Hapen aplikimet për t'u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta  - Ministria e Brendshme
Postuar më: 04/07/2019

Hapen aplikimet për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta 

Hapen aplikimet për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta – VIDEO

Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri dhe transparencë të kandidatëve më të mirë, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës e mos-diskriminimit, në zbatim të urdhrit të Ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Aplikimet bëhen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Aplikimet fillojnë më datë 4 korrik 2019 dhe mbyllen në datë 31 korrik 2019.

Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të Arsimit të Lartë janë 100, nga të cilat:

– 60 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike;

– 30 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë);

– 10 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë).

 

KRITERET E PËRGJITHSHME

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë:

– të jenë shtetas shqiptarë;

– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;

– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;

– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;

– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje;

– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;

– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

 

KRITERET E VEÇANTA

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë:

– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë);

– të jenë nën moshën 30 vjeç;

– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;

– të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;

– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT;

Aplikimet bëhen nga data 4 korrik 2019 deri në datë 31 korrik 2019, dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

 

PROCEDURA E PËRZGJEDHJES

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë:

– Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njëjtën fushë studimi;

– Vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;

– Intervistimi i aplikantëve;

– Kontrolli shëndetësor;

– Marrja e shenjave të gishtave;

– Verifikimi përfundimtar i aplikantit;

 

Ky është kursi i dytë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit!