Shërbimi i policimit vullnetar në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit. - Ministria e Brendshme
Postuar më: 03/10/2019

Shërbimi i policimit vullnetar në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit.

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko flet në përgjigje të interesit të medias, për Shërbimin e policimit vullnetar në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit.

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko gjatë një konference për shtyp sqaroi hollësisht tiparet, kompetencat dhe format e angazhimit të strukturave të “Policisë Vullnetare”, të miratuar së fundmi me vendim të Këshillit të Ministrave. Ajo ilustroi me shembuj konkretë rastet e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit, kriteret dhe fazat e përzgjedhjes në Policinë Vullnetare, benefitet konkrete për qytetarët që do certifikohen si të tillë nga Akademia e Sigurisë, dhe aspekte të tjera specifike.

Zv.ministrja Kuko portretizoi policët vullnetarë si individë, që kanë vokacion personal për t’u angazhuar në këto çështje komuniteti. “Një qytetar shumë i angazhuar në lagjen e vet, kur sheh diçka që nuk shkon, mund të marrë një trajnim të specializuar në Akademinë e Sigurisë dhe mund të ndihmojë oficerin e policisë së zonës për kryerjen e këtyre detyrave,” nënvizoi Kuko.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Kuko u shpreh:

“Duam t’i japim përgjigje patjetër interesit të lartë të medias lidhur me vendimin e qeverisë, që kaloi dje në mbledhjen e radhës, për organizimin dhe funksionimin e policimit vullnetar.

Nuk është një koncept i ri dhe nuk është një koncept që e shpikim ne, është një koncept që funksionon në të gjitha vendet e Europës Perëndimore.

Ideja është angazhimi i qytetarëve, i komunitetit në çështjet e sigurisë. Pra në një moment të caktuar ruajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe për çështje të lehta siç janë problematika në komunitet, në lagje, për trafikun rrugor, siguria e fëmijëve në ambientin e shkollave, policia nuk mund t’i kryejë të gjitha këto detyra, sepse ka një dinamikë shumë të madhe. Ndaj ne menduam që të kemi edhe angazhimin e qytetarëve në këtë detyrë.

Disa specifikime; – nuk janë të armatosur. Pra policët vullnetarë janë individë, të cilët kanë dhe vokacionin e tyre personal për t’u angazhuar në këto çështje komuniteti. Një qytetar shumë i angazhuar në lagjen e vet, kur sheh diçka që nuk shkon, mund të marrë një trajnim të specializuar në Akademinë e Sigurisë dhe mund të ndihmojë oficerin e policisë së zonës për kryerjen e këtyre detyrave.

Një shembull konkret; – ndihma e fëmijëve që kalojnë rrugën për të shkuar në shkollë. Pra një vend, një aks ku ka një trafik të shtuar të qarkullimit rrugor, ne mund të kemi disa policë vullnetarë, të cilët thjesht ndihmojnë për kalimin e kësaj rruge nga fëmijët.

Do të kenë një uniformë; – patjetër, nuk është një uniformë policore, është thjesht një uniformë me shenja dalluese. Do të kenë edhe badge-in e tyre të identifikimit. Këto janë pak a shumë disa nga elementët.

Lidhur me pagesën; – e thotë vetë fjala, është policim vullnetar dhe bazohet tërësisht në vullnetarizëm. Pra është një shërbim që kryhet pa pagesë. Eshtë një shërbim mbështetës i qytetarëve të cilët duan të angazhohen në shtimin e sigurisë, sidomos në komunitetet dhe lagjet ku ata banojnë.

Përzgjedhja, trajnimi; – Ne kemi miratuar kuadrin e përgjithshëm për organizimin dhe funksionimin e policisë vullnetare. Hapi i dytë do të jetë një akt, një urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm i cili do të përcaktojë të gjitha detajet, duke filluar nga momenti i aplikimit për t’u bërë polic vullnetar, te momenti i trajnimit në Akademinë e Sigurisë, te certifikimi i tyre, sepse patjetër do të ketë dhe një verifikim të figurës së tyre për të parë në qoftë se këta individë kanë background të pastër dhe ajo do të jetë shumë rigoroze dhe pastaj te angazhimi i tyre.

Aplikimi; – Secili individ që do të dojë të aplikojë për t’u bërë polic vullnetar do të duhet të japë një kërkesë te DVP e vendit ku banon. Specifikisht, në DVP Tiranë ne kemi 6 komisariate, pra aplikohet në një nga komisariatet e zonës që banon. Plotësohen edhe kriteret e tjera që nevojiten, certifikatat etj.

Më pas do të ketë një testim në Akademinë e Sigurisë për aftësitë, pra aftësitë fizike, intelektuale etj. Pasi të kalojnë testin e parë, më pas do të bëjnë një trajnim të specifikuar në Akademinë e Sigurisë, ku do të certifikohen si “policë vullnetarë”.

Patjetër që nuk ka pagesë si shërbim, por një benefit, si një individ i certifikuar për të ofruar këtë shërbim. Ne kemi projektin e oficerëve të sigurisë në shkolla, pra e kemi testuar idenë e përfshirjes së civilëve në ofrimin e shërbimit publik për siguri. Më pas këta do të jenë të përfshirë në këtë aktivitetet, do të jenë më të preferuar për të qenë oficerë sigurie në shkolla, në raundin e dytë që ne do të kemi për përfshirjen e tyre.

Numri i aplikantëve; – Ne mund të kemi shumë aplikime nga ana e qytetarëve për t’u bërë polic vullnetar, por do të jetë vetëm një kuotë që do të pranohet. Kjo nuk është vendosur akoma. Do të vendoset në një moment të dytë, me një akt të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Por do të jetë gjithmonë konform territorit dhe numrit të popullsisë”.

ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE FUSHA E VEPRIMIT TË SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

1. Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me këto të fundit me qëllim:
a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare;
b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale;
c) dhënien e ndihmës për rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore;
ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit;
d) përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.
2. Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili caktohet nga drejtuesi i strukturës vendore.
3. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.

VENDIMI I PLOTË