Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 93 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 08/07/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 93

Raporti Javor Nr.93 – VIDEO

 1 – 7 korrik 2019

KM dhe Ministri i Brendshëm vlerësojnë punën e Policisë së Shtetit për menaxhimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit

Kryeministri Rama falënderoi publikisht trupën e Policisë së Shtetit, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë para dhe gjatë fushatës elektorale për pushtetin vendor, të cilat u përmbyllën pa asnjë incident me pasoja të rënda, gjatë një takimi të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme në të cilin morën pjesë Ministri Lleshaj, zyrtarë të lartë të MB, dhe drejtuesit kryesorë të policisë në qendër dhe rrethe. Rama u shpreh që në fillim të fjalës së tij: “Faleminderit në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të çdo njeriu të zakonshëm të këtij vendi që sot ndihet i çliruar nga hija kërcënuese e ankthit për fatin e zgjedhjeve të 30 qershorit, e cila u vërtit për muaj të tërë nëpër Shqipëri dhe hyri në shtëpitë dhe në mendjet e zemrat e qytetarëve të këtij vendi, falë vënies në zbatim të një plani politik antikombëtar kundër zgjedhjeve, kundër drejtësisë, kundër Shqipërisë, mu në prag të vendimit për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”. Ai vlerësoi maksimalisht punën për përballimin e situatës me profesionalizëm e dinjitet nga ana e Policisë së Shtetit. “Faleminderit për punën, mundin dhe sakrificën e forcave të Policisë së Shtetit, të cilat mbajtën me përkushtim, dinjitet, profesionalizëm, një ngarkesë të jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike, në tërë këta muaj të mbrapshtë. Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv policie që kontribuoi në forcimin e profilit të një trupe policore të organizuar mirë, të përgatitur mirë dhe të gatshme për të reaguar efektivisht dhe proporcionalisht në çdo moment agresiviteti të rritur kundër shtetit dhe institucioneve”, tha ai.  Duke bërë një bilanc të lëndimeve që pësuan punonjësit e policisë gjatë kësaj periudhe, ai tha se “një mirënjohje e falënderim i veçantë për 60 efektivët e lënduar gjatë tërë kohës së çmendur të protestave e të sulmeve agresive të antishtetit, të cilat u zmbrapsën me vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vetëpërmbajtje shembullore nga ana juaj”.

Ministri i Brendshëm Lleshaj shprehu gjithashtu vlerësime për punën e lavdërueshme që ka bërë Policia e Shtetit gjatë 5 muajve të fundit, sidomos në sigurimin e rendit dhe qetësisë gjatë një serie protestash të dhunshme të organizuara nga opozita. Duke u ndalur në ndërlikimet e pasojat që mund të sillnin situatat e krijuara, Lleshaj u shpreh se “30 Qershori shënoi përmbylljen e suksesshme të një periudhe mjaft të ndërlikuar, gjatë së cilës u sfiduan shumë gjëra të rëndësishme në Shqipëri. Për muaj me radhë Policia e Shtetit u përball me një situatë krejt të panjohur në historinë më të re të Shqipërisë. Në harkun kohor të pesë muajve, asaj iu desh të angazhohej në mbrojtje të institucioneve kushtetuese të shtetit, të cilat u rrezikuan seriozisht nga sulme të organizuara, ku u përdorën masivisht edhe mjete të ndaluara dhe të rrezikshme shpërthyese. (…) Megjithëse në një situatë të pazakontë angazhimi, në mbrojtje të rendit publik dhe atij kushtetues, Policia e Shtetit arriti të ruajë një nivel optimal të të gjithë parametrave të tjerë të sigurisë në vend”. Më tej, ministri nënvizoi se gëzon përkrahjen e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama për të përmirësuar kushtet e punës dhe të trajtimit të efektivëve të Policisë së Shtetit. Edhe Rama pohoi se më duhet të pranoj se për të bërë më shumë, ne duhet t’u përgjigjemi më shumë dhe më mirë nevojave tuaja.

Kryeministri Rama i jep punonjëses së Policisë Ina Nukës “Ylli i Mirënjohjes Publike”

Kryeministri Edi Rama i akordoi dekoratën “Ylli i Mirënjohjes Publike” punonjëses së policis,ë Ina Nuku, gjatë një takimi të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, ku ishte i pranishëm ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.  Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, por edhe në një postim në rrjetin social “Facebook”, Rama e ka quajtur Ina Nukun si “Vajza simbol të rezistencës së Shtetit ndaj Antishtetit”. Duke nënvizuar se dhënia e dekoratës për Ina Nukën simbolizon mirënjohje për të gjitha vajzat që shërbejnë në radhët e Policisë së Shtetit, Kryeministri tha “Sot është dita e duhur për t’i dedikuar Inës dhe përmes saj, të gjitha vajzave që shërbejnë në uniformën e Policisë së Shtetit dhe të gjithëve ju, që u përballët denjësisht me agresionin e anti-shtetit, gjatë kësaj periudhe trazimi kombëtar, një shprehje simbolike mirënjohjeje, duke i akorduar “Yllin e Mirënjohjes Publike”, të Kryeministrit”. Rama solli në vëmendje të të pranishmëve rrezikun me të cilin u përballën efektivët e policisë gjatë protestave të partive të opozitës ku  mjete piroteknike dhe “bomba molotov”. Duke u ndalur në emrin e Ina Nukut, Rama u shpreh “më vjen posaçërisht mirë që këtu mes jush ndodhet edhe simboli i rezistencës suaj, të tërë kësaj periudhe tejet të vështirë për secilin dhe secilën prej jush, kolegia dhe mikja juaj, e them me krenari, tanimë edhe mikja ime Ina Nuka. Ina ra pre e një goditjeje qorre, me lëndë plasëse që mund t’i kishte marrë edhe jetën në krye të detyrës. Fatmirësisht ajo reagoi menjëherë duke shmangur më të keqen e mundshme, por jo gjymtimin e dorës. Një vajzë e zonja, e bukur, studente e pasionuar, me rezultate shumë të mira, punonjëse e re dhe e përkushtuar e Policisë së Shtetit, Ina u plagos rëndë jo në përballje me krimin e rrugës, por sepse u gjend përballë politikës së rrugës”.

Poloni/Takimi Ndërministerial për Procesin e Berlinit, për Ballkanin Perëndimor

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mori pjesë në Takimin Ndërministerial të Ministrave të Brendshëm të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Samitit të Poznanit për Ballkanin Perëndimor dhe nën koordinimin e Ministres së Brendshme dhe Administratës të Polonisë Elżbieta VVitek. Takimi u përqendrua në çështje të informacionit, emigracionit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik e financiar si çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal në funksion të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Ministri Lleshaj paraqiti arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në fushat që ishin objekt i takimit si dhe prioritetet e avancimit të mëtejshëm të agjendës së integrimit europian të vendit në fushën e sigurisë.  Gjatë veprimtarisë Ministri Lleshaj zhvilloi takime të shkurtra me disa prej ministrave pjesëmarrës.

Hapet zyra e re e aplikimeve të dokumenteve biometrike në Durrës

Në njësinë nr. 6 në Durrës, u hapën zyrat e reja moderne të aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti, duke u lehtësuar se tepërmi këtë shërbim qytetarëve durrsakë. Gjatë ceremonisë së zhvilluar ishin të pranishëm Zv.ministrja e Brendshme Voda, prefekti i Durrësit, zyrtarë të lartë të bashkisë dhe përfaqësuesi më i lartë i kompanisë koncesionare.  Zv.ministrja Voda edhe njëherë  bëri thirrje për të gjithë qytetarët e Durrësit, të nxitojnë dhe të aplikojnë për dokumentet e reja, në rast se ato skadojnë gjatë këtij viti. Zv.ministrja Voda tha se “Sot është hapur një zyrë e veçantë aplikimi. Sigurisht me kontributin e njësisë së qeverisjes vendore këtu, por edhe të ‘Aleat’, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Gjendjes Civile, në mënyrë që 43 mijë banorët e gjithë kësaj zone, të kenë mundësi të vijnë të aplikojnë me kushte dhe standarde të një cilësie shumë të lartë, për t’u pajisur me karta të reja identiteti dhe pasaporta biometrike”. Më tej, zv.ministrja theksoi se “ajo çfarë unë do t’u bëja thirrje të gjithë banorëve, të 43 mijë banorëve të kësaj zone, do të ishte patjetër që tashmë kanë mundësinë të vijnë, të aplikojnë. Është një kohë shumë e shkurtër, aplikimi nuk merr veçse 3-4 minuta kohë, zyrat janë në kushte shumë të mira, kanë patjetër punonjësen këtu në dispozicion, shërbimi i Gjendjes Civile është afër për çdo problematikë”. Përfaqësuesi i Kompanisë Koncesionare Jean Alean nënvizoi se “dua të falënderoj Bashkinë Durrës, Prefektin e Durrësit dhe natyrisht zv.ministren e Brendshme për bashkëpunimin në hapjen e kësaj zyre. Sot është një mundësi e mirë për ta treguar këtë, pra që ne po vijmë gjithmonë e më pranë qytetarëve, duke lehtësuar shërbimet për marrjen e pasaportave apo kartave të identitetit”. Prefekti i Durrësit Roland Nasto u ndal në investimet e kryera nga bashkia Durrës në këtë zonë “unë ndihem shumë i lumtur dhe i kënaqur sot që hapet kjo zyrë dhe që ka të bëjë me një nga shërbimet shumë madhore dhe të nevojshme që ka popullsia e kësaj zone, rreth 43 mijë banorë, që nuk janë pak”. Administrator i Njësisë 6, Durrës, Serjan Mazreku falënderoi Qeverinë shqiptare për mbështetjen për zonën.

Lezhë/Zv.ministri Lamallari, inspektim te “Rana e Hedhun”

Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, zhvilloi një inspektim në plazhin e quajtur “Rana e Hedhun” në Lezhë, për të parë nga afër zbatimin e masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, kryesisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë dhe qetësinë e pushuesve. Lamallari vlerësoi me këtë rast zbatimin e masave në këtë zonë dhe e konsideroi si një perlë të turizmit ku përfshihen plazhet e Tales, Shëngjinit e Kune-Vainit. Gjatë inspektimit ai u shpreh se “konstatuam gjatë këtij inspektimi në këtë zonë që janë përmbushur detyrimet lidhur me kullat e vrojtimit, me personat e certifikuar në kullat e vrojtimit. Për sa i përket edhe ndarjes në ujë, bovat qëndrojnë mbi ujë për të sinjalizuar notuesit për distancën që bëhet pastaj rrezik për jetën e tyre. Është një zonë e pastër, e qetë, edhe në aspektin e zhurmave dhe ndotjes akustike. Në këtë inspektim u shoqëruam edhe nga inspektorët e zonës për bregdetin, por që mbulojnë dhe pjesën e higjienës, mjedisit dhe të zhurmave. Ka dhe zona të tjera që meritojnë vëmendje, siç janë zona e Shëngjinit, e Tales dhe Kune-Vainit. Duan sigurisht dhe këto zona të përmbushin kriteret e nevojshme ligjore dhe detyrimet e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave”. Gjatë këtij inspektimi Lamallari shoqërohej nga Prefekti i Qarkut Lezhë, Gjokë Jaku, Drejtori i Drejtorisë Vendore të policisë, inspektorë të ngarkuar me detyrat përkatëse për zbatimin e VKM për sezonin turistik. “Jam këtu i shoqëruar dhe nga Prefekti i Qarkut dhe nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për t’u siguruar që gjithçka shkon sipas pritshmërive të pushuesve dhe standardeve të kërkuara nga ligji. Strukturat përkatëse shtetërore janë në inspektim dhe në zonat e tjera bregdetare, në plazhet që unë sapo përmenda. Aty ku nuk përmbushen si duhet kriteret e nevojshme, janë marrë masa me gjoba dhe sigurisht për rastet kur nuk zbatohet ligji dhe nga inspektorët, policia do të bëjë punën e saj për të vijuar më tej me procedimet penale. Sigurisht është në interesin tonë dhe në interesin kombëtar që të ketë sa më shumë pushues në vendin tonë por edhe në këtë zonë, i cili ofron padyshim mrekullitë e natyrës, qetësinë dhe pastërtinë për çdo pushues”, përfundoi Lamallari.

Zv.ministri Hodaj flet në  media për procesin e Vettingut në Polici

Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj në një intervistë për media ka sqaruar tashmë ka nisur nga zbatimi procesi i vlerësimit kalimtar dhe periodik i Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme. Në fazën e parë do të “skanohen” 245 punonjësit e parë me grada të larta drejtuese të Policinë e Shtetit, SHÇBA dhe Gardën e Republikës. Pas hedhjes së shortit, sipas Hodaj tashmë kanë filluar të depozitohen informacionet e para për 3 kritere të çdo punonjësi që do të kalojë në komisionin e rivlerësimit, e më konkretisht bëhet fjalë për integritetin, profesionalizmin dhe pasurinë. Deri në qershorin e ardhshëm pritet që të ketë përfunduar procesi për punonjësit e parë, ndërsa më pas për gradat më të ulëta. “Në vijim procesin e merr në dorë SHÇBA dhe e vazhdon deri në përfundimin e saj”, ka sqaruar Hodaj.

Hapen aplikimet për studentët e ekselencës në Policinë e Shtetit

Policia e Shtetit do të tërheqë në radhët e saj 100 punonjës të rinj, të cilët kanë përfunduar studimet universitare me rezultate shumë të mira. Nga këta, 60 studentë do të jenë të drejtimit “jurisprudencë”, 30 nga “ekonomi-financë” dhe 10 syresh “informatikë-elektronikë”. Këta kandidatë do të ndjekin një kurs të plotë specializimi pranë Akademisë së Sigurisë dhe në përfundim të ciklit, ata do të bëhen pjesë e trupës së Policisë së Shtetit.  Aplikimet e kandidatëve që plotësojnë kushtet kanë nisur që më datë 4 korrik 2019 dhe do të vijojnë deri më datë 31 korrik 2019. Kandidatët duhet të paraqesin kërkesën pranë Drejtorive Vendore të Policisë, pra në vendin ku banojnë me adresë të përhershme. Kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta, si dhe procedura e përzgjedhjes janë të publikuara on-line për çdo student të interesuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, ku përfshihet edhe gjuha e huaj anglisht. Ky është kursi i dytë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit!

Hapen aplikimet për shkollën bazë të policisë, për 500 vende

Hapet procesi i aplikimeve për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”. Aplikimet do të dorëzohen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Procesi i aplikimit, ka nisur në datë 3 korrik dhe është i hapur një muaj, deri në datën 3 gusht 2019.  Formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë. Në përfundim të të gjithë procesit të konkurrimit, kuota e pranimit që do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë do të jetë  500 kursantë, të ndarë në bazë të renditjes sipas pikëve të fituara në listën e rezultateve të arritura në fazat e konkurrimit. Kjo e ndarë në 2 kurse, në periudhat: Tetor 2019 – Prill 2020 dhe Maj 2020 – Nëntor 2020. Përzgjedhja e kandidatëve do të realizohet përmes një procesi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit. Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, dokumentacioni, procedura për përzgjedhjen e kandidatëve, shqyrtimi i dokumentacionit dhe procesi i ankimimit janë pasqyruar on-line në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.

Rinas, riatdhesohen vullnetarisht 29 azilkërkues nga Franca

Vijojnë operacionet e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në vendet e BE-së. Gjatë kësaj jave u riatdhesuan vullnetarisht  29 shtetas shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në Francë. Kthimi i tyre u krye u krye me avion të posaçëm, në një operacion të përbashkët të strukturave policore të Francës dhe Shqipërisë. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit edhe njëherë apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të mos tentojnë për të kërkuar azil dhe mos abuzojnë me rregullat për lëvizjen në hapësirën Schengen, si dhe të tregojnë kujdes mos bien pre e mashtrimeve për të marrë dokumente false me qëllim përfitimin e azilit në vendet e BE-së, pasi shanset për të përfituar janë zero. Operacionet e riatdhesimit  nga Policia Kufitare në bashkëpunim me partnerët e vendeve të BE-së do vijojnë edhe në javët e ardhshme.

Fier, SHÇBA në bashkëpunim me Policinë e Shtetit prangosin 2 punonjës policie dhe 5 shtetas të tjerë

SHÇBA, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, në bazë të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit të MB për luftën kundër kultivimit të kanabisit, finalizuan me sukses operacionin “Cakrani 2019” për evidentimin dhe asgjësimin e disa parcelave të mbjella me bimë narkotike dhe kapjen e autorëve të tyre.  Operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2019, për veprën penale “Shpërdorim detyre“ dhe “Kultivim i bimëve narkotike”,  hetim ky disa mujor në të cilin u aplikuan metodat speciale të hetimit. Gjatë këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, datë 04.07.2019 për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” ndaj 7 shtetasve, mes të cilëve dy efektivë të Komisariatit të Fierit, si dhe kryeplakun e Njësisë Administrative Cakran. Arrestimi i dy punonjësve të policisë u bë pasi duke shpërdorur detyrën dyshohet se kanë favorizuar banorë të ndryshëm të këtyre fshatrave për kultivimin e bimëve narkotike, në këmbim të përfitimeve financiare.   Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur evidentimi i 3 parcelave të mbjella me rreth 300 rrënjë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa në zonën e Cakranit, si edhe gropa të hapura për mbjelljen e tyre. Gjithashtu, në vendin e quajtur “Liqeni i Cakranit”, u evidentuan parcela të vogla me 30-50 rrënjë.  Gjatë kontrollit të banesave ndaj shtetasve të mësipërm u evidentuan edhe disa kubikë të mbjella me lëndë narkotike Cannabis Sativa. Operacioni vijon për kontrollin plotë të territorit.

OPERACIONE POLICORE

“Porosia e fundit”, 3 në pranga për shpërndarje droge

Efektivët e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas informacioneve të mara në rrugë operative, finalizua me sukses operacioni Policor i koduar “Porosia e fundit”, gjatë së cilit u bë arrestimi në flagrancë i 3 shtetasve, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Fillimisht shërbimet e Policisë kapën në flagrancë një 23- vjeçar nga Kavaja, ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, iu gjet një sasi prej rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis, si dhe një sasi lekësh që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, dy aparate celulare që përdoreshin për të siguruar klientelë, si dhe një automjet që mundësonte shpërndarjen e lëndës narkotike. Operacioni më tej ka vijuar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, në fshatin Çermë, ku u bë arrestimi i dy shtetasve, të cilit siguronin lëndën narkotike dhe ia shisnin më pas të riut kavajas, i cili më pas e shpërndante në doza të vogla, në qytetin e Kavajës.  Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Shkodër, goditet një grup i strukturuar kriminal në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin policor antidrogë të koduar “PREKALORI”, duke arrestuar në flagrancë 5 shtetas, pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal. Gjatë operacionit është sekuestruar 205 kg lëndë narkotike dhe 5 automjete që përdoreshin për transportin e kësaj lënde. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër mbi bazën e një pune të mirëfilltë operative policore grumbulloi informacione në lidhje me një grup kriminal që kishte lidhje me organizimin, financimin dhe transportin me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike të llojit marijuanë në Qarkun e Shkodrës. Hetimet në lidhje me këtë procedim janë kryer në bashkëpunim mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.  Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Veprimet që pengojnë zbulimin e të vërtetës” parashikuar nga nenet 238/2  dhe 301 të Kodit Penal.

Vlorë, asgjësohen fidanë cannabis sativa, sekuestrohen 2 armë zjarri dhe municion luftarak

Në vijim të kontrollit të territorit, Shërbimet e Policisë Selenicë në bashkëpunim me Strukturat e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike në një zonë në territorin e Njësisë Administrative Lapardha të Selenicës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia ka gjetur dhe asgjësuar fidanë cannabis sativa, si dhe ka gjetur të fshehura 2 armë zjarri (një automatik model 56′ dhe një pistoletë model 54′) si dhe municion luftarak.  Në vijim të veprimeve është arrestuar në flagrancë një 29- vjeçar, banues në fshatin Lapardha, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas të tjerë; si bashkëpunëtorë të implikuar në lidhje me ngjarjen.  Po në vijim të veprimeve për dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzim Krimi” një banor i Lapardhas, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen.  Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” të kryera në bashkëpunim.