Korçë/Inspektim në zyrën e aplikimit për dokumentet biometrike. Aplikoni sa më parë, që të mos krijohen radhë pritjeje! - Ministria e Brendshme
Postuar më: 09/07/2019

Korçë/Inspektim në zyrën e aplikimit për dokumentet biometrike. Aplikoni sa më parë, që të mos krijohen radhë pritjeje!

Inspektim në zyrën e aplikimit për dokumentet biometrike në Korçë – VIDEO

Në Bashkinë e Korçës janë hapur dy ambiente të reja për aplikimin e dokumenteve biometrike, në mënyrë që qytetarët të mund të marrin një shërbim sa më cilësor dhe të shpejtë në kohë në marrjen e kartave të identitetit dhe pasaportave.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirolllari, drejtuesi i Kompanisë Koncesionare Jean Alean, të shoqëruar nga nënkryetari i Bashkisë Korçë, Kletion Kita, kanë inspektuar nga afër 10 sportelet e reja.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, duke vlerësuar angazhimin e Bashkisë Korçë dhe kompanisë koncesionare në këtë proces, u shpreh se tashmë qytetarëve të Korçës, ashtu si dhe në të gjitha bashkitë e tjera të vendit, do t’iu ofrohet një shërbim tejet komod.

“Falë bashkëpunimit të shkëlqyer që Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ka me Bashkinë e qytetit të Korçës, me kompaninë koncesionare “ALEAT”, me Prefekturën gjithashtu, për t’iu ofruar qytetarëve shqiptarë, konkretisht atyre të Korçës, kushte sa më të mira aplikimi për ID kartë dhe pasaportë biometrike. Kjo tashmë është kthyer në një punë të përditshme të Ministrisë së Brendshme, është në fokusin tonë. Sot jemi në qytetin e Korçës, nesër do jemi diku tjetër dhe qëllimi dhe objektivi jonë i vetëm, është kushte sa më të mira”, u shpreh Doracaj.

Në të njëjtën kohë ai ka apeluar që qytetarët, të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së kartave të identiteti, të aplikojnë sa më parë në mënyrë që të mos krijojnë radhë pritjeje.

Drejtuesi i kompanisë “ALEAT”, Jean Alean ka siguruar që qytetarët e Korçës tashmë do të marrin një shërbim shumë më të mirë dhe të shpejtë në kohë.

“Para së gjithash dëshiroj të falënderoj Policinë e Shtetit, Prefektin, Gjendjen Civile dhe Ministrinë e Brendshme që jemi këtu sot, për të ritheksuar rëndësinë e procesit dhe lehtësirat që nevojiten për t’u siguruar një shërbim të mirë qytetarët në marrjen e kartave të identitetit dhe pasaportave. Gjithashtu dua të vë në dukje dhe t’u rikujtoj njerëzve që të mos presin deri në çastet e fundit, sepse në gusht më shumë njerëz mund të vijnë, dhe shumë shpejti karta e tyre skadon.
Kështu është më mirë të vijnë tani, të aplikojnë, të shmangin radhët, të mos presin deri në fund të vitit kur mund të ketë shumë dyndje. Gjithashtu ne mund ta përmirësojmë edhe më tej procedurën këtu duke pasur një specialist që kuptohet lehtas nga qytetarët, sepse kur vini këtu, mbase nuk e dini se ky kryhet procesi. Gjithashtu është afër policisë për të përmbyllur procesin dhe lehtësuar shërbimet për qytetarët”, u shpreh ai.

Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, ka theksuar se procesi me pajisjen e dokumenteve të reja biometrike po ecën shumë mirë. “Dua ti bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Korçës, por dhe të gjithë Qarkut, tashmë në kohën që kthehen në atdhe të shkojnë të marrin pasaportat e reja dhe të mos e lënë për ditën e fundit në mënyrë që dhe kompania, ashtu siç tha dhe Presidentit, të planifikojë dhe të ketë mundësi për ta realizuar”, tha ai.

Ndërsa nënkryetari i Bashkisë Korçë, Kletion Kita, ka theksuar se Bashkia është e gatshme të ofrojmë edhe ambiente të tjera, në rast se do të të krijohet fluks aplikimesh, në mënyrë që qytetarët të mos presin në radhë për të aplikuar.