Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 92 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 01/07/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 92

Raporti Javor nr. 92

“24 – 30 Qershor 2019”

Shërbimet e Policisë së Shtetit pranë çdo KZAZ-je dhe Qendre Votimi, garantuan mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Policia e Shtetit mbi bazën e planit të detajuar të masave, garantoi mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor për zgjedhdhjet lokale të 30 Qershorit. Puna e strukturave të Policisë së Shtetit, për përgatitjen e masave për sigurimin e zgjedhjeve filloi që në muajin Shkurt 2019, me hartimin e detyrave në Programin e Punës, janë përgatitur Urdhra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; plane masash dhe dokumente të tjera që kompletojnë masat tona dhe detyrat për procesin zgjedhor. U trajnuan 7779 punonjës të Policisë që u angazhuan me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor. Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 15 Qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i dërgoi në KQZ, në afatin e përcaktuar listën me 5876 punonjës të policisë që u angazhuan me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë dhe listën me 281 automjete civile që u përdorën në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë. Nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë, Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit dhe struktura të tjera u dërguan 1450 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor  në disa Drejtori Vendore të Policisë, si dhe u vunë në dispozicion 543 automjete. 84 objekteve të rëndësishme që sigurohen me punonjës policie, u morën në ruajtje nga forcat “Komando”.

“30 Qershori, një kontribut i rëndësishëm në drejtim të dëshmimit të faktit se Shqipëria është një vend që meriton hapjen e negociatave”

Pasi hodhin votën, së bashku me familjen, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e konsideroi votimin si një ndër vendimet më të rëndësishme që merr një qytetar për të vendosur për ata që do të qeverisin pushtetin vendor. “Pas një periudhe shumë të ndërlikuar përgatitjeje, sot mund të them me kënaqësi që zgjedhjet po zhvillohen në të gjithë vendin të lira, të qeta, nën një atmosferë shumë të mirë. Është e rëndësishme të theksoj dhe t’ju bëj ftesë gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë mundësinë për të ushtruar përgjegjësinë e tyre qytetare, aq më tepër që jemi në vigjilje të një vendimi shumë të madh për Shqipërinë, pra për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Këto zgjedhje janë po ashtu një kontribut i rëndësishëm në drejtim të dëshmimit të faktit se Shqipëria është një vend, i cili meriton hapjen e negociatave, i cili mund të zhvillojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të drejta”, deklaroi për mediat ministri i Brendshëm.

Lleshaj deklaroi në “Opinion”: Në 30 qershor do të zhvillohen zgjedhje, janë marrë të gjitha masat, infrastruktura është e garantuar

Situata politike në prag të zgjedhjeve, masat e marra për sigurinë e procesit zgjedhor, problematikat e ndryshme të dala nga disa zyrtarë lokalë të opozitës, kanë qenë në fokus të intervistës së Ministrit të Brendshëm Lleshaj dhënë për emisionin “Opinion” në TV Klan me gazetarin Blendi Fevziu. Lleshaj shprehu gjithashtu qëndrimet zyrtare në lidhje me disa publikime në shtypin e huaj ku dyshohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë/ish-zyrtarë të policisë. Në lidhje me procesin e zgjedhjeve, Lleshaj hoqi çdo dyshim rreth mundësisë së zhvillimit të tyre në datën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji. “Në 30 qershor do të zhvillohen zgjedhje. Organet përkatëse kanë marrë të gjitha masat, infrastruktura është e garantuar, policia është në rolin e vet deri ditën e zgjedhjeve, të plotë, por dhe atë ditë ka atë rol që duhet të ketë dhe do ta ushtrojë me vendosmëri, në qoftë se do të ketë nevojë për të ndërhyrë në pajtim me ligjin, me kërkesë të KQZ-së. Policia do të zbatojë detyrimet e saj ligjore nëse kërkohet. Unë jam i bindur, në konsideratë të të gjithë situatës, në konsideratë të informacioneve, etj. që dita e zgjedhjeve do të jetë një manifestim dinjitoz i shqiptarëve për të ushtruar të drejtën e tyre. Problematikë në zgjedhjet në Shqipëri ka pasur përherë, sporadike, por integriteti i zgjedhjeve nuk do cenohet”, tha Ministri. (E PLOTË)

Mbarëvajtja e sezonit turistik, zv.ministret Voda e Kuko, inspektim në vijën bregdetare në Kavajë e Divjakë

Në plazhet e Golemit dhe Divjakës kanë zhvilluar inspektime në kuadër të zbatimit të masave për sigurinë e sezonit turistik, dy zv.ministret Rovena Voda dhe Romina Kuko. Me këtë rast, ato kanë theksuar rëndësinë prioritare që ka mbarëvajtja e sezonit turistik dhe në këtë kuadër, zbatimit i planit të masave të miratuara.  Voda duke inspektuar një zonë në plazhin e Golemit, u shpreh se “Kemi ardhur në kuadër të Task Forcës për turizmin, për të inspektuar masat e marra në kuadër të sezonit turistik gjatë vijës bregdetare. Ministria e Brendshme ka angazhimet e saja në kuadër të VKM për sigurinë në plazhe. Jemi duke parë se si po respektohen ato. Sezoni turistik është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare; përmend këtu urdhrin e Kryeministrit për ngritjen e Task Forcës për turizmin edhe këtë vit, për t’u garantuar pushuesve pushime sa më dinjitoze, por edhe sigurisht për të pasur edhe siguri gjatë sezonit turistik”. Voda theksoi se në rast mosplotësimi të detyrimeve ligjore “Ministria e Brendshme, Task Forca në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit do të marrë masa duke filluar që nga masat administrative, por, pse jo, aty ku do të ketë shkelje flagrante të ligjit, edhe masa penale, për të gjithë ata që nuk respektojnë VKM-në dhe nuk respektojnë kriteret të përcaktuara në rregulloret”. Ndërkohë zv.ministrja Kuko, gjatë inspektimit të saj në Divjakë nënvizoi se “Siguria gjatë sezonit turistik është në fokus të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.” Në këtë inspektim ajo shoqërohej nga zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV). Inspektimet përfshijnë gjithë spektrin e masave të parashikuara jo vetëm nga institucionet e varësisë së MB, por edhe ato që janë përgjegjësi ligjore e pushtetit vendor.

Riatdhesohen 32 shqiptarë nga Franca. Në 2019 rreth të kthyer, asnjë shans për azil në BE

Këtë javë në aeroportin e Rinasit u kthyen edhe 32 shtetas shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në mënyrë të paligjshme në Francë dhe Belgjikë.  Operacioni i riatdhesimit, u zhvillua në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë franceze dhe atë belge, ku gjatë një fluturimi të përbashkët mes Francës dhe Belgjikës u riatdhesuan 32 shtetas shqiptarë të cilëve iu është refuzuar kërkesa për qëndrim. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero. Të gjithë qytetarët që duan të punësohen në BE duhet të ndjekin rrugën ligjore dhe të mos bien pre e mashtrimeve me dokumente të falsifikuara apo me tendencën për të kërkuar azil, pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta dhe mundësia për të fituar azil është zero. Policia Kufitare ka forcuar masat në kontrollin e dokumentacionit në dalje në të gjitha pikat e kalimit si dhe ka shtuar patrullimet në kufirin e gjelbër. Në kufirin me Greqinë është duke u zhvilluar operacioni i përbashkët me FRONTEX.

Operacioni Ndërkombëtar “Goldfinger”; arrestohet shkodrani  pasi i sekuestrohen pronat

Autoritet e hetimit të EUROPOL në bashkëpunim me ato të Danimarkës, të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë organizuan një operacion ndërkombëtar për goditjen e grupit kriminal “GOLDFINGER”, që ushtronin aktivitet kriminal  në fushën e drogave të forta, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj.  Gjatë operacionit u arrestuan mbi 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim. Gjatë operacionit u sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, armë zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.  Në Shqipëri, Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Shkodër, Tiranë dhe Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, arrestuan shtetasin A.B., 51 vjeç, banues në Shkodër, me rol kryetar i grupit kriminal, u shpall në kërkim një shtetas tjetër, dhe u sekuestruan rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.

SHÇBA, 2 operacione kundër narkotikëve dhe korrupsionit

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në 2 operacione të ndryshme të zhvilluara në Tiranë dhe Fier ka çuar në arrestimin e 3 punonjësve policie dhe 4 shtetasve. Më konkretisht SHÇBA, ka bërë të mundur ndalimin e 3 punonjësve të policisë, një në Komisariatin nr. 2 në Tiranë dhe 2 punonjësve të Komisariatit të Fierit. Këto operacione u finalizuan mbas hetimesh disa mujore, të kryera me metoda speciale. Në Fier, punonjësit e policisë u arrestuan pasi duke qenë në detyrën e specialistit të Krimeve dhe të OPGJ-së në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim edhe me një avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier, nëpërmjet skemës së mashtrimit, dyshohet se realizonin presione dhe inskenime ndaj qytetarëve të ndryshëm kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime/ndalime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale. Në këto kushte, arrestimi u bë për veprat penale “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre, në bashkëpunim”. Ndërsa në Tiranë nga hetimet 3- mujore, u siguruan prova se punonjësi i Policisë, në bashkëpunim me persona të tjerë, përveç se ishin përdorues, shpërndanin edhe lëndë narkotike. Ai duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, siguronte mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm. Gjatë kontrollit u sekuestruan armë, para si dhe qese të dyshuara se përmbajnë lëndë narkotike të llojit kokainë. Hetimet po vijojnë edhe ndaj personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë furnizues me lëndë narkotike të personave të arrestuar.