Intervista e ministrit Lleshaj në emisionin “Opinion” në TV Klan - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/06/2019

Intervista e ministrit Lleshaj në emisionin “Opinion” në TV Klan

VIDEO – Përmbledhje nga intervista e Ministrit Lleshaj në emisionin “Opinion” në TV Klan:

Ministri Lleshaj: Shqiptarët nuk janë të ndarë, dhe nuk janë të ndarë në dy palë. Mund të jetë politika e ndarë, por shqiptarët jo. Partitë politike janë në një moment delikat marrëdhëniesh mes tyre. Ky është një diskutim politik mes dy grupeve politike, ose midis një grupi, i cili ka lënë de facto politikën.

Zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor.  Zgjedhjet janë vullnet i popullit shqiptar dhe nuk janë vullnet i presidentit. 30 qershori është data e fundit kushtetuese e mundshme për të mbajtur zgjedhje në Shqipëri. Ka një arbitër shumë të qartë për zgjedhjet, ai është Kolegji Zgjedhor, ajo është gjykata e fundit. Presidenti bën dekretimin, ai nuk mund të zhdekretojë zgjedhjet. Dekretimi është shprehur dhe dekretimi po zbatohet.

Bashkitë nuk kanë rol në zgjedhje, detyrimet e tyre kanë mbaruar. Bashkitë mund të kërkojnë të mos bëhen zgjedhje, por janë në një konflikt ekstrem interesi me këtë fakt. Për datën është rënë dakord, kur është bërë kushtetuta. Presidenti ka caktuar si datë zgjedhjesh datën e fundit të mundshme kushtetuese. Dekreti i dytë i Presidentit është konsideruar ‘nul’, nga dy instanca më të mëdha sesa vetë Presidenti, nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga Kolegji Zgjedhor.

Nuk rrezikon të ketë përplasje civile, sepse nuk ka një konflikt civil në Shqipëri. Probleme mund të ketë me datë 30 qershor, probleme të rendit publik, probleme të kriminalitetit, por jo probleme të konfliktit civil. Kemi informacione që mund të ketë tentativa për të shkaktuar probleme në nivelin kriminal të çështjes, por jo në nivelin civil.

Deklaratat e kësaj natyre, kategorike që – nuk do të ketë zgjedhje – janë deklarata absurde. Do të ketë zgjedhje për arsye se Kryeministri ka në dorë një element, ka në dorë një parti politike dhe një aleancë politike, e cila është rreshtuar, për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ato do marrin pjesë në zgjedhje! Pala tjetër ka deklaruar që nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, por jo që s’do të ketë zgjedhje.

Qytetarët shqiptarë, po e testojmë përditë përmes zhvillimit të fushatës elektorale, masivisht janë të gatshëm dhe të ndërgjegjshëm për të ushtruar përgjegjësinë e tyre. Hapja e lokaleve të zgjedhjeve është një mundësi e artë për të parë se si do të reagojnë shqiptarët ndaj tyre, vetëm kjo është rruga.

Në Shqipëri policët janë të depolitizuar. Nëse do të provohej në mënyrë ligjore që një drejtor policie është përfshirë në fushatë, ai nuk duhet të jetë në radhët e policisë. Kushtet e pezullimit të një punonjësi policie janë të përcaktuara në ligj. Dorëheqja do të ishte e rekomandueshme për këdo që është nën akuzë. Ka një ligj të policisë; unë nuk mund ta pezulloj një oficer policie për çështje të paprovuara (juridikisht).

Po e masakrojmë një dosje (të përgjimeve) e cila mund të na shërbente. Po i bëjmë një dëm kësaj dosjeje. Është masakruar një proces i rëndësishëm penal. Kjo dosje, e cila duhej të ishte mbyllur sot  dhe këta (autorët) duhet të kishin shkuar në burg, sepse kanë konsumuar vepër penale, sepse ka filluar në 2016-ën; sot jemi në 2019-ën. Ka një afat 2-vjeçar një proces hetimor, i cili ka kaluar tashmë. Dhe ç‘ndodh? Në vend që ta çojmë në gjyq dosjen, e kemi çuar në media, madje edhe në Gjermani, e kemi nxjerrë jashtë loje gjithë këtë dosje. U kemi dhënë alibi të gjithë këtyre (autorëve). Shqetësimi ynë qytetar e politik duhet të jetë, ‘ta çojmë dosjen në prokurori dhe të presim përfundimin e saj’, ndërkohë që kjo është zhvlerësuar pikërisht nga dekonspirimi.

Oficerët e policisë nuk asistojnë apo organizojnë zgjedhje. Sot po them, Policia e Shtetit ka zero rol në organizimin e zgjedhjeve. Unë nuk mund të gjykoj rastin por kushdo qoftë (në përgjime) është në cilësi individuale. Ka devijuar nga përgjegjësitë, nëse është e vërtetë kjo. Çfarë mund t’i bëj unë një oficeri polici i cili del nga mendtë dhe merr përsipër një rol që nuk i takon?! Mund të ndodhë kjo.

Sikur unë të isha kryetar i opozitës, do të bëja atë që ka bërë Imamoglu në Stamboll, që me gjithë ato situata, ai shkon në zgjedhje dhe megjithëse ia vodhën në mars, shkoi prapë dhe fitoi më thellë. Ai që qartazi u penalizua në mars, shkon prapë në zgjedhje; nuk bëri luftë; nuk tha që meqë është kjo situatë, ne dalim nga loja! Se s’ka asnjë rrugë tjetër, sado të mos na pëlqejë.

Këto përgjime bëhen me qëllim për të hapur një rrugë për te provat. Fakti që këto përgjime nuk e kanë çuar prokurorin te prova, ngre një pikëpyetje të madhe nëse ka pasur prova apo jo. Pyetja thelbësore mbetet, përse kanë humbur 3 vjet? Kush është ai që ka varrosur këtë dosje për 3 vjet? Dhe këtu nuk është as policia, as politika, por është prokuroria!

Policia nuk është këtu për të përballuar masivisht të gjithë popullin shqiptar. Në qoftë se ne kemi këtë ide që i gjithë populli shqiptar do të ngrihet kundër zgjedhjeve, policia s’do të bëjë asgjë, fare, s’do të merret me këtë. Policia nuk është këtu për të frenuar popullin shqiptar që të bëjë atë që do populli shqiptar.

Policia ekziston për t’u marrë me kriminelët dhe policia shqiptare është plotësisht në gjendje të merret me kriminelët, sepse kriminelët janë pak, nuk janë shumë, nuk janë shumicë. Kriminelët janë pak në Shqipëri.

Policia e Shtetit do të zbatojë ligjin. Ligji i parashikon Policisë së Shtetit që ditën e zgjedhjeve të mos ketë rol fare. Do të qëndrojë larg zgjedhjeve dhe do të ndërhyjë vetëm nëse kërkohet nga autoriteti që administron zgjedhjet.

Zgjedhjet janë mundësi, demokracia është mundësi për të marrë pjesë. Bojkotimi, abandonimi i tyre është përgjegjësi e atyre që nuk marrin pjesë.  E rëndësishme është që garancia për zgjedhje të lira është e dhënë, e garantuar, dhe në qoftë se dikush mundohet ta bojkotojë sistemin për ta sjellë në këtë nivel është çështje e tjetërkujt.

Kryeministri edhe shumë funksionarë të tjerë të nivelit kushtetues kanë ruajtje personale, madje dhe zoti Basha ka ruajtje nga Garda. Personalitetet e larta shtetërore lëvizin të shoqëruar nga forca sigurie, në qoftë se ndaj tyre ka një nivel të shtuar rreziku shtohet dhe niveli  i masave mbrojtëse.

Garda e Republikës ka për detyrë ligjore të mbrojë këto personalitete. Në këtë situatë, kur sfidat e rendit publik janë shtuar dukshëm, duke qenë se zoti Basha është drejtues i protestave, autoritetet e Gardës e kanë çmuar të nevojshme nëse i duhet rritur siguria.

Garda e Republikës është nën varësinë time dhe unë përpara se Garda të merrte veprime konkrete, në mënyrë që kjo të mos keqkuptohej i kam çuar në mënyrë diskrete një pyetje zotit Basha. Kjo është një rrugë krejtësisht normale.

Komandanti i Gardës nuk komunikon me personalitete politike. I kam përcjellë një mesazh diskret zotit Basha, pasi në kushtet e situatës ku jemi, mendohet të rrisim nivelin e sigurisë për gjithë ata që ka në mbrojtje Garda.

Ndalimi i kujtdo nga ana  e policisë nuk është atribut i ministrit të Brendshëm. Sa i përket zotit Spahia, di që ai ka qenë i shpallur në kërkim. Shkolla është një ndërmarrje e përbashkët e Bashkisë dhe e qeverisë, mjediset i ka Bashkia, paratë i jep qeveria, mësuesit i jep qeveria. Shkolla nuk është zaptuar, por janë shfrytëzuar ambientet për një qëllimi shumë të rëndësishëm të funksionimit të shtetit, që është procesi zgjedhor. Si mund të dalë bashkia kundër një vendimi të cilin e ka marrë njëherë vetë, duke e caktuar një KZAZ? Sa i përket dekretit, atë nuk e zbaton drejtpërdrejt bashkia, pasi ka institucione të cilat ia përcjellin bashkisë. Zoti Spahia dhe disa persona të tjerë në Shkodër janë ndaluar në flagrancë. Zoti Spahia nuk është kapur nga policia në çast dhe është shpallur në kërkim. Ka qenë e deklaruar shpallur publikisht në kërkim më përpara, dhe fakti që ai nuk e dinte duhet të kishte shkuar vetë në komisariat. Policia ka për detyrë ta ndalojë në momentin e parë që bie në kontakt me të. Sa i përket mënyrës së trajtimit, nuk jam në dijeni me imtësi, por nuk besoj, të shkel dinjitetin e tij, nuk është policia jonë polici e ashpër.

Në një seri protestat të dhunshme të panjohura në Shqipëri, ka qenë ekstreme përdorimi i dhunës. Përdorimi masiv i “molotovit” është përdorim masiv i armës (ndaj policisë). Përgjigjja e Policisë ka qenë përgjigje proporcionale, shumë e tërhequr.

Menaxhimi i dhunës që ushtrohet nga turma, ka vetëm këtë mjet, në të gjithë Botën, është standard i të gjithë policive në botë, 191 vende të botës e përdorin gazin lotsjellës.

Skenat e “21 janarit” janë skena krejtësisht të papranueshme, por ka një pjesë të dytë “21 janari”, e cila është turpëruese për Shqipërinë, është derdhur gjak në bulevard dhe nuk mund të vihet kurrsesi një shenjë barazimi.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër po kalonte në një bulevard që ishte i ndaluar kalimi. Polici është i paprekur është autoriteti i shtetit shqiptar. Policia e njofton që nuk kalohet. Ambulanca ka një rrugë ardhje dhe largimi, andej nga erdhi, mund të shkonte. Ambulanca ka qenë atje për t’u përdorur si mjet kundër policisë.

Gazi është mjet i shpikur për të larguar, nuk vret, nuk është gaz helmues është gaz lotsjellës, i cili të detyron të largohesh nga ajo skenë ku ti nuk duhet të jesh, gaz për përdorim policor. Nuk është armë, ose siç dëgjon kohët e fundit lëndë helmuese ushtarake. Shqipëria nuk ka, i ka hequr, i ka asgjësuar lëndët helmuese ushtarake dhe kjo gjë ka ndodhur në kohën që PD ishte në pushtet.

Përpara dilemës se çfarë duhej bërë, cila duhet të ishte zgjidhja më e mirë në këtë periudhë?! Dy sipas mendimit tim: ose t’i lësh njerëzit të bëjnë ç’të duan; ta djegin parlamentin, kryeministri, t’i djegim institucionet të cilat simbolizojnë shtetin shqiptar; ose të qëndrojmë! Nëse do të kishim zgjedhur opsionin e parë, d.m.th. t’i lëmë, ne do të prodhonim atë që quhet anarki. Dhe ne nuk mund t’ia lejojmë vetes sot, vend anëtar i NATO-s që të biem në anarki. Anarkia është më e keqe se diktatura.

Nuk na ndihmon vetëgjyqësia dhe nuk mund të biem në vetëgjyqësi. Ngërçi duhej zgjidhur politikisht. Ndëshkim përmes drejtësisë, përmes institucioneve, përmes zgjedhjeve. Nuk mund të kthehemi në një situatë para-kanunore.

Po jap një përgjigje sot dhe për sa kohë që do të jem ministër i Brendshëm, çdo status të Sali Berishës e përgënjeshtroi paradhënie, sepse i kam të provuar që të gjitha statuset e tij janë gënjeshtra. Haxhi Mileti jep rregullisht lajme të rreme për Shqipërinë.

Në 30 qershor do të zhvillohen zgjedhje. Organet përkatëse kanë marrë të gjitha masat, infrastruktura është e garantuar, policia është në rolin e vet deri ditën e zgjedhjeve, të plotë, por dhe atë ditë ka atë rol që duhet të ketë dhe do ta ushtrojë me vendosmëri, në qoftë se do të ketë nevojë për të ndërhyrë në pajtim me ligjin, me kërkesë të KQZ-së. Policia do të zbatojë detyrimet e saj ligjore nëse kërkohet. Unë jam i bindur, në konsideratë të të gjithë situatës, në konsideratë të informacioneve, etj. që dita e zgjedhjeve do të jetë një manifestim dinjitoz i shqiptarëve për të ushtruar të drejtën e tyre. Problematikë në zgjedhjet në Shqipëri ka pasur përherë, sporadike, por integriteti i zgjedhjeve nuk do cenohet.

Gjithë Policia e Shtetit do të jetë e mobilizuar ditën e zgjedhjeve, mbi 10 mijë veta. Nuk janë të rrezikuara të gjitha qendrat e votimit, përgjithësisht informacioni që ne kemi flasin për një ditë normale zgjedhjesh.

Një vend i NATOS nuk duhet të bjerë në tokë për interesa të caktuara të një grupi të caktuar, kushdo qoftë. Duke qenë një vend i NATOS ne nuk mund të lëmë që një hapësirë e NATOS-s të bëhet zonë kaosi dhe zonë e pasigurt.

Funksioni im është politik, jo teknik dhe e ushtroj politikisht, pavarësisht se nuk jam politikisht i përfshirë, i angazhuar. Por ama funksionin politikisht e ushtroj, sepse kam mbështetjen e një partie politike, e cila më ka dhënë besimin për ta ushtruar. Për të ardhmen nuk e di, nuk besoj se është pasion i madh i imi politika. Pasioni i imi i madh është institucioni, është Shqipëria. Shqipëria nuk duhet të bjerë në tokë dhe këtu kam rast të ftoj të gjithë qytetarët që mos ta lëshojnë në tokë.

Këta policë që ju flisni, (për përgjimet e Dibrës) mesa di unë nuk janë efektivisht në Polici, megjithatë nuk mund t’i kërkoj Drejtorit të Policisë të ushtrojë kompetenca që ligji nuk i ka. Ligji nuk parashikon që në qoftë se nuk kemi evidencë, nuk kemi prova, për përfshirje në një veprimtari të paligjshme të një punonjësi policie, nuk mund të marrim masa.

Në qoftë se ka ankesa për sjelljen, kushdo qytetarë dhe ne kemi përditë raste ku angazhohemi në ndjekje të ankesave të qytetarëve për veprimtarinë e policisë.

Unë nuk mendoj se data 30 (qershor) do të ketë përplasje midis qytetarëve shqiptarë, sepse edhe sikur të përpiqemi të gjithë ne, të gjithë partitë politike të përpiqen, shqiptarët nuk përplasen me njëri-tjetrin, sepse janë më të zgjuar se partitë e tyre.

Policia nuk është për t’u përballur me qytetarët, është për t’u përballur me  kriminelët. Kjo është “klientela” e policisë; krimi. Kush përballet me policinë merr këtë emër: kriminel. Por këta nuk janë shumica e popullit shqiptar.

Situata e rendit publik sot është në nivelin më të mirë historik. Në vitin 2018 kemi pasur 51 vrasje, në vitin 2012 kemi pasur 126 vrasje në Shqipëri, në këtë hark kohor kemi shkuar në gjysmën e  shifrave.