë shoqërore që ndeshen në Shqipëri dhe në vende të tjera, nuk mund të adresohen realisht dhe thellë vetëm përmes përpjekjeve unilaterale apo përmes përpjekjeve kombëtare. Edhe këtu na duhet të bashkojmë forcat në nivelin rajonal dhe në nivelin europian.

Sigurisht që janë bërë hapa në drejtim të forcimit të këtij dialogu dhe bashkëpunimi me homologët tanë të Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Italia, Mbretëria e Bashkuar, BE në tërësi. Dhe këtu gjej rastin që t’i përshëndes të gjithë partnerët ndërkombëtarë, qofshin ata rajonalë, apo më gjerë, të cilët janë bërë pjesë e kësaj përpjekjeje të Shqipërisë për të luftuar këtë fenomen, i cili është mjaft problematik. Edhe shumë projekte të tjera në bashkëpunim ndërkombëtar, tashmë janë në proces. Kemi një projekt të sapo nisur me GIZ si dhe partnerët kryesorë, që janë përfshirë në këtë proces.

Duke përfunduar, ju uroj të gjithëve punë të mbarë në këtë konferencë dhe konfirmoj edhe njëherë angazhimin e fortë të Qeverisë Shqiptare, të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në veçanti, për ta vënë këtë çështje në listën e prioriteteve të rëndësishme, me qëllim që të kemi përditë e më shumë sukses dhe rezultate konkrete në këtë drejtim të rëndësishëm. Faleminderit!