Rindërtohet nga bizneset, ZSHQ në Komisariatin e Malësisë së Madhe/Lleshaj: Mesazh i rëndësishëm i angazhimit qytetar - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/10/2019

Rindërtohet nga bizneset, ZSHQ në Komisariatin e Malësisë së Madhe/Lleshaj: Mesazh i rëndësishëm i angazhimit qytetar

U përuruan sot ambientet e rikonstruktuara të ZSHQ në Komisariatin e Malësisë së Madhe, një projekt i financuar nga kontributet vullnetare të investitorëve vendas. Ministri Lleshaj me këtë rast falënderoi kontribuesit dhe këtë gjest e konsideroi si një mesazh shumë të rëndësishëm të angazhimit qytetar.

Fjala e plotë – VIDEO:

I nderuar z. Prefekt,
Z. Kryetar i Bashkisë,
Z. Drejtor i Policisë,
Të nderuar invetitorë që jeni përfshirë në këtë projekt të rëndësishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Për mua është një kënaqësi e veçantë dhe së pari dua t’ju falënderoj për këtë përmendore që keni vendosur këtu që përkujtoni ata djem, ata burra që kanë dhënë jetën në krye të detyrës këtu, në shërbim të këtij komuniteti, të cilët janë pjesë e një numri të madh punonjësish të Policisë së Shtetit, që kanë dhënë jetën në krye të detyrës gjatë këtyre viteve të një tranzicioni të mbrapsht.

Sigurisht që kam ardhur me shumë kënaqësi dhe me shumë respekt këtu, për arsye se, së pari, ju keni kontribuar për të bërë një investim të rëndësishëm që na keni lehtësuar një barrë të madhe ne si Ministri dhe si qeveri. Por jo vetëm për kaq.

Në radhë të dytë, por ndoshta më e rëndësishmja është se keni dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm të angazhimit qytetar, sepse ne na duhet ta ndërtojmë vetë jetën tonë.

Dhe është shumë e rëndësishme që komuniteti i biznesit, komuniteti qytetar, të shohë te Policia e Shtetit një strukturë të vetën, një krah të vetin.

Përgjithësisht dhe fatkeqësisht për shkak edhe të historisë sonë, marrëdhënia e qytetarëve me policinë nuk ka qenë e shkëlqyer. Nuk kemi ndërtuar gjatë historisë sonë një marrëdhënie besimi dhe partneriteti të qytetarëve me policinë. Qytetarët, jo përherë e kanë parë policinë, si policinë e tyre. Më shumë e kanë parë si një instrument sundimi sesa një instrument shërbimi.

Është e rëndësishme që ne ta kuptojmë që policia është një instrument në shërbim të qytetarëve. Dhe ne, të gjithë si qytetarë, në çdo pozicion që të jemi, duhet ta japim këtë mesazh. Dhe ju sot keni dhënë një mesazh të madh, një mesazh të cilin duhet ta lexojë çdo shqiptar. Për të thënë që Policia është një instrument, që është në shërbim të qytetarëve, e jo një strukturë që sundon qytetarët dhe vetëm kur ta kemi këtë bindje atëherë qytetarët do të kenë një marrëdhënie të re me policinë.

Por edhe policia do të kenë pastaj, po ashtu marrëdhënie tjetër me qytetarët. Sigurisht që në këto vitet e tranzicionit policia e ka paguar një çmim të madh në shërbim të sigurisë publike. Siç e përmenda edhe në fillim e ka paguar një çmim edhe me jetën e anëtarëve të saj, janë rreth 224 punonjës policie që kanë dhënë jetën dhe me gjakun e këtyre burrave policia ka fituar edhe respektin e të gjithë qytetarëve të vendit.

Me shërbimin e saj të përditshëm ajo po provon përherë e më tepër se është një strukturë e besueshme, pozitive edhe sondazhet më të fundit të kryera nga partnerët tanë të besuar ndërkombëtarë. Tregojnë që Policia e Shtetit është ndër institucionet më të besuara në vend. Por kjo nuk do të thotë se kemi arritur gjithçka. Ka absolutisht shumë punë për të bërë, dhe ky është mesazhi i duhur, ky investim, ky bashkëpunim i qytetarëve të Malësisë së Madhe, i investitorëve të saj me policinë është treguesi më i madh i asaj që ne mund të bëjmë dhe që duhet të bëjmë. Kam qëlluar që të marr pjesë edhe në ceremoni të ngjashme, për inaugurim, zyra pritje qytetarësh, komisariatesh policie të cilat janë financuar nga buxheti i shtetit, apo nga buxheti i partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Para ca kohësh kemi qenë në Librazhd dhe kemi inauguruar diçka të ngjashme, me para suedeze, ndërsa kjo që bëhet sot është me para shqiptare, madje jo me para të buxhetit të shtetit, por private, para të qytetarëve të kësaj bashkie, për këtë arsye jam vërtetë shumë i kënaqur që marrë pjesë këtu dhe dëshirojë vërtetë t’ju përgëzoj përzemërsisht për mesazhin që përcillni; sigurisht që nuk na keni bërë më të pasur seç ishim, as ju nuk jeni bërë më të varfër nga ç’ishit, por keni dhënë një mesazh të mirë që: nëse ne duam ta ndërtojmë dhe përmirësojmë jetën tonë, ne duhet të punojmë bashkë dhe besoj që dhe strukturat e policisë do të dinë ta vlerësojnë kontributin tuaj, gjestin tuaj dhe ta kthejnë atë që ju keni investuar në këtë Komisariat ta kthejnë si shërbim ndaj qytetarëve të Malësisë së Madhe, malësi e cila ngelet përherë e madhe Kryetar, dhe me këtë gjest mbetët në krye.

Ju falënderoj përzemërsisht, ju uroj punë të mbarë, ju uroj suksese dhe gjithë të mirat!

Prononcimi për media pas ceremonisë së përurimit të Zyrës së Shërbimit për Qytetarët (ZSHQ) në Komisariatin e Malësisë së Madhe:

Erdha të marr pjesë në një ceremoni të thjeshtë për inaugurimin e këtyre mjediseve të Komisariatit të Policisë. Vlerësoj me respekt të madh faktin që komuniteti i Malësisë së Madhe dhe biznesi vendas është angazhuar për të kontribuar që policia e tyre të ketë atë pamje që duam të gjithë të ketë. Dhe me këtë ata kanë dhënë një mesazh të madh për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Ne duhet të kemi një raport tjetër, një marrëdhënie tjetër me policinë tonë, në mënyrë që edhe ajo të këtë një marrëdhënie tjetër, edhe më të mirë, me qytetarët. Dhe me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata që e bënë të mundur këtë, nga kryetari i bashkisë, drejtuesit e policisë, por kryesisht dhe veçanërisht bizneset e vendit, pra të Malësisë së Madhe të cilët janë angazhuar në këtë aksion shumë të rëndësishëm.

Pyetje: Z. Ministër, rilindjen urbane e solle në Komisariatin e Malësisë së Madhe. Në Drejtorinë e Shkodrës, kur do të kthehet?

Përgjigje: Shumë shpejt, brenda këtij viti besoj do të kemi mundësi të shohim diçka shumë herë më të madhe sesa kjo që shohim sot, në DVP Shkodër pra. Një investim shumë i rëndësishëm i qeverisë është pothuajse në fazën e finalizimit në DVP Shkodër.

Pyetje: Jeni ndër ministrat që ditët e fundit keni qenë shumë i aktivizuar edhe me problemet ndërkombëtare, sidomos në fushën e integrimit, me Gjermaninë, Greqinë, Holandën. Holanda, pavarësisht luhatjeve është edhe pesimiste, edhe optimiste. Ju si e gjykoni, realisht, ka të drejtë në opinionin që ka për ne, apo jo?

Përgjigje: Kam pasur mundësinë gjatë këtyre ditëve, të cilat kanë qenë ditë intensive me vizita në Gjermani, në Bruksel, në vende të tjera, për të parë ecurinë e punës që po bëhet për hapjen e negociatave. Sigurisht që procesi është në rrugë të mbarë.

Shumica dërrmuese e vendeve të Europës janë shprehur në mënyrë të paekuivok në mbështetje të progresit që Shqipëria ka bërë në këtë fushë. Sigurisht ka patur një farë skepticizmi nga Holanda, Franca, skepticizëm të cilin ne përpiqemi ta kuptojmë.

Megjithatë më duhet të them atë që ja kam thënë edhe kolegut tim holandez, edhe me atij francez që Shqipëria për hir të së vërtetës i ka bërë të gjitha ato që Europa ka kërkuar ndaj saj. Ne sigurisht nuk mund ta ndërrojmë veten tonë, por ne kemi bërë gjithçka që na është kërkuar për plotësuar ato kritere për integrimin e vendit tonë në BE.

Dua t’ju them këtë, që në Holandë ka një nivel të caktuar kriminaliteti që buron nga disa qytetarë që mbajnë pasaportë shqiptare, por edhe në këto kushte niveli i kriminalitetit që po ushtrohet nga këta qytetarë është shumë herë më i ulet nga niveli i kriminalitetit që ushtrohet nga qytetarët e vendeve të tjera anëtare të BE, që jetojnë në Holandë të cilët janë nga pikëpamja numerike më të vegjël sesa Shqipëria.

Pra nuk është se shqiptarët përfaqësojnë një gogol të rrezikshëm për vetë Holandën, dhe këtë e dinë edhe politikanët holandezë dhe besoj që edhe në vendimin e tyre të ardhshëm do të reflektohet ky fakt.

Pyetje: Së fundmi, kthehemi në Qarkun e Shkodrës, ka disa muaj që faktikisht ka një stabilitet rendi dhe qetësia publike. Çfarë ju raportojnë drejtuesit e Shkodrës sepse me ne gazetarët nuk komunikojnë, janë optimist për ta ruajtur këtë stabilitet, apo mund të kthehemi përsëri tek ngjarje të padëshiruara?

Përgjigje: Sigurisht që, personalisht me Shkodrën kam një raport të veçantë për shumë e shumë arsye, por jo thjesht për këto arsye, por për shkak të detyrës që kam e kam ndjekur me shumë vëmendje zhvillimin e situatës së sigurisë në qytetin e Shkodrës.

Shkodra ka trashëgimi, për fat të keq, jo të mirë në këtë fushë, në dekadat që kanë kaluar. Ne jemi përpjekur për t’u fokusuar shumë në Shkodër, edhe në qytetet e tjera, por në Shkodër sidomos, di që është bërë një punë serioze dhe në ndryshimet e fundit që janë bërë, ka një theks të shtuar, e cila reflektohet edhe në gjendjen e sigurisë në qytet.

Nuk dua të them që ne kemi arritur atje ku duam, sepse ajo që duam është diçka krejt e thjeshtë: Shkodra duhet të jetë absolutisht në krye të Shqipërisë në këtë fushë. Duhet të rrezatojë, sepse është krejt e pafalshme që Shkodra të jetë një vend me probleme sigurie. Shkodra është një vend që i ka dhënë Shqipërisë kulturën e saj, historinë e saj dhe nuk shkojnë bashkë kultura e madhe që ka Shkodra, me problemet e sigurisë.

Dhe ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë që Shkodra, ky vend i kulturës, ky vend i vlerave të mëdha të historisë kombëtare të Shqipërisë, të merret peng nga 2-3, 5 apo 15 njerëz që u ka ‘ikur mendja’. Këtë nuk mund ta lejojmë, sot apo nesër, kjo gjë do të realizohet: Shkodrës do t’i kthehet qetësia e qëndrueshme dhe e merituar.
Faleminderit!