Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 91 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/06/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 91

Buletini Javor nr.91

“17 – 23 Qershor 2019”

DITA NË QARK – MINISTRI I BRENDSHËM TAKIME NË VLORË

Mbarëvajtja e sezonit turistik/Përgjegjësi e çdo drejtuesi që nuk zbaton me përpikëri standardet

Vlora ishte etapa e radhës ku Ministri Lleshaj ka zhvilluar takime me autoritetet vendore në kuadër të veprimtarisë “Dita në qark”. Në takimin e zhvilluar me praninë e medias, ku morën pjesë Prefekti i qarkut, drejtues të Policisë së Shtetit dhe autoritetet portuale, Ministri nënvizoi rëndësinë e zbatimit të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, krahas kujdesit të shtuar për ruajtjen e sigurisë, luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike etj. Lleshaj u shpreh se për 5 mujorin e parë të këtij viti, ka pasur një tendencë rritjeje në raport me vitin e shkuar të hyrje-daljeve në kufijtë e shtetit shqiptar, çka përkthehet si një rritje e numrit të vizitorëve të huaj. “Numri i lartë i vizitorëve që vijnë në Shqipëri, kërkon edhe një angazhim shumë të lartë të strukturave që janë përgjegjëse për të garantuar sigurinë e këtyre qytetarëve (turistëve),” tha ai. Duke u ndalur në këtë çështje, ai tha se nga analiza e bërë në MB ka dalë shqetësimi se disa nga operatorët privatë nuk kanë plotësuar detyrimet sipas ligjit për një për masat e sigurisë së pushuesve në plazhe. Lleshaj tha se këto detyrime ligjore duhet të plotësohen brenda kësaj jave ose në të kundërt përgjegjësia do të bjerë mbi autoritetet zyrtare të ngarkuara me menaxhimin e këtyre problematikave. Ai kërkoi nga Policia e Shtetit që të ndjekë me rigorozitet zbatimin e detyrave nga autoritetet vendore dhe për rastet e mosplotësimit të tyre, të ndërmarrë hapat e duhura për t’i vënë para përgjegjësisë ligjore. “Kjo javë është në dispozicion të drejtorive vendore, të prefekturave dhe të degëve territoriale për të kontrolluar, për të marrë masa për të ndaluar veprimtarinë e kujtdo që nuk zbaton këto kërkesa. Do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj çdo drejtuesi që nuk zbaton me përpikëri standardet e parashikuara.” Ministri nënvizoi me tej edhe rëndësinë që ka mirë menaxhimi i qarkullimit rrugor dhe sidomos i flukseve në portin detar të Vlorës. Duke kërkuar kujdes maksimal në zbatimin e rregullave të sigurisë, ai vuri në dukje se përbën shqetësim tentativa e disa shtetasve të painformuar për të kërkuar azil të paligjshëm në vendet e zonës Shengen. “Gjej rastin t’ju kërkoj që të jeni shumë të kujdesshëm sa i përket menaxhimit të pikave kufitare për të mos lejuar qytetarë që nuk zbatojnë zonën Shengen,” tha ai. Ministri shtroi edhe çështjen e menaxhimit të kufirit blu dhe rëndësisë së bashkëpunimit mes agjencive të ndryshme shtetërore.

NUK DO TË CËNOHET ASPAK RENDI DHE SIGURIA E ZGJEDHJEVE

Sulmet e KZAZ-ve, Ministri Lleshaj: Shfaqja e turpshme e akteve barbare kundër zgjedhjeve 

Ministri i Brendshëm,  Sandër Lleshaj, ka dënuar me forcë sulmet në ambientet ku janë vendosur Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në disa bashki të vendit. “Kjo është një shfaqje brutale e dëshpërimit politik të kthyer në veprimtari të paligjshme e në akte kriminale, që do të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit. Policia e Shtetit, garantja ligjore e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, e cila po provokohet dhe po sulmohet në mënyrë të organizuar, po përgjigjet dhe do të përgjigjet proporcionalisht dhe me vendosmëri deri në fund”, ka thënë Lleshaj.  Më tej ai u ka bërë thirrje punonjësve publikë të bashkive që të mos marrin mbi vete barrët e rënda ligjore, duke kryer krime elektorale të dënueshme nga Kodi Penal. “Qeveria do të marrë masa të menjëhershme, që në pajtim me ligjin, të shkrijë disa struktura të policive bashkiake që kanë dalë haptazi jashtë misionit të tyre dhe janë shndërruar faktikisht në një rrezik publik. Askush nuk do të tolerohet!  Ndoshta kjo mund të jetë pak, por dhe shumë e  sigurt. Ndërkohë, u përcjell të gjithë qytetarëve shqiptarë mesazhin se e gjithë kjo shfaqje e turpshme aktesh barbare kundër zgjedhjeve, nuk do të cenojë aspak rendin dhe sigurinë e tyre.  Policia e Shtetit është në krye të detyrës dhe pavarësisht vështirësive të posaçme të kësaj situate, nuk do të cedojë asnjë milimetër nga përgjegjësia e saj për mbrojtjen dhe garantimin e ligjit.  U bëj apel po ashtu, prokurorëve dhe gjykatësve të këtyre territoreve, ku po shkelet ligji dhe po sulmohet e drejta e popullit për të zgjedhur, që të zbatojnë ligjin, vetëm ligjin dhe asgjë tjetër përveç tij”, ka thënë ai.  Ministri Lleshaj ka garantuar se Policia e Shtetit do të ndalojë dhe do të arrestojë në bazë të ligjit, çdo shkelës dhe do të depozitojë prova të mjaftueshme për ndëshkimin e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.  “Ky është një moment kritik në betejën e ligjit me anti-ligjin, shtetit me anti-shtetin, shoqërisë me grupet paramilitare të një politike që zhvillohet në shtratin e paligjshmërisë.  Në ketë moment, ligji, shteti, shoqëria dhe kushdo që i përfaqëson ato, si autoritet, si zyrtar apo si qytetar, duhet të jenë bashkë.  S’ka asnjë dyshim se një pakice njerëzish të dalë nga hullia e ligjit, nuk do të imponojnë asgjë tjetër, përveç reagimit të fortë, kompakt dhe fitues të ligjit, shtetit dhe të shoqërisë. Kryetarë bashkish që po u përfundon mandati legjitim nuk mund të qëndrojnë me dhunë më në detyrë. Mandatet për të qeverisur bashkitë e vendit i jep vetëm populli shqiptar përmes votës së tij të lirë. Ata që i janë shmangur gjykimit dhe vendimmarrjes së popullit për arsye që jo vetëm ata, por gjithë Shqipëria dhe bota tashmë i di, nuk mund të marrin peng asgjë”, ka përfunduar Lleshaj.

SULMET NDAJ KZAZ-ve NË SHKODËR, TROPOJË, TIRANË, KAVAJË, MAT, BERAT, KUKËS E DEVOLL

Policia arrestoi 35 persona, 47 në kërkim dhe 131 vetë u proceduan në gjendje të lirë

Të paktën 14 KZAZ në të gjithë vendin janë bërë objekt i sulmeve dhe dëmtimit në mënyrë të organizuar. Për pasojë policia ka proceduar dhjetëra persona, mes të cilëve: 35 të arrestuar, 47 shtetas janë shpallur në kërkim, dhe 131 ndiqen në gjendje të lirë.  Ata akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, “Kundërshtimi i Punonjësit të Rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të Punonjësit të Rendit publik”. Aktet më të rënda janë regjistruar në KZAZ në Bashkinë Shkodër, ku disa shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë kryer veprime aktive, për të djegur me zjarr shkollën “Shejnaze Juka” dhe materialet zgjedhore që ndodheshin në ambientet e kësaj shkolle. Gjithashtu ata kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, të vendosur për të garantuar mos-prekjen e materiale zgjedhore. Në bashkëpunim me Prokurorinë, Policia ka dokumentuar përmes identifikimit me anë të pamjeve filmike dhe fotografike, autorët të dyshuar si të implikuar në këto akte antiligjore. Mes personave të shpallur në kërkim janë edhe ish-deputetë të zonës, anëtarë të këshillit bashkiak si dhe punonjës të Bashkisë Shkodër. Ndërkohë disa shtetas të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Policia e Shtetit mbetet tërësisht e angazhuar dhe në krye të detyrës në përgjegjësinë për mbrojtjen dhe garantimin e ligjit dhe sigurinë e qytetarëve.

RIATDHESOHEN 127 SHTETAS, QË IU REFUZUA AZILI NË FRANCË

“Azilkërkimi, rrugë e gabuar e me kosto për ata e gjithë shqiptarët!”

Në aeroportin “Nënë Tereza” janë kthyer 127 shtetas shqiptarë me avionë të posaçëm, të cilët janë riatdhesuar pas refuzimit të kërkesës për azil nga autoritetet franceze.  Operacioni i riatdhesimit u zhvillua në bashkëpunim me Policinë franceze.  Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda ka apeluar që çdo përpjekje për kërkim azili nga shtetasit shqiptar është e dështuar, sepse Shqipëria konsiderohet ndër vendet e sigurta, ndaj askush të mos bëjë shpenzime ekonomike për të kërkuar azil, pasi mundësitë janë zero.  Zv.ministrja gjithashtu apeloi për të gjithë, që të ndjekin rrugën ligjore për t’u punësuar në vendet e BE-së.  Ndërkohë znj. Gordana Tadic, N/drejtore territoriale e zyrës franceze të integrimit dhe migrimit, ka theksuar se bashkëpunimi mes dy policive është i shkëlqyer dhe po punohet maksimalisht për parandalimin e azilkërkimit.  Operacione të riatdhesimit do të ketë dhe në ditët në vijim, jo vetëm me Francën por edhe me vendet e tjera të BE-së.

LAÇ, HAPET ZYRA E RE E APLIKIMEVE PËR DOKUMENTET BIOMETRIKE

“Aplikoni për karta ID, me afrimin e muajve të verës do të ketë fluks”

Në Bashkinë e Laçit është hapur zyra e re e aplikimeve për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, e ngritur në bashkëpunim me kompaninë koncesionare. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, nënkryetari i Bashkisë, si dhe përfaqësues nga kompania inspektuan sportelet e aplikimit dhe panë nga afër procedurat përkatëse për pajisjen e shtetasve me dokumentet biometrike e karta ID. Duke vlerësuar angazhimin e bashkisë Laç në këtë proces, Zv.ministrja Voda u shpreh se tashmë zyra e re ofron shërbim shumë herë më cilësor dhe të shpejtë. “Procedura është shumë e shkurtër, ambienti i përbashkët i ALEAT dhe zyrës së Gjendjes Civile lejon komunikimin e shpejtë për çfarëdolloj rasti. Gjithashtu, nga takimi që patëm me shefin e Komisariatit Laç, Policia është gjithmonë e gatshme. Formularët e aplikimit vijnë gjithmonë në kohë, gjë e cila e lehtëson punën, për të ofruar një shërbim sa më të mirë kundrejt qytetarëve”, u shpreh Voda. Më tej ajo ka theksuar se vëmendja e Qeverisë, Ministrisë së Brendshme është që në çdo cep të Republikës së Shqipërisë t’u ofrojë qytetarëve një shërbim sa më dinjitoz për pajisjen e tyre me dokumentet e reja biometrike. Voda ka apeluar që qytetarët, të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së kartave të identiteti, të aplikojnë sa më parë në mënyrë që të mos krijojnë radhë pritjeje. “Thirrja ime për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, jo vetëm për banorët e qytetit të Laçit, që sot kanë mundësi të vinë në këto zyra shumë të mira dhe shumë komode që të aplikojnë do të ishte: Ejani dhe aplikoni për karta identiteti dhe pasaporta biometrike, sepse me afrimin e muajve të verës do të kemi një fluks shumë më të madh, fillon fluksi i prodhimit të pasaportave biometrike, vijnë studentët, emigrantët, etj. Ndaj ju lutem ejani dhe aplikoni sepse tashmë standardet flasin vetë!”, theksoi Voda.

OPERACIONE POLICORE

POLICIA E SHTETIT PJESËMARRËSE NË OPERACION NDËRKOMBËTAR “OPSON 8”

Operacioni me pjesëmarrjen e më shumë se 70 vendeve nga e gjithë bota

Që prej 4 vitesh, Shqipëria nëpërmjet Policisë së Shtetit mbështet dhe merr pjesë në operacionin ndërkombëtar “OPSON 8”, për goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit, tregtimit, trafikimit të produkteve ushqimore dhe pijeve nën standarde dhe të falsifikuara Gjatë operacionit në Shqipëri gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia në të gjitha qarqet janë kontrolluar në total rreth 244 subjekte tregtare, persona fizike, punishte dhe automjete transporti; janë proceduar penalisht për veprën penale të “Shkelja e drejtave të pronësisë industriale”, gjithsej 8 subjekte. U proceduan penalisht në gjendje të lire 22 persona, u arrestuan në flagrancë dhe ndaluan 9 persona, është shpallur në kërkim 1 person. Gjithashtu janë sekuestruar mallra të ndryshme ushqimore dhe pije të falsifikuara, nën standarde apo të prodhuara në mënyrë të kundraligjshme.

TIRANË – FINALIZOHET OPERACIONI POLICOR “PREVENTION”

Parandalohet një tentativë për kultivim kanabisi, si dhe shpërndarje e drogave të forta

Policia arrestoi një shtetas dhe shpalli në kërkim tre të tjerë për shkak se dyshohen si autorë të ngritjes së një rrjeti prodhimi dhe shpërndarjeje lëndësh narkotike të ndryshme si kanabis, kokainë etj.. Në bazë të informacioneve të mbledhura, Policia ka ushtruar kontroll në garazhet e një shtetasi ku u sekuestruan 242.6 gr lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 1.1 gr lëndë narkotike Cannabis në formë çokollate, fishekë luftarakë, peshore elektronike, 3 motoçikleta. Në një tunel betoni të ndërtuar në dyshemenë e garazhit u gjetën dhe sekuestruan pajisje të tjera që përdoreshin  për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura si llamba elektrike, ventilatorë aspirues, transistorë elektrikë, tuba alumini për aspirim, fuçi për mbajtjen e lëndës narkotike, me aromën karakteristike të Kanabisit, set automatesh dhe prizash elektrike. Në kuadër të këtij operacioni të koduar “Prevention”, vijon puna hetimore për zbardhjen më tej të këtij aktiviteti kriminal dhe kapjen e personave në kërkim.

DURRËS – POLICIA KUFITARE GODET NJË TENTATIVË TË KONTRABANDËS

Sekuestrohen 309 steka me paketa cigare, arrestohet në flagrancë 1 shtetas

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave shtesë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjatë kontrollit në vijën e dytë të autobusëve dhe kamionëve, në autobusin e linjës Maqedoni-Durrës-Bari, me drejtues shtetasin Q.S., kanë konstatuar të fshehura në brendësi të autobusit steka me paketa cigare të llojeve të ndryshme të pa deklaruara nga ana e drejtuesit të autobusit. Menjëherë është njoftuar Grupi Hetimor, ku gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, Policisë Kufitare dhe shërbimeve doganore, rezultoi se brenda autobusit ishin të fshehura 309 steka me paketa cigare të markave të ndryshme (3090 paketa), kontrabandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të 32 vjeçarit.

LUSHNJË – GODITET NJË RAST ARMËMBAJTJE PA LEJE, FALË BASHKËPUNIMIT ME QYTETARËT

Sekuestrohet një pistoletë, arrestohet në flagrancë autori

Në kuadër të bashkëpunimit me qytetarët për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë, si dhe në sajë të punës së mirë-organizuar nga efektivët e Komisariatit të Policisë Lushnjë, u godit një tjetër rast në fushën e armëmbajtjes pa leje. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 29 vjeç, banues në Lushnjë. Ai është denoncuar nga qytetarët se lëvizte me armë zjarri pa leje. Shërbimet e Policisë Lushnjë, pas kontrollit të automjetit që drejtohej nga ky shtetas, gjetën në çantën e tij të krahut 1 pistoletë me 15 fishekë.