Elbasan/Operacioni “Krasta”, zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore 3 ngjarje kriminale të ndodhura më parë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 14/06/2019

Elbasan/Operacioni “Krasta”, zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore 3 ngjarje kriminale të ndodhura më parë

Elbasan/Operacioni “Krasta”, zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore 3 ngjarje kriminale të ndodhura më parë

Goditet edhe një rast i dyshuar korrupsioni, kryer nga punonjës shtetërorë të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të sektorit privat

Në datë 14.06.2019, në kuadër të operacionit “FORCA E LIGJIT”, nga Njësia Hetimore pranë Task Forcës Speciale Qendrore, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, pas një hetimi 1-vjecar, në bashkëpunim më Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, forcat speciale RENEA, FNSH, në orët e para të mëngjesit kanë zhvilluar operacionin policor të koduar “KRASTA”, për të bërë të mundur ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, të masave të sigurimit personal “Arrest me Burg” dhe kontrollin e banesave e ambienteve për llogari të hetimeve të procedimeve penale të rifilluara, si më poshtë:

  1. Procedimi Penal nr. 40 të vitit 2006, i regjistruar për veprat penale: “Vrasja me paramendim mbetur tentativë”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 78-22, 278/2 të Kodit Penal, që bën fjalë për tentativën e vrasjes së shtetasit F.M., ngjarje e ndodhur më datë 30.01.2006 në Elbasan.
  2. Procedimi penal nr. 1121/2012, i regjistruar për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 79/dh-25, 278/2 të Kodit Penal, që bën fjalë për vrasjen e shtetasit G.B. (alias A.M) dhe të babait të tij shtetasit N.B., ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012, në lagjen “Çlirimi” Elbasan.
  3. Procedimi Penal nr. 627-2013, i regjistruar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga nenet 88, 110/2, 278/2 të Kodit Penal, ngjarje e ndodhur në datë 19.04.2013 në qytetin e Elbasanit.

Si rezultat i hetimeve intensive nga kjo njësi në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, është bërë e mundur që të tre këto ngjarje të zbulohen dhe të dokumentohen me prova ligjore, dhe konkretisht :

Për procedimin penal nr. 40 viti 2006, nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se autor i kësaj ngjarje është shtetasi F.Ç, 38 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan lagjja “Emin Matraxhiu”. Për këtë shtetas u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 477 datë 11.06.2019, për të cilin ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg” i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Për procedimin penal nr. 627 viti 2013 nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se autorë të kësaj ngjarje janë shtetasit:

  1. M.L (alias S.Ç), 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjja 5 Maji”, aktualisht person i shpallur në kërkim për një tjetër vepër penale;
  2. E.Ç, 30 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, aktualisht i ndaluar për një vepër tjetër penale dhe vendimi ndaj këtij shtetasi u ekzekutua në ambientet e IEVP, Elbasan.

Për procedimin penal nr. 1121 viti 2012 nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se autorë të kësaj ngjarjeje janë shtetasit:

  1. E. B, 38 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Elbasan, “Lagjja Shënkoll”, i cili është shpallur në kërkim;
  2. E. C., 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan “Lagjja Çlirimi”, i cili është shpallur në kërkim.

Në kuadër të hetimeve të kryera mbi procedimin penal nr. 627 viti 2017, është bërë e mundur të dokumentohet aktiviteti i jashtëligjshëm në lidhje me disa veprime korruptive, të kryera nga punonjës shtetërorë të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të sektorit privat.

Si rezultat i hetimeve u arrit që përmes provave ligjore të dokumentohet aktivitetit korruptiv i shtetasve të mëposhtëm dhe u ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg” për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, parashikuar nga nenet 244, 245/1,2, dhe 149/a, për shtetasit:

  1. B. K, 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan;
  2. A. B, 61 vjeç, lindur e banues në Elbasan;
  3. A. N, 67 vjeç, lindur Sarandë dhe banues në Tiranë;
  4. S. M, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë;
  5. I. H, 51 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë;
  6. A. D, 34 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan,
  7. Sh. S, 38 vjeç, lindur dhe banues në Labinot Mal-Elbasan, i cili u shpall në kërkim;
  8. E. T, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tropojë.

Në vijimi të ekzekutimeve të vendimeve për kontrollet e banesave dhe ambienteve, janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet si më poshtë:

  • revolver “Nagant” me mulli, me gjashtë fishekë, kalibër 9 mm.
  • pistoletë gjysmë automatike e markës “Zoraki”, me gjashtë fishekë, kalibri 7.65 mm
  • krehër pistolete TT, me katër fishekë, model 54.
  • 26 copë fishekë, model 54
  • 4 jelekë antiplumb
  • shkop metalik me hapje me stampë policie “USING”
  • portofol lëkure me stampë “Policia e Shtetit”.
  • 7 palë targa automjetesh, shqiptare dhe të huaja.
  • 4 radio marrëse – dhënëse
  • peshore elektronike
  • 735 gr. lëndë narkotike e dyshuar marijuanë, e paketuar dhe e përgatitur për tu tregtuar.
  • disa telefona celularë dhe një satelitor.  Gjithashtu nga kontrollet e banesave, si rezultat i sendeve të paligjshme të gjetura në banesa, është bërë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Gj. (S), 40 vjeç, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, lëndëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja dhe shitja pa leje e armëve të ftohta”, dhe “Mbajtja pa të drejte e uniformës”, vepra të parashikuara nga nenet, 278, 279 dhe 247 të Kodit Penal.

Është shpallur në kërkim shtetasi Q.H., 25 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e Narkotikëve” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Në përfundim bëjmë me dije se vijojnë hetimet intensive në lidhje me një numër ngjarjesh të vjetra të ndodhura në Qarkun e Elbasanit dhe Tiranës, duke bashkëpunuar me autoritet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.