Fondacioni "Gjurmë" - Vëmendje për familjet e Dëshmorëve të Atdheut. Nis ndërtimi i shtëpisë së parë në Shkodër - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/09/2019

Fondacioni “Gjurmë” – Vëmendje për familjet e Dëshmorëve të Atdheut. Nis ndërtimi i shtëpisë së parë në Shkodër

Shkodër, Ministri Lleshaj, vizitë në familjen e policit të rënë Kolë Ndreshaj

Lleshaj: Ne, këtë shtëpi, mund ta kishim bërë dhe në një rrugë tjetër, pa mbledhur fonde. Por kemi dashur ta bëjmë të tillë që në këtë shtëpi të jetë nga një tullë të vendosur nga çdo punonjës i policisë shqiptare. Dhe pak a shumë çdo punonjës i policisë shqiptare është si të thuash investitor në këtë shtëpi. Ministri Lleshaj ishte sot për një vizitë në shtëpinë e policit të rënë në detyrë Kolë Ndreshaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu, ku bëri apel që shoqëria shqiptare dhe jo vetëm shteti, të tregojnë solidaritet me familjarët e policëve të rënë në detyrë. Me këtë rast, Ministri Lleshaj njoftoi se janë mbledhur fondet nga donacionet e pjesëtarëve të Policisë së Shtetit, për të rindërtuar shtëpinë e amortizuar ku jetojnë familjarët dhe fëmijët e Kolë Ndreshajt në Shkodër. Në këtë takim u bë e njohur edhe krijimi i Fondacionit “Gjurmë”, i cili përbëhet nga fëmijët e policëve të rënë në detyrë, të cilët do të ndjekin problemet që ka secili prej tyre, me qëllim për t’i gjendur pranë aty që kanë më shumë nevojë. Ministri Lleshaj deklaroi para medias se me krijimin e organeve të reja të drejtësisë, do të zbardhen dosjet e vjetra dhe sidomos ato të policëve të rënë në detyrë, duke gjetur e kapur autorët që mund t’i kenë shpëtuar dënimit.

VIDEO – Proncimet për mediat

Ministri Lleshaj: Unë kam ardhur sot në familjen Ndreshaj për të parë si jetojnë pjesëtarët e familjes së një polici të rënë në detyrë në vitin 2010. I ndjeri Kolë Ndreshaj ka rënë në 26 gusht të 2010-ës dhe sot jemi vite mbrapa dhe erdha për të parë si jetoni. Kam pasur mundësinë, fatin e mirë, por edhe të keq që gjatë këtyre muajve që jam në detyrë, të kontaktoj, të takohem me të gjithë familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës dhe fatkeqësisht në Shqipëri kemi shumë policë që kanë rënë në krye të detyrës. Janë 224 dhe besoj e kuptoni vetë se sa fëmijë dhe të rinj kanë pasur fatin e keq që të humbin babain. Sot kemi ne përgjegjësinë për të bërë edhe babain dhe për t’u kujdesur për ta. Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme kanë marrë masa dhe janë përpjekur periodikisht, rregullisht për t’i mbështetur, për t’i ndihmuar me aq sa kanë qenë mundësitë, por ende nevoja mbetet shumë e madhe. Rasti i familjes Ndreshaj është vetëm njëri prej tyre. Pashë që jetojnë në kushte vërtet shumë të rënda, në një shtëpi e cila është sinonim i lagështisë. Muret bien sa t’i prekësh me dorë dhe pata mundësinë ose incidentin që të më bjerë dhe mua në dorë një pjesë e murit, dhe po mendojmë se çfarë të bëjmë. Për këtë qëllim, ne kemi menduar që krahas përpjekjeve institucionale, shtetërore të mundohemi të gjejmë dhe mënyra të tjera alternative për t’i ndihmuar familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, sepse asnjëri prej nesh nuk mund të rrijë i qetë për sa kohë që familja e një njeriu, që ka dhënë jetën për atdheun, për ne, jeton në kushte jo dinjitoze.

Kemi ndërmend të ndërhyjmë, të fillojmë një program të madh në të gjitha rastet, pra në të gjithë Shqipërinë, por do ta fillojmë këtu te familja Ndreshaj.

Në bashkëpunim me disa prej pasardhësve, me disa djem dhe vajza që janë fëmijë të policëve të rënë në detyrë, kemi krijuar një fondacion, i cili quhet “Gjurmë” dhe përmes këtij fondacioni ne do të përpiqemi të mobilizojmë fonde, t’i bëjmë thirrje shoqërisë, t’u bëjmë thirrje bizneseve, qytetarëve, nxënësve, studentëve, bankave, shoqërive të sigurimit, kujtdo, që të japin një dorë për të mundësuar që kjo situatë të përmirësohet hap pas hapi. Dhe do të fillojmë këtu, meqenëse fati e solli që të vijmë këtu dhe të shohim këtë familje të parën. Do të fillojmë menjëherë me rindërtimin ose me ndërtimin nga e para të shtëpisë së familjes “Ndreshaj”. Për këtë arsye dorën e parë ose donacionin e parë në favor të fondacionit do ta bëjë Policia e Shtetit. Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit kanë mbledhur fondet e nevojshme.

Ndërkohë fondet janë të garantuara, janë në bankë, fonde private, donacione të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët gjej rastin t’i falënderoj me shumë respekt. Në një kohë shumë të shpejtë ne do të fillojmë punën për shtëpinë e familjes “Ndreshaj”, si një simbol, si një shenjë të parë, e cila do të pasohet edhe me raste të tjera.

Fondacioni “Gjurmë” që është një fondacion i ndërtuar prej fëmijëve të punonjësve të policisë që kanë dhënë jetën në detyrë, do të jetë ai institucioni, i cili do ta shtyjë përpara këtë proces. Ndërkohë që Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe strukturat e tjera shtetërore do ta mbështesin. Ama përgjegjësinë dhe gjithë punën për ecjen e këtij programi do ta ketë Fondacioni “Gjurmë”, të cilët gjej rastin t’i falënderoj dhe po jua jap fjalën dy përfaqësuesve të tyre.

Freda Kanani: Unë jam Freda Kanani vij nga Vlora. Siç e përmendi edhe Ministri jam edhe unë fëmijë i një polici të rënë në detyrë. Po ashtu të gjithë anëtarët e tjerë, me të cilët kemi nisur këtë nismë, të cilën duam ta çojmë shumë lart për t’i arritur të gjitha, me sa mundësi të kemi, problematikat që kanë, që paraqesin familjet e dëshmorëve. Jemi të gjithë nga ky target-grup dhe duam të punojmë dhe të përpiqemi për këtë target-grup.

Normalisht kjo është e rëndësishme sepse ne jemi një shtet që kemi një numër shumë të lartë dëshmorësh, 224 familje të cilat kanë marrë ndihmë të vazhdueshme normalisht. Por kemi ende përpjekje, ende problematika të cilat duhet t’i çojmë drejt zgjidhjes.

Në këtë nismë që kemi marrë, kemi mbështetjen e Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtorisë së Policisë dhe normalisht të të gjithë strukturës së Policisë së Shtetit, për këtë gjë jemi falënderues dhe janë shumë bashkëpunues për ta çuar këtë nismë përpara dhe uroj e besoj se do të dëgjoni në vazhdim lajme të mira nga ne. Faleminderit!

Aldo Gjoka: Unë quhem Aldo Gjoka, jam nga Shkodra. Fondacioni “Gjurmë”, është krijuar nga familje të policëve të rënë në krye të detyrës, me suport të jashtëzakonshëm nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Kryesisht do jemi në ndihmë të familjeve, të cilat kanë nevojë për strehim, në shëndetësi si dhe arsimim.

Drejtori Veliu: Në emër të organizatës së Policisë që unë drejtoj nuk mund të qëndronim heshturazi dhe pa mbështetur këtë iniciativë të Ministrit të Brendshëm por edhe të krijuesve të Fondacionit “Gjurmë”, dhe si shembull i parë, ashtu siç tha edhe z. Ministër, kemi bërë gati fondin që të fillojmë dhe t’i mbështesim si një rast suksesi dhe të mos jetë rasti i parë, por të jetë rasti i parë i suksesit duke vazhduar me rastet e tjera të ngjashme. Nuk dua të zgjatem më për faktin, sepse puna që do bëjë fondi dhe mbështetja që do japë Policia e Shtetit do të tregojë vetë në të ardhmen.

Pyetje: Zoti Ministër, jemi thuajse 10 vite nga vrasja e efektivit të policisë Kolë Ndreshaj, megjithatë vazhdon të ketë e pazbardhur?

Ministri Lleshaj: Për fat të keq ka shumë raste krimesh të rënda, që nuk janë zbardhur ende. Flenë nëpër sirtarët e drejtësisë tonë me dhjetëra e dhjetëra dosje, të cilat nuk mund të harrohen kurrë dhe ne nuk mund t’i harrojmë dhe s’do t’i harrojmë kurrë. Kemi besim të plotë që me reformën e madhe që po bëhet në drejtësinë shqiptare, me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, edhe hapja e dosjeve të vjetra, të cilat kurrë nuk do të bëhen të vjetra, do të jetë prioritet i punës së organeve të policisë. Policia e Shtetit sigurisht që ka për të luajtur rolin e saj në mënyrë që të gjitha dosjet e vjetra, por sidomos dosjet e policëve të vrarë në detyrë, për të cilët ende nuk është bërë zbardhja e tyre, të gjejnë përgjigjen dhe ata që kanë llogari për të dhënë, të japin llogari para drejtësisë.

Pyetje: Kur do të vijë momenti që familjet e policëve të vrarë të trajtohen ashtu siç duhet, fëmijët por dhe familjarët e tjerë? Sepse kemi lexuar një reagim të gazetares Anila Hoxha që ka sjellë një lloj panorame se si jetojnë një pjesë e konsiderueshme e tyre dhe ju e dini që kjo nuk është thjesht çështje fondacionesh. Kur do të vijë momenti që shteti shqiptar t’i trajtojë siç duhet, sepse besoj jemi shumë vonë dhe them se ua kemi borxh?

Ministri Lleshaj: Sigurisht, fakti që vijmë këtu tregon që kemi këtë ndjenjë detyrimi ndaj familjeve të policëve të rënë në detyrë. Po ju them që unë i kam takuar personalisht të gjitha familjet të të gjithë policëve të rënë në detyrë dhe kam prekur nga afër përmasën e kësaj dhimbjeje dhe këtij problemi shoqëror. E përmendëm që kemi shumë policë të vrarë dhe ky është një apel i madh për shoqërinë që të reflektojmë ndaj faktit që kemi shumë policë të vrarë, jashtëzakonisht shumë.

Ne jemi të angazhuar, jo se fillojmë sot, familjet e policëve të vrarë në detyrë kanë marrë mbështetje nga shteti shqiptar, rregullit. Sigurisht, mbështetje ka qenë ajo që ka qenë e mundur, është dhënë, janë trajtuar, janë dhënë pensione, bursa, janë dhënë mbështetje të tjera, por është e pamjaftueshme. Fakti që kam konstatuar problematikë si kjo që kemi sot do të thotë që ka shumë për të bërë dhe e rëndësishme është që të gjejmë një mënyrë edhe për të sensibilizuar shoqërinë. Ne këtë shtëpi mund ta kishim bërë dhe në një rrugë tjetër, pa mbledhur fonde. Por kemi dashur ta bëjmë të tillë që në këtë shtëpi të jetë nga një tullë të vendosur nga çdo punonjës i policisë shqiptare. Dhe pak a shumë çdo punonjës i policisë shqiptare është si të thuash investitor në këtë shtëpi.

Nesër, në shtëpinë e radhës që do të bëjmë, do të duam që jo vetëm të jenë 10 mijë policë investitorë në atë shtëpi, por të jenë edhe 100 mijë shqiptarë që mund të vendosin nga 5 lekë dhe kjo është ajo që duhet. Duhet të përcjellim një mesazh solidariteti dhe sensibilizimi shoqëror që të përcjellim pikërisht këtë te njerëzit: – policët janë njerëzit tanë, janë ata që kujdesen dhe sakrifikojnë për sigurinë tonë dhe në qoftë se ata apo familjet e tyre bien në një vështirësi, siç është kjo në këtë rast, apo raste të tjera, ne duhet të futemi, si shoqëri, jo vetëm shteti. Sigurisht shteti ka detyrën e tij dhe duhet ta bëjë me ato mundësi dhe limite që ka shteti, por është përherë e mundur që ne të bëjmë diçka edhe më shumë sesa vetë shteti.