Takim i Kryeministrit Rama dhe ministrit Lleshaj me drejtues të Policisë së Shtetit/Vlerësim për punën e 5 muajve të fundit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 02/07/2019

Takim i Kryeministrit Rama dhe ministrit Lleshaj me drejtues të Policisë së Shtetit/Vlerësim për punën e 5 muajve të fundit

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në takimin e KM Rama dhe drejtuesit më të lartë të Polisë së Shtetit – VIDEO

I nderuar z. Kryeministër,

Z. Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Të nderuar drejtues të Komisariateve dhe Drejtorive të Policisë së Shtetit,

30 Qershori shënoi përmbylljen e suksesshme të një periudhe mjaft të ndërlikuar, gjatë së cilës u sfiduan shumë gjëra të rëndësishme në Shqipëri. Për muaj me radhë Policia e Shtetit u përball me një situatë krejt të panjohur në historinë më të re të Shqipërisë. Në harkun kohor të pesë muajve, asaj iu desh të angazhohej në mbrojtje të institucioneve kushtetuese të shtetit, të cilat u rrezikuan seriozisht nga sulme të organizuara, ku u përdorën masivisht edhe mjete të ndaluara dhe të rrezikshme shpërthyese.

Policia e Shtetit arriti që ta përmbushë me sukses të plotë strategjinë tashmë të quajtur 1 – 1 – 0, pra: një hap mbrapa në kohë, një shkallë më poshtë në nivelin e forcës së ushtruar, dhe zero viktima.

Përmes një angazhimi model, profesional, qytetar, europian dhe atdhetar, Policia e Shtetit arriti që të mos lejonte poshtërimin e shtetit shqiptar, të mos lejonte poshtërimin e një vendi anëtar të NATO-s, të mos lejonte rrëzimin e institucioneve kushtetuese të Shqipërisë, të mos lejonte rrëzimin e sistemit të zgjedhjeve demokratike në Shqipëri dhe të mos lejonte krijimin e një gjendje kaosi dhe anarkie në vend. Po ashtu ajo arriti të mos lejonte krijimin e ndonjë fryme apo gjendje përçarjeje mes qytetarëve të Shqipërisë.

Megjithëse në një situatë të pazakontë angazhimi, në mbrojtje të rendit publik dhe atij kushtetues, Policia e Shtetit arriti të ruajë një nivel optimal të të gjithë parametrave të tjerë të sigurisë në vend.

Lufta për parandalimin dhe goditjen e tendencave për kultivimin e kanabisit ka vijuar me intensitet edhe me sukses të lartë.

Lufta kundër krimit të organizuar ka shënuar rezultate shumë të rëndësishme dhe inkurajuese. Dy grupe të rrezikshme kriminale janë shkatërruar, ngjarje të vjetra kriminale janë zbardhur , bashkëpunimi operacional me partnerët është thelluar. 12 grupe të organizuara kriminale janë shkatërruar gjatë kësaj periudhe dhe 125 anëtarë të tyre janë arrestuar. 205 armë zjarri janë sekuestruar gjatë kësaj periudhe.

Flukset e rritura turistike janë menaxhuar me profesionalizëm dhe koha e pritjes në pikat kufitare të vendit është reduktuar në mënyrë të ndjeshme.

Për këtë 6-mujor e kaluan kufirin tonë në hyrje-dalje rreth 9.5 milionë qytetarë. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kjo shifër ishte rreth 8.5 milionë. Pra kemi një rritje të konsiderueshme afër 10 % në flukset e lëvizjes në kufijtë tanë. Dhe gjithë ky angazhim është kryer nga Policia më e vogël e rajonit, e cila ka arritur që falë angazhimit, motivimit, organizimit dhe disiplinës së lartë e profesionale të realizojë detyrën.

Ndonëse jemi mbledhur sot, për të vlerësuar punën e Policisë së Shtetit, duhet thënë se detyra juaj dhe detyra jonë, thjesht vazhdon më tej, me ritëm dhe energji të reja. Sfida kryesore mbetet përsëri lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe përmbushja e detyrimeve në kuadër të integrimit europian të vendit.

Përballimi i tyre është në funksion të vetëm një fjalë të vetme, që është modernizimi. Ne do të vijojmë punën për reformimin e edukimit dhe trajnimit, modernizimin dhe shtimin e pajisjeve dhe të personelit, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e trajtimit ekonomik dhe financiar të Policisë së Shtetit.

Unë jam i bindur se përkrahja dhe mbështetja e Qeverisë dhe e Kryeministrit për këtë axhendë intensive reformash dhe modernizimi do të vijojë më tej tendencën e rritjes së qartë. Dhe me këtë rast, edhe në emrin tuaj më lejoni ta falënderoj Kryeministrin Rama për vëmendjen dhe angazhimin e veçantë në favor të një Policie me standarde europiane.

Zbatimi në praktikë i reformës në drejtësi është i lidhur ngushtë me mirëfunksionimin e Policisë së Shtetit, e cila do të jetë në lartësinë e kërkesave ligjore si dhe pritshmërive legjitime të qytetarëve shqiptarë për një sistem funksional drejtësie. Faleminderit!

Fjala e Kryeministrit Edi Rama para trupës drejtuese të Policisë së Shtetit – PDF 

Kryeministri Edi Rama i akordon “Yllin e Mirënjohjes Publike”, punonjës së Policisë Ina Nuka

Kryeministri Rama i ka akorduar dekoratën “Ylli i Mirënjohjes Publike” punonjëses së Policisë Ina Nuka, gjatë një takimi të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme ku ishte i pranishëm ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.

Në fjalën e tij Rama ka vlerësuar punën, mundin dhe sakrificat e forcave të Policisë së Shtetit për përballimin e presionit të ushtruar nga opozita nëpërmjet një serie protestash të dhunshme, duke shprehur njëherësh mirënjohje e falënderime për 60 efektivët e lënduar gjatë këtyre protestave.

Duke u ndalur në emrin e Ina Mukës, Rama u shpreh se “më vjen posaçërisht mirë që këtu mes jush ndodhet edhe simboli i rezistencës suaj, së tërë kësaj periudhe tejet të vështirë për secilin dhe secilën prej jush, kolegia dhe mikja juaj, e them me krenari, tanimë edhe mikja ime Ina Muka. Ina ra pre e një goditjeje qorre, me lëndë plasëse që mund t’i kishte marrë edhe jetën në krye të detyrës. Fatmirësisht ajo reagoi menjëherë duke shmangur më të keqen e mundshme, por jo gjymtimin e dorës. Një vajzë e zonja, e bukur, studente e pasionuar, me rezultate shumë të mira, punonjëse e re dhe e përkushtuar e Policisë së Shtetit, Ina u plagos rëndë jo në përballje me krimin e rrugës, por sepse u gjend përballë politikës së rrugës”.

Duke nënvizuar se dhënia e dekoratës për Ina Nukën simbolizon mirënjohje për të gjitha vajzët që shërbejnë në radhët e Policisë së Shtetit, Kryeministri tha se “sot është dita e duhur për t’i dedikuar Inës dhe përmes saj, të gjitha vajzave që shërbejnë në uniformën e Policisë së Shtetit dhe të gjithëve ju, që u përballët denjësisht me agresionin e anti-shtetit, gjatë kësaj periudhe trazimi kombëtar, një shprehje simbolike mirënjohjeje, duke i akorduar “Yllin e Mirënjohjes Publike”, të Kryeministrit.

Kryeministri Rama tha se Policia e Shtetit pavarësisht situatës së ngarkuar me tensione që nxiten nga politike, ka arritur të ketë rezultate të mira në luftën kundër krimit dhe paligjshmërisë në vend. Ai paraqiti me shifra parametrat e luftës kundër krimit duke vlerësuar profesionalizmin e trupës së policisë, ndërsa rezervoi kritika për menaxhimin e situatës në plazhet e vendit dhe vijën bregdetare.