Poloni/Takimi Ndërministerial i Ministrave të Brendshëm, për Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/07/2019

Poloni/Takimi Ndërministerial i Ministrave të Brendshëm, për Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor

Takimi Ndërministerial i Ministrave të Brendshëm, për Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor

POLONI – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mori pjesë në Takimin Ndërministerial të Ministrave të Brendshëm të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të Samitit të Poznanit për Ballkanin Perëndimor. Takimi u zhvillua nën koordinimin e Ministres së Brendshme dhe Administratës të Polonisë, Elżbieta Witek.

Takimi u përqendrua në çështje të informacionit, emigracionit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik e financiar si çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal në funksion të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Ministri Lleshaj paraqiti arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në fushat që ishin objekt i takimit si dhe prioritetet e avancimit të mëtejshëm të agjendës së integrimit europian të vendit në fushën e sigurisë.

Gjatë veprimtarisë ministri Lleshaj zhvilloi takime të shkurtra me disa prej ministrave pjesëmarrës.

 

POLONI – Gjatë qëndrimit në Poznan të Polonisë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim zyrtar me z. Ben Wallace, Ministër Shteti për Sigurinë dhe Krimin Ekonomik, në Mbretërinë e Bashkuar.

Takimi u përqendrua në bilancin e bashkëpunimit dypalësh si dhe në perspektivën e zhvillimit të tij.

Takimi evidentoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e sigurisë si dhe përcaktoi drejtime të rëndësishme zhvillimi sidomos në fushën e modernizimit dhe teknologjisë, Policisë Shkencore, arsimimit dhe kualifikimit, të luftës kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave.