Ministri pret ekipin fitues të çiklistëve të vegjël: Për sigurinë rrugore duhet ndërgjegjësim dhe bashkëpunim i të gjithëve - Ministria e Brendshme
Postuar më: 12/09/2019

Ministri pret ekipin fitues të çiklistëve të vegjël: Për sigurinë rrugore duhet ndërgjegjësim dhe bashkëpunim i të gjithëve

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj priti ekipin fitues të biçiklistëve të vegjël të shkollës 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë, Fabion, Arelin, Sarën dhe Mikean. Ky ekip do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar që zhvillohet në Gjenevë javën e ardhshme.  Takimi u zhvillua me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të përdoruesve të rrugës dhe mbarë opinionit publik për rreziqet e sjelljes së papërgjegjshme në rrugë. Vetëdijësimi i përdoruesve të rrugës, kryesisht drejtuesve të mjeteve, mbetet rruga kryesore për të shpëtuar jetët njerëzore, duke shmangur aksidentet.

Pas takimit ministri shkroi në rrjetet sociale:

“Megjithëse numri i viktimave nga aksidentet rrugore vijon të ulet (nga 353 në vitin 2010 ka zbritur në 213 në vitin 2018), aksidentet në rrugë vrasin shumë herë më tepër sesa kriminelët.

Ndërgjegjësimi i përdoruesve të rrugës dhe i opinionit publik në përgjithësi mbetet rruga kryesore për të shpëtuar jetët njerëzore nga rreziqet e sjelljes së papërgjegjshme në rrugë.

Për këtë qëllim, prita me kënaqësi sot ekipin fitues të biçiklistëve të vegjël nga shkolla 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar që zhvillohet në Gjenevë javën e ardhshme.

Këta fëmijë janë një model i bukur angazhimi në shërbim të sigurisë në rrugë dhe e ardhmja e tyre është një thirrje e fortë për të gjithë qytetarët dhe shoqërinë për më shumë kujdes dhe përgjegjësi në qarkullimin rrugor.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë të angazhuara për të shtuar përpjekjet në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore, ndërkohë që bashkëpunimi i qytetarëve mbetet i pazëvendësueshëm”