Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 90 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 17/06/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 90

Raporti Javor Nr. 90

“10 – 16 Qershor 2019”

Bruksel/Ministrat Lleshaj dhe Gjonaj, mbështetje nga eurodeputetët për hapjen e negociatave

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj morën pjesë në një veprimtari kushtuar integrimit europian të Shqipërisë, e cila u zhvillua në Parlamentin Europian, nën kujdesin e grupit parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në PE. Veprimtaria u moderua nga eurodeputeti Knut Fleckenstein dhe në të morën pjesë deputetë të Parlamentit Europian, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Bruksel, përfaqësues të agjencive të ndryshme europiane, studentë, etj. Ministrat Lleshaj dhe Gjonaj prezantuan progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, me fokus luftën kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit, frenimin e migracionit të paligjshëm, si dhe reformën në drejtësi. Në pyetjet dhe diskutimet e pjesëmarrësve u evidentua dhe u vlerësua progresi i dukshëm i bërë nga Shqipëria, si dhe u shpreh mbështetje pa ekuivok për hapjen e negociatave të anëtarësimit të saj, sipas rekomandimit të Komisionit Europian.

Intervista e Ministrit edicionin e lajmeve Vizion Plus

Gjatë intervistës në media, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, duke iu përgjigjur akuza të opozitës, tha se nuk ka asgjë politike në arrestimet në Librazhd. Sipas tij, “është thjesht një përgjigje e Policisë ndaj veprave të pastra kriminale të ushtruara nga persona të caktuar, pavarësisht se duan të etiketohen si politikë. Nëse Basha do ti etiketojë politike, është puna e tij”. Referuar debatit Parlament – Presidencë, z. Lleshaj u shpreh se “Parlamenti bëri diçka ndryshe nga Presidenti, nuk zhbëri aktin e vetë të mëparshëm, me të cilin zgjodhi Ilir Metën President, por i shprehu një votë mosbesuese, përmes konstatimit të pavlefshmërisë së aktit të tij”. I pyetur nëse z. Meta ka mundësi të shpërndajë kuvendin, ai deklaroi se “Presidenti zgjidhet nga Parlamenti. Nuk besoj ka fuqi ligjore, kushtetuese por as logjike, që të tentojë të shpërndajë një parlament ndaj të cilit nuk ka asnjë tagër për shkak të natyrës së Republikës sonë. Pa u kthyer bota përmbys kjo s’mund të ndodhë”. Opozita ka njoftuar prishjen e procesit elektoral të 30 Qershorit. Ministri tha se nuk ka për të ndodhur. “Opozita pretendon se ka fuqi të madhe për t’i prishur, mos i lejuar zgjedhjet në 30 Qershor. Por nëse ka këtë fuqi, përse nuk e përdor këtë fuqi në mënyrë konstruktive? Nuk e kuptoj si përdoret fuqia e një force politike për të prishur, kur mund të përdoret për të ndrequr Institucionet dhe agjencitë ligj zbatuese nuk kanë asnjë informacion se në 30 Qershor do kemi konflikt social. Ky konflikt i reklamuar apo i dëshiruar nga disa mendje të nxehta është një opsion i pamundur. JO, nuk do të ketë konflikt social në Shqipëri. Ajo që ekziston në Shqipëri është një aspiratë e pashpresë për të marrë pushtetin në rrugë të paligjshme. Dhe kjo nuk mund të lejohet. Ajo që shitet si mundësi për konflikt social, është përpjekja për të minuar arritjen më të madhe, ngritjen e sistemit të drejtësisë Janë marrë të gjitha masat që qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë në liri të plotë të drejtën për të zgjedhur në 30 Qershor”, u shpreh Lleshaj dhe nënvizoi se kujtdo që mendon se mund të intimidojë, cenojë apo të dëmtojë procesin zgjedhor duhet t’iu themi që tërhiquni nga idetë e gabuara, nga iluzionet e gabuara për arsye se do të keni përballë ligjin, Kushtetutën, qytetarët e vendit të cilët mbrojnë të drejtën e tyre për të votuar, aleatët, partnerët, miqtë e Shqipërisë të cilët janë në mbështetje të këtij procesi jetik për vendin. 

Kuvend/Lleshaj: Presidenti kërkon të marrë kompetenca, që nuk i janë deleguar nga populli përmes Kushtetutës

Ministri Lleshaj ka kundërshtuar nocionin e “zhdekretimit” si akt juridik, në rastin e vendimit të Presidentit Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Duke marrë fjalën në seancën plenare të radhës, Lleshaj tha se është krejt pa kuptim arsyetimi i dhënë nga Presidenti, duke shtuar se ky i fundit ka dëshmuar vazhdimisht një oreks shumë të madh për kompetenca, të cilat për fat të keq Kushtetuta jonë nuk mund t’ia plotësojë.  “Zgjedhjet janë institucioni më i epërm në një sistem demokratik, në njëfarë mënyrë, ato nuk caktohen, por thjesht vijnë. Pavarësisht dëshirave, planeve apo vullnetit të partive politike, ato vijnë në mënyrë të pashmangshme, si vullnet dhe e drejtë e patjetërsueshme e popullit shqiptar”, theksoi Lleshaj.  Duke analizuar deklarimet e Presidentit se situata e krijuar gjoja rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e vendit, ai tha se: “Përballë një rreziku kaq serioz të pretenduar nga Presidenti, do të duhej që ai si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ta kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për ta analizuar gjendjen e sigurisë në vend. Por në vend të saj ai thjesht ka konstatuar apo ka perceptuar në mënyrë subjektive, vetë rrezikun dhe po ashtu vetë, në mënyrë të njëanshme ka gjetur përgjigjen ndaj tij.”

Riatdhesohen 50 shtetas shqiptarë nga Franca, Voda: Mos abuzoni me lëvizjen e lirë, penalizoheni!

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me policinë franceze, realizuan një operacion për riatdhesimin e 50 shtetasve shqiptarë, të cilët kishin bërë kërkesë për azil në Francë. Në procedurat e kthimit në Rinas, ishte e pranishme edhe zv.ministrja e Brendshme Voda e cila u shpreh se operacionet e riatdhesimit, do të jenë më të shpeshta, duke u bërë thirrje shtetasve që të mos abuzojnë me lëvizjen e lirë, pasi mund të penalizohen! Voda theksoi se çdo përpjekje për kërkim azili është e kotë, sepse Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta. Polica Kufitare ka forcuar masat për parandalimin e kalimit të kufirit, me qëllim kërkimin e azilit në vendet e BE-së.

Fier/Hapet zyra e re e aplikimeve për dokumente biometrike

Bashkia e Fierit në bashkëpunim me Kompaninë Koncesionare dhe MB, hapi një zyrë të re aplikimi për dokumente identiteti biometrike. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, Prefekti i Fierit Baki Bala, Drejtuesi i Kompanisë Koncesionare Jean Alain Jouan, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, nënkryetarja e Bashkisë Fier Enkelejda Peshkëpia. Duke vlerësuar angazhimin e bashkisë Fier në këtë proces, zv.ministrja Voda u shpreh: “procedura e aplikimit është shumë e shkurtër, radhë nuk krijohen. Qytetarët pra kanë mundësi të vijnë këtu edhe të pajisen me karta identiteti. Unë do të përsërisja të njëjtën thirrje që qytetarët të vijnë dhe të aplikojnë sa më parë për t’u pajisur me karta identiteti.”. Nënkryetarja e bashkisë Fier Enkelejda Peshkëpia u shpreh se ishin të gatshëm për thellimin e bashkëpunimit me kompaninë koncesionare për hapjen e zyrave të reja moderne.  Bashkia Fier pason shembullin e dhënë nga Tirana dhe disa qytete të tjera për çeljen e zyrave të reja të aplikimit për dokumente identiteti, pasi pritet që ky vit të ketë fluks të shtuar për shkak të skadimit të mbi 1.4 milion dokumentesh të prodhuara në vitin 2009.

Propozime për ndryshime në Kodin Penal, për veprën penale të trafikimit të personave

Gjatë takimit të radhës së Mekanizmit Kombëtar të Referimit u bënë disa propozime për ndryshime në Kodin Penal sa i takon veprës penale të trafikimit të personave. Në këtë takim të kryesuar nga zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, (njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave), u prezantua një informacion i përmbledhur mbi veprimtarinë anti-trafikim për periudhën 5-mujore të të gjithë strukturave të përfshira, u informua mbi Procedurat e Unifikuara për identifikimin, referimin, asistencën dhe kthimin vullnetar të asistuar të viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, dhe gjithashtu u fol  mbi ngritjen e Bordit Këshillimor për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit. Një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimeve ishte ngritja e grupit “ad hoc” për kryerjen e një analize dhe vlerësimi të thelluar mbi nevojën për një ligj të veçantë me fokus mbrojtjen e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit.  Në takim morën pjesë anëtarët e Marrëveshjes së Funksionimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit: Përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nga Prokuroria për Krimet e Rënda, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nga Shërbimi Social Shtetëror, nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Ambasada Angleze, Ambasada Amerikane në Tiranë, nga organizatat ndërkombëtare, si: OSBE, IOM, dhe shoqatat: Terre des Hommes, Ëorld Vision, ARSIS, Mary Ward Loreto Foundation dhe Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Antitrafik.

Bosnje Hercegovinë/Forumi Rajonal i Iniciativës Rajonale për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët (MARRI)

Në takim u miratuan rekomandimet e Komitetit të MARRI-t mbi raportin vjetor të aktiviteteve të iniciativës rajonale për vitin 2019 si dhe palët kanë miratuar Deklaratën e Sarajevës. Duke qenë se Forumi Rajonal i MARRI-t është edhe instanca më e lartë e kësaj iniciative, ky takim kreu edhe traditën e përvitshme të kalimit të Presidencës, ku për vitin 2020 Presidencën e MARRI-t do ta ketë Republika e Kosovës. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda në fjalën e saj paraqiti arritjet kryesore të Ministrisë së Brendshme të Republikën e Shqipërisë dhe synimet për të ardhmen, në përputhje me parimet e përcaktuara në Strategjinë MARRI 2018-2020. “Në këtë kontekst, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të rritur kapacitetet e menaxhimit në strukturat e azilit, në përputhje edhe me direktivat e BE-së dhe me Raportin e Progresit të vitit 2019”, theksoi Voda.

OPERACIONE POLICORE

‘Krasta”, goditet një grup kriminal në Elbasan

Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Policia e Shtetit finalizoi operacionin policor “Krasta”, ku u zbardhën dhe u dokumentuan me prova ligjore 3 ngjarje kriminale të ndodhura më parë. Gjatë operacionit u godit edhe një rast korrupsioni i kryer nga punonjës shtetërorë të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe të sektorit privat. (Procedim i nisur në vitin 2017). Operacioni, u zhvillua nga Njësia Hetimore pranë Task – Forcës Speciale Qendrore, në Departamentin e Policisë Kriminale. Në operacion u përfshinë edhe Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim më Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Forcat Speciale RENEA, FNSH-ja dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Gjatë këtij operacioni u bënë kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente të tjera. U arrestuan dhe u ndaluan 10 persona si dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë. U sekuestruan dy armë zjarri, radio policie, dylbi, drogë, municion e sende të tjera. Gjithashtu u shoqëruan disa persona për verifikim.

Elbasan/”Tranziti”, goditet grupi kriminal i kontrabandistëve të klandestinëve

Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Traziti”, fal të cilit është arritur të goditet një grup kriminal, i cili vepronte në fushën e kontrabandimit të klandestinëve nga vendet e treta. Gjatë operacionit janë ndaluar 10 persona, mes të cilëve dhe një shtetas turk.  Operacioni është zhvilluar në dy faza dhe më herët gjatë operacionit të ndjekur me metoda speciale të hetimit nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan janë arrestuar e ndaluar edhe 8 persona, ndërmjet tyre dhe kreu i grupit një shtetas turk. Këta persona në bashkëpunim me njëri- tjetrin, vepronin si grup kriminal, duke organizuar transportin e shtetasve të huaj nga Kufiri i Gjelbër me shtetin grek në drejtim të Tiranës dhe më pas në drejtim të Malit të Zi. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Finalizohet operacioni “Poker”, procedohen dy shtetas

Policia e Tiranës ka goditur dy raste të ushtrimit të  aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Operacioni policor është kryer nga efektivët e Komisariatit nr. 2 të kryeqytetit dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën “Irfan Tomini” dhe në rrugën “Ismail Qemali”, në lokalet nën administrimin e këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri, kompjuter, monitor, aparate celularë, bizhuteri, çelësa mjetesh, si dhe vlera monetare. Kontrollet kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë qarkun Tiranë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e këtij aktiviteti të kundërligjshëm.

Gjirokastër/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Befasia”

Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të kontrabandës së mallrave, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në D.V.P. Gjirokastër organizuan dhe zhvilluan operacionin “BEFASIA”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit 2 shtetas dhe 1 doganier në Degën Doganore Kakavije. Arrestimi i tyre bë pasi në aksin nacional Gjirokastër-Kakavije, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në mjetin që drejtohej nga shtetasi M.B. dhe pasagjer shtetasi Xh.M., dhe gjetën një sasi mallrash të konsiderueshme me pije energjike dhe qumësht, për të cilat nuk kishin paguar detyrimet doganore. Nga hetimet e kryera rezultoi se doganieri M.M. kundrejt një sasie parash ka lejuar që shtetasit M.B. dhe Xh.M. të kalonin mallrat në hyrjen e Republikës së Shqipërisë pa paguar detyrimet doganore.

Librazhd, procedohen 23 persona për tubim të paligjshëm

Procedohen 23 persona, ndër ta 7 të arrestuar për protestën e paligjshme të organizuar pasditen e datës 13 qershorit në hyrje të qytetit të Librazhdit. Policia e Librazhdit bazuar në pamjet filmike, dhe raportet e shërbimit, ka bërë arrestimin në flagrancë të 7 personave për veprat penale të “Organizimit, pjesëmarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’’ “Pengim i subjekteve zgjedhore”, si dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, për të njëjtat vepra penale edhe për 16 shtetas të tjerë. Këta shtetas janë grumbulluar në rrugën nacionale në hyrje të qytetit të Librazhdit tek kryqëzimi i Përrenjasit dhe në vijim kanë tentuar që të bllokojnë rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, në hyrje të qytetit të Librazhdit, duke penguar eskortën e Kryeministrit dhe kanë goditur eskortën me sende të forta e lëndë plasëse piroteknike. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.